OPINION

Sa mafiozë kanë llogari bankare në Shqipëri?

09:45 - 14.09.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Duke qenë se sipas Indeksit 2020 të Institutit për Qeverisjen me seli në Bazel të Zvicrës (https://www.baselgovernance.org/news/basel-aml-index-2020-released-today) jemi vendi i dytë në Evropë, pas Turqisë, me rrezikun më të lartë të pastrimit të parave, i bie që mafiozët tanë të kenë shumë llogari bankare te ne, me gjithë punën e lavdërueshme të bërë nga banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë, për forcimin e rregullave të verifikimit të burimeve të fondit nga i cili çdo klient shton llogarinë e vet bankare në Shqipëri. Kemi shumë mafiozë me llogari bankare edhe te ne, pasi pikërisht formalizimi i fondeve të ardhura nga veprimtari të paligjshme realizohet para së gjithash, nëpërmjet kalimit të parave në sistemin bankar. Nuk është vetëm Turqia në këtë valle. Përpara pak ditësh, Zvicra njoftoi ngrirjen e llogarive bankare prej 900 milionë dollarësh të një zyrtari të lartë të korruptuar angolez, Carlos Manuel de São Vicente (https://www.icij.org/investigations/luanda-leaks/switzerland-freezes-angolan-tycoons-900-million-fortune/). Ja përse është e mirëpritur nisma e Ministrisë sonë të Financave dhe Ekonomisë për të dërguar në Kuvend projektligjin “Për Regjistrin Qendror të Llogarive Bankare”, i cili ka dy ditë që ndodhet në internet (https://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/297) për dhënie mendimi nga qytetarët (konsultim publik). Qeveria ka marrë përsipër harmonizimin e plotë brenda dy viteve (2020-2021) të ligjeve tona me Direktivat(rregullat) e Bashkimit Evropian kundër pastrimit të parave. Neni 32, germa “a” e Direktivës 2015/849 të BE-së “Kundër Pastrimit të Parave” kërkon që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të ngrenë deri më 10 shtator 2020 regjistrat qendrorë të llogarive bankare, për identifikimin e çdo personi fizik apo juridik, që mban apo kontrollon llogari pagesash, llogari bankare apo kasetat e sigurisë në territoret e tyre. Qeveria jonë, në këtë prizëm, po vepron si një qeveri e një vendi anëtar të BE-së dhe deri këtu nuk ka asnjë gjë të keqe, përkundrazi. Projektligji përcakton funksionet e Regjistrit të Llogarive Bankare, mënyrën e raportimit dhe të shfrytëzimit të të dhënave të llogarive. Regjistri do të krijohet dhe funksionojë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Vlera e menjëhershme praktike e tij është koha. Deri tani, kur Prokuroria kishte dyshime dhe hetonte për persona të caktuar që mund të ushtronin aktivitet mafioz te ne, sorollatej jo pak, derisa të merrte të dhënat e llogarive të tyre bankare. Njëherë prokurori shkonte te zyra përkatëse(vendore) e Tatimeve. Aty inspektori i zonës i thoshte të priste që të pyeste bankat e zonës së tij. Ose shkonin të dy bashkë pranë bankave tregtare dhe interesoheshin për llogaritë bankare të x apo y qytetari të hetuar. Këtej e tutje, me Regjistrin Qendror të Llogarive Bankare, Prokuroria e merr informacionin në kohë reale, pa vonesa. Po kështu edhe Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili me këtë projektligj siguron futje të menjëhershme automatike në Regjistër. Objekt i projektligjit janë jo vetëm llogaritë bankare, por edhe kasetat e sigurisë të mbajtura nga klientët pranë bankave tregtare. Regjistri Qendror i Llogarive Bankare do të përdoret pikërisht si një mjet për zbulimin, identifikimin dhe hetimin e veprimtarisë kriminale, për ndjekjen penale të autorëve të veprave penale, zbulimin, gjurmimin ose identifikimin e pasurive të dyshuara me origjinë nga veprimtari kriminale, ose nga shmangia serioze e detyrimeve ndaj shtetit, pra evazion i fortë fiskal. Ky regjistër, kur u krijua dy vite më parë në Itali, u tha se ishte realizimi i “amanetit” të gjykatësve dhe prokurorëve heronj të luftës kundër mafies italiane, Giovanni Falkone dhe Paolo Borsellino, të cilët i dhanë botës këshillën më të vlefshme për luftën kundër krimit të organizuar: “Ndiq paranë e krimit!”. Projektligji për “Regjistrin Qendror të Llogarive Bankare” pikërisht do të ndjekë dhe zbulojë paranë e mafiozëve, evazorëve të mëdhenj fiskalë dhe të korruptuarve të mëdhenj që kanë bërë miliona apo qindra mijëra euro e dollarë në kurriz të parasë publike. Do të jetë interesante të shikojmë numrin e llogarive bankare përpara miratimit të ligjit dhe tre muaj pas daljes së tij, pasi tre muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit ka detyrim ligjor ta ndërtojë regjistrin dhe t’ia kalojë në përdorim Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Pra, sa klientë me llogari bankare kanë, të themi tani në shtator të 12 bankat tona tregtare dhe sa do të kenë tre-katër muaj më vonë, kur Regjistri do të jetë gati për përdorim. A ka të meta ky projektligj? Sa të duash. Ai nuk parashikon me rreptësi dhe xhelozi ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave të Regjistrit. Mbart rrezik të lartë që inspektorë tatimorë të papërgjegjshëm ose punonjës të SHISH të blerë nga mafia të përdorin të dhënat e Regjistrit për të shantazhuar sipërmarrës në Shqipëri ose për të njoftuar mafiozë. Strukturat, si të Tatimeve dhe të SHISH, që do të hyjnë në Regjistër duhet të kenë kontroll të dyfishtë ose të trefishtë për informacionin që do të përdorin. Këto të meta duhen parë mirë, për t’u ndrequr në kohë nga autorët e projektligjit. Por edhe nëse kalon kështu i çalë, do të ketë dobi të jashtëzakonshme. Së pari, do të ketë mafiozë të frikësuar që do të tërheqin paratë nga llogaritë e tyre në bankat tregtare në Shqipëri. Po t’i heqin, aq më mirë. Kemi sistem të mirëkapitalizuar bankar dhe nëse disa dhjetëra apo qindra mafiozë tërheqin deri në dhjetëra milionë euro që kanë “formalizuar” në sistemin tonë bankar, aq më shumë pastrohet ekonomia jonë.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.