OPINION

Vjeshta plot ankth e ekonomisë

17:13 - 18.09.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pse ka ankth ekonomia jonë? Së pari, sepse konsumi ka rënë përtokë dhe sipërmarrja e vogël nuk ka më asnjë para mënjanë për të mbijetuar. Çfarë kishte e prishi tre muajt e verës, me shpresë se do t’i rritej klientela. Por klientela dhe konsumi nuk po rriten. Së dyti, për 18 mijë hotelet, baret dhe restorantet e Shqipërisë, që përfaqësojnë një të pestën e numrit të përgjithshëm të sipërmarrjeve në vend, kjo vjeshtë do të jetë një lëngim i gjatë. Hotelet kanë parë të bjerë xhiroja e tyre këtë verë me 70 për qind. Nuk ka shenja se gjërat do të ndryshojnë këtë vjeshtë. Baret dhe restorantet janë mbajtur me gjysmën e klientelës. Së treti, nga 700 ndërmarrjet prodhuese aktive të veshjeve dhe këpucëve, në një vrojtim të publikuar dje nga Shoqata e tyre, “Pro Eksport Albania”, ku morën pjesë 100 kompani, gjysma e fabrikave shprehej se nuk kanë kontrata me çfarë të vijojnë prodhimin për muajt shtator-tetor 2020. Që do të thotë se në pikëpyetje janë me dhjetëra mijëra punonjës të tjerë për t’u hedhur në mes të katër rrugëve. Për periudhën mars-qershor 2020, kjo industri u detyrua të largojë nga puna 22 mijë punëtorë, duke përfaqësuar humbësin më të madh të fuqisë punëtore në vend nga pandemia e koronavirusit. Ndërkohë, tani më shumë se 80 për qind e fabrikave të këpucëve është me prodhim të pashitur, të bllokuar. Këto fabrika punonin deri përpara pandemisë për këpucë të modës. Tani prodhimet e modës kanë rënë me 70 për qind në të gjithë botën, nga blerjet e pakta. Ku do të shkojnë fabrikat shqiptare? Shoqata ka kërkuar nga qeveria mbështetje urgjente me kredi të buta dhe me grante për të ndihmuar fabrikat të blejnë makineri të reja të përshtasin prodhimin për mallrat njëpërdorimëshe, për të cilat ka kërkesë të lartë. Por deri tani, nuk ka asnjë përgjigje nga qeveria. Së katërti, dy programet e kredive të mbështetura nga Garancitë Sovrane 1 dhe 2 nuk dhanë rezultatin e dëshiruar. Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Financave, vetëm 756 sipërmarrje aplikuan për programin e huasë me garanci sovrane Nr. 1, me vlerë 11 miliardë lekë ose 89 milionë euro. Nga ato, 551 biznese u pranuan në program nga bankat tregtare zbatuese të tij, duke marrë hua në një shumë prej 6.4 miliardë lekësh ose 52 milionë euro. 37 milionë euro ngelën pa u përdorur. Sipërmarrja besoi akoma dhe më pak në ndihmën e programit qeveritar të huasë me Garanci Sovrane Nr. 2. Te ky program aplikuan vetëm 294 kompani dhe 161 prej tyre janë aprovuar nga bankat tregtare. Ndërkohë që, sipas vetë shoqatave të sipërmarrjes, në turizëm, në shërbimet e bareve dhe restoranteve dhe në tregtinë me pakicë ka 100 herë më shumë, ka 20 mijë kompani në vështirësi serioze. Fakti që këto 20 mijë sipërmarrje nuk aplikuan, por pranuan të rrezikohen me mbyllje aktiviteti, tregon se ndihma e ofruar nuk ishte ajo e duhura për to. Së katërti, të dyja këto paketa ndihme të qeverisë u përgatitën në mungesë të konsultimit të duhur me biznesin, ndërsa ishin të nevojshme (ndoshta të domosdoshme) konsultimet nëpërmjet internetit (online), për të diskutuar normat e interesit që duhej të aplikoheshin dhe kushtet e tjera të dhënies së huave, pa kaluar në darën e pamëshirshme të analizës së riskut të bankave tregtare, por duke respektuar disa kritere bazë, si dalja me fitim e kompanisë për vitin 2019 dhe mospasja e kredive të këqija. Kjo nuk u bë dhe paketat e ndihmës për sipërmarrjen nuk dhanë frytet e shpresuara. Atëherë, çfarë duhet bërë? Si mund t’i bjerë ankthi ekonomisë sonë? Ky ankth që po mbyt perspektivën dhe rëndon atmosferën e të bërit biznes te ne, duke ndrydhur edhe më shumë konsumin? Përgjigjen e japin vetë bizneset prodhuese. Ato nuk lodhen së kërkuari mirëkuptimin e qeverisë, duke i pasur vetë qasjet dhe ndërhyrjet shumë të qarta. Shoqata “Pro Eksport Albania” ka kërkuar që Programi i Ndihmës Qeveritare me Garancinë Sovrane Nr. 1, më i leverdishëm për sipërmarrjet deri tani, të rivihet në funksionim. Kështu ato 32 milionë euro të papërdorura të Programit mund të përdoren nga qindra sipërmarrje që sot janë në ditë të hallit, për të paguar punonjësit. Në radhë të parë të përdoren nga ndërmarrjet prodhuese. Dhe të parat që duhet ta përfitojnë janë fabrikat e prodhimit të këpucëve. Nuk mund t’i rrafshojmë këto struktura prodhuese të ngritura me aq mund në dy dekadat e fundit! Nuk mund të qëndrojmë indiferent si komb, shtet dhe qeveri përpara agonisë së pjesës më djersëshumë e patriote të sipërmarrjes shqiptare, fabrikave prodhuese. Po qeveria? Çfarë ka në mend të bëjë ajo? Që nga disa lëvizje shumë pozitive të mesit të korrikut dhe fillimit të gushtit, qeveria ka mbi një muaj që po bën Sfinksin. Nuk prononcohet fare. Nuk është kjo mënyra e duhur për të ndihmuar një ekonomi në ankth të mirëfilltë. Është koha të ndërhyhet fort dhe qartë. Të paktën me ato 71 milionë eurot e papërdorura nga të dyja programet e mëparshme qeveritare me Garancitë Sovrane Nr. 1 dhe 2.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.