Intervista

Rënia e Besa Shahinit, eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti: Do të kujtohet si etaloni i paaftësisë

12:10 - 16.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Largimi i Besa Shahinit nga Ministria e Arsimit në ditën e parë të shkollave të arsimit parauniversitar, shkaktoi jo pak debat. Ndërkohë kryeministri i vendit Edi Rama njoftoi se në krye të MASR do të jetë deputetja e PS-së, Evis Kushi. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, dr. Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit parauniversitar dhe lektor në Departamentin e Edukimit dhe Anglishtes tregon se Shahini i ka shkaktuar një dëm të madh arsimit në Shqipëri dhe shtoi se do të mbahet mend gjatë, si etaloni i arrogancës, paaftësisë, mungesës së përgjegjësisë ndaj një sektori kaq të rëndësishëm siç është arsimi. Mehmetaj shton se Evis Kushi nuk ka as kohën dhe as mundësinë, as vizion të qartë të qeverisë për arsimin të tregoj vlerat e saj në drejtim të arsimit.
Këtë të hënë, filloi viti i ri mësimor për arsimin parauniversitar. Në dyert e shkollave u grumbulluan turma të mëdha. A u shkaktua kjo situatë si pasojë e neglizhencës së qytetarëve apo nga mosorganizimi i institucioneve arsimore?
Besoj se ishte një keq organizim i strukturave të shtetit të cilat ishin krejtësisht të shkëputura nga njëra tjetra dhe tërësisht të pa koordinuara me njëra-tjetrën. Diku Policia e Shtetit jepte deklaratë për shtyp, policia bashkiakë nuk u duk asgjëkund, ISHSH, ia hodhi fajin prindërve dhe nxënësve, ndërsa këta të fundit, nuk dinin as vetë se çfarë do të ndodhtë ditën e parë të mësimit. Ne ishim dhe vijojmë të jemi të papërgatitur për fillimin e shkollës dhe kjo do të na kushtoj shumë në ditët në vijim.
Jo pak prindër ankoheshin se nuk po respektoheshin oraret nga shkollat. Pse erdhi një çorganizim i tillë?
Oraret e vëna nga MASR, janë të pamundura të zbatohen. Sistemit tonë arsimor i mungojnë 128 shkolla dhe është krejtësisht e pamundur që shkolla të zbrazet, të dezinfektohen nxënësit, të dorëzojnë formularin e vetë deklarimit dhe të futen në klasat e tyre në një hapësirë kohore prej vetëm 15 minutash. Kjo shkaktoi kaos në lëvizjet e nxënësve, prindërve, por edhe vështirësi të mëdha në radhët e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave për menaxhimin e situatës, pa harruar që në disa shkolla mungonin termometrat digjital dhe kushte bazë për fillimin e shkollës dhe këtu kam parasysh: Mungesën e ujit, dezifektantëve, mungesë të maskave, të cilat duhet të jepeshin falas etj.
A ishte Shqipëria gati për rihapjen e shkollave?
Jo! Nuk kemi bërë asnjë studim, nuk kemi asnjë buxhet të dedikuar për arsimin, siç ka miratuar së fundmi Republika e Kosovës (12.5 milion euro vetëm për masat anti COVID-19), nuk kemi akorduar fonde shtesë për mësuesit që duhet të angazhohen në mësimdhënien me turne, lekë për transportin e fëmijëve dhe mësuesve etj. Pra, në këto kushte, shkolla u hap vetëm sa për të thënë se edhe ne jemi si vendet e tjera, por në fakt kaosi dhe pasiguria janë shtuar në radhët e prindërve, mësuesve dhe nxënësve.
Duke u nisur nga situata e dy ditëve më parë, sa të rrezikuar jemi nga përhapja e koronavirusit si pasojë e rihapjes së institucioneve arsimore?
Për këtë duhet të flasin ekspertët e fushës. Unë mendoj se grumbullimet e mëdha në shkolla, që janë të pranishme në ditët e para, mund të rezultojnë me pasoja negative. Po ashtu shoqërizimi i tepruar i nxënësve në gjimnaze, mund të na sjellë situata të pakëndshme. Nuk duhet harruar fakti se në shumë shkolla mungon uji dhe pajisjet higjieno-sanitare (letër, detergjentë, sapun për larje duarsh, tualete të dedikuara për nxënësit me aftësi dhe nevoja ndryshe), këto mund të rrisin rrezikun e përhapjes së infeksioneve, të cilat do të vënë në vështirësi vijimin normal të mësimit. Gjithsesi mbetet për t’u parë, por shenjta e deritanishme, nuk janë fort të mira.
A rrezikohet mbyllja e shkollave sërish?
Është një skenar që mund të vihet në funksion, por duhet parë. Nëse ndodh, kjo do të shkatërroj për shumë vite cilësinë, dijen dhe socializmin e të rinjve tanë për 20-30 vitet e ardhshme. Shpresoj shumë mos të ndodhi, por gjasat janë se deri më tani, situata ka dalë jashtë kontrollit dhe vështirë se mund të kthehet në hullitë e saj.
Mbrëmjen e së hënës, ministrja e Arsimit Besa Shahini ka lajmëruar largimin në prani të kryeministrit. Ky i fundit ka prezantuar Evis Kushin si ministren e re të Arsimit. Si e komentoni këtë lëvizje?
Në fakt ka qenë kryeministri që e ka shkarkuar, ministren Shahini, e cila ishte përbetuar se do të qëndronte gjatë në politikën shqiptare. Arsyet që u dhanë, tregojnë mungesën e respektit që ka kryeministri Rama dhe ish-ministrja Shahini për shtetin dhe përgjegjësitë që ka individi që merr përgjegjësi shtetërore. Largimi ditën e parë të shkollës u bë me qëllim të pastër politik, për të tërhequr vëmendjen nga situata katastrofike në arsim që në ditë e parë të fillimit të shkollës dhe për ta përqendruar lajmin tek dorëheqja e Besës, e cila, as vetë nuk e kuptoj asnjëherë përse u bë ministre dhe cilat ishin detyrat e saj. Besa Shahini do të kujtohet gjatë, si etaloni i arrogancës, paaftësisë, mungesës së përgjegjësisë në shkallën më të lartë, ndaj një sektori kaq të rëndësishëm siç është arsimi. Do të mbahet mend për dëmin e madh që i ka bërë arsimit dhe përkundër asaj që tha se e sulmuan se ishte nga Kosova, ajo ka më marrë shumë pak kritika, nga ato që ka merituar në realitet. Është e pafalshme, që Kryeministri të nxjerrë si justifikim, faktin se “ministrja do t’i bashkohet familjes”. Ministria e Arsimit nuk është agjenci dasmash, as lidhjesh mes çifteve, por një institucion qendror i arsimit që paguhet goxha shtrenjtë prej taksapaguesve shqiptar.
A mendoni se Kushi do të udhëheqë si duhet Ministrinë e Arsimit? A ka formimin e duhur?
Evis Kushi nuk ka as kohën dhe as mundësinë, as vizion të qartë të qeverisë për arsimin të tregoj vlerat e saj në drejtim të arsimit. Znj. Kushi u vendos në krye të arsimit si një njeri politik, për të mundësuar tërheqjen e sa më shumë votave për Parinë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme. Ministrja Shahini, nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë e aq më pak me elektoratin. Kështu që duhej patjetër një figurë politike. Sektori i arsimit është hambar votash dhe për këtë duhej një njeri si znj. Kushi me profil thellësisht politik, që vjen nga një qark i madh si Elbasani, për të kënaqur dëshirat e kryeministrit Rama për një mandat të dytë. Znj. Kushi (me të drejtë) në fund të mandatit veç privilegjit të madh që ka qenë ministre, do të justifikohet me punën e dobët të paraardhëses së vet, ose mund të përdor parullën e njohur bajate të Rilindjes, se “fajin e ka opozita”. Askush mos të pres asnjë gjë nga znj. Kushi, ndërsa PS pret shumë prej saj.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.