DOSSIER

Deri kur do të mashtrohet e uzurpohet Lufta e Reçit?

10:52 - 01.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Hamza Kazazi – Mbas 77 vjetësh të ngjarjes dhe 29 vjet demokraci (deri diku demokraci) vazhdon të mos nxirret e vërteta e sidomos mbas 2013 të kremtohet vetëm nga një anë. E vërteta për të cilën kam mbërritë të gjej dokumente dhe e vërtetoj se meritat i takojnë në rradhë të parë Ballit e Legalitetit dhe janë në vend të tretë komunistat, që pa tjetër edhe ata kanë luftuar, por po iu jepen të gjitha meritat duke eliminuar të tjerët. Gjithashtu nuk harrohet edhe pjesëmarrja e popullit të Reçit e zon zonës. Pra bëhet mashtrim i të vërtetës e historisë dhe politika që sundon sot e uzurpon duke ju a lënë vetëm komunistave e po veprohet si dikur në diktaturë. Atëherë po thërras: Ku është politika e jonë që nuk don të ja dijë? Ku është qendra me qendrën e djathtë, Balli e Legaliteti që ju takon, PD, Republikania etj. por edhe parti e majtë po të jetë e vërtetë dhe jo ekstremiste e nostalgjike e komunizmit? Politikës i takon të merret edhe me këtë çeshtje si kjo dhe duhet ta kuptojnë se është edhe pjesë e propagandës e fitohet simpati në elektorat e popull. Ata duhet të shkojnë në Reç kur kremtohet e të zënë vend në tribunë me meritë dhe nuk duhet të presin ftesa. Në fakt në kohën e PD kanë pasë ftuar edhe prej komunistave si Qazim Kapisyzi etj. kishtin vendin në tribunë.




Fatkeqësisht nuk kuptohet e nuk veprohet si në çdo vend të botës së përparuar. Ndokush mund të thotë se një që nuk merr vesht nga politika, po na mëson. Unë dua Vendin tim, dua ta shof si më të mirin në botë, kam edukatën nga të mijët, eksperiencën e jetës megjithëse të rëndë për shumë vite dhe ndjej këtë çeshtje si edhe mjaft të tjera.

Ndër betejat më të mëdha në vendin tonë kundër okupatorit është Lufta e Reçit me 30-31 gusht 1943, ku u vranë rreth 40 e u plagosën mbi 100 italianë. (Këto shifra i kam marrë nga publikime të tjera e nga të thëna e nuk kam gjetë dokumente). Për këtë ngjarje me vlera të historisë tonë duhet të zbardhet e vërteta. Janë shkruar artikuj, një libër nga Mentor Quku me të dhëna nga arkivat, megjithëse i mungojnë disa të rëndësishme e ka edhe intervista. Nuk do të flas për detajet e luftës, por për gjëra me rëndësi, për të vërtetën.

Jup Kazazi qe kryesori e pati meritën e madhe, që dokumentohet, se organizoi Luftën e Reçit, ku luftuan së bashku ballista, legalista, komunista e popull i thjeshtë. Për këtë do të paraqes dokumente. Afërsisht 5 vjet mbas “çlirimit” nuk u festua dhe nuk u fol për atë luftë, pse ishte e freskët, pastaj komunizmi e përvetësoi krejtësisht, duke shtrembëruar të vërtetën dhe filluan ta festojnë e shkruajnë çdo vit. Jo vetëm nuk është e vërtetë, por bënin krim ata që shkruanin, mashtronin e shpifnin si Sadik Bekteshi, Rexhep Haka, Qazim e Fadil Kapisyzi etj., që e bënin luftën krejtësisht të tyren e për më tepër nxirrnin Jup Kazazin me “reaksionin” si tradhtarë e kriminelë e sikur kishin luftuar bashkë me italianët kundër komunistëve. Këto epitete, disa prej tyre i morën për vete dhe i dënoi me akuzat si “armiq të popullit” komunizmi i tyre. Për këtë duhet të shihen gazetat “Bashkimi” e “ZP” të datës 31 gusht ose afër saj të çdo viti e sidomos deri në 1975, sa poshtërsisht kanë shkruar, derisa ishin në këmbë disa që u dënuan. Megjithatë, kanë vazhduar e vazhdojnë për fat të keq e gati si ata edhe në vitet e demokracisë.

Me rëndësi për t’u krahasuar me shkrimet tjera e për të nxjerrë disa të vërteta, është artikulli i Qazim Kapisyzit në “ZP” datë 1.09.1993 “Mesazhe të mëdha dhe gjithmonë aktuale”, ku shkruan për Luftën e Reçit. Ai përdor stilin si kur ishte në fuqi dhe paturpësisht përvetëson luftën si të tyren duke bërë bashkëpunëtor “reaksionin” dhe se ka luftuar bashkë me italianët kundër tyre. Ai shkruan si dikur: “Fashistët italianë, në bashkëpunim me krerët e reaksionit të vendit, duke parashikuar kapitullimin e shpejtë të Italisë, për të përjashtuar mundësinë e pushtimit të Shkodrës nga forcat nacionalçlirimtare, ndërmorën sulmin kundër forcave partizane…”. Nuk ka pasë forca shqiptare që kanë luftuar kundër shqiptarëve e në Reç, ka luftuar ushtria italiane. Ai përsëri shtrembëron poshtërsisht të vërtetën, si dikur ai vetë me shokët e tij. Provohet e kundërta me dokumente dhe spjegoj më poshtë se italianët sulmuan Reçin, kryesisht pse u krijua “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë” me inisiativen e kryesinë e Jupit, ku u bashkuan të trija forcat politike. Kapisyzi thotë: “rrenë me bisht”, siç i thonë në Shkodër, kur thotë se italianët sulmuan Reçin për çetën e tyre, që donte të çlironte Shkodrën! Ka qenë krejtësisht e kundërta. Ai edhe për këtë falsifikon të vërtetën e përvehtëson meritën e të tjerëve. Kapisyzi shkruan me pompozitetin e stilit komunist, se me 30 gusht erdhën 1200 ushtarë italianë e luftuan në proporcion 30 me 1 me çetën e parë të batalionit Perlat Rexhepi, me rreth 40 vetë (në fakt rreth 30), por ata me trimërinë e kurajën e tyre i mundën keq. Pra, vetëm ata kanë meritat e “reaksioni” bashkë me italianët luftoi kundër tyre, ndërsa ata 40 vetë thyen 1200 e vranë 40 italianë, pra 30-fishin. Ai si pjesëmarrës i luftës, i afrohet të vërtetës dhe ka shumë rëndësi për numrin 40 partizanë, që ka qenë gjithmonë i smadhuar nga ata e vërtetohet se nuk ka qenë batalioni me 140 vetë, siç kanë shkruar e vazhdojnë akoma. Sipas tij, “sa nisi pushka, partizanët e çetës së parë përkrah saj menjëherë u rreshtuan malësorët trima të Reçit, të fshatrave pranë si dhe çeta e dytë e batalionit. Ndodhi mrekullia …” etj., etj. Aty nuk ka ardhë çetë e dytë. Toger Fadil Deliallisi me 40 ushtarë, kaluan me anën e tyre, por luftuan veçmas me formacionet e ushtrisë e mbas Luftës Reçit u bashkuan dhe qenë baza e krijimit të batalionit Perlat Rexhepi, që bashkë me çetat arritën, siç thonë, 140 vetë. Batalioni është krijuar mbrapa. Kështu unë nuk konsideroj të Ballit 80-90 ushtarët me 8 oficera e komandanta majorat Zenel Kazazi e Dilaver Dine, që të gjithë i solli në Reç Zeneli, ku ishte i vllai Jupi.

Në gjurmët e tyre masakron të vërtetën me 31/08 e 1/09/2009 në “Shekulli” edhe Shaqir Vukaj, duke i kaluar meritat si dikur “anës së tij” në artikujt “E vërteta e Luftës së Reçit” e “Reç 1943, ballistët në ndihmë të partizanëve”!!. Po kështu e shtremëron të vërtën duke deformuar dokumente në shkrimin në gazetën Dita të 22 e 23/08/2016. Siç e kam thënë më lart, e vërteta është se prej partizanve ka qenë një çetë me jo më shumë se 30 vetë e jo 140. I ati Bejto Faslia ka bashkëpunuar me Jupin e për këtë janë dokumente të Arkivit të Shtetit. Ai do të ishte një prej atentatorëve të Jacomonit, zavëndësit të mbretit, i organizuar prej Jupit, por që nuk u arrit. Unë nuk ja kam pasë marrë per të keq familjes së tij, pse kur kanë ardhë prej Reçit në Shkodër, kanë banuar në shtëpinë e Kazazve. Ne përjashta me të vrarë, të burgosun, të persekutuar në kulm e të shpronësuar plotësisht e familja e tij në shtëpinë tonë. Shkrimi i tij me mëllef per Jup Kazazin më pati bërë ta kujtoj e ta nxjerr prej thellsisë së vuajtjeve ku kishte mbetë e mos ta harroj. Mbas këtij shkrimi jo real e me qëllim denigrimi e shtoj edhe familjen e tij si bashkëfajtore me regjimin diktatorial, derisa ne na nxorën në rrugë e gjithashtu i ati si punonjës i komitetit të partisë, ka zbatuar luftën e klasave kundër familjesh e njerëzish të pafajëshëm. Për këtë mjafton caktimi i “kulakëve”, që shkatërronte jetë familjesh të tëra. Replikën e kam pasë bërë e nuk do të vazhdoj të sqaroj për njollosjet e Babait tim.

Shaqir Vukaj po të donte me nxjerrë të vërtetën sinqerisht, duhet bazohej edhe në dokumentet që paraqes unë. Ai i ka pasë dyert e arkivit hapët dhe është e pamundur të mos i kenë dalë edhe këta, ndërsa unë mbas më se 20 vjetësh kam arritë me i mbledhë nga pak e nga pak dhe me siguri ka të tjerë.

Për Sh. Vukajn është e pafalëshme pse ka jo vetëm deformuar por falsifikuar qëllimisht dokumentin e më poshtëm, duke ju dhënë meritë vetëm komunistave e pa përmendë Jup Kazazin etj.: “Në shhkresën rezervat datë 27 gusht 1943, drejtuar Komandës së Sektorit ECTU thuhet: Tash lajmërohemi se sipas të dhanunave nga Komuna e Shkrelit, çetat komuniste janë bashkue me banorët e katundit Reç të rajonit të komunës së sipërme, e cila sipas shenjave u përbaka prej afro 800 vetësh të armatosun ma së miri dhe se janë instalue tek Kisha e Reçit e në afërsi të saj. Për dijeni dhe Ministrisë Punëve të Mrendshme. Tiranë. Zv-Prefekti e Kuestori Dh.Bala”. Ndërsa shkresa e vërtetë thotë: “Mbretnia Shqiptare / Prefektura Shkodër / Nr. 396 Rezervat/ Shkodër, me 27 gusht 1943/ Komandës së Nensektorit/ Këtu: Tash lajmërohemi nga Nenprefektura e Tuzit se simbas informatave të dhanuna nga Komuna e Shkrelit çetat komuniste asht bashku me banorët e katundit Reç të rajonit te Komunës së sipërme, e cila sipas thanjeve ajo u përbaka me afro 800 vetësh t’armatosun ma se miri dhe se janë instalue te Kisha e Reçit e n’afërsinat e sajë. Si kryetar të kësaj çete thuhet se janë Jup Kazazi dhe Ibrahim Mandiqi ish Komandant i Bgt. Kaptina. Lutemi dispononi masat që mund të shifni t’arsyeshme. Zv/Prefekti e Kuestori. Dh. Bala” – Pra duke vrejtë gabimet ortografike e gramatikore, del se ka qenë edhe çeta komuniste e bashkueme me të tjerët e janë bërë 800 vetë me në krye Jupin i Ballit e I. Mandiqin i Legalitetit, që nuk mund të ishin kryetarë të çetës komuniste dhe s’ka mundësi të kishte çetë me 800 vetë. Më poshtë do të dalin edhe dy dokumente të tjerë që thonë se janë se janë mbledhë 500 vetë nën kryesinë e Jup Kazazit. Në një vend vërtetë demokratik, kjo denohet me ligj.

Patjetër nuk mohohet edhe lufta e komunistave, por jo të vazhdohet si dikur e të marrin meritat e të tjerëve, e jo vetëm me iu a marrë, por t’i bëjnë edhe tradhtarë e armiq.

Komunistat morën pjesë e luftuan me 30 vetë, pra shumë më pak se Balli me tri çeta e Legaliteti me dy. Duhet të arsyetojmë e gjykojmë: çka shkruanin Sadik Bekteshat me shokë dhe po vazhdohet, bien poshtë si mashtrim i historisë e shpifje dhe nuk mund ta kundërshtojë askush, pse e hedh poshtë me dokumente. Me këtë stil ka vazhduar komunizmi edhe për njerëzit e vet kur i eliminonte. E vërteta provohet nga mjaft dokumente të Arkivin Shtetit, përveç shkrimeve e dëshmive. Në Reç luftuan të trija anët politike, regjimenti dezertues i Ulqinit e bashkë me ta, banorët e Reçit e të rrethinave.

Jup Kazazi e bashkëluftarët e tij respektonin kundërshtarët politikë e për më tepër, kush luftonte pushtuesin. Kishte ide e kulturë perëndimore dhe zbatonte Marrëveshjen e Mukjes. Ai nuk i konsideronte armiq e tradhtarë ata që kishin ideal tjetër, pse kishte sensin e demokracisë dhe respektonte të drejtën e idesë e mendimit të personit. Atë e bënë komunistët që gjatë luftës e më vonë gjatë diktaturës së tyre vranë, burgosën e internuan me mijëra patriotë e iu persekutuan për 46 vjet familjarët e farefisin, përveç që edhe i shpronësuan. Ky qe ndër krimet më të mëdha të njerëzimit. Jupi ra në kundërshtim me ta, kur u pa haptazi që ishin të shitur tek sllavi, donin t’ju falnin Kosovën e të eliminonin deri fizikisht kundërshtarët politikë, ashtu sikurse vepruan dhe koha e provoi. Për këtë ata e donin të vdekur. Pra komunistat e filo-komunistat që nuk denojnë këtë, luftën e klasave, persekutimin e krimet që ka bërë, të rrinë urtë e të mos ndihen, se nuk kanë të drejtë as me folë. Ai që nuk denon krimin, bëhet bashkë me të. Respektoj idenë e mendimin e tjetrit dhe mund të jetë edhe komunist në disa parime, por jo të mos denojë e për më tepër të mbrojë krimin e të jetë për luftën e klasave e për çka bëri komunizmi tek ne dhe në botë.

Pse italianët sulmuan Reçin me Armatën e IX-të? Pse ishin dy çeta të partizanve, siç thonë disa edhe sot? Pse ishin tri çeta të Ballit e dy të Legalitetit? Aspak e vërtetë!

Arsyeja pse sulmuan Reçin e kush e organizoi atë, provohet prej letrës së ministrit të mbrendshëm nr. 635/206 dt. 28-8-1943 drejtuar Komandës së Armatës IX prej 3 faqesh dhe është e çuditëshme që në asnjë shkrim o studim nuk rezulton dhe e kam pasë publikuar unë për herë të parë. Ky dokument është shumë i rëndsishëm dhe provon e spjegon Luftën e Reçit e pse ata sulmuan. Me këtë dokument e të tjerë bien poshtë ato qe kanë thënë më përpara dhe që po vazhdojnë të thonë e mbas v. 2013 edhe në kremtimin e Luftës në Reç.

Ndër të tjera në atë dokument thuhet se me dt. 15-8 janë mbledhë ne Gradiski të Lohjes çetat e ndryshme e kryetari i komisjonit Jup Kazazi ju lexon një letër të Lumo Skendos (Mid’hat Frashërit) e se formohet “Komiteti për shpëtimin e Shqipnisë” për Prefekturën e Shkodrës e Kosovë. Kryetarët e çetave kanë emnue nji zani kryetar Jup Kazazin e organizator Llesh Marashin, sekretar Enver Bushatin e antarë Dom Luigj Pici, Dr. Bahri Kopliku, Hasan Isufi e Ramadan Reçi. Ne komision bajshin pjesë edhe Dom Zef Shestani, Xhelal Bushati, prof. Prek Kaçinari, Ibrahim Mandija, Gjovalin Lin Luka e bajraktari i Reçit Nuz Sokoli (Bajraktari)”. Aty ishin disa çeta të Ballit e Legalitetit, por edhe të komunistave Gjovalin Luka e Ramadan Reçi, që edhe ata votuan Jupin. Aty thuhet: “Jup Kazazi asht tuj pregatitë bandat për me sulmue Shkodren”. Po aty shkruhet: “Kryetari i Komitetit, Jup Kazazi me organizatorin e çetave, Llesh Marashin, ka formue doren e zezë, për nji atentat kundra Ministrit Punve të Mbrendshme, kta persona janë të ngarkuem për atentat: Dan Elezi, nga katundi Zagorë (prej çetës Llesh Marashit); Bejto Faslia nga katundi Reç (i çetës Ramadan Bajraktarit) dhe nji person i panjoftun i pa emën i çetës Gjovalin Lukës”. Po për përgatitjen e atentatit është edhe një dokument tjetër, letër e ministrit të mbrendshëm nr.1937/II me 24.8.’43 ku thuhet se “I nipi i Sulçe Beg Bushatit, Fejzi Boriçi kryetar i grupit me tre shokë të tjerë (që janë personat e mësipërm të grupit) janë nisë për Tiranë për atentatin. Në kaq jemi njoftu se Kryetari i Komitetit asht Jup Kazazi me organizatorin Llesh Marashi të cilët kanë formue Doren e Zezë për nji atentat kundër Ministrit P.Mbr”. Pra grupi për atentatin ka kryetar Fejzi Boriçin i Jupit, Dan Elezin i Llesh Marashit, pra të Ballit, Bejto Faslia (babai i Shaqir Vukaj -HK) dhe një pa emër të komunistave. Në fakt jam krejt i sigurtë dhe është e vërtetë prej tregimit të Zenel e Hamid Kazazit dhe Ruzhdi Rrojit, se atentati ishte për Mëkmbësin e mbretit Jacomoni e jo për ministrin shqiptar. Shtoj se Gjovalin Luka ka qenë idealist e ku ta gjejmë që të ishin komunistat si ai. Ai e kuptoi realitetin e qe mënjanuar.

Një dokument i mëparshëm, letër – telegram i prefektit Shkodrës drejtuar ministrisë mbrendëshme nr. 635/106 dt. 1-8-1943, thotë: “Tash lajmërohemi nga Komanda e Rrethit se në katundet Linaj e Lepurosh të komunës Rrjolli nji grup personash të armatosun prej afro 500 vetësh janë mbledhë nen kryesinë e Jup Kazazit e Xhelal Sulo Beg Bushatit të dy nga Shkodra. Qellimi i kësaj mbledhje nuk dihet. Ju shkrue Komandës së Sektorit këtu për masat e rastit. -Prefekti”. Po këtë tekst me dt. 3-8 Ministri i mbrendshëm ja çon kryesisë së Këshillit të ministrave. Telegrami shifër i ministrit, prefektit të Skodrës nr.635/136 dt. 4-8-1943 thotë: “Më riferohet se si bashkpuntuer ma të ngushtë të Jup Kazazit për kryengritje para shumë kohe ka qenë Ahmet Osi, Ujk Tahiri dhe Elmaz Hoxha të tre nga Kopliku pikë. Në rezulton e vertetë të arrestohen pikë. – Ministri”. Pra thuhet para shumë kohe dhe është shumë domethënëse. Telegrami 361/22 dt. 4-08-1943 e akuzon Jupin per tradhti e përgatitje për kryengritje. Telegram tjetër thotë se po përgatit atentat ministrit, që në fakt, siç kam thënë më lartt, ishte për Jacomoni-n.

Shumë i rëndësishëm është raporti i prefektit të Shkodrës, ministrisë së mbrendëshme për luftën me datë 3-9-1943 nr.635/258 (AQSH Fondi 252, dosja124, fleta 20, nr. 4) ku thuhet: “Kam nderin t’Ju njoftojm se operacionet e ushtrisë kundra çetave rrebele të Jup Kazazit me shokë kanë fillue me daten 30 të m. kaluem n’oren 4 të mëngjesit dhe ushtrija u tërhoq me daten 31/8/1943. Në ndeshje thuhet se kanë mbetë prej çetave Rifat Nuz Sokol Bajraktari, i biri i Bajraktarit të Reçit bashkë me Dr. Bahri Kopliku dhe 10 persona te tjerë të pa identifikuem, të cilët janë varrosun prej çetave. (Shenim: gabohen, pse dr. Kopliku ishte me Ballin e luftar, por ka jetuar deri vonë.) Prej ushtrisë kanë mbetun 8 ushtarë që nuk janë varrosë ende, nji kapiten ndodhet i vramë në lagjen Prel Nikaj e nji karabinier në lagjen Kuç të cilët nuk kanë mujtë të tërhiqen pse këto katunde ndodhen në dorë të çetave. Popullsija e Reçit dhe Lohes asht largue ndër male dhe shumica e banorve      të Reçit jane bashkue me çetat. Ushtrija ka damtue në operacjone 10 shtëpija. Nji rreshter milicije i plagosun …. Mbas njoftimit që kemi prej komunës Shkrelit, çetat rebele i jane afrue kësaj komune; fuqija vullnetare ka xanë vendet e dyshimta. -Prefekti.” (Shenim: Në raport gabohet numri i te vrameve, mbasi janë më pak prej anës tonë e shumë më tepër prej italianëve. Ishte shpejt e nuk kanë pasë informacion të azhornuar. Gjithashtu forcat (fuqija) vullnetare kane qenë krijuar prej kolonelit italian e ishin ne shërbim të tyre). E pra nuk përmenden komunistat, të cilët kanë fallsifikuar të vërtetën historike, përvehtësuar rolin e tyre udhëheqës e vazhdojnë. Po sqaroj se Llesh Marashi për një periudhë shumë të shkurtë, për 20 ditë, qe lidhë me komunistat dhe u bë komandant i çetës tyre, por qe shkëputë sa ju pau qëllimet e veprimet. Ai ka qenë e ishte me Jupin dhe kanë vazhduar së bashku deri në fund të jetës luftën për liri edhe kundër komunizmit. Gjithashtu Bajraktari i Reçit ka qenë mik i Jupit dhe i pa lidhur politikisht. Pa tjetër ai si edhe bajtaktarët tjerë e banorët kanë pritë e strehuar të gjithë pa dallim se të cilës anë politike ishin. Djali i tij Rifat Nuzi, njeri prej dëshmorëve, siç më kanë pasë thënë te mijtë, ka qenë i lidhur me Ballin. Ndersa Ramadan Reçi (i shkruar edhe Bajraktari) ka qenë nip i Bajraktarit dhe komandant çete komuniste.

Shaqir Vukaj gabon e paraqet krejt ndryshej mbledhjen për krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë të 15 gushtit si me 13 gusht dhe pa praninë e shumë të tjerëve e as Bajraktarit të Reçit e shkruan simbas thënies së Ramadan Reçit komandant çete komuniste e si nip i bajraktarit sikur perfaqsonte edhe atë: “Siç kujton veterani i luftës, Ramadan Reçi, pikërisht në këtë periudhë, më 13 gusht 1943, në Muçovilë të Reçit është organizuar një mbledhje e parisë së Rranxave, ku kanë marrë pjesë bajraktarët e Reçit, Koplikut, Grizhës dhe Rrjollit, si dhe përfaqësues të Frontit Nacionalçlirimtar, Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, dhe ku Ramadani përfaqësonte Frontin Nacionalçlirimtar (tërheq vëmendjen fakti se ai duke qenë nipi i bajraktarit të Reçit, ishte në rolin e një përfaqësimi të dyfishtë)”. Kjo bjen poshtë krejtësisht si thënie prej shkresës 3 faqesh për mbledhjen me 15 gusht, kur të trija forcat politike aprovuan krijimin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipnisë të përmendur më lart.

Janë dokumente në shqip e italisht që urdhërojnë arrestimin e Jupit nga Ministria e mbrendëshme dhe Gjykata ushtarake e luftës për tradhëti e organizim kryengritje.

Përfundimisht, italianët sulmuan Reçin me gjithë forcat e tyre ushtarake, për të eliminuar forcat e organizuara prej “Komitetit të Shpëtimit të Shqipnisë”, ku bënin pjesë çetat e Ballit, Legalitetit e komunistave, pra të gjithë së bashku kundër pushtuesit, për të sulmuar e çliruar Shkodrën. Siç del prej dokumentit, deri prifta janë shpërnda me përgatitë njerëzit e me bë propagandë. Jupi me influencen e vet e po kështu të tjerët do të çojshin në këmbë jo vetëm zonën e Reçit, por edhe krahinën e Shkodrës e sa të afroheshin, edhe qytetarët.

Ne Luftën e Reçit morën pjesë prej Ballit, Jupi me çetën e njerëzit e vet si çetat e Xhelal e Enver Bushatit dhe e Llesh Marashit, prej Legalitetit ishin dy çeta me komandanta Shaqir Meta (dhëndërr i Bajram Currit), Shaban Elezi, Hysen Lohja e Fadil Dizdari, komunistat me rreth 30 vete. Shumë të rëndsishëm qenë ushtarët e Regjimentit të III-të të Ushtrisë kombëtare që kishin dezertue e ardhë prej Ulqinit. Ata kishin oficerat akademista kolonel Fuat Dibra, që mbas 29 nëndorit komunistat e dorzuan tek jugosllavët, të cilët e pushkatuan si antikomunist e antisllav, dhe majorat Zenel Kazazi e Dilaver Dine te lidhur me Ballin. Ata kishin patriotizmin e ndjenjën e demokracisë dhe i lanë të lirë ushtarët e oficerat të shkonin me ke të donin dhe është e vertetë se pjesa më e madhe me 80-90 vetë e 8 o13 oficera ndejën me komandantat e mësiperm, pra me anën e Ballit e një pjesë rreth 40 vetë, me toger Fadil Deljallisin e më duket edhe një oficer tjetër më vonë, u lidhën me komunistat por kur u bë lufta, ata ishin dhe luftuan veç, ndërsa një pjesë e vogël qe nisë drejt shtëpive të tyre. Ishte Zeneli i lidhur me Jupin që drejtoi regjimentin pej Ulqinit në Reç, ku i vllai po përgatiste luftën. Dokumentohet se kur kaluan lumin Buna, ata i priti Haliti i vllai i madh i Jupit, oficer karriere, e i udhëhoqi drejt Reçit. Shtoj se me ushtarët e Deljallisit e çeta të tjera qe formue batalioni Perlat Rexhepi, siç thuhet prej rreth 140 vetë, por më vonë, pse ato ditë ne Reç ishte një çetë me jo më shumë se 30 vetë dhe Deliallisi me të tijët u inkuadruan me komunistat mbas Luftes së Reçit. Pjesëmarrësi Qazim Kapisyzi me 1993 shkruan se ishin 40 partizanë e jo 140, pra shton pak, por vërteton shumë. Është jashtë logjikës që ai si komunist e pjesmarrës në ketë luftë, të ju heqi të vetëve 100 vetë. Po shtoj se Deliallisi nuk qe për krimin e karrierist. Më vonë me gjithë kontributin per luftën, me sa di unë, e patën lënë vetëm drejtor shkolle në Shijak. Edhe intervistat që i janë bërë atij, ishin në një kohë kur kishte frikë të kundërshtonte çka thonte komunizmi.

Llesh Marashi me çetën pati mbërritë prej Shkreli sa po fillonin luftimet dhe zuni pozicion shumë strategjik, pse plotësoi gjysmën e harkut që bllokonte italianët. Kështu organizimi ushtarakisht prej akademistave Zenel Kazazi e Dilaver Dine solli thyerjen e ushtrise italiane e tërheqjen e tyre.

Lufta qe bërë e ashpër, me fitoren tonë. Ushtria italjane pati ardhë me rreth 1000 vetë e megjithëse e përgatitur, la rreth 40 të vrarë e 100 të plagosur, ndërsa tonët 5 të vrarë e pak të plagosur në luftime e rreth 8 të vrarë të pafajshëm në rrethinat e zonës Reçit prej bombardimeve të aeroplanit dhe dogjën disa shtëpi. (Këto shifra i kam marrë prej shkrimeve të tjerëve). Dihet në Shkodër se spitali u mbush me të plagosur të ushtrsë italiane. Jupi ishte organizatori e ai që bashkoi te gjithë e këtë e provojnë edhe dokumentet e paraqitur më sipër. Aty luftuan shumë vendas të Reçit e rrethinave dhe qe shumë e rëndësishme pjesmarrja e tyre. Mjaft me përvehtësimin e meritave! Reçjanët, banorët e zonës e në përgjithësi veriu, si gjithmonë kishin patriotizëm e traditë, ishin trima e bujarë dhe në atë kohë pritën, strehuan e ju dhanë bukë pa dallim të gjithëve që ishin ne mal. Bajraktari i Reçit, Nuz Sokol Bajraktari (Çelaj) ishte mik i vërtetë i Jup Kazazit e kjo nuk mund të mohohet, megjithëse ai nuk ishte i pronuncuar politikisht. Ai në Reç në shtëpinë e tij i tha edhe per djalin Rifat Nuzi, që ishte i afruar me Ballin: “Jup ta kam falë djalin”, e i dha pushkën. Për fat të keq Rifati u vra si hero, e kur Zeneli që e kishte afër, shkoi e ju afrue Bajraktarit e i dha lajmin e keq, ai vetëm i tha: “Im bir dha jetën për atdhe, veç se ma ktheni mbarë”, e vazhdoi luftën më me tërbim. Ky qe akt i rrallë burrërije, kurajo e patriotizëm i jashtëzakonshëm që nuk harrohet. Per këtë Jupi fliste me keqardhje të madhe e Nanës i pati thëne që më mirë të ishte vra ai vetë, se Rifati, djali i Bajraktarit. U vra kapteri Ismet Dertliu që ishte me Zenelin e me vonesë e patën konsideruar dëshmor, pse nuk kishte qenë me komunistat e siç kanë thanë, u interesuan nipat e mbrritën ta njofin si dëshmor. Gjitashtu dëshmor ra edhe kapteri Haxhi Islami. Edhe ai ishte i regjimentit të Ushtrisë kombëtare e ishte me toger Deliallisin, por qe larguar më përpara e bashkuar me trupat e Zenelit, pra me Ballin. Ra dëshmor edhe Zymer Duli prej Reçit. Ushtari italian e antifashist që kishte dezertue, ishte me Jupin në mal dhe i thonin “italiani i Jupit”. Ai u vra ngjitë me të, ndërsa luftonte kundër bashkatdhetarëve të tij. Unë nuk e kujtoj emnin që më ka pasë thanë Zeneli qysh rreth vitit 1967. Ai i u pati thirrë në italisht: maskarej, ikni prej këndej, se kjo është toka e shqiptarëve! Por ai nuk u ngrit në kambe kur ju foli dhe e vranë dhe nuk është as e logjikëshme. Nanës time i pati tregue Jupi se deshtën me e vra komunistat ne Reç dhe e di prej Zenelit, se italiani u vra anash prej një plumbi drejtuar Jupit prej nga ishin komunistat. Pati dalë fjala edhe prej tyre, pse nuk ishin të gjithë për vlla-vrasje e dikush i pati thënë Jupit se e kishte gjujtë për ta vra Lilo Zeneli, më vonë një prej shefave kryesorë të sigurimit, me sa thonin, me urdhër të Sadik Bekteshit.  Një urdhër të tillë ja ka pasë dhënë edhe një pjestari tjetër të çetës për më vonë, që mbas v. 1991 e pati deklaruar dhe pati thënë se ai nuk do ta bënte kurrë një krim të tillë.

Ne qafën ku luftojnin komunistat, italianët po afroheshin si pykë, mbasi nuk ishin shumë pushkë. Kishin raportue 100, por nuk ishin më shumë se 30 vetë e Zenel Kazazi që drejtonte ushtarakisht, i inspektoi e i u dërgoi përforcime prej njerëzve të vet e i bllokuan italianët. Ka pasë rëndësi të madhe gjatë luftimeve marrja e mitralozit të rëndë italianve e vrasja e ushtarëve pse kishte pozicion shumë të favorshëm mbi një çukë e shifte pjesë të mirë të zonës. Atë e bëri Ujk Tahiri me një shok, të dy prej Kopliku, me aksion personal e trimëri të jashtëzakonshme. Qe meritë kryesisht e oficerit akademist Zeneli Kazazi me kolegun Dilaver Dine që mbasi patën studjuar zonën, organizuan strehimin e civilave, të moshuarve, grave e femijëve, kështu u reduktuan në minimum viktimat në civila dhe sidomos organizimi ushtarak i tyre e pozicionimi i forcave solli fitoren kundër një ushtrije të rregullt e shumë më të madhe në numër. Patjetër qe edhe ana morale, pse na mbrojshim trojet tona e lirinë, kurse italianët ishin pushtues.

Mbas Luftës së Reçit e mundjes së italjaneve, qëllimi i Komitetit për Shpëtimin e Shqipnisë dhe i Jupit qysh në krijim, ishte të sulmohej Shkodra që u çlironte kryesisht duke marrë kazermat e ushtrisë në hyrje të qytetit nga veriu dhe kjo ishte e studiuar ushtarakisht kryesisht prej Zenelit dhe realizohej. Ushtria italiane mbas thyerjes ishte e demoralizuar e kishte lënë mjaft te vrarë e të plagosur. Këtë nuk e donte udhëheqja komuniste e Sadik Bekteshi me shokë dhe i çuan fjalë, megjithëse komandantat e dy çetave te tyre qenë dakord kur u bë marrveshtja. Nuk donin që të çlirohej Shkodra për të mos qenë meritë e të tjerëve!!!  Ky ishte “patriotizmi” i tyre. Ata jo vetëm e kundërshtuan por shtynë komandantin e “forcave vullnetare” shqiptare të krijuara nga italianët, që i çoi fjalë Jupit, se po të sulmojshin Shkodrën, do të luftojshin bashkë, mbasi atë e kishte urdhëruar komanda italiane. Jupi u tërhoq pse bashkë me aleatët nuk deshtën luftë me bashkatdhetarë. Këtë e di mirë prej xhajave te mij, prej Ruzhdi Rrojit e Leke Harapit. Përgatitja e qëllimi për të sulmuar Shkodrën shifet edhe në një dokument të cituar më nalt.

Gjithashtu kur kapitulloi Italia, Jupi iu bëri thirrje të forcave politike, që siç ishin të organizuar të shkonin e të çlironin Ulqinin para jugosllavëve të Titos, por u hodh Sadik Bekteshi e tha: Ata janë ”vllezërit tonë” e shumë më mirë po ta çlirojnë ata. Pra nuk donin çlirimin prej shqiptarëve. Këta e di të sigrurtëa por edhe të tjera prej xhajës Zenelit, Ruzhdi Rojit pjesëmarrës e Lekë Harapit të Ballit.

Unë kam shkruar për shkrimet e Kapisyzit e Vukajt jo për replikë pse e kam pasë bërë, por kam marrë çka kanë shkruar ata e provoj krejt të kundërtën. Kjo është me zbardhë të vërtetën historike dhe lexuesi të më gjykojë e për më tepër ta shohin historianët e të thellohen, të flasin e të dokumentojnë.

Ka edhe një fakt tjetër. Jupi ishte më se i kërkuar prej italianëve dhe e pati njoftuar një shqiptar që punonte, por nuk ishin vegël e okupatorit, se për raprezalje ata donin të internonin në Itali, si mjaft antifashistë, të shoqen Nasiben që në atë kohë ishte shtatzënë e me gjithe mua, djalin 2 vjeç. Italianët deri atëherë kishin internuar në Itali vetëm persona, por jo grua me fëmijë. Ajo mbërriti të strehohej tek Ulqinaket, ku e motra Fahrija ishte e martuar me Qazimin. Kur erdhën me e marrë italianët, nuk e gjetën në shtëpi. Me 18 gusht 1943 lindi vajza në ilegalitet. Jupi çoi fjale prej malit, t’i venin emrin Lirije, mbasi po luftojshin per liri.

Me këtë shkrim ju bëj thirrje forcave politike e në rradhë të parë atyre të qarqeve Shkodër e Malësi të Madhe, organeve shtetërore e arsimore-kulturale e institucioneve që ju takon që të kenë patriotizmin dhe me ndërgjegje të pastër të kontribojnë për të vërtetën e zbardhjen e saj. Të iu lëmë brezit të ri e atyre që vijnë si trashëgimi histori të pastër e të drejtë e të bëhemi popull europian i avancuar duke i mbyllë rrugën sistemit të vjetër e të politizuar negativisht.

25 gusht 2020


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.