Kryesore

Margarita Xhepa: Kam mall për sheshxhirimet, ndjej dhembje

12:00 - 01.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli- 42 vite pas xhirimit të filmit “Koncert në vitin ‘36” ekipi i filmit është rimbledhur në një natë retrospektive në teatër Kame. Samir Kumbaro, Margarita Xhepa, Manushaqe Qinami, Pirro Milkani e Gëzim Kame, kujtojnë xhirimet dhe ndalen edhe te propaganda e kinemasë.
Pothuaj si në filmin e Saimir Kumbaros kur jetësonin Tefta Tashko Koço dhe Lola Gjoka, Xhepa e Qinami janë pothuajse te pandara. Më se katër dekada më vonë, nostalgjia dhe malli për sheshxhirimin, janë njësoj.
“Unë kam xhiruar shumë filma, por “Koncerti’ është një kujtim shumë i bukur. Kishte shumë elemente. Skenari i Kiço Blushit ishte elegant dhe kishte plot karaktere. Kur më telefonoi Saimir Kumbaro, për të më thënë për shfaqjen e filmit, mendova se kishte skenar të ri. Se kinemaja ka nevojë për mosha. Unë pres rolin e një nëne, ose të një gjysheje. Kam shumë mall për sheshxhirimin dhe tani që flasim për ‘Koncertin’, them nëse do kemi më raste të tilla”, thotë Margarita Xhepa.
Ajo teksa kujton xhirimet e hershme që i dhanë jetë një prej filmave më të dashur shqiptarë, ripohon, dëshirën për të xhiruar, duke shprehur njëherësh trishtimin për zbehjen e interesit ndaj kinemasë sonë. “Atëherë kur mora filmin u tremba pak, por punuam me dashuri dhe ishte regjisori Saimir Kumbaro që më qetësoi. Sot pyes veten, a do ketë raste të tilla filmash? Është e dhimbshme”.
Edhe aktorja qe i dha jetë personazhit të Tefta Tashkos, kujton emocionet e para dhe frikën para rolit. Pas katër dekadash, mundesh ende të shquash buzëqeshjen e saj si ne film.
“Unë në fillim e kisha ëndërr këtë film por kish edhe drojën nëse do të arrija t’ia dilja si duhej, sepse në aktrim isha amatore. Unë vija nga muzika. Më ndihmuan shumë Saimir Kumbaro e Margarita Xhepa”, thotë aktorja Manushaqe Qinami, që në film, interpreton Tefta Tashkon.
Mikpritësi i shfaqjes retrospektivë, Gëzim Kame, i pranishëm në shesh xhirim në fundin e viteve 1970, sjell në vëmendje, detaje të tjera nga realizimi i filmit dhe vetë atmosfera e krijuar.
“Kur xhirohej ‘Koncerti’ unë isha në Libohove edhe pse nuk isha në film. shkova se kisha mik Saimir Kumbaron. Atmosfera atje në Libohovë ishte e jashtëzakonshëm. Ne ishim të gjithë në të njëjtin hotel. Para tij kishim ndërtuar skenat e xhirimit dhe ishim 24 orë bashkë”, kujton Kame.
Një rol të madh në suksesin e jashtëzakonshëm të filmit, ka pasur doemos, përzgjedhja e aktorëve, për çka, sot bien dakord të gjithë
“Ishte një kolektiv i mrekullueshëm, nga Bep Shiroka, te Robert Ndrenika, humori i regjisorit Saimir Kumbaro dhe të gjithë aktorët. Na vinte keq kur mbaronte xhirimi, kur mbaronim skenat dhe und të them që kam mall”, thotë Xhepa.
Edhe regjisori Kame vëren se filmi ka karaktere të qëndisura në çdo rol. Për Piro Milkanin, një film i mirë shihet në bazë të regjisë, skenarit dhe aktorëve. “Ky film, i ka të tria”- thotë ai.
Atmosfera e krijuar ne sheshxhirimin e Libohovës në të shumtën e vet i dedikohet regjisori Saimir Kumbaro, i cili edhe në këtë rishfaqje nuk ngurron të tregojë anën e vet hokatare.
“Unë nuk e kisha filmin e parë, kisha bërë filma të tjerë në bashkëpunim. Ky ishte filmi i parë vetëm dhe unë doja të tregoja që dija të bëja film vetëm”, thotë ai me të qeshur.
Për Milkani, “Koncert në vitin 1936”, është një ndër 20 filmat më të mirë shqiptare.
Përtej modestisë që shpërfaq me të qeshur, miqtë kujtojnë impenjimin e Kumbaros për filmin.
“Saimir Kumbaro u impenjua shumë për filmin. Ai mori dhe shfletoi shtypin e kohë dhe mësoi se atë kohë shitej shumë kinina, për shkak të malaries. Sa herë e takoja, më tregonte kërkimet e tij”, thotë Pirro Milkani.
Aktoret kryesore sjellin në vëmendje kohën e xhirimit dhe raportin me banorët, regjisorin e vetë njëra-tjetrën. Ndërsa Xhepa kujton se Kumbaro ishte dashamirës me artistët, i dëgjonte, u sqaronte skenat, Manushaqe Qinami kujton se bënin prova edhe në dhomë natën me Margaritën. “Ne ishim edhe në një dhomë, pra ishim gjithë kohës bashkë, Margarita kujdesej shumë për mua dhe me orientonte. Bënim prova edhe në dhomë”- thotë ajo.
40 vite pas xhirimit të filmit, Margarita Xhepa dhe Manushaqe Qinami ri interpretojnë për ne, një nga pjesët më të dashura të filmit. Si për të ringjallur batutat e sheshxhirimit Saimir Kumbaro i përshëndet ndryshe dy artistet. “Më ngacmoi kënga që kënduat, është sensuale, por filmi ka edhe batuta që kanë mbetur, si ajo e luleve që i hanë gomarët që thotë Robert Ndrenika”.
Koha kur u xhirua filmi e koha kur ai shfaqet a rishfaqet, nxit here pas here debat, mbi ideologjinë si damkosëse e shumë prodhimeve artistike. Ndonëse filmi vë në lojë kohën e monarkisë, regjisori, e ka një shpjegim.
“Pashë një broshurë ku thuhej që mes 80 filmave shqiptarë, edhe Koncert në vitin 36 nuk duhej shfaqur sepse sipas tyre, filmi përhap propagandë. U qetësova kur pashë që në listë ishte edhe filmi i Skënderbeut. Unë nuk e dija që Skënderbeu ishte kalec. Ata ngatërrojnë Vatikanin me Venedikun po nejse. Ndalonin edhe Zonjën nga Qyteti. Dua të them se filmi ‘Koncert në vitin 36’ nuk përhap propagandë. Që t’i shpëtonim censurës ne bëmë një marifet të vjetër, e spostuam në kohë”, tha Saimir Kumbaro.
Në të njëjtën linje me Kumbaron, është edhe regjisori Milkani. Pas një parashtrese historike, ai e krahason filmin me vepra të njohura duke zbehur atë që lexohet si propagandë.
“E vërteta është se ne u edukuam keq për Zogun, për periudhën e monarkisë. Por filmi nuk tregon vrasje, as varje. Monarkia jonë nuk ishte e tillë, ishte monarki parlamentare. Gjithsesi, filmi merret me provincën dhe me administratën. Ai ka një vlerë universale që vë përballë mentalitetetin e provincës, dhe personazhet e tij simpatike ne i gjejmë edhe te përshkrimet e provincave të Çehovit” thotë Milkani.
40 vite më pas, me prodhime kinematografike të reduktuara në më shumë se 90 %, filmat shqiptarë të xhiruar para 1990-ës, mbeten ende ne qendër të vëmendjes. Për fat të keq kulmet kinematografike të pas 90-ës me buxhete të rrudhura deri ne një grusht, kanë qenë të pakta pavarësisht sforcimeve të mëdha të kineastëve.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.