OPINION

E ne i themi nga larg: Po Jakov, Fieri mbetet përjetësisht i yti

09:59 - 14.09.20 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të nderuar pjesëmarrës!
Një aktivitet mbi librin është rasti më i përshtatshëm për të kujtuar dhe për t’u takuar me shkrimtarët kudo në botë, shumica e të cilëve i mbajnë fort lidhjet e përjetshme me jetën e njerëzve, me vlerat që ata kanë lënë në librat dhe veprat e tyre.




Ky përgjithësim, sigurisht që i përshtatet më së miri shkrimtarit Jakov Xoxa, i cili duhej të ishte më i referuar në letërsinë dhe kulturën moderne shqiptare, si një ndër simbolet më reale në historinë e qytetit tuaj dhe gjithë trevave shqiptare.

Në kontinentin e Europës e kudo në botë ekzistojnë shumë qytete, të cilat në kujtesën e njerëzimit e të kombeve ku janë ndërtuar ato, identifikohen dhe njihen më tepër me emrin e personave të shquar, të cilët kanë nxjerrë nga gjiri i tyre, sesa me emrin me të cilin thirren.

Në Republikën e Gjermanisë p.sh., qyteti piktoresk i Vajmarit, ku jetoi shkrimtari më i famshëm gjerman i çdo kohe, Johan Volfgang Gëte, nga opinioni publik botëror thirret me tepër ‘qyteti i Gëtes’ se Vajmar.
Dalëngadalë kjo njohje e historisë po hyn edhe në ambientin e qytetërimit shqiptar.
Unë vetë kam bindjen personale se shumë shpejt do të vijë një ditë që edhe qyteti juaj i bukur më shumë do njihet në mbarë trojet tona si ‘qyteti i Jakovit’ sesa thjesht Fier.
Kaq e madhe është gjurma që ai ka lënë në kulturën e re shqiptare dhe kaq shumë është ngulitur kujtimi i tij në memorien e kësaj krahine, sa nuk ka për të ndodhur ndryshe me këtë bir fisnik të kësaj treve.
Jam i sigurt se e ardhmja do t’i rezervojë muzeut të tij në Pojan po atë vlerë tërheqëse që mban shtëpia e Lasgushit në Pogradec.
I tillë është fati i autorëve-gjeni në kombet e mëdha të kulturuara e i tillë duhet të jetë patjetër edhe në vendin tonë të futur në demokraci.
E nisa me këto fjalë ligjërimin tim, për të theksuar e për të spikatur rolin e madh që luajti Jakov Xoxa në historinë e kulturës shqiptare, po dhe peshën që ka në historinë e Fierit e të kulturës së Myzeqesë. Jakov Xoxa ka lindur në qytetin e Fierit në vitin e largët 1923, atëherë kur Shqipëria sapo kishte nisur rrugën e saj si një shtet i pavarur.
Qysh i vogël atij iu desh të ndiqte shtegtimin e babait si nëpunës në disa qytete të vendit, ku pasuroi fëmijërinë e tij me shumë mbresa.
Duke nisur me kriporen e Vlorës dhe atë të Kavajës, ku punonte i ati i tij, e deri te familjet e shumta të atyre qyteteve, ku jetonte familja e tij, ai u njoh që i vogël me një larmi të bukurive dhe të halleve të jetës shqiptare, të cilat më vonë i rrëfeu imtësisht në veprat e ndryshme që shkroi.
Kjo përvojë, e bashkë me të edhe shkollimi që bëri në Liceun e Korçës, u bënë pasuritë e para shpirtërore që e futën në ‘autostradën’ e letrave shqipe.
Por, po aq mbresa meditative atij duhet t’i ketë lënë në atë periudhë dhe aktivizimi si partizan në Fier në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Madje i kësaj kohe qe aktivizimi i tij si redaktor në gazetën e parë antifashiste “Përpjekja e lirisë” në Vlorë dhe krijimet e para letrare.
Po ato që përcaktuan formimin e tij të plotë si intelektual i pjekur qenë studimet për letërsi frënge, që i mbaroi në Bullgari në 1951.
Shkrimtari fierak Jakov Xoxa dhe pedagogu e studiuesi tjetër Muzafer Xhaxhiu janë dy shqiptarët e parë studentë për letërsi frënge fill pas Çlirimit.
Duke qenë se ishin vitet e para pas ardhjes së komunizmit në Bullgari, ende programet universitare nuk qenë pastruar nga literatura e vjetër, ai pati fatin që të njihej gjatë kohës së studimeve të larta me gjithë letërsinë moderne frënge të gjysmës së parë të shekullit XX e duke u formuar kulturalisht me një nga letërsitë elitare të botës.
Kur mbërriti në atdhe, figurativisht ai ishte vaksinuar fort nga viruset që kishte filluar të ngjiste me bollëk realizmi socialist në letërsi.
Kur Jakov Xoxa nisi hapat e parë në letërsinë tonë të re pas 1944-së, peizazhi artistik i kësaj letërsie kishte filluar të mjegullohej nga vija zyrtare për artin, që ishte imponuar sipas modelit sovjetik.
Po me bagazhin që kishte fituar nga leximi i letërsisë perëndimore e me intuitën e tij krijuese, e cila pëlqente një art realist pa dogma, ai që në dy vëllimet e para në prozë “Novela I’ dhe “Novela II” do të zbulonte rrugën e tij letrare, që do e shpinte drejt një letërsie realiste, aq sa mund ta lejonte në atë kohë censura ende e re e pushtetit të ri.
Madje në disa intervale kohore ai bëri “armëpushim” me letërsinë, për t’iu përkushtuar fillimisht një pasioni tjetër, teorisë së letërsisë.
Në fillimet e karrierës ai nisi punën në Seksionin e Gjuhës e të Letërsisë në Institutin e Shkencave, për të dhënë më pas lëndën e Stilistikës e Teorisë së Letërsisë në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Tiranë.
Shumë pak dihet për kontributin e tij në shkencën tonë të letërsisë në historinë e studimeve teoriko-letrare në Shqipërinë e viteve ‘50 me tekstin e tij fondamental “Teori e letërsisë”, që e botoi në ato vite.
Edhe më pak është shkruar për meritat e tij të rralla pedagogjike si profesor nga më të shkëlqyerit e letërsisë në Universitetin tonë.
Shumica e atyre që përbënë më vonë plejadën letrare në vitet ‘60 qenë studentë të cilët u përgatitën teorikisht nga pedagogu J. Xoxa.
E megjithatë edhe pedagogjia qe një pasion jo i dorës së parë te ai.
Me dramat “Buçet Osumi” dhe “Zemra”, të botuara në ato vite, pasioni i vetëm i lindur i J. Xoxes u bë letërsia e vetëm letërsia, e cila do e gllabëronte plotësisht qysh herët për të mos e lëshuar më.
Në vitet ‘60 ai do zhvendoset dhe fizikisht drejt frymëzimit artistik, që u bë në shumicën dërrmuese vendlindja e tij me krahinën e saj.
Krahina e Myzeqesë do të mbetej për të frymëzuesja më e madhe e motiveve të tij më të pëlqyera, që u bënë dhe kryevepra të letërsisë.
Në realitet qyteti i tij i lindjes ishte një pikë ideale për të realizuar art.
Qysh nga fillimi i shekullit XX, Fieri u bë një qendër urbane e përzier, ku erdhën të banonin në masa të mëdha popullsi skajore të kombit.
Ky grumbull i kulturave të larme lokale e bëri shumë interesant këtë qytet në drejtim të tipologjisë së personazheve të cilët erdhën aty.
Myzeqarë, kosovarë, gjirokastritë, beratas, libohovitë e shumë të tjerë i bënë Fierin e Myzeqenë qysh në vitet ‘30 zona me dinamikë të rrallë, po edhe me një tematikë të mprehtë ekonomike e me tragjizëm prekës.
Në këtë det të madh ndjenjash të holla, që dallgëzoheshin në çdo epokë, u zhyt si në eksplorator i letrave shkrimtari ynë i talentuar J. Xoxa, për të zbuluar thesare të vërteta të letërsisë sonë të mëvonshme.
Qysh me romanin e tij debutues “Lumi i vdekur”, botuar në vitet ‘60, ai zuri vend në radhët e para të shkrimtarëve tanë më të mëdhenj, sepse arriti një sukses të paparë jo vetëm brenda kufijve të shtetit, po sidomos u vlerësua në Kosovë nga opinioni i paindoktrinuar, i cili pa te romani gjithë karakteristikat e një vepre me realizëm të thellë.
Ishte ky fakt që pas disa vjetësh ai u botua atje në seri me 8 pjesë, ku u përfshinë dhe disa krijime të tij që pasuan romanin e tij të parë.
Kjo vepër futi për herë të parë në letërsinë tonë romanin e tipit sagë, një nënlloj i romanit-epope, në të cilin ndërthuren dhe tablo lirizmi.
Edhe sot ai mbetet te ne roman nga më të vlerësuarit për kombin.
Në atmosferën e po kësaj krahine, Myzeqesë, me në qendër Fierin, ai u frymëzua për personazhet e rinj të romanit të dytë “Juga e bardhë”, për t’u rizhytur prapë në histori te romani i tij i tretë “Lulja e Kripës”, këtë radhë me sfond ambientin e fshatit të Nartës në afërsi të Vlorës.
Krejt tipologjia e romaneve të tij është një buqetë e bukur letrare, lulet e së cilës qëndrojnë gjithnjë të freskëta në letërsinë shqiptare.
Ai do të rrijë përgjithmonë në histori si një shkrimtar i realizmit të thellë, që diti t’u shmangej me mjeshtëri shablloneve të realizmit socialist.
Veprat e tij do lexohen me ëndje nga çdo brez i lexuesve shqiptarë dhe do të shijohen pa asnjë kufizim nga gjithë pjesëtarët e kombit tonë.
Këtë e dëshmojnë edhe botimet e pandërprera që ka pasur ai në vite, ku më i fundit është ribotimi me shtesa i romanit “Lulja e Kripës”.
Jakov Xoxa vdiq në vitin 1979, në moshën e artë të krijimeve të tij.
Por shkëlqimi që la pas do të qe i paplotë pa folur për të edhe si njeri.
Në fakt ai pati dy vendbanime të përhershme, kryeqytetin dhe Fierin.
Kështu u nda edhe shpirti i tij më dysh ndërmjet këtyre dy qyteteve.
Por, Fieri mbeti për të përgjithmonë si ajo dashuria e parë e pashterur, prej së cilës ai nuk u nda asnjëherë dot as në momentet para vdekjes.
Me siguri, edhe në këto çaste që flasim shpirti i tij endet sipër nesh, në çdo rrugicë e rrugë ku ai eci e shtegtoi duke mos u lodhur kurrë së krijuari.
Në mbarë këtë trevë, në brigjet e Osumit e në shtëpinë në Pojan, ndihet ende jehona e hapave të tij, që duket sikur po vijnë drejt nesh për të na përshëndetur me atë buzëqeshjen e çiltër e ledhatuese, e cila nuk iu nda asnjëherë deri në fluturimin e tij të fundit nga ne.
E ne i themi nga larg: Po Jakov, Fieri mbetet përjetësisht i yti.

*Fjala e mbajtur në aktivitetin e organizuar ditën e shtunë nga Bashkia Fier në Panairin e Librit, ku një panel i posaçëm iu përkushtua nderimit të shkrimtarit të shquar shqiptar Jakov Xoxa


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.