OPINION

As Maidan dhe as Pranverë Arabe!

11:09 - 16.09.20 Dr. Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas zgjedhjeve të kontestuara të 9 gushtit, Bjellorusia nuk po gjen qetësi. Ajo të kujton Pranverën Arabe dhe protestat në Sheshin Maidan në Ukrainë. Megjithatë, duket se shpresat për përsëritjen e tyre të suksesshme në Bjellorusi janë të vakëta e të pakta. Nuk është fjala për masivitetin dhe shpeshtësinë e këtyre protestave bjelloruse; në fakt, për të pestën javë radhazi, në kryeqytetin e vendit, Minsk dhe gjetkë vazhdojnë protesta të mëdha me mbi 100.000 vetë, megjithë dhunën policore dhe arrestimet e shumta. Jo, jo, fjala është te jehona, përmbajtja, objektivat dhe suksesi i atyre protestave. Ndaj, me të drejtë shtrohen tri pyetje themelore: Përse lëvizja në Bjellorusi nuk po ka atë jehonë dhe “tingull” si Pranvera Arabe më 2011, revolucioni “Portokalli” dhe Maidani në Kiev më 2004 dhe 2014? Më tej, cilët janë aktorët dhe faktorët politikë që ndikojnë mbi këtë kronikë të mundshme dështimi demokratik? Dhe mbi këtë bazë, cilat janë mësimet që dalin nga pësimet e Minskut? Le të mundohemi t’u japim përgjigje më poshtë, duke u ndalur në dallimet kryesore ndërmjet tyre.
Së pari, Pranvera Arabe shpërtheu në Egjipt, Libi, Tunizi dhe gjetkë, vende këto që rrethoheshin dhe kishin marrëdhënie të zhvilluara ekonomike, politike dhe të sigurisë me shtete perëndimore ose aleatë të tyre dhe me tradita demokratike. Kësisoj, aleatët perëndimorë nuk e patën problem të ndërhynin dhe t’i bindnin ose detyronin me forcë liderët e vendeve arabe që “t’i hapnin krahun” ndryshimit të madh. Ata iu përgjigjën vullnetit të shumicës dërmuese të popullit dhe protestave, edhe pse bie fjala, Mubarak i kishte shërbyer Perëndimit për dekada si garant stabiliteti në Lindjen e Mesme; kësisoj, ndaj tij ishte bërë “një sy qorr dhe një vesh shurdh”. Po ashtu, nuk mbeti institucion perëndimor pa mbështetur haptazi opozitën demokratike pro euroatlantike në Ukrainë. Ndërsa Bjellorusia është shquar përherë për qëndrim armiqësor ndaj Perëndimit. Minsku ka pasur aleat kryesor Rusinë, me përkrahjen dhe mbështetjen e tij të plotë dhe të hapur edhe gjatë muajit të fundit. Këtë e konfirmoi presidenti Putin gjatë takimit me Llukashenkon më 14 shtator në Solchi, ku veç ndihmës prej 1,5 miliardë eurosh, siguroi mbështetje ushtarake dhe kërkoi që kriza e tanishme të jetë çështje e brendshme e Bjellorusisë.
Së dyti, Pranverën Arabe dhe Maidanin e udhëhoqën parti politike të fuqishme që lejoheshin dhe përfaqësonin opozitën në ato vende. Përmendim p.sh. “Vëllazërinë Myslimane” në Egjipt apo opozitën në Ukrainë që kanë qenë dhe në pushtet. Veç kësaj, liderët e tyre opozitarë ishin figura të konsoliduara politike të njohura dhe nga Perëndimi, si ish-kryeministrja emblematike Timoshenko, apo ish-presidenti egjiptian Mursi etj. Kjo opozitë kishte mbështetjen e faktorit ndërkombëtar edhe në popull dhe me të nuk “bëhej shaka”.
E kundërta ndodh në Bjellorusi, ku për shkak të regjimit diktatorial 26-vjeçar nuk ka pasur mundësi praktike për një opozitë të mirëfilltë, ndonëse oponenca në popull nuk ka munguar. Por është tjetër gjë oponenca dhe tjetër pozita në formën e partive politike. Kështu, vetëm në gusht u krijua spontanisht Këshilli i Shoqërisë Civile prej shtatë vetash, me gra karizmatike por të panjohura e të paangazhuara më parë në politikë. Tepër vonë, pa program, kërkesa dhe alternativa të qarta, pa një mbështetje të organizuar jo vetëm në Minsk por në mbarë vendin. Vërtet u kërkua ndryshim, por i kufizuar në largimin e Llukashenkos dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve. Ndaj, kjo mbetet vetëm dëshirë e mirë dhe e pamundur, kur mendon se nuk ka asnjë garanci se zgjedhjet e reja do të jenë më të mira, le më pastaj sipas kërkesave ndërkombëtare. Për më tepër se edhe opozita e tanishme në Minsk nuk ka dashur të pranojë ndihmën e KiE-së dhe OSBE-së, edhe pse Bjellorusia është anëtare. Më e keqja është se dhe liderët e tyre e konsiderojnë protestën si lëvizje të brendshme e pa ndërhyrje të jashtme. Kjo dhe për shkak të zhgënjimeve të tyre me zhvillimet e njohura negative brenda dhe jashtë BE-së. Kështu, ky këshill opozitar u shkërmoq lehtë nga regjimi duke i ndaluar, arrestuar ose dëbuar me forcë pjesëtarët e tij deri në akuza për tradhti të lartë. Për pasojë, opozita është pa drejtim, pa parti, pa shans dhe pa garanci për të ardhmen, edhe sikur të përsëriten zgjedhjet.
Së treti, Pranvera Arabe dhe Maidani patën mbështetjen e hapur, të fuqishme politike dhe ushtarake të BE-së dhe SHBA-ve. Në Maidan, Kiev më 2014, p.sh. nuk mbeti ministër i Jashtëm i vendeve të mëdha të BE-së pa shkuar e u bashkuar me protestuesit në shesh; ndërsa në Libi, Irak, Egjipt e gjetkë pati ndërhyrje ushtarake edhe nga NATO kundër regjimeve. Ky ishte një faktor mjaft i rëndësishëm, edhe pse nuk funksionoi në Siri, për shkak të një sistemi më të fortë shtetëror dhe mbështetjes ruse.
Krejt e kundërta ndodhi në Bjellorusi, ku BE-ja vendosi të mos ndërhyjë, që të mos e kthejë atë si në rastin e Ukrainës në çështje gjeopolitike, “ose me BE-në ose me Rusinë”. Me të drejtë BE-ja u mjaftua me mosnjohjen e zgjedhjeve, sanksione dhe me thirrje drejtuar Rusisë për të mos ndërhyrë në “çështje të brendshme” të Bjellorusisë. Dhe bëri shumë mirë, sepse qasje tjetër nuk do ta shpinte asgjëkund, por vetëm se do të përkeqësonte gjendjen. Për të qenë të sinqertë, ky ishte dhe çmimi që BE-ja dhe SHBA-të duhet të paguajnë për nxitimin dhe gabimin e tyre në gjeopolitizimin e rastit në Ukrainë, me synim çeljen e perspektivës euroatlantike aty, në Gjeorgji dhe në zona të tjera ish-sovjetike ku Rusia ka treguar më se një herë se “nuk të fal”.
Së katërti, për fat të keq, në ish-republikat sovjetike, fryma europiane dhe demokracia liberale, përfshi Pranverën Arabe dhe Ukrainën, nuk po ecin dhe nuk përcillen më si parë. Kjo dhe për mosarritjet, dështimet dhe zhvillimet brengosëse të tyre, madje dhe vetë brenda BE-së. Entuziazmi dhe pritshmëritë për paqe, shtet të së drejtës dhe begati ekonomike dhe në Ukrainën fqinje janë zbehur ndjeshëm. Rritja e populizmit, ekstremizmit, krisjet brenda saj, të shfaqura së fundi dhe në krizën në Mesdhe dhe Egje, Brexit dhe synimet e disa vendeve fqinje me Bjellorusinë për ta ribërë BE-në si demokraci joliberale, krizat e mëdha të shoqëruara me shtimin e ndikimit rus, kanë bërë që BE-ja të humbasë goxha nga forca e saj joshëse edhe te ato vende, të cilat parapëlqejnë më mirë të shohin punët në “shtëpinë e tyre”. Mirëpo kjo shkon në favor të regjimeve diktatoriale dhe kufizon ndjeshëm hapësirat e veprimit të forcave demokratike. Ndaj dhe në Bjellorusi nuk mungojnë pyetjet retorike ndaj protestuesve “E çfarë kërkoni ju, që të përsëritet e njëjta gjë si në Kiev, Siri, Libi e gjetkë?” Jo, faleminderit!
Së pesti, ushtria dhe policia në vendet arabe dhe në Ukrainë nuk u tregua aq besnike ndaj regjimit, por dhe mjaft e ashpër ndaj opozitës. Ndërsa në Bjellorusi, megjithë “ftesën” me lule nga protestuesit, ushtria dhe policia nuk lëvizin nga istikami duke e mbrojtur regjimin me zjarr dhe me hekur. Sepse bëhet fjalë për ushtri dhe polici të një shteti diktatorial e jo demokratik.
Së gjashti, shtimi i ndjeshëm i rolit dhe ndikimit rus që nuk ishte në këto përmasa në Maidan dhe Pranverën Arabe; ndërsa vitet e fundit Rusia ka dalë me pretendime më të mëdha në skatierën e politikës botërore, si sfidante e Perëndimit, duke përfshirë dhe ofruar si alternativë ndaj BE-së, “Hapësirën Euro-Aziatike”; me shumë ndasi dhe përplasje, por dhe me shumë objektiva madhorë të përbashkët. Kohët e fundit Rusia po synon dhe ka filluar të “bëjë ligjin” edhe në Siri, Libi, ka aneksuar Krimenë dhe e ka bërë të qartë si në rastin e Bjellorusisë se nuk “lëshon më pe”. Minsku dhe tani së fundi presionet perëndimore në rritje ndaj Rusisë lidhur me çështjen “Navalni” dëshmojnë qartë se, sado të drejta dhe efektive, sanksionet e ca më pak gjuha e forcës është vështirë të japë rezultate realpolitike me Rusinë. Sidomos BE-ja, që ka mbetur kryesisht “soft power”, nuk ka “as këllqe dhe as muskuj” për një gjë të tillë. Në këto kushte, pavarësisht nga “mëkatet”, po fiton terren gjithnjë e më të madh ideja e hartimit dhe miratimit të strategjive bashkëpunuese e të dialogut me Rusinë, por pa hequr dorë nga kërkesat dhe objeksionet legjitime. Këtë duket se po bën dhe NATO, e cila ka ngarkuar një ekip pune me 10 personalitete të shquara të politikës dhe sigurisë euroatlantike, të cilët do të paraqesin për shqyrtim në tremujorin e parë 2021 platformën e re të marrëdhënieve me Rusinë.
Së shtati dhe e fundit, pavarësisht nga fati i mëtejshëm i lëvizjes së protestave në Bjellorusi, presidenti bjellorus Llukashenko e ka damkosur keq i mazhin e tij, duke u kthyer nga “babai i dashur i kombit” në një despot dhe demon të vërtetë. Gjithsesi në dorë dhe në mëshirë të Rusisë dhe presidentit Putin. Deri kur, le të presim.




 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.