KULTURË

PUSHTETI QE ZHVAT/ Mbi komedinë “Pesë ditë mbret” të Stefan Çapalikut

11:11 - 16.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Josif Papagjoni – Pashë komedinë-satirë të Stefan Çapalikut “Pesë ditë mbret”. Pas kaq muajsh, më në fund një shfaqje teatri. Nuk përtova dhe shkrova këtu më poshtë. Qe në mjedis të hapur, mbi tarracën e Bibliotekës Kombëtare, me ca karrige të sajuara dhe një skenë të lehtë. Kisha maskë në fytyrë. Me maska edhe të tjerët. Diçka e habitshme, madje si qesharake, por ç’nuk të bën ky i flamosur COVID! Por, aha, na e mori të keqen. E pashë me kënaqësi shfaqjen. Dhe shpresoj që të tjera shfaqje të shoh dhe ky i mallkuar të gremiset diku e të na lërë rehat…
Pushteti nuk është një fuqi e së drejtës dhe së mirës, por e së padrejtës dhe së keqes. Në vend që të shërbejë, ai shtyp. Në vend që të japë, ai merr. Pushteti e zvetënon natyrën njerëzore, e fut në paranojat e njeriut që ka të drejtë për çdo gjë e në çdo gjë, kur tokë e qiell janë të tijat, vetë liria e të tjerëve është e tija, jepet dhe merret po prej tij. Pushteti është një aureolë e mitizuar e fuqisë absolute, Perëndia në tokë; është fetish, sepse njerëzit e rikrijojnë atë nga pafuqia dhe vetëdija prej robi. Por, përtej kësaj prepotence dhe gjithëfuqie, pushteti është po aq i zëvendësueshëm, i rrezikueshëm, i thyeshëm, që ndërron trajtë si ameba për t’u ricikluar në të tjera rrethana dhe gjasa, pa hequr kurrë dorë nga interesi, zhvatja. Pushteti luan me premtimet, iluzionin, utopitë e rrejshme. Dhe gënjeshtra nis e rinis nga e para. Sepse pushteti dhe pushtetari, në një Shqipëri të varfër, me mendësi lindore, me një popull-turmë të mësuar nën hyqëm e kamxhik, pa personalitet, pa kulturë, pa vetëshprehje, pa dinjitet, i trembur, i rrahur dhe me psikologjinë e robit, sejmenit a jesmenit – përherë i shohin asetet dhe burimet e mirëqenies kombëtare si hipoteka, hambarë e xhepa të fryrë për vete, familjen dhe klanet e tyre mbështetëse. A s’është po njësoj siç edhe ka qenë? Kjo të tremb.
Ide të tilla pashë të shqiptuara përmes një ironie dhe sarkazmi, të kudogjendur nëpër tekstet e Stefan Çapalikut, edhe në komedinë-satirë të tij “Pesë ditë mbret”, produksion i teatrit “Metropol” të Tiranës, e cila u shfaq në mjediset e hapura të Teatrit të Operës dhe Baletit, në kushtet e pandemisë kufizuese. Pas kaq kohe pashë një shfaqje teatri. Shkova me maskë, doemos. Edhe spektatorët me maska qenë. Një pamje si “për të qeshur”, por ç’t’i bësh. E rëndësishme është që pashë teatër, që bëhet teatër.
Citova disa ide të veprës pak më sipër, por mund të shtoja dhe ide të tjera, që pliksen me jetën e Oto Wite, një bohemi-kloun, i cili kërkon të mbijetojë falë një truku, rrengu a “magjie”, e cila mund të merret edhe si e vërtetë, pra si ngjarje e subjekt i njëmendët, por edhe si trill, fiksion, sendërgji prej një mendjeje artisti në ëndërrim a në një grimë fantazie e imagjinate prej krijuesi të deprimuar. Por kjo s’ka shumë rëndësi; arti nuk është një pasqyrë dhe kopje e realitetit, por rindërtim i tij gjegjësisht ligjeve estetike, gjegjësisht së mundshmes dhe fantazisë. E rëndësishme është përqasja që krijohet midis asaj çka na thuhet në vepër nga dy vetje, që rimarrin e risjellin disa personazhe njëherësh gjatë lojës, që transformohen dhe po aty rikthehen në dy miq, bredharakë ‘alla Becket’, në kërkim të mbijetesës së tyre, të “kafshatës”, sa dhe të një aventure të “bukur” e të çartur, që vetëm mendje të tilla mund ta parafytyrojnë.
Autor-regjisori Çapaliku shkon e vjen mes dy e më shumë kohëve, duke krijuar syresh idenë e pandryshueshmërisë së dukurisë, e cila përsëritet nga koha në kohë. Sakaq, krijohen dy premisa: e para është kërkesa e një aktori-kloun për të krijuar një parti, që do të përfaqësojë në politikën shqiptare komunitetin e artistëve, të cilët ndihen krejt të braktisur nga shteti dhe jashtë vëmendjes, e dyta është grisja e kësaj kërkese, shpërfillja e pushtetit të sotëm politik. Porse ndërkaq në sytë e spektatorëve është bërë demaskimi i mendësisë orientale që ende e kemi nëpër këmbë si dhe të vetë pushtetit (historikisht), duke realizuar falë një satire të mprehtë oponencën më fisnike të shoqërisë ndaj pushtetit abuziv dje dhe sot.
Klouni gjerman Oto Wite dëgjon se diku në një vend të Ballkanit, me emrin Albania apo Shqipëri, ushtritë turke po zbythen dhe një kontur i një shteti të ri po ravijëzohet. Ai ka lexuar se te ky vend “kot” do të vendoset si mbret djali i sulltanit të fundit, Abdyl Hamitit. Ka dhe do pretendentë të tjerë që flitet se do bëhen mbretërit e mundshëm të këtij shteti në shpërgajë. Andaj dhe ai merr udhën e aventurës drejt fronit të mbretit. U bë apo s’u bë, kjo pak rëndësi ka. Në ëndrrën e tij ai u bë një mbret për pesë ditë. Dhe e njohu gjendjen e atij populli, atij vendi, asaj qeverie të re, me zyrtarë e ministra turkoshakë, dyfytyrash, sahanlëpirës, injorantë, kurvarë. Sa e vështirë është të bësh një shtet me përkatësi evropiane për nga toka dhe lindore, otomane, myslimane për nga mendja, kultura, qysh nga sjelljet, zakonet, veshjet, gjellët e gjer te mendësia! Nuk ka shumë rëndësi për mua gjithashtu fakti që teksti është i shpenguar dhe ecejaket sa nga viti 1913 e gjer në kohët e mbrame, sa nga një aluzion për një pushtetar tiran, lindor (si Esat Pasha), i ndërmjetëm Lindje-Perëndim (Ahmet Zogu), te një pushtetar komunist, totalitar (Enver Hoxha), ndofta dhe te të fundit që i kemi pasur nëpër këmbë këta 30 vjet, veç duke vjedhur. Të gjithë veçse kanë mbajtur lugën në brez dhe për pasurimin e tyre kanë shkelur edhe te më të shenjtat gjëra, shitjen e aseteve dhe territoreve, shitjen e pavarësisë, shitjen e lirisë, gjer edhe të detit. Ky model pushtetari, qoftë një mbret, qoftë një Sekretar i Parë, qoftë një lider partiak, është po njësoj në thelbin e vet: një Esat Pasha i ri, një shitës i burimeve natyrore të vendit për xhepin e tij, një hajdut, një njeri i paskrupullt.
Ani pse e gjitha kjo vjen përmes dy aktorëve që luajnë me shkathtësi dhe variojnë në forma të larmishme psikofizike, plastiko-ritmike dhe zgjidhjeve të begata të mënyrës së ligjërimit nga njëri episod te tjetri, ani pse e gjitha është një fantazi, një sendërgji, diçka që vjen prej mendjes së S. Çapalikut, ajo që na tërheq dhe e fton vetëdijen tonë në diskutim është pikërisht raporti i shtrembëruar i shtetarit me të drejtën, me popullin e tij: a i shërben popullit apo e vjedh atë? A është një prijës si dikur motit Skënderbeu kundër turqve apo një tjetërlloj “prijësi” që i turret pasurisë kombëtare dhe e zhvat, që e shet te të tjerët për të fituar për vete, që tokën e shpërdoron duke mbjellë helm? Udhëheqësia e kombit tonë qysh nga 1912 e gjer më sot fatkeqësisht ka sjellë shembullin e më të ligës, e modelit të shtetarit zhvatës. E shtetarit, që në vend të një shprese e bukurie (artit, loja me flluskën), sjell pikën e gjakut (rrethi në fund të sheshit skenik, që shërben edhe si vend projektimi e hijezimi për aktorët, nga skenografi Divni Gushta).
Këtë tekst e kanë mishëruar me hir skenikisht dy aktorë. Ata kanë krijuar një shumësi gjasash njerëzore, tipa të këndshëm, përherë nën lenten e humorit, me brushën e këndshme të groteskut e të burleskut, pasi edhe vetë ajo çka na tregon komedia e tillë është: një ëndërr, një aventurë, një fiksion teatror. Tek aktori Rafael Hoxhaj do të veçoja zhdërvjelltësinë e tij plastike, përdorimin e bukur të “sikurit magjik” në lojën me topthin (tullumbacen e kuqe, si njollë e madhe gjaku, pushtet, ëndërr, që të sjell në mendje diçka edhe nga Çarli Çaplini), loja me shpatën, plastika dhe ojnat prej Sharloti. Tek aktori Ismail Shino do të veçoja aftësinë e transformimit, brenda çastit të shkurtër kohor, nga njëri rol te tjetri, duke ndryshuar së brendshmi e duke krijuar një palitër ngjyrash, tipa të ndryshëm, galeri shpërfaqjesh e karakteresh. Po ashtu, duhet theksuar se të dy aktorët i gjegjeshin mjaft mirë njëri-tjetrit dhe erdhën duke e rritur ritmin dhe lojën.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.