OPINION

Paqtimi ekonomik Kosovë-Serbi

10:01 - 08.09.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dje Kosova dhe Serbia nënshkruan në Uashington marrëveshje ekonomike veç e veç me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke premtuar normalizimin gradual të marrëdhënieve të tyre ekonomike, nëpërmjet 16 masave që ranë dakord të ndërmarrin në të ardhmen e afërt. Të dyja shtetet u zotuan të zbatojnë marrëveshjet e transportit të nënshkruara në Mynih të Gjermanisë në shkurt 2020, me ndërmjetësimin e të Dërguarit Special të SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, ish-ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell. Si Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord gjithashtu për një studim të përbashkët leverdisshmërie mbi mundësitë për lidhjen e rrjetit hekurudhor Beograd-Prishtinë me një port të thellë detar në Adriatik. Të dyja vendet e duan dëshpërueshmërisht një dalje tregtare në Adriatik. Sigurisht porti më i afërt për të dy është ai i Durresit, ku Kosova ka një zyrë doganore për porositë dhe mallrat e saj tranzit për në Kosovë. Mirëpo nuk përjashtohet mundësia për të investuar (ndoshta edhe bashkarisht) për rindërtimin dhe thellimin e Portit të Shëngjinit, për të cilin qeveria e Shqipërisë ka rënë dakord në parim të përdoret nga Kosova si porti i saj dhe dalje në Adriatik.Me vlerë reale duket edhe zotimi si kosovar dhe ai serb, që të dyja palët të punojnë me Departamentin e Energjisë të SHBA-ve për të shqyrtuar mundësinë e ndarjes së liqenit të Ujmanit si një furnizim i besueshëm i ujit dhe energjisë elektrike. Kosova ra dakord t’i bashkohet nismës së Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Malit të Zi për Mini-Shengenin Ballkanik, një hap vullnetmirë për uljen e pengesave burokratike e tarifore për tregtinë e lirë në rajon. Nga ana tjetër, si Kosova dhe Serbia kanë vendosur të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-ve dhe bankën EXIM, me memorandume mirëkuptimi, për të konkretizuar një numër projektesh të përbashkëta zhvillimi, përfshirë “Autostradën e Paqes” Beograd-Prishtinë. Të gjitha këto 16 masa-marrëveshje janë ogur i mirë për normalizimin e marrëdhënieve politike mes të dyja vendeve, gjë që deri tani duket mision i pamundur. Megjithatë, gjithshka do të varet nga koordinimi i vullnetit politik mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për të ndikuar mbi Beogradin dhe Prishtinën. Duket se SHBA-të ia kanë lënë normalizimin politik BE-së, duke parë, jo pa realizëm, që toka për rënie dakord punohet më mirë me “parmendën” ekonomike fillimisht. Dhe realisht tani kemi një realizim paqtimi ekonomik me letra, në prag të zgjedhjeve amerikane, duke përdorur si karrem të fortë për të dyja palët aleatin historik strategjik të SHBA-ve, Izraelin. Izraeli njohu Kosovën shtet dhe anasjelltas, ndërsa Serbia do të hapë një zyrë tregtare në Izrael dhe do të zhvendosë ambasadën e saj në Jeruzalem. Presidenti Donald Trump kishte nevojë për një sukses në arenën ndërkombëtare, në prag të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit 2020, pas problemeve të mëdha me përballimin e Koronavirusit në SHBA. Ky interes parësor i tij përkoi me vizionin e gjerë bashkëpunues të Kryeministrit të sotëm kosovar Avdullah Hoti, duke mos i lënë shumë hapësirë mjeshtrit manovrator të Ballkanit, Presidentit serb Aleksandër Vuçiç për të vendosur kushte tejet përjashtuese për Kosovën. Pavarësisht se Kosova u zotua të ndalojë përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare për një vit, ajo doli e fituar, njëlloj dhe po aq, në mos më shumë, se Serbia. Marrëveshja tregoi rëndësine e pamatë dhe nganjëherë përcaktuese që ka ndikimi amerikan mbi politikën e normalizimit të marrëdhënieve dhe zbutjes së dasive të forta në Ballkan. Ajo është një shuplakë e fortë për seicilin politikan në Prishtinë apo në Beograd, që përdor trashëgiminë e rëndë të dasisë historike Serbi-Kosovë për hir të interesave vetjake dritëshkurtra politike. Ajo i hap rrugën lëvizjeve diplomatike të dyshes Merkel-Makron në Evropë, për të sjellë më në fund flladin e normalizimit të diskutimit politik mes Prishtinës dhe Beogradit. Mirëpo mendimi i shumë analistëve të njohur ndërkombëtarë për çështjet e Ballkanit është se pa praninë e faktorit amerikan dhe koordinimin BE-SHBA asnjë lëvizje konkrete përpara në dialogun politik Kosovë-Prishtine nuk do të ndodhë.
 





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.