KULTURË

Spiro Lito/ Drejtori i spitalit të Prishtinës që nxori të sëmurët për të shpëtuar hebrenjtë. Hebrenjtë në Shqipëri: Kur i rrezikuan dhe i dëbuan

17:15 - 18.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Profesor Shaban Sinani ka bërë përmbledhtazi në një kumtesë që u lexua në Kosovë prej tij, me rastin e vitit të ri hebraik 5781, një historik të raporteve të hebrenjve me Shqipërinë, që nga ngulimet e para 2 mijë vjetëve e deri te shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri dhe Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Titujt e detajet janë redaksionalë dhe kanë për qëllim veçse të tërheqin drejt së tërës pa dashur të veçojnë. Mbetet grishës tërë informacioni, detajet për sinagogën e Sarandës, sikundër vendimi i padiskutueshëm për të mos prekur hebrenjtë, si nga Zogu, po aq edhe nga autoritetet shqiptare gjatë luftës, që e vinin ‘listën e hebrenjve’ te çështjet e panegociueshme. f.n.




Nga prof. Shaban Sinani – Disa vite më parë, kur pata pyetur një mik timin hebre nëse do të kishte një vendim për raportet midis Kosovës dhe Izraelit, ai më qe përgjigjur në mënyrë lakonike: Yes, but not yet. Me sa duket erdhi koha për të thënë Time is now.
Do të përqendrohem në fjalën time të shkurtër në lidhjet historike-kulturore shqiptaro-hebraike që nisin dy mijë vjet më parë, ndoshta dhe më shumë. Studiuesit e albanologjisë, që rregullisht u janë drejtuar dy kulturave të lashtësisë: qytetërimit helen dhe atij romak, për të provuar se kemi qenë këtu që nga antikiteti, të njëjtën gjë mund ta kishin bërë me kulturën hebraike, e pranishme në dëshmitë historike, në epikën legjendare, në toponomastikë dhe në forma të tjera.
Gjatë dy mijë vjetëve, ardhjet më të mëdha të hebrenjve në hapësirën shqiptare dëshmohen në kohërat kur ata kanë qenë më të rrezikuar.
1. Hebrenjtë romaniotë, siç dëshmon Flavius Joseph, autor i veprës “De Juadica Bellum”, janë më të hershmit, qysh në shekullin I. Ata u vendosën në viset jugore proto-shqiptare. Në Sarandë hebrenjtë kishin sinagogën e tyre qysh në shek. V në të njëjtën ndërtesë me bazilikën e të krishterëve. Kjo prani dëshmohet edhe në arkeo-toponimi.
2. Hebrenjtë sefardë apo sefardikë u vendosën në Arbanon pas inkuizicionit në Spanjë e Portugali. Sipas disa studiuesve, si Alain Ducellier e Bogumil Hrabak, në shekullin XV në Vlorë popullsia hebreje ishte popullsi shumicë.
3. Hebrenjtë sabethazevistë u vendosën në Shqipëri pas vitit 1666, kur kryengritja mesianike e udhëhequr nga Sabetha Zevi dështoi.
4. Hebrenjtë ashkënazi janë grupimi i fundmë i hebrenjve që u vendosën në Shqipëri, pas shpalljes së doktrinës ‘final solution’.
Me përjashtim të hebrenjve sefardë, që ishin më shumë, secili prej grupimeve të tjera të hebrenjve ka pasur afërsisht 3 mijë persona.
Një pjesë më e madhe e hebrenjve të ardhur janë ungjillizuar. Një pjesë janë konvertuar si maranos, një pjesë në rendin dönme të bektashinjve.


Në vitin 1931 qeveria mbretërore e Shqipërisë urdhëroi regjistrimin e plotë të popullsisë. Me këtë rast hebrenjve iu njoh e drejta e komunitetit. Siç vërejnë Giovanni Cimbalo e Berndt Fischer, ky ka qenë një akt i rrallë në Europën e asaj kohe, të pushtuar nga antisemitizmi.
Në kohën kur antisemitizmi në Europë ishte kthyer në doktrinë, Shqipëria u bë vendi i parë dhe i vetëm në kontinent që u njohu hebrenjve të drejtën e organizimit në bashkësi dhe legjitimoi shabbat-in. Është rasti i vetëm i diskriminimit pozitiv të hebrenjve gjatë asaj kohe të errët.
E drejta e komunitetit inkurajoi ambasadorin amerikan në Tiranë Herman Bernstein, një figurë qendrore e lëvizjes sioniste botërore (bashkë me A. Einsten-in dhe Ben Gurion-in), që të niste menjëherë negociatat me ambasadorin shqiptar në SHBA, Faik Konica, për të arritur një marrëveshje ndërshtetërore shqiptaro-amerikane për pranimin në Shqipëri të 500 familjeve hebreje. H. Bernstein e vizitoi kuadrat për kuadrat, me hartë në dorë, gjithë territorin e pabanuar të Shqipërisë bregdetare, që nga Buna deri në Vjosë, me qëllim që instalimi i familjeve hebreje të realizohej pa cenuar asnjë interes individi, asnjë pronë private, pa shkaktuar asnjë provokim.
Misionarë të Kongresit Botëror të Hebrenjve, të Komisariatit të Lartë të Refugjatëve dhe të Lëvizjes Sioniste negociuan intensivisht me qeverinë mbretërore gjatë viteve 1933-1935, duke vijuar të njëjtin projekt të ambasadorit Bernstein. Në vitin 1935 Tiranën e vizitoi misionari i mandatuar Leo Elton, i cili pati bisedime me dy ministra, të ekonomisë dhe të oborrit mbretëror, dhe me ta arriti marrëveshjen që Shqipëria të pranonte masivisht hebrenjtë e rrezikuar dhe ata të vendoseshin në territore të lira, në formën e ngulimeve, të ngjashme me kibutz-et e sotme. Raporti i misionarit Leo Elton iu dorëzua Rektorit të parë të Hebrew University prof. Judah Leib dhjetë vjet më vonë, ku ruhet edhe sot pjesërisht i sekretuar. Ato pak fakte që kanë dalë nga ky raport prej rreth 50 fletësh bëjnë të njohura të njëjtat të dhëna që përmbajnë burimet e arkivave shqiptare. Siç ka shkruar para disa vjetësh Nir Hasson në të përditshmen Haaretz, në këto dokumente Shqipëria cilësohet atdhe i dytë dhe atdhe rezervë i hebrenjve. Ndërsa një pjesë e shtypit europian të asaj kohe shkroi me panik se Shqipëria po izraelitizohej.
Pikërisht kjo është koha kur për herë të parë Italia fqinje, e cila, me një vendim të posaçëm të Konferencës së Ambasadorëve (1921), kishte fituar paketën e privilegjeve mbi Shqipërinë, filloi të alarmohej. Një informator i posaçëm iu shtua në personelit të Ambasadës së Italisë në Tiranë, për të raportuar vetëm për hyrjen e hebrenjve. Në një prej teksteve të shifruar të informatorit (1936) thuhet: Pa dashur të shkaktoj alarm tek ju (në Farnesina), duhet t’ju them se simpatia shqiptare për ne shumë shpejt do të mbarojë dhe vendin tonë do ta zënë hebrenjtë. I njëjti informator, në një radiogram tjetër të mëpasmë, shkruan: Sot, si çdo ditë, shkova në kafe “Kursal” në kërkim të të rejave për hebrenjtë. Por, sa isha ulur në tryezë, brenda hyri një hebreje polake aq e bukur, sa u shastisa fare dhe s’kam fare çfarë të raportoj. Ardhja e hebrenjve në Shqipëri u lehtësua edhe nga marrëveshja midis qeverisë austriake dhe asaj të Tiranës për heqjen reciproke të vizave (1931).
Në vitin 1932 në Shqipëri kishte 200 hebrenj rezidentë të vetëdeklaruar. Deri në prag të luftës numri i hebrenjve të ardhur ishte gati 1000. Pati presione nga Roma për të përshtatur ligjet anti-semite që ishin miratuar në Itali dhe Gjermani, por jo me ton urdhërues. Dy aktet më restriktuese për hyrjen e hebrenjve në Shqipëri janë të muajve shkurt dhe mars 1939. Janë dy vendime të qeverisë për ta kushtëzuar hyrjen e hebrenjve me deklarimin se kanë 250 franga dhe në vendimin e dytë – 500 franga pasuri me vete.
Politika italiane edhe gjatë luftës iu përshtat realitetit shqiptar. Në vitin 1942, në shërbimin e xhenios në Durrës, që e komandonte pikërisht një prej presidentëve të ardhshëm të Italisë republikane, Carlo Aseglio Ciampi, në atë kohë i mobilizuar ushtarakisht në luftë, kishte së paku 20 hebrenj të punësuar. Slogani i mëkëmbësisë fashiste për hebrenjtë në Shqipëri ishte: Sorvegliare, non toçare, non punire.
Gjatë viteve 1939-1943 në brendësi të Shqipërisë së vjetër shtetërore kanë hyrë afro 2000 hebrenj. Grupet më të mëdha janë tre: 94 familje dhe 87 individë nga Kosova (1942); 182 hebrenj nga Mali i Zi (1942) dhe 350 nga Dalmacia (1942). Për paradoks, hebrenjtë e Dalmacisë edhe sot konsiderohen të zhdukur. Por ruhen listat e pranimit të tyre në Durrës dhe pastaj të shpërndarjes nëpër vendbanime të sigurta. Në listat e hartuara prej nesh afro dy dekada më parë, gjatë periudhës fashiste janë shenjuar 3265 emra hebrenjsh. Tashmë kjo listë është pasuruar dhe në të gjenden 3750 emra. Asnjë prej tyre nuk është deportuar, kallëzuar apo dorëzuar. Më pas nuk ka pasur më listime. Në Shqipërinë e viteve të luftës, së cilës i ishin bashkuar edhe tokat e lirueme, s’ka pasur as kampe pune, as kampe përqendrimi, as kampe shfarosjeje. Ka pasur vetëm kampe tranzitimi. Hebrenjtë e ardhur regjistroheshin, sistemoheshin në ndërtesa shtetërore të përshtatura si rezidenca të përkohshme (klinika, posta, nënprefektura etj.) dhe pastaj zhvendoseshin në hinterland, larg rrezikut. Gjatë këtyre viteve, hebrenjtë qëndronin përkohësisht në kampe.
Në shtator të vitit 1943, ish-ambasadori i Reich-ut në Beograd Herman Neubacher, që mbulonte edhe Shqipërinë, në bisedimet me katër përfaqësuesit e bashkësive fetare për të pranuar formulën ‘pavarësi relative kundrejt neutralitetit relative’, lejoi çdo diskutim, me përjashtim të tri kushteve të panegociueshme: i) dorëzimin e listave të hebrenjve; ii) dorëzimin e arit monetar që ruhej në Romë dhe iii) dorëzimin e dy ungjijve të shenjtë (dy kodikët e Beratit). Katër negociatorët refuzuan kategorikisht fillimin e bisedimeve nëse do të mbetej kusht dorëzimi i listave të hebrenjve (dhe listat e të gjithë të huajve që gjendeshin ndërkaq brenda në Shqipëri), sepse u konsideruan të domestikuar e të hospitalizuar tashmë. Katër negociatorët po atë ditë pranuan dorëzimin e floririt dhe heshtën për dy kodikët (por fshehurazi njoftuan mitropolinë e Beratit për rrezikun). Listat u kërkuan edhe dy herë të tjera: në prill 1944 dhe në qershor 1944 (Pinkas Hakehillot). Më pas qëndrimi i Reich-ut ka qenë: Me shqiptarët nuk merremi vesh dot në këtë pikë, prandaj kjo çështje të mos hapet më.
Në tetor të vitit 1943, në takimin midis përfaqësuesve të lartë të Gestapo-s Mueller dhe atij të ministrisë së Punëve të Jashtme Thaden zhvilluar në Berlin, u vendos që për të gjitha vendet që sapo kishin hyrë nën kontrollin e Reich-ut, pas kapitullimit të Romës, të zbatohej formula ‘final solution’. Rasti i Shqipërisë u trajtua më vete. Në procesverbal thuhet: Autoritetet e Shqipërisë kanë një ndjeshmëri shumë të lartë ndaj kësaj çështjeje. Ata konsiderojnë se pavarësia relative që u kemi njohur është demagogjike nëse preken hebrenjtë dhe të huajt që gjenden në shtetin e tyre, që ata e kuptojnë “nën mbrojtjen e tyre”. Duke qenë se ata e quajnë këtë një çështje të brendshme, hë për hë të mos ndërmerret asnjë veprim. Dhe, nëse do të parashihet një ndryshim qëndrimi, asnjëherë nuk do të veprohet pa njoftuar dhe pa marrë pëlqimin e autoriteteve shqiptare. Në periudhën naziste në Shqipëri për hebrenjtë kishte names, no numbers: qysh më herët të gjithë hebrenjtë ishin të listuar dhe këto lista i kishin në duar qeverisësit. Populli kishte mundësi t’u jepte hebrenjve bukë e punë, plis e qeleshe dhe kostum popullor, një emër shqiptar dhe një lidhje të shpikur farefisnie, por listat nuk ishin në duart e popullit.
Një prej pikëpyetjeve më problematike për rolin e shqiptarëve gjatë Holokaustit lidhet me fatin e hebrenjve në Kosovë. Pyetja dyshimtare, e shtruar edhe nga studiues seriozë (Kosta Savich), është nëse ka pasur dy qëndrime të ndryshme shqiptare ndaj hebrenjve. Siç thuhet në Talmud, kush shpëton një jetë ka shpëtuar një botë, që ka të njëjtin kuptim me thënien kush çon në rrezik një jetë çon në rrezik një botë.
Në pranverë të vitit 1942, mbështetur në statutin special të Mitrovicës, që i lejonte ushtrisë naziste hyrjen pa autorizim në ato hapësira që quheshin territori liberi (tokat e lirueme) të Kosovës, një ekspeditë e trupave speciale të Reich-ut mori detyrë të arrestonte të gjithë burrat hebrenj që jetonin në Prishtinë. Drejtori i spitalit të këtij qyteti, mjeku Spiro Lito bëri marrëveshje me të sëmurët shqiptarë të shtruar për shkaqe lëngimesh të rënda që ata të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe të lironin shtretërit, ku u strehuan si të sëmurë burrat hebrenj të Kosovës. Për të penguar hyrjen në spital për kontroll, drejtori vendosi shpallje kudo nëpër qytet se popullata duhej të ruhej prej epidemive të rrezikshme infektive. Asnjë nga shqiptarët që u kthyen në shtëpitë e tyre për të bërë të mundur fshehjen e hebrenjve nuk dekonspiroi!
Nuk ka pasur ndonjë dallim në qëndrim ndaj hebrenjve midis myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve. Monsinjor Vinçens Prennushi ishte një prej klerikëve që ungjillizoi grupe hebrenjsh pa katekizëm dhe pa kurrfarë praktike kishtare, vetëm për t’u dhënë identitet të krishterësh. Kodi i nderit kanunor, besa dhe mikpritja tradicionale malësore shqiptare, ishin faktorët që i shpëtuan hebrenjtë në Shqipëri. Pa dyshim që ishin ndër shumë faktorë të tjerë, por jo përjashtimorë. Mbrojtja dhe shpëtimi i hebrenjve është një virtyt i pandashëm. Proverbial është rasti i arrestimit të katër hebrenjve nga Shkodra. Ekziston një letërkëmbim midis qeverisë bashkëpunuese shqiptare dhe komandës naziste, në të cilën kërkohet lirimi i tyre, meqë qeveria e ka paguar tashmë kushtin e komandës prej 1500 napolonash flori për secilin.
Do të ishte e gabuar të pretendohej se asnjë hebre nuk e humbi jetën në Shqipëri gjatë Holokaustit. 15 prej tyre morën pjesë në luftë si antifashistë dhe janë shpallur dëshmorë.
Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri ka lidhje me shumë faktorë, jo vetëm me nderin, besën dhe traditën shqiptare.
1. Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkan ku përbërësja fetare nuk ka rol përcaktues dhe as përdallues në identitet. Atje ku kishte katër komunitete fetare, një komunitet i pestë nuk ishte kurrfarë problemi.
2. Në etnotipin shqiptar ka një sjellje që vërtetohet historikisht e sistematikisht. Në vetëdijen e njeriut shqiptar është tabu të rrezikosh të mundurin, të çarmatosurin dhe përgjithësisht tjetrin në rrezik, qoftë dhe kundërshtarin. Njeriu shqiptar nuk e prek dhe as e dorëzon të rrezikuarin, qoftë dhe të mundurin. Gjatë Luftës së Parë Botërore ushtria malazeze u tërhoq duke lënë pas murtajën, dhe megjithatë shqiptarët i dhanë mbrojtje dhe shpëtim sa mundën. Pas 8 shtatorit, mbi 20 mijë ushtarë italianë që i priste zhdukja përfundimtare prej aleatëve të dikurshëm, me akuzën për dezertim e kapitullim, u morën në mbrojtje prej popullit shqiptar. Sa i takon mbrojtjes së hebrenjve, shqiptarët, që nuk shquhen aq shumë për sens marrëveshjeje, kanë arritur shkallën më të lartë historike të konvergjencës në qëndrim dhe vendime.
3. Qysh në vitin 1926, Lidhja e Kombeve i ka njohur Shqipërisë një rol tranzitimi të hebrenjve në situata të antisemitizmit agresiv.
4. Për qeveritë bashkëpunuese, mbrojtja e hebrenjve ishte edhe çështje nderi, sepse ishte në pikëpyetje shpëtimi i fytyrës. Ndryshe, ato do të paditeshin edhe më shumë për mashtrim, sepse pavarësia relative do të demaskohej si e paqenë.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.