Dossier

Dr. Jorgji Adhami (1916-2010), fitimtar në luftën kundër malaries

14:10 - 18.09.20 Gazeta Shqiptare

Prof. Fedhon Meksi  – Dr. Jorgji Adhami lindi në Hoçisht të Devollit. Kreu gjimnazin e Tiranës dhe filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Firences. Në vitin 1942 i ndërpreu studimet për të marrë pjesë në luftën kundër okupatorit. Ai është burgosur dhe internuar. Vazhdoi studimet në Zagreb (1946-1948) dhe në Sofie (1948-1950), ku edhe u diplomua.



Shërbeu si specialist në sektorin antimalarik të Ministrisë së Shëndetësisë (1950-1965). Ndërkohë është kualifikuar jashtë vendit për organizimin e luftës kundër malaries dhe në parazitologji. Në vitin 1965 u transferua në “Laboratorin Qendror të Kërkimeve Mikrobiologjike në sektorin e Malaries dhe luftës kundër Sëmundjeve parazitare”. Në vitin 1967 u emërua zv.drejtor i këtij laboratori dhe deri në vitin 1986 shef i “Laboratorit të parazitologjisë”.

Lufta kundër malaries

Në vitet 1951-1953 dr. J. Adhami u ngarkua për të luftuar epideminë e rëndë të malaries që kishte shpërthyer në Lushnjë, Fier, Vlorë dhe Berat. Zbatimi i masave rigoroze bëri që numri i të sëmurëve të prekur nga malaria të ulej në mënyrë drastike dhe gjatë viteve 1956-1967 të përfundojë çrrënjosja e saj. Më pas dr. Jorgji Adhami përcaktoi masat e parandalimit të rihyrjes së malaries në vendin tonë, si në kushtet e izolimit ashtu edhe të hapjes së Shqipërisë.
Deri në vitin 1960 ky aktivitet është drejtuar nga dr. Andon Ashta dhe më pas nga dr. Jorgji Adhami. Veçse ata së bashku përgatitën raportin me titull: “Programi dhe plani për çrrënjosjen e malaries në Shqipëri për vitin 1958 e më tej”, që u mbajt në Bukuresht gjatë një konference të organizuar nga OMS (Organizata Botërore e Shëndetësisë), në vitin 1958.
Fauna e mushkonjave dhe roli i tyre për shëndetin publik Studimet për mushkonjat në vendin tonë, kanë qenë sporadike. Studimet e para u kryen në vitet 1918-1919, gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore dhe janë ndërmarrë nga ekipet antimalarike të forcave ushtarake franceze dhe austro-hungareze të dislokuara në Ballkan.
Dr. Jorgji Adhami u ngarkua që të kryente studimet mbi inventarizimin, bioekologjinë dhe kontrollin e mushkonjave në vendin tonë. Ai u mobilizua plotësisht, sikurse ai dinte, për t’i kryer me sukses këto studime, nisur nga situata e rënduar malarike në vendin tonë, veçanërisht te banorët e zonave bregdetare.


Nga studimet e dr. Jorgji Adhamit në terren, u evidentuan të gjitha llojet e mushkonjave në vendin tonë, disa edhe të panjohura më parë. Ato u renditën bazuar në karakteristikat e tyre, në të ashtuquajturat Familje të mëdha të mushkonjave, nënfamiljet dhe gjinitë e tyre.
Dr. J. Adhami gjurmoi me përpikëri shkencore mushkonjat adulte dhe larvat e tyre kudo në hapësirën shqiptare. Së bashku me ekipin që përgatiti, ai i kërkoi dhe i gjeti kudo që të ishin larvat e të gjitha llojeve të mushkonjave, nga bregdeti deri në lartësitë mbi 1200 metra nga niveli i detit. Ai i kërkoi dhe i gjeti larvat në gropat septike, pusetat, në ujërat e mbledhura në bodrumet e pallateve dhe kudo në të gjitha zonat e banuara.
Dr. J. Adhami studioi pa u lodhur edhe ato lloj mushkonjash që bëheshin të bezdisshme për njerëzit, jo vetëm në verë por edhe gjatë dimrit, madje edhe ato që preferonin habitate të përkohshme me ujë të pastër, me bimësi vertikale, kallamishte, në zona jokënetore dhe të rrahura nga dielli, si edhe në toka të kripura.
Përfundimet e studimeve të dr. Jorgji Adhamit janë përdorur dhe ende përdoren nga kolegët e tij të rinj, për përpilimin e hartave të zonave me përqendrim të rritur të mushkonjave. Këto studime që paraqesin karakteristikat bioekologjike dhe shpërndarjen e saktë të mushkonjave në vendin tonë, shërbejnë fillimisht për të hartuar hartat përkatëse (shih hartën) dhe më pas për të përcaktuar vendosjen e “stacioneve të studimit” për identifikimin në terren të pellgjeve me ujë, kanaleve, stallave, pularive etj., që janë habitatet e tyre. Autorët e këtyre hartave, edhe të ditëve tona, kanë shënuar gjithmonë në hartat e tyre se burimet e të dhënave, janë studimet e dr. J. Adhamit.
Malaria dhe
masat për eliminimin e saj
Malarja (paludizmi) ka qenë një sëmundje shumë e përhapur, veçanërisht në Shqipërinë bregdetare dhe kodrinore. Malaria është sëmundje infektive që shkaktohet nga parazitë njëqelizorë të gjinisë Plasmodium dhe që i përcillet njeriut me pickimin e mushkonjave të gjinisë Anopheles, të cilat infektohen duke pickuar njerëz që bartin plasmodin. Njihen mbi 125 lloje plasmodesh që janë parazitë të gjitarëve, shpendëve dhe zvarranikëve. Malaria shfaqet zakonisht 9-18 ditë pas pickimit infektues, me ethe të forta, dhembje koke e muskulore etj., që pasohen nga ndjenja e të nxehtit, ngritja e temperaturës 40-41 gradë celsius, e cila zgjat disa orë dhe bie me djersitje të shumta, për t’u rikthyer ditën e tretë ose të katërt. Malaria shkakton anemi, dëmtim të organeve të ndryshme, rritje të shpretkës e të mëlçisë etj. Metoda klasike e vendosjes së diagnozës është zbulimi i plasmodeve në gjak.
Masat për parandalimin dhe luftimin e malaries janë spërkatja e banesave me insekticide (DDT) që vrasin mushkonjat para se të bëhen infektuese, shoqëruar me kimioprofilaksinë e udhëtarëve që shkojnë në vendet malarike dhe me bonifikimin e kënetave.
Shqipëria ka qenë vendi më malarik në Europë për shkak të kushteve mjedisore, kushteve ekonomike-shoqërore dhe mungesës së kujdesit të mbrojtjes së shëndetit të popullit. Në trevat bregdetare dhe të ulëta, si dhe në fushën e Korçës gjendja ka qenë mjaft e rëndë, por epidemitë ciklike nuk mungonin as në trevat malore.
Në vitin 1938 mbi 59% e fëmijëve të ekzaminuar nëpër shkolla rezultuan me shpretkë të rritur nga malaria. Pas vitit 1944, krahas ngritjes së sistemit shëndetësor, u ngrit edhe rrjeti antimalarik. Nga 2 dispanseri antimalarike që ishin në vitin 1938, në vitin 1947 u ngritën 40 të tilla dhe 18 qendra të luftimit antilarvor. Po në vitin 1947 filloi spërkatja në shkallë të gjerë e banesave me DDT. Kurse në vitin 1951 u bë i detyrueshëm regjistrimi dhe mjekimi falas i të sëmurëve. Me ngritjen e Qendrave Sanitare Epidemiologjike, u përfshi në to edhe rrjeti antimalarik. U organizua gjithashtu depistimi aktiv dhe pasiv i malaries, nga të gjitha institucionet shëndetësore. Në vitin 1958 filloi zbatimi i programit të çrrënjosjes së malaries dhe si rezultat rastet e fundit me infeksion malarik në Shqipëri u regjistruan në vitin 1966 (13) dhe në vitin 1967 (1).
Dr. Jorgji Adhami tha: “Jo DDT, por insekticidin Malation”. Sipas rekomandimeve të OBSH-së, u organizuan fushatat mbarëshqiptare për identifikimin e rasteve të reja me malarie, si edhe për drenazhimin, plugimin e tokave dhe mbushjen e gropave ku grumbulloheshin mushkonjat. Zbulimi i insekticidit DDT (Diklor-Difenil-Trikloretan) ishte arritja më efikase për të kontrolluar mushkonjat anofele. Ky insekticid, përveçse shkaktonte ngordhjen e mushkonjave që ndodheshin brenda banesave, kishte kosto të lirë prodhimi dhe efektivitet që zgjaste për disa muaj. Veçse, pas disa vitesh u vu re riaktivizimi i disa vatrave të vjetra të malaries, që ndodheshin në zonat e ulëta dhe kodrinore. Ishte dr. Jorgji Adhami që do të jepte shpjegimet e rastit. Ai, pas studimeve përkatëse në terren, konkludoi se përdorimi i insekticideve në shkallë të gjerë në bujqësi, kishte rritur rezistencën e mushkonjave anofele ndaj DDT.
Sipas rekomandimeve të dr. J. Adhamit, DDT u zëvendësua me një tjetër insekticid të papërdorur më parë me emrin “Malation”, që rezultoi plotësisht i efektshëm. Kjo ishte beteja e dytë që dr. J. Adhami i mbështetur nga shteti shqiptar, dolën edhe një herë fitimtarë kundër malaries. Kjo eksperiencë e suksesshme, u paraqit nga dr. Jorgji Adhami në artikullin e titulluar: “Sensitiviteti i Mushkonjave Anofele ndaj insekticideve në zonat fushore dhe kodrinore të Shqipërisë”.
Mushkonjat e importuara (jo autoktone) dhe mushkonjat “Tigër”
Rasti i parë me malarie të importuar në Shqipëri, u zbulua në vitin 1962 nga dr. Jorgji Adhami. Pas këtij viti janë paraqitur edhe 85 raste të tjera me malarie të importuar, ndër të cilët vetëm 4 shtetas shqiptarë, që duket se janë infektuar në Kinë gjatë periudhës që përkon me marrëdhëniet e shpeshta me shtetin kinez.
Dr. Jorgji Adhami e studioi me vëmendje të veçantë këtë problem dhe rezultatet i paraqiti në artikullin e tij: “Malaria e importuar në Shqipëri dhe të dhëna për gjendjen e Malaries në botë”, Buletini i Shkencave Mjekësore, nr. 3, 1996, f.81-91.
Kurse, prania e mushkonjës “Tigër” (Aedes albopictus nga familja Culicidae), është vërtetuar që prej vitit 1979, përsëri nga dr. J. Adhami.
Shqipëria ishte i vetmi vend i Europës ku mushkonja u gjet jashtë vendit të origjinës, që ishte Azia Juglindore. Dr. Jorgji Adhami mendonte se kjo mushkonjë ka arritur në Shqipëri nëpërmjet transportit të mallrave me rrugë detare. Në të vërtetë ajo u zbulua në disa depo në qytetin e Laçit, dhe pikërisht në gomat e makinave dhe në mjetet e tjera të transportit të ardhura nga Kina.
Mushkonjat “Tigër” përbëjnë një rrezik potencial për përhapjen e disa lloj sëmundjesh, siç janë Ethet Dengue që shoqërohen me temperaturë të lartë, diare dhe prekje të muskujve të trupit. Për më tepër, pickimi i saj mund të krijojë edhe gjendje të rrezikshme alergjike.
Ndër zonat ku mushkonja “Tigër” përhapet lehtësisht, janë ato bregdetare të jugut, duke përfshirë Butrintin, Himarën, por edhe Durrësin e deri në Velipojë. Dr. Jorgji Adhami rekomandonte me këtë rast mbështetje të fuqishme logjistike për të kryer dezinsektimin e terrenit, veçanërisht në Butrint që frekuentohet nga pushues të shumtë vendas dhe të huaj.
Studimi i shkëlqyer për mushkonjën “Tigër”, i kryer nga dr. J. Adhami u botua fillimisht në Revistën Mjekësore, Tiranë 1987, me titull: “Prania e mushkonjës Aedes albopiktus në Shqipëri”. I njëjti studim me titull: “Aedes Albopictus (Culicidae) from Albania: a potential vector of Dengue viruses”, u botua në vitin 1999 në revistën amerikane “Journal of the Amerikan Mosquito control Association, 15 (4): 475, 1999”.
6. Lufta kundër sëmundjeve të tjera parazitare
Në vitin 1953, dr. Adhami organizoi luftën kundër parazitëve intestinalë (krimbat) në sistemin parashkollor dhe shkollor, duke kryer mbi 600.000 mjekime të fëmijëve që vuanin nga prania e tyre qysh fill pas lindjes.
Ai zbuloi vatrat e disa parazitëve të tjerë dhe i studioi ata, ashtu sikurse studioi epidemiologjinë e Leishmaniozës (sëmundje që transmetohet te njeriu nga kafshët) dhe përcaktoi masat kundër tyre.
Botimet dhe procesi pedagogjik
Ka botuar 57 artikuj shkencorë, prej të cilëve 11 në shtypin e huaj, përfshirë edhe 5 referime në konferenca ndërkombëtare. Ka marrë pjesë si bashkautor në botimin e 6 teksteve për studentët e Fakultetit të Mjekësisë.
Ka zhvilluar leksione dhe praktika me mjekët specializantë në epidemiologji dhe parazitologji.
Dr. Jorgji Adhami është dekoruar me “Urdhrin dhe Medaljen e Punës”, “Urdhrin për Shërbim të mirë të Popullit” dhe ka marrë titullin “Punonjës i shquar i shkencës dhe teknikës” (1984). Në vitin 2008 iu akordua urdhri “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Për kontribut në fushën e epidemiologjisë, për zbatimin e metodave të reja në luftën kundër sëmundjeve ngjitëse dhe aktivitetin e gjatë pedagogjik, human e shoqëror”.
Shkencëtari dhe njeriu
Dr. Jorgji Adhami, figurë e ndritur e shkencëtarit humanist shqiptar, kishte kauzë të jetës së tij çrrënjosjen e sëmundjes së malaries nga atdheu i vet, dhe ia arriti.
Gjatë veprimtarisë shumëvjeçare është shpërfaqur zotësia dhe këmbëngulja e tij, mendimi i tij i mprehtë dhe analizues, përvoja e pasur dhe tepër e gjerë jetësore, nga e cila buronin maturia dhe modestia e tij natyrale mbresëlënëse. Ai zotëronte veti morale të shkëlqyera, mbi të cilat spikaste ndershmëria e tij proverbiale. Përpjekjet mbinjerëzore për të studiuar mushkonjat anofele, shkaktarët e shfaqjes së malaries, duke shkelur kudo në Shqipëri për të kontrolluar kënetat, pellgjet, budrumet, stallat etj., i bënte vetëm një njeri që ishte i përpirë nga dashuria për popullin e tij, dashuri që u jepte përmasa gjigante përpjekjeve të dr. Jorgji Adhamit, për të qenë i dobishëm për bashkëkombësit e tij.
E kam të ngulitur figurën e këtij burri me pamje që rrezatonte fisnikëri, si edhe sjelljen e tij prej njeriu serioz e me fjalë të mençura e të matura.
Miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij e kujtojnë si një personalitet të zotin në fushën e epidemiologjisë, kontributi i të cilit ka spikatur dukshëm në sistemin shëndetësor shqiptar. Por ky kujtim duhet të përcillet në breza, për të shërbyer si burim frymëzimi dhe model humanizmi, përkushtimi dhe këmbënguljeje, në përpjekjet e tij për përparimin e mëtejshëm të mjekësisë dhe shkencës shqiptare.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.