OPINION

Profesor Petrit Gaçja – Figurë e shquar e mjekësisë shqiptare

11:00 - 10.09.20 Ali Refatllari
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Petrit Gaçja ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga figurat më të shquara të mjekësisë shqiptare.




Njohja e parë e imja me Profesorin e nderuar Petrit Gaçja ka qenë në vitin 1976, si student i vitit të tretë në degën e Mjekësisë së Përgjithshme. Me pamjen e një burri fisnik, rreth 50 vjeç, me një gjallëri të admirueshme, Prof. Gaçja prezantonte leksionet interesante të kirurgjisë së përgjithshme, që ndiqeshin me mjaft interes nga ne studentët.

Por më nga afër, pata fatin ta njoh 2 vjet më vonë, në vitin e fundit të Fakultetit të Mjekësisë. Për herë të parë në Fakultetin e Mjekësisë u aplikua mbrojtja e diplomës me temë në vend të provimit përfundimtar për 13 studentët më të mirë të kursit. Unë pata fatin të kem udhëheqës të temës së diplomës “Vagotomia trunkale me piloroplastikë në mjekimin e ulçerës gastroduodenale” Prof. Gaçen, në atë kohë Shef i Klinikës së parë të Kirurgjisë. Eksperiencë e paharruar ka qenë për mua periudha e përgatitjes së temës së diplomës. Si student i apasionuar me kirurgjinë, punova me entuziazmin e një të riu për realizimin e saj, por rezultatet e arritura në realizimin e punës së parë shkencore i dedikohen edhe drejtimit me zgjuarsi dhe kompetencë shkencore nga Prof. Gaçja. Prof. Petrit Gaçja ka qenë një enciklopedist në fushën e mjekësisë, mjeshtër i dalluar në kirurgjinë kardiake dhe torakale, kirurgjinë vaskulare, kirurgjinë e fëmijëve, të djegie-plastikës, në kirurgjinë e përgjithshme etj.

Pas përfundimit të studimeve, pata fatin e madh të emërohem kardiokirurg në klinikën e parë të kirurgjisë së spitalit Nr. 2, ku kryheshin ndërhyrje të kirurgjisë së përgjithshme dhe kardiake. Shef katedre dhe klinike ishte Prof. Petrit Gaçja. Muajt e para të punës në atë klinikë m’u dukën shumë të lodhshëm dhe stresues. Specializoheshim dhe punonim në kirurgjinë e përgjithshme dhe në kardiokirurgji. Prof. Gaçja, një natyrë shumë autoritare dhe e ftohtë në dukje, ishte një njeri me shpirt shumë të gjerë dhe të dhimbsur, siç janë zakonisht njerëzit e mëdhenj. Këtë veti të tij e konstatoje shumë shpejt kur e shikoje pranë shtratit të të sëmurit. Më dukej çudi kur shikoja se me sa dashamirësi i trajtonte pacientët, duke harxhuar ndonjëherë edhe orë të tëra duke i mjekuar vetë rastet e ndërlikuara.

Prof. Gaçja edukonte brezin e ri të studentëve dhe mjekëve jo vetëm me fjalë, por kryesisht me vepra. Deviza e tij ishte “I sëmuri është i shenjtë”. Duke respektuar me një rigorozitet për t’u pasur zili kodin e Hipokratit, ai i përkushtohej deri në sakrifica të sëmurit. I shërbente me përkushtim pacientit, bënte më të mirën e mundshme për shpëtimin e jetës së pacientit, si në aspektin shkencor, ashtu edhe në atë moral e njerëzor. Për të nuk kishte dallim nëse mjekonte një ministër apo një fshatar nga zonat e thella. E vuante shumë humbjen e të sëmurit; ditë dhe javë pas një ngjarjeje të tillë, gjendja shpirtërore ishte jo e mirë por jo deprimuese. Ai mundohej përmes analizave të hollësishme shkencore, në diskutime me kolegët, të gjente shkaqet e vdekjes, duke analizuar punën e çdo sektori për të përmirësuar ecurinë e ekipit për operacionet në vazhdim.

Duke qenë “open mind man”, Prof. Gaçja vlerësonte shumë punën në ekip. Fillimisht afroi rreth vetes mjekët më të mirë të kohës, si Prof. Veli Zogu, Rushen Golemi, Ajli Alushani, Lluka Heqimi, Tritan Shehu etj. Ndërkohë, në fillim të viteve ‘80, kur filloi kirurgjia me zemër të hapur, rekrutoi mjekët e rinj të sapodiplomuar me rezultate shumë të larta si Ali Refatllari, Arben Baboçi, Efrosina Kajo, Arben Fino, Sokol Mara, Ilir Ohri, Aurora Veterniku, Roland Xhaxho, Marjan Joiç etj. Secili prej tyre në vitet në vazhdim justifikoi besimin e Prof., duke dhënë një kontribut të çmuar në ecurinë e shpejtë të zhvillimit të suksesshëm të kardiokirurgjisë dhe anestezi-reanimacionit. Ne u formuam dhe u rritëm profesionalisht duke punuar në një ekip të organizuar me parimin e hierarkisë së vlerave, ku mbizotëronte fryma demokratike në diskutimet shkencore e profesionale; por ne ishim miq të mirë edhe jashtë ambienteve të punës. Ne ishim ekipi i Prof. Gaçes.

Prof. Gaçja ishte njeri erudit. Zotëronte shkëlqyeshëm gjuhët frëngjisht, italisht, rusisht, ndërkohë që lexonte dhe komunikonte lirshëm anglisht. Ishte i apasionuar pas muzikës klasike dhe moderne, teatrit, letërsisë, sportit etj. Në dukje shumë autoritar, në thelb një shpirt i ngrohtë, që dinte të komunikonte lirshëm me çdo njeri, që nga më i thjeshti deri tek intelektualët e shquar në fusha të ndryshme të jetës.

Por pasioni i tij i jetës ishte kirurgjia dhe në mënyrë të veçantë kardiokirurgjia. I përgatitur si kirurg i përgjithshëm dhe kirurg torakal brenda, por edhe jashtë vendit, e kryesisht me specializime afatgjata në Rusi ku mbrojti edhe doktoraturën, ai zhvilloi dhe hapi degë të reja të kirurgjisë në vendin tonë. Kirurgjia e përgjithshme, Kirurgjia e fëmijëve, kirurgjia e djegie-plastikës, kirurgjia torakale, kirurgjia vaskulare etj. u zhvilluan furishëm nën drejtimin e tij. Ai ishte mjeshtër i bisturisë; operonte që nga hernia inguinale e deri te tetrada fallot.

Në vitet ‘50 të shekullit të kaluar kardiokirurgjia mori një zhvillim të vrullshëm në të gjithë botën, e lidhur kjo me shpikjen e aparatit të qarkullimit jashtëtrupor. Në një sërë klinikash të përparuara të botës filluan operacionet me zemër të hapur dhe një elitë kirurgësh të përgjithshëm dhe torakalë filluan gradualisht të konvertohen në kardiokirurgë. Të njëjtën rrugë ndoqi edhe Prof. Gaçja, i cili krahas kirurgjive të tjera, u zhyt thellë në specialitetin e kardiokirurgjisë. Dhe në rast se në botë në vitin 1960 u krye zëvendësimi i parë valvular nga Prof. Starr në Amerikë, Prof. Gaçja e kreu në Tiranë në vitin 1980. Imagjinoni zhvillimin e vrullshëm të një dege kaq komplekse të mjekësisë, në një vend të varfër dhe pa traditë si Shqipëria. Nuk ishte thjesht problemi teknik, por kryerja e një operacioni kardiak kërkon zhvillimin e një sërë degësh të rëndësishme të mjekësisë si kardiologjia, imazheria, anestezi-reanimacioni etj. në nivele të larta. Ishte pikërisht vullneti i palëkundur, talenti i rrallë, largpamësia, guximi, sakrifica, veç njohurive të thella shkencore, të Profesorit që bënë të mundur krijimin dhe zhvillimin e kardiokirurgjisë në vendin tonë.

Më kujtohet takimi me kardiokirurgun e shquar francez Lecompte në vitin 1985, gjatë specializimit tim në Paris. Mbeti shumë i çuditur kur më takoi dhe u informua se kryheshin operacione kardiake në Tiranë. Nuk harroj shprehjen e tij: Që të zhvillosh kardiokirurgjinë në një vend, nuk do të thotë të kryesh thjesht aktin kirurgjikal, por është një problem shumë kompleks që lidhet ngushtë edhe me zhvillimin e degëve të tjera të mjekësisë, por edhe me nivelin e zhvillimit të një vendi në pikëpamje ekonomike, kulturore etj.

Të gjitha operacionet që kryhen edhe sot në kardiokirurgji mbajnë vulën e Prof. Gaçes. Duke filluar në vitet ‘60 me komisurotominë mitrale të mbyllur, korrigjimin e ductus botalli apertus, coarctacionin e aortës, për të vazhduar në vitet ‘80 me zëvendësimin e parë valvular mitral, mitraaortal, komisurotominë e hapur, tetradën Fallot, si dhe 4 rastet e para të bypassit aortokoronar në vitin 1985.

Në maj të vitit 1992 erdhi në vendin tonë një kardiolog i njohur njujorkez, George Berk, i pritur në atë kohë edhe nga presidenti i republikës. Gjatë vizitës në klinikën tonë dhe takimit me Prof. Petrit Gaçen, ai ofroi ndihmën e tij për zhvillimin e mëtejshëm të kardiokirurgjisë. Prof. Gaçja i kërkoi me shumë mirësjellje mbështetje për zhvillimin e kirurgjisë së bypassit koronar, i filluar në vitin 1985 por i ndërprerë po në atë vit për arsye objektive dhe subjektive. Unë pata fatin të isha i përzgjedhuri i Prof. Petrit Gaçes për t’u specializuar dy muaj në lidhje me teknikat moderne të bypassit koronar në spitalin Westcester, New York. Në fund të trajnimit u ktheva në Shqipëri bashkë me një ekip të këtij spitali të përbërë nga 10 anëtarë, ku përfshiheshin kardiokirurgë, anestezistë, pompistë, kardiologë dhe infermierë. Ekipi kryesohej nga një prej pionierëve të kardiokirurgjisë botërore, George Reed. Gjatë 2 javëve të qëndrimit të tyre në Tiranë u kryen me kualitet të lartë 10 operacione bypassi koronar nga mjekët shqiptarë të asistuar nga kolegët amerikanë. Prof. Reed u miqësua shumë me Prof. Gaçen dhe mbeti i mrekulluar jo vetëm nga kultura mjekësore e Gaçes, por edhe nga kultura e përgjithshme shumëplanëshe e tij. Prof. Reed shpesh më thoshte se edhe klinika kardiokirurgjikale të njohura europiane e më tej do ta kishin për nder të drejtoheshin nga Prof. Petrit Gaçja. Ai e vlerësonte profesorin tonë jo vetëm si kirurg, por edhe për dijet, pasionin, mendjen e hapur, përkrahjen e brezit të ri, aftësinë për të krijuar ekip etj.

Profesor Petrit Gaçja përfaqëson shkencëtarin modern europian të asaj epoke. Ai është prezantuar me një numër të konsiderueshëm artikujsh dhe punimesh shkencore brenda dhe jashtë vendit, mbi 60, duke qenë një nga autorët kryesorë të teksteve Kirurgjia e Përgjithshme dhe Sëmundjet Kirurgjikale të vlefshme për studentët dhe kirurgët e rinj. Ai ka përgatitur breza të tërë studentesh dhe kirurgësh të Fakultetit të Mjekësisë. Profesor Gaçja ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e shkencave mjekësore shqiptare edhe si anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Hera e fundit që Prof. Gaçja foli në publik ka qenë me rastin e mbrojtjes së disertacionit tim “Operacionet konservative mitrale me zemër të hapur”. Prof. Gaçja ishte udhëheqësi i temës sime dhe drejtues i katedrës. Nuk do t’i harroj kurrë fjalët inkurajuese për punën e bërë, por edhe për ndihmesën që ekipi ynë i të rinjve kishte dhënë në atë periudhë të zhvillimit të kardiokirurgjisë.

Disa ditë më pas profesori u sëmur nga një insult cerebral, por që rikuperoi shumë shpejt. Më kujtohet që gjatë ditëve që ishte i sëmurë, gjithë ekipi ynë qëndronte pranë shtëpisë së tij, dhe ne, grupi i të rinjve rrinim me orë të tëra, sikur donim t’i shprehnim mirënjohjen tonë për atë që kishte bërë për ne. Të gjithë kishim ndjesinë e njëjtë që pas mbarimit të shkollës profesori ishte bërë prind i dytë për ne: na kishte mësuar, edukuar, trajnuar jo vetëm si specialistë të mjekësisë, por si fëmijët e tij për të na përgatitur me virtytet më të larta për betejat që na prisnin në të ardhmen. Pas përmirësimit, Prof. Gaçja u nis për në Romë, për t’u operuar në klinikën “San Camillo” te miku i tij i vjetër Prof. D’Alessandro. Dy ditë para se të nisej, më thirri në dhomën e tij ku vazhdonte të qëndronte i shtrirë dhe me shumë xhentilesë më tha: Ali, do të desha të të kërkoja një nder, të qëndrosh disa ditë me mua në Romë, që të kem mundësi të marr një opinion edhe nga ti për vendimmarrjen për operacion. Mendoj që pas insultit që kalova ndjej një lloj paqartësie dhe do të doja të kisha edhe një mendim tëndin.

Unë për fat kisha fituar një bursë nga projekti “Tempus” për në spitalin Universitar të Padovës, ku duhej të paraqitesha pas një jave. I përgjigjem: Profesor, nuk ka nevojë që të ma kërkoni dy herë; unë jo vetëm që e ndjej për detyrë t’ju shoqëroj, por ndihem i privilegjuar që më kërkoni të bëj minimumin e asaj që keni bërë ju për ne.

Të nesërmen profesori u nis për në Romë me të shoqen, Dr. Angjelinën dhe unë shkova pas dy ditësh, pasi u pajisa me vizën italiane.

I kujtoj me nostalgji ato 10 ditë të qëndrimit tim në Romë, ku gjatë ditës kaloja një pjesë të madhe të kohës pranë profesorit. Ai ishte në gjendje relativisht të mirë, dhe gjatë asaj kohe u kompletua me një sërë ekzaminimesh. Për shkak të edemës cerebrale u vendos të operohej në një fazë të dytë, pas një periudhe konvaleshence.

Gjatë atyre ditëve profesori më fliste me pasion për zhvillimin e shpejtë të kardiokirurgjisë në botë dhe në klinikën tonë. Vlerësonte ecurinë e lavdërueshme të ekipit tonë në një periudhë kaq të shkurtër dhe mendonte për sfidat e së ardhmes që e prisnin. Kishte ëndërr realizimin e transplantit të zemrës në vendin tonë. Më kujtohet që rreth vitit 1982, afërsisht 1 vit pasi kisha filluar punë në klinikë, profesori u angazhua në një projekt për të realizuar transplantin e veshkës për herë të parë në vendin tonë. Ai thoshte gjithnjë që transplanti i organeve, për të filluar nga ai i veshkës, mund të realizohej fillimisht vetëm në klinikën e kardiokirurgjisë, që në atë kohë kishte kushtet maksimale, si logjistike ashtu edhe njerëzore. U angazhua gjithë ekipi i kardiokirurgjisë duke u përgatitur si nga ana teorike por edhe praktike. Sigurisht, realizimi i transplantit te njeriu kërkonte një përgatitje shumë më të gjatë dhe angazhim të shumë sektorëve të tjerë të mjekësisë, përfshirë edhe atë të imunologjisë, i përfaqësuar në ekip nga Prof. Genc Sulçebe. Për arsye të ndryshme, kryesisht subjektive, ky projekt mbeti një ëndërr e ndërprerë në mes. Akoma edhe sot, pas 40 vitesh, ky intervent nuk realizohet në QSUT, por kryhet vetëm në ndonjë spital jopublik me një numër të kufizuar rastesh.

Ato ditë ishin të fundit që pata mundësinë të komunikoj me Prof. Petrit Gaçen. Ai u operua dhe iu nënshtrua endarterectomisë karotide. Pas operacionit bëri ndërlikime cerebrale, që e dërguan drejt humbjes së parakohshme të jetës. Mjekësia shqiptare humbi një nga kolosët e saj.

Aktiviteti i jashtëzakonshëm kirurgjikal i Prof. Gaçes me seriozitetin e tij, erudicionin mjekësor, pasionin e pashterur për kirurgjinë, aftësinë për të krijuar dhe punuar në ekip, më kujton gjithnjë një shprehje të kardiokirurgut me famë botërore Sir Magdy Yacoub. I ftuar nderi në konferencën “7 Wise Man of Cardiac Surgery” organizuar disa vite më parë në Athinë për nder të pionierëve të kardiokirurgjisë, ai u pyet nga gazetarët për çelësin e suksesit në kardiokirurgji. Përgjigjja ishte e thjeshtë: “Hard work, team work and vision”.

Në jetën time të gjatë profesionale, rreth 40-vjeçare, jam udhëhequr nga parimet që më mësoi me shembullin e tij mentori im Prof. Petrit Gaçja. Shumë punë, punë në grup dhe me vizion, duke pasur në qendër pacientin (‘pacienti është i shenjtë’, thoshte gjithnjë profesori) janë parime të mësuara nga profesori që çdo ditë përpiqem t’ua mësoj studentëve dhe mjekëve të rinj, duke i edukuar ata me këtë frymë të lartë morale të trashëguar nga Prof. ynë i dashur.

Në vitin 2004, me iniciativën dhe kontributin tim si Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë dhe Zv. dekan i Fakultetit të Mjekësisë, u organizua një konferencë shkencore dedikuar kujtimit të Prof. Petrit Gaçes si dhe iu vu emri “Petrit Gaçe” spitalit të kardiokirurgjisë. Mjeshtri i merituar, skulptori Thoma Thomai realizoi me mjeshtëri artistike një basoreliev, që u vendos në hyrje të shërbimit të kardiokirurgjisë, ku vazhdon të jetë edhe sot.

Çdo mëngjes Prof. Gaçja na përshëndet në hyrje të spitalit dhe na kujton: Kujdes djema, mos harroni se pacienti është i shenjtë! Pavarësisht se ai ka ndërruar jetë rreth 25 vjet më parë, figura e tij si mjeshtër i madh i mjekësisë dhe veçanërisht i kardiokirurgjisë, mbetet në panteonin e heronjve të mjekësisë shqiptare.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.