Kryesore

Pasko: Vepra e pabotuar e babait tim Mitrush Kuteli, Ahmeti: Përfaqësues i një bote europiane

11:30 - 15.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Qendra Kombëtare e librit ka përkujtuar 113-vjetorin e lindjes së Mitrush Kutelit, në një mbrëmje që bashkoi studiues të veprës së tij.




Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës së Librit, tha se “Ditëlindjet e shkrimtarëve për një letërsi të vogël e të madhe si e jona, janë ngjarje, e sidomos ditëlindja e një shkrimtari si Mitrush Kuteli që i ka dhënë shumë gjuhës sonë dhe e ka pasuruar atë”.

Shtëpia botuese që drejtohet nga të bijat e shkrimtarit, ka sjellë vullnetin e tij të fundmë dhe vargjet e ndaluara të tij, nën titullin “Vargje të përzjera”.

Atalanta Pasko, vajza e Kutelit, tha para të pranishmëve se në libër “ka vargje të botuara e të pabotuara. Janë vargje të lira që ne i kemi gjetur të shkruara edhe nëpër copa gazetash. Ai e bëri gati ta botonte librin dhe më pas e la, sepse ndërhyrjet e redaktorëve atë kohë ishin aq të mëdha, sa shkonin deri në bashkëpunim, ndaj ai u tërhoq”.

I cilësuar nga kritika si një nga bashkëthemeluesit e prozës moderne shqipe, ai veçohet edhe për kritikën dhe erudicionin që ka lënë të shkruar e njëherësh, për një nga sprovat e rralla të letërsisë sonë, që është shkrimi metafizik.

Persida Asllani, pedagoge dhe studiuese, u shpreh se Kuteli mësohet në fakultet për “hulumtimet e forta psikologjike dhe një ndër dukuritë më të rralla të letërsisë sonë, që është pikërisht shkrimi metafizik dhe përballja e dy botëve”.

Nëse sipas Plasarit, Kuteli krijonte një kohë përtej gjithë kohërave, për Moza Ahmetin, emra si Kuteli, Lasgushi a Konica ishin të margjinalizuar ne komunizëm.

Moza Ahmeti, tha se “jam rritur me një baba marksist e ateist. Me njerëz e emra si Kuteli, që përbënin një botë tjetër prej asaj që jetonim ne, një botë europiane e të pasur, më lidhte më shumë gjyshja ime nga mamaja, e cila sipas tim eti ishte mikroborgjeze, por për mua ishte referenca drejt botës që përfaqësonin emra si Kuteli, Konica e Lasgushi, që ishin të margjinalizuar, ndërsa letërsia jonë e kohës, kishte si shqetësim kryesor njeriun e ri”.

Dhimitër Pasko, i njohur si Mitrush Kuteli, është autor i disa veprave. I arrestuar më 1947-ën për agjitacion e propagandë, ai i vuajti dy vite nga dënimi ne kampin e Vloçishtit. Kjo njollë do ta shoqëronte për pjesën e mbetur të jetës.

AKTIVITETI

Me rastin e 113–vjetorit të lindjes së Mitrush Kutelit, një prej zërave më të rëndësishëm të prozës shqipe, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi një mbrëmje kushtuar veprës së tij, në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar.

“Mitrush Kuteli studiohet në këndvështrime të shumta dhe metodologji të shumta. Te Kuteli shohim një përballje të jashtëzakonshme mes dashurisë tokësore dhe asaj hyjnore, përballje që shkon deri në nivelet e mistikes dhe të një sprove të rrallë në letërsinë shqipe që është shkrimi metafizik”, – u shpreh Persida Asllani, shefe e Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës.

Gjatë aktivitetit u prezantua dhe libri më i ri i shkrimtarit “Vargje të përzjera”, një libër që vetë Kuteli kishte nisur ta përgatiste vite më parë, por për rrethana të kohës mbeti i pabotuar. “Ky libër vjen dhe pasuron sot bibliotekën e veprave të Kutelit, duke njohur më thellë poetin brenda tij”, – tha Alda Bardhyli, drejtore e QKLL. Vajza e shkrimtarit Atalanta Pasko, u shpreh se titulli është i zgjedhur nga vetë Kuteli, për atë përmbledhje që kishte bërë gati për ta botuar atëherë kur i kishin kërkuar një përmbledhje të poezive nga Shtëpia Botuese Naim Frashëri. “Vepra nuk u botua atëherë, sepse ndërhyrjet që i kërkonin redaktorët ishin të tilla që shkonin deri në bashkëpunim. Kështu që ai nuk mund të pranonte dhe u tërhoq. U botua një përmbledhje pas shumë vitesh që ndërroi jetë Kuteli, dhe ne më në fund e botuam të plotë. Aty janë që nga Poemi Kosovar, deri te vargje të shkruara që ai i kishte shënuar në fleta gazetash. Të gjitha janë aty brenda”, – u shpreh Atalanta.

Studiuesi Primo Shllaku e vu theksin te gjuha e Kutelit dhe Kuteli si përkthyes.

“Unë mbaj mend mahnitjen e madhe që kam pësuar nga përkthimet e tij të Zhyl Vernit. Kur më vonë arrita t’i lexoj ata libra në origjinal, prapë mbeta skllav i tekstit të Dhimitër Paskos”, – u shpreh Shllaku.

Ndër të tjera, ai tha se “gjuha e nënës që Kuteli ka përdorur ka një kuptim jo se shkruan shqip, por gjuha e nënës është intimiteti dhe shumëkuptimësia, po themi, ose aura e gjuhës, përtej fjalës, pra fjala jo si limit, por fjala si e përtejme, fjala si pafundësi. Unë kam idenë se Dhimitër Pasko këtë punë ia ka bërë toskërishtes. Ka ditë fjalët përtej fundit, dhe gjuha e tij ka magji të madhe”.

Për veprën e shkrimtarit folën dhe studiuesit Kristaq Jorgo, Behar Gjoka etj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.