OPINION

Policia e Shtetit t’i shërbejë qytetarit dhe jo krimit

09:00 - 15.09.20 Aleksandër Biberaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një ndër dështimet spektakolare të qeverisjes 8-vjeçare të rilindjes është edhe Policia e Shtetit ose e ashtuquajtura “policia që duam”, që, në fakt, e vërteta është që kjo është “policia që qytetarët s’e duan aspak”, po mund të jetë “policia që duan bandat”. Pas ardhjes së rilindjes në pushtet në vitin 2013 filloi me tamtame të mëdha e ashtuquajtura reformë në polici, por, në fakt, ajo rezultoi në një spastrim të kuadrove profesionistë që kishin dhënë kontribute me vite dhe dekada në polici, dhe zëvendësimi i tyre me militantë partiakë të rilindjes/FRESH-it, apo mbi baza të theksuara krahinalizmi, si dhe pa formimin e tyre profesional, pa eksperiencë dhe përvojë në polici. Ndërkohë që oficerët më të zotë u flakën në mes të katër rrugëve, ose u degdisën në çdo qoshe të republikës, vetëm e vetëm që të iknin vetë nga policia. Ishte hera e parë ndoshta në historinë e deri atëhershme të policisë, që në situata normale, shefa komisariatesh apo drejtues të rëndësishëm të policisë emëroheshin nga bandat dhe grupet kriminale. Për hir të së vërtetës, kjo gjë ka ndodhur edhe kur e majta erdhi nëpërmjet dhunës në pushtet në vitin 1997, dhe filloi të emërojë shefa komisariatesh anëtarë apo drejtues bandash, ku sipas statistikave zyrtare ka edhe raste dhe shembuj pafund. Gjithsesi po të kthehemi tek “pseudo-reforma” e vitit 2013, depersonalizimi dhe shmangia e policisë nga funksionet publike të rendit dhe qetësisë, mbrojtjes së jetës dhe pronës, filloi me kanabizimin e vendit, kanabizim që ndodhi me bekimin, mbështetjen dhe nën drejtimin e policisë, gjë që inkriminoi të gjitha nivelet e policisë lokale dhe asaj qendrore që morën pjesë në këtë maskaradë të modelit kolumbian apo meksikan. Sipas medias por edhe raporteve ndërkombëtare në shumë raste janë emëruar drejtues që kanë qenë propozime të bandave apo grupeve kriminale, me qëllim mbrojtjen e aktivitetit të tyre dhe sigurimin e tregjeve ilegale të drogërave të të gjitha llojeve, prostitucionit, trafikut klandestin, apo të armëve. Në shumë raste të tjera janë emëruar në pozita drejtuese njerëz të inkriminuar me të shkuar të dyshimtë, por edhe ish-oficerë të ish-Sigurimit të Shtetit. Në shumë raste po sipas raporteve të institucioneve të specializuara për monitorim, automjete titullarësh policie apo të shërbimit publik policor, deri tek makina e ministrit të brendshëm, janë përdorur për trafiqe të paligjshme, gjë që duhet të jetë rast unikal në planet. Akoma më keq që policia është përdorur edhe për të manipuluar dhe vjedhur zgjedhjet, siç ishte rasti i zgjedhjeve të vitit 2017. Ndonëse gjatë këtyre 8 viteve janë ndërruar disa ministra të brendshëm dhe disa drejtorë të përgjithshëm policie, situata jo vetëm që s’ështe përmirësuar, por ajo ka agravuar edhe më keq. Ka ankesa pa fund nga qytetarët për keq trajtime apo presione nga policia, ka raste korrupsioni pa fund, në shumë raste ka qytetarë që shkojnë për denoncime, por që denoncimet nuk “pranohen”, “humbasin” ose nuk trajtohen nga policë dhe oficer të policisë gjyqësore komplet të korruptuar dhe vegla/shërbëtorë të bandave dhe krimit. Natyrisht ka kuadro, oficer policie që janë profesionistë dhe të ndershëm, por fatkeqësisht këta janë fare pak në numër, dhe kanë pozita modeste në hierarkinë e policisë, pasi janë nën kontrollin dhe urdhrat e shefave të korruptuar apo të inkriminuar. Fatkeqësisht kjo është situate tepër e zymtë, e errët, e zezë, ku e ka zhytur policinë e shtetit, anti-shteti i rilindjes. Ndryshimi i kësaj situate katastrofike, duhet të vijë me ndryshim e madh të 15 prillit, dhe Partia Demokratike duhet të përgatisë një program shumë ambicioz dhe me masa konkrete dhe me afate, për rivendosjen e rendit dhe qetësisë publike, për një reformim tërësor dhe të thellë të policisë së shtetit, reformë, që duhet të bazohet vetëm mbi kritere arsimore, profesionale dhe meritokracie, dhe për një ndëshkim të gjithë atyre që kane bashkëpunuar gjatë këtyre 8 viteve me krimin e organizuar, me bandat dhe mafien, dhe informacionet aty janë, aq më tepër që këto krime nuk parashkruhen dhe nuk falen asnjëherë, pasi kanë të bëjnë me cenimin e jetës dhe pronësisë së individit, familjes apo grupeve të ndryshme shoqërore. 100 ditët e para të qeverisjes duhet të jenë një luftë pa kompromis kundër bandave të të gjitha llojeve, me qëllim pastrimin e territorit nga aktivitetet e tyre të jashtëligjshme dhe kriminale, ashtu siç u bë në vitin 1992 dhe në vitin 2005, kur e mori pushtetin PD, duke e gjetur “tokë të djegur”. Një komponente tjetër ka të bëjë me rritjen e rrogave në sektorin e policisë si dhe të pensioneve të të gjithë atyre që kanë punuar në këtë sektor, pasi rrogat e tyre nuk reflektojnë aspak dinjitet, dhe shpeshherë janë edhe shkak për abuzime dhe korrupsion. Të mos harrojmë për asnjë moment që polici është fytyra e shtetit në raport me qytetarin, dhe jo e Sandër Lleshit dhe e as një ministri tjetër. Kur kam qenë në pozicionin e zv. Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, pata zhvilluar një bisedë me kryetarin e delegacionit të Bundestagut dhe me ministrin gjerman të brendshëm, dhe ata ishin dakord për asistencë dhe pjesëmarrje aktive për policinë e shtetit, nëpërmjet ekspertëve të tyre më të mire të rendit dhe sigurisë publike, gjë që s’u bë në atë kohe pasi ndryshuan gjërat dhe projekti mbeti vetëm si ide. Mundet qe sektorë specifikë të policisë t’i jepen për menaxhim policisë gjermane, dhe këtu kam parasysh edhe menaxhimin e rajonit të Prizrenit në Kosovën e pas-luftës nga KFOR-i gjerman, një menaxhim i shkëlqyer qe dallonte nga menaxhimi i vendeve të tjera të Aleancës së Atlantikut. Gjithmonë mbetem ithtar i idesë se kur ke një vullnet të mirë për të bërë diçka të mirë, gjithmonë gjenden rrugë dhe mundësi.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.