OPINION

“Demokracia ka nevojë për frymë, jo për shpatë”

17:16 - 18.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

U linda dimrin e ftohtë të një viti të “brishtë”, një kohë që kryqëzonte Shqipërinë mes së panjohurash; ku në njërën anë vlonte dëshira e lirisë dhe etja për drejtësi, e nga ana tjetër mbizotëronte frika. Fëmijërinë e kujtoj si një periudhë tranzicioni, në përpjekjen për të gjetur secili identitetin duke menduar për të ardhmen e familjes. Shpesh ndjeja zërin e dyzuar të prindërve, që ënda ua kishte të më mësonin të luftoja për veten, për më të shtrenjtën lumturi që peshon te njeriu: lirinë; por shquaja dhe mpirjen e fjalës dhe peshën e fajit teksa më dhuronin krahë të rritesha me guximin, sepse demokracia ishte ende një ëndërritje e paaftë për t’u shqiptuar me plot gojën në gjuhën tonë.




Demokracia vazhdon ende sot të shqiptohet si një lakim në formë të dëshirueshme, që hera–herës fsheh rrënjë të përlyera në të shkuarën dhe bymehet jo rrallë nga orekse lakmitare. Në emër të saj janë thurur shumë prapësi në këtë vend, shumë të pavërteta janë pranuar pa bëzajtur; dhe qytetarët, të mbetur peng i vuajtjeve të përditshme për të fituar kafshatën e gojës, shpesh kanë artikuluar neglizhencë në heshtje, janë treguar indiferentë, duke u fokusuar në hallin brenda katër mureve. Por, kur kanë parë se barra e këtij halli shtohej apo pakësohej nga vendime që buronin prej formës së qeverisjes dhe cilësisë së emrave që krijojnë ambientin politik, fituan instinktin e kalimit në sitë të figurave pushtetare, të politikave, të vendimeve, të fjalëve që u përcilleshin, duke krijuar imunitet me zgjuarsinë e njeriut që e ka rrahur jeta mes vështirësish.

Mentaliteti ynë shoqëror ka marrë një tjetër rrjedhë; ndërsa mentaliteti ynë zgjedhor është fokusuar duke u mbështetur në një qasje ndryshe: Jo më mahnitje nga figura të fryra mediatikisht, ekonomikisht, politikisht; kemi refuzuar të na bëjnë përshtypje të “paprekshmit”, por jemi kthyer në zgjedhës racionalë, duke ndjekur logjikën dhe shtruar pyetjen se ‘çfarë kanë prodhuar dhe çfarë prodhojnë për këtë vend emra konkretë?’, me i dhënë secilit hakun sipas përgjegjësisë dhe kontributeve.

Në çdo stacion kohe që e ndal kujtesën e viteve të udhëtimit tim moshor, gjej gjithmonë një brengë që pulson mbi këtë vend, për t’ia zënë shpesh frymëmarrjen, për ta lodhur; por gjej përherë e më tepër dëshirë dhe vullnet për ta lulëzuar e begatuar Shqipërinë; dhe më vjen mirë që këtë ideal e dalloj në zemrat e më të rinjve. Kjo kulturë nuk duhet të ndalet, por të promovohet dhe ecë përpara. Dhe brezi që u përket viteve ‘90-të tashmë janë në të tridhjetat e tyre; mjaftueshëm të pjekur dhe të mirëarsimuar për të marrë fatet e këtij vendi në duar, duke mos ia lënë si privilegje lukunisë së çakejve të pangopur, që hanë – pështyjnë pjatën ku kanë ngrënë – dhe në fund pështyhen nga çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi, që i sheh dhe trajton me neverinë që u takon.

Ne duhet të luftojmë bashkërisht për t’u thënë “boll më” figurave të konsumuara që kanë tridhjetë vjet teksa përpëliten në llumin e historisë sonë politike, që fryhen në çdo mejhane dhe janë gati të lëpijnë çdo kockë që u serviret, njerëz pa shtyllë kurrizore, pa shtyllë politike po e po, lëre pastaj të flasim për ideal, që as nuk ua dinë kuptimin. Ne duhet të refuzojmë ta trajtojmë këtë vend si “turp”; përderisa çdo ditë, me punën tonë, vendosim një tullë në shkallën që na ngjit nëpër të ardhmen e përbashkët.

Po ndalem konkretisht në një rast, të cilin aktualisht po e përjetoj në vetë të parë; dëshirën për të dhënë kontributin dhe shprehjen e vullnetit tim për t’iu bashkuar krijimit të strukturave të reja që do jenë në dispozicion të demokracisë së Shqipërisë: aplikimin për Komisioner Shtetëror të Zgjedhjeve dhe ambicien me qenë pjesë në trupën e re ku po investohet shumë energji nga partitë kryesore politike, për të bërë ndryshimet domosdoshmërisht të nevojshme.

Por, ndërsa struktura po ngrihet me synimin për një frymëmarrje të re, për të ndryshuar me themel themelet e kalbura me të cilat KQZ e vjetër funksiononte; vë re se pothuajse të gjithë aplikuesit janë njerëz të vjetër në kostumet e tyre publike dhe politike, të shteruar në imazh, një pjesë të larguar kokulur nga funksionet e mëparshme publike, ndonjë shoqëruar në ceremonitë e mëparshme të përcjelljes nga posti edhe me skandale; të cilët e mendojnë harresën qytetare mjaft të shkurtër, përderisa kthehen sërish sikur asgjë s’ka ndodhur.

Për të qenë e sinqertë, më përfshiu një rebelim qytetar të cilin e kam mbajtur përherë brenda vetes dhe e artikuloja me zërin e ndërgjegjes kurdokohë që ndeshesha me të tilla fenomene. Sot, kur ndodhem përballë realitetit, dilemat i shtroj publikisht, me dëshirën e mirë që mediat të marrin në konsideratë një ballafaqim publik, përderisa kriteret kërkonin figura të pastra publike. Do dëshiroja që kandidatët, krahas dokumenteve rutinë, të kishin taksative edhe paraqitjen e platformës individuale për drejtimin, sepse thelbi duhen të jetë puna dhe përkushtimi, jo fryrja me postin dhe privilegjet.

Ndërsa vërejta emrat e listuar, nuk munda të rrija pa hedhur disa mendime, pyetje të miat:

Nuk u ngopën?! Vërtet, nuk ju mjaftoi që ç’nuk lanë pa bërë në këtë vend për tridhjetë vjet dhe marrin guximin sërish të fusin hundët, të pretendojnë, të vijnë me fuqinë që dikur emri i tyre transmetonte dhe të ngrefosen se çoç janë? Kishin plot mundësi të jepnin ekspertizën e “vyer” gjatë kohës që ushtronin funksionet, pse iu humbi rrugës ai dell dhe përfunduan nëpër prokurori, në të lakuar për korrupsion, në prodhues skandalesh etj.?

Dhe pyetja më kryesore: Çfarë do sjellin të re ato mbetje të së kaluarës që dreqosën çdo gjë sa kishin në dorë diçka, duke e qerthulluar vendin rreth vetes? Si mund të riciklojmë pambarimisht njerëz që presin të dalin qyl në pension, pa energji, disa me baltën mbi kurriz, sikur këtij vendi t’i mungojë truri dhe e ardhmja.

Të rinjtë e sotëm janë shumë më të aftë se të rinjtë e sistemit të kaluar, janë shumë më tepër idealistë e punëtorë kur u jepen hapësirat. E nëse nuk u jepen, sepse një grusht njerëzish kanë hedhur rrënjë me farefis në strukturën politike e publike, është detyra e këtij brezi të tregojë sa vlen, duke luftuar me shpirt deri në fund. Pa u ndalur nga shkëlqimi i rremë, pa u ngucur në vrerin e lakmisë së tyre, por duke e kërkuar mundësinë prej andej nga buron zëri dhe liria e vërtetë: te çdo qytetar i thjeshtë dhe i ndershëm i këtij vendi, që fëmijëve nuk u tregoi miqtë e bërrylat, por rrugën e dijes dhe të dinjitetit.

Është jo normale që njerëz të cilët i thurnin lavde diktaturës për një ofiq, tashmë kërkojnë të drejtojnë tempullin e demokracisë! Kësaj hipokrizie i duhet vënë shkelmi njëherë e mirë, përpara se të na shterojë si komb.

Sapunin që shitet për djathë nuk ka shqiptar që ta hajë më, se na ka helmuar aq rëndë për vite me radhë, saqë kemi fituar reflekse reagimi të menjëhershme. Ky popull, nga lodhjet e së përditshmes mund ta ketë harresën të shkurtër, por kujtesën e ka edhe më të gjatë.

Për ta mbyllur, dëshiroj të përmend një fragmend bisede që pata me dikë lidhur me këtë çështje: “Ta dish, që ai vend do një të fortë”, më tha.

“Jo, i thashë, ai institucion nuk ka nevojë për shpatë, por për frymë.”

Për të njohur vetëdijen dhe njerëzoren në çdo vendim e veprim, për t’i dhënë peshë vendimit të qytetarëve, me ndershmëri dhe përulje, sepse esenca e asaj që na mbetet në fund është kriteri që bën diferencë.

Uroj që njerëzorja dhe njohja e vullnetit që merr jetë në vetëdijen e këtij populli, të jenë faktorët që do vendosin për të bërë më të mirën për Shqipërinë, e për ta çuar pa kthim drejt formës më të shëndetshme të demokracisë dhe lirisë, që frytet ja trashëgon përherë brezave më të rinj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.