Kryesore

Përvoja e “STAS”: Si bëhet hapja e dosjeve në Gjermani

16:15 - 08.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Nëse flitet mbi personalitetet dhe dosjet e tyre në shërbimet sekrete, përvoja me dosjet e ish-STASI-t në Gjermani është mbase ndër më të çmuarat, jo vetëm sepse ata kanë tashmë një traditë në qasjen ndaj emrave në art a fusha të ndryshme, por edhe se prej kohësh e ka tejkaluar ngërçin e krijuar mes së vërtetës dhe nevojës për balancë. Pos raportit me të shkuarën, e nevojshme mbetet edhe qasja e kujdesshme për të mos përlyer emrat e shtyrë në mëkat përmes presionit e represionit.
Dagmar Hovestadt, Zëdhënëse, BSTU Gjermani, ka treguar se si funksionon hapja e dosjeve për personalitetet në Gjermani. Ajo foli përmes një videoje në tryezën shkencore të mbajtur nga Autoriteti i Dosjeve për Martin Camajn këtë fundgusht.
Në ç’mënyrë i menaxhon rastet e përndjekjes apo të përfshirjes së personaliteteve historike institucioni juaj, ose rastet e personave me funksione politike, kur i hapni dosjet e tyre për publikun, të rinjtë dhe median?
A ka pasur debat mbi autenticitetin e dokumenteve të STASI-t? Po për mënyrën se si duhet të studiohen dosjet?
Ka dallim të qartë mes personave historikë që janë përndjekur dhe atyre që janë përfshirë. Pavarësisht pozicionit të tyre historik ose aktual, ata që kanë punuar për STASI-n zyrtarisht ose jo, ditët e sotme do të përballen publikisht me atë që STASI ka dokumentuar për ta.
Të përndjekurit që jetojnë kanë ende fjalën e tyre. Çështja më e famshme ishte ajo e ish-Kancelarit Helmut Kohl. Në vitin 2000, ai shkoi në gjykatë kundër hapjes së dokumenteve të STASI-t që përmbanin informacione mbi të si i përndjekur. Gjykata vendosi që personat që i janë nënshtruar përndjekjes së STASI-t, që janë figura të spikatura ose historike, kanë të drejtë të shprehen për vënien në dispozicion të dokumenteve të tyre. Që atëherë, ne i shkruajmë personit përkatës dhe e njoftojmë për aplikimin në fjalë, kësisoj ai mund të refuzojë ose të mos reagojë, duke dhënë leje.
Që me “çështjen Kohl”, veprimet e paligjshme, si përgjimi i bisedave telefonike dhe letrat e konfiskuara/posta, nuk mund të aksesohen pa lejen e figurave historike. Aktualisht, është ligjërisht e papërcaktuar nëse kjo aplikohet edhe kur personi ka 30 vjet që ka vdekur. Kështu që presim aplikimin e radhës nga gazetarët.
Në çështjet gjyqësore, ka raste kur është vënë në pikëpyetje e vërteta e dokumenteve dhe ka pasur kundërshti për vënien në dispozicion të dokumenteve të STASI-t, qoftë në rastet e bashkëpunëtorëve ose bashkëpunëtorëve të dyshuar, qoftë në rastet e figurave të mirënjohura të përndjekura. Megjithatë, në dijeninë time, gjithnjë është kontestuar ajo çfarë shkruhet, pra përmbajtja, asnjëherë fakti nëse dokumenti i STASI-t është autentik. Në dijeninë time, ne nuk kemi pasur raste apo nuk jemi përballur me faktin që dokumentet, në vetvete, ishin të falsifikuara. Herë pas here, në mediat sociale ngrihen çështje për dokumente të caktuara që nuk janë reale. Por ne si arkiv, si arkiv federal në Gjermani, marrim përsipër shumë seriozisht autenticitetin e këtyre dokumenteve.
Gjithashtu, kemi besueshmëri të lartë në sferën publike. Nëse ne themi që ky është dokument autentik i STASI-t, nuk ka gjykatë që ta vërë në dyshim këtë dhe as ndonjë zë publik i fushës.




Hapja e dokumenteve të personaliteteve historike shkakton debat publik. Si u menaxhua dhe koordinua, ose si u orientua nga ju apo institucionet e tjera shtetërore?
Kjo është pyetje interesante. Nuk mendoj që ne ose ndonjë institucion tjetër e kemi menaxhuar ndonjëherë debatin publik me një sens të dhënë kontrolli apo qëllimi. Thjesht evoluoi.
Shtypi ka pasur akses në dokumente dhe filloi të fliste për to. Në Gjermani ka pasur një komision parlamentar, viti nga 1992 deri në 1998, që debatonte për diktaturën, si kishte funksionuar dhe mënyrën si duhet ta analizojmë. E gjitha kjo u mbulua gjerësisht në televizione, lajme, radio etj. Ndikoi debatin publik gjithashtu.
Të tre komisionerët federalë, z. Gauck, z. Birthler dhe z. Jahn u bënë ekspertë me ndikim dhe interpretues të dosjeve dhe mënyrës se si duhet t’i lexojmë, secili me idenë e tij, fokusin përkatës dhe qasjen.
Paralelisht, partia pasuese e Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore hapi debat publik me një kundër-narrativë. Ata kritikuan mënyrën sesi ishin përdorur dokumentet për të zbërthyer regjimin e vjetër.
Rreth vitit 2000, kur ekonomia nuk ishte në shkëlqimin e vet dhe njerëzit ndiheshin të zhgënjyer nga bashkimi, pati një fazë intensive të nostalgjisë për Lindjen dhe debati publik mori një tjetër kthesë, duke u bërë më i copëzuar. Sigurisht, gjithnjë kishte mbështetës të vendosur të hapjes së dosjeve dhe rivlerësim kritik të së shkuarës komuniste. Nga ana tjetër ishin ata që mendonin se këto nuk ishin më të rëndësishme.
Tashmë jemi në fazën kur komunikojmë vlerën e këtyre dokumenteve, për individët dhe shoqërinë, për historianët dhe demokracinë. Ne përpiqemi t’ia komunikojmë së ardhmes. Është me vlerë të pozicionohesh jo në ballë të betejës me dosje “të mira” ose “të këqija”, apo të keqen e regjimit të shkuar. Është me vlerë të pozicionohesh si një platformë, përmes së cilës, çdokush që dëshiron mund të mësojë më shumë mbi të shkuarën, që të kuptojë si funksiononte dhe me shpresë, të shohë çfarë ishte e gabuar në të shkuarën dhe ta përdorë reflektimin e vet, për të ndryshuar të sotmen.
Roli i medias në procesin e përballjes me të vërtetën (e STASI-t) që përdor informacionin e dhënë nga institucioni juaj për personalitetet e përndjekura?

Nëse ka fakte ose emra të anonimizuar në dokumentet e vëna në dispozicion, a vazhdon media të investigojë ose të aplikojë sërish për informacion shtesë, në bazë të së drejtës mbi informimin e publikut dhe të së drejtës për të vërtetën?
Ligji i Dosjeve të STASI-t është mjaft i qartë. Ne mund t’i japim emrat pa i anonimizuar, vetëm nëse ligji e lejon këtë. Ka raste që gazetarët shkojnë më thellë dhe aplikojnë sërish për më shumë dokumente rreth një çështjeje, për të parë nëse dokumentet shtesë u japin informacionin e munguar. Nëse media zbaton ligjin dhe motivon interesin e vet në materialet që trajtojnë të shkuarën e STASI-t, ne duhet t’u japim akses.
Ne nuk mund të kontrollojmë çfarë publikojnë ata dhe mënyrën si e bëjnë këtë. Për ne është e rëndësishme që kërkesat të jenë në përputhje me Ligjin e Dosjeve të STASI-t dhe aksesi në informacion të bazohet në dispozita ligjore. Ne nuk vëmë në dyshim motivet e kërkesës, as nuk mohojmë aksesin në dosje ngaqë nuk na pëlqejnë motivet e gazetarit.
Si më herët, si tani, shohim që gazetarët kërkojnë diçka për të cilën kanë njohuri apo indicie mbi atë që mund të kemi në arkiv. Nëse kërkesa është e ligjshme, ne nuk kemi fuqi, as të drejtë t’u kërkojmë si mësuan për këtë. Kështu që u japim akses në dosje.
Por nëse kërkesa ka të bëjë me një person të spikatur dhe nëse personi ka qenë subjekt i aktivitetit të STASI-t, dhe asokohe mbante pozicion publik, ne e informojmë personin mbi kërkesën, ia japim dosjen edhe atij për të vendosur nëse gazetari mund të ketë akses.
Është e vështirë të tregosh neutralitet si institucion. Ne përpiqemi ta bëjmë të qartë në komunikimet përkatëse. Ne heqim dorë nga komentimi i dosjeve që vëmë në dispozicion, kështu që shoqëria dhe debati publik evoluon pavarësisht nesh.
Ajo që ne mundësojmë është që dokumentet të jenë dhënë në përputhje me ligjin. Pjesa tjetër i takon shoqërisë, megjithëse shpesh, gazetarët dhe politikanët duan që Autoriteti të pozicionojë veten. Por ne përpiqemi të jemi sa më neutralë dhe faktikë, për aq sa është e mundur, dhe ua lëmë gjykimet të tjerëve. Në plan afatgjatë, kjo është mënyra më e mirë për ta mbajtur arkivin si partner të vlefshëm në negocimet mbi të shkuarën.
Konfliktet dhe problemet tuaja janë të ngjashme me ato që kishim ne në të shkuarën, por institucionet shtetërore dhe demokracia në Gjermani ishin më të qëndrueshme përgjatë këtyre 30 viteve.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.