OPINION

Integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat e zakonshme

08:00 - 21.09.20 Suela Patoshi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qëllimi i këtij studimi ishte se sa e përgatitur është shkolla jonë për të ecur më tej në proceset integruese. Ky studim u zhvillua në një prej shkollave 9-vjeçare të zakonshme të qytetit të Kavajës. Për realizimin e këtij studimi u përdorën anketime të standardizuara (pyetësorë të strukturuar dhe gjysmë të strukturuar). Nisur nga larmia dhe kompleksiteti i dukurive, subjekteve iu la e drejta të shprehen edhe për më shumë se një alternativë. Për saktësimin e të dhënave jo të qarta u organizuan edhe fokus-grupe me mësues, prindër e nxënës…




Studimi gjeti mbështetje në studimet e kryera më parë në kontekste të tjera.

Mbështetur në përvojën e deritanishme, me të drejtë shtrohet pyetja:

Sa e përgatitur është shkolla jonë për të ecur më tej në proceset integruese, cilat janë problemet, nevojat dhe mundësitë në këtë fushë?

Paraqes më poshtë në mënyrë të përmbledhur disa nga konkluzionet që rezultojnë nga të dhënat e studimit.

Së pari, duhet të pranojmë se integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat tona publike nuk përbën një dukuri masive. Si rezultat i presioneve të shumta të prindërve, një pjesë e fëmijëve me aftësi të kufizuara, nga këta më shumë raste të lehta, arrijnë të përfshihen në shkollat e zakonshme. Me kalimin e viteve, ecuria e tyre në shkollë bëhet më e vështirë, sidomos në ciklin e lartë të shkollës 9-vjeçare. Jo pak prej tyre largohen nga shkolla pa mbaruar as klasën e katërt.

Për nxënësit me aftësi të kufizuara të përfshirë në shkollat e zakonshme, përgjithësisht qëndrimet e mësuesve dhe të nxënësve janë pozitive, dashamirëse e njerëzore. Sipas tyre, këta fëmijë përfitojnë nga përvoja në shkollën e zakonshme dhe nuk përbëjnë shqetësim për klasën dhe shkollën. Bile, për më tepër, edhe ata vetë përfitojnë nga këto procese: mësuesit profesionalisht dhe nxënësit në shumë aspekte të tjera. 90% e nxënësve në klasa dëshirojnë dhe ndihen të aftë t’i ndihmojnë këta fëmijë, por nuk dinë si. Pa mohuar vlerën e një sërë veprimtarive interesante që mësues të veçantë organizojnë në klasat e tyre në mbështetje të proceseve integruese, për shumicën e mësuesve karakteristike është mungesa e një pune të organizuar dhe të programuar me qëllime të qarta. Gjatë karrierës së tyre profesionale, mësuesit e shkollave të zakonshme janë ndeshur shpesh në klasat e tyre me fëmijë që paraqesin vështirësi në të nxënë apo aftësi të kufizuara, më pak në rastin e ndonjë projekti të izoluar dhe më shpesh gjatë përvojës së tyre shumëvjeçare. Dhe, megjithatë këto përvoja nuk kanë arritur të ndikojnë shumë në stilin e punës së tyre, aq më pak të imponohen. Ende në shumicën e situatave shkollore në vendin tonë dominon rutina e punës frontale, një program, një tekst për të gjithë, pak ose aspak përshtatje sipas nevojave, mundësive apo interesave të nxënësve. Për mjaft mësues më shumë rëndësi ka programi apo teksti sesa nxënësi.

Jo pak mësues e shohin punën me fëmijët me aftësi të kufizuara më shumë si një akt bamirës, si një ngarkesë të tepërt dhe jo si një përgjegjësi të tyren, duke e justifikuar këtë me argumentet se: “Për këta nxënës ka shkolla speciale; ne nuk jemi të përgatitur për këtë punë, nuk kemi kushte në klasë, aq më pak për ata që kanë probleme fizike etj.”

Nëse do t’i shohim realisht situatën dhe mësuesit në shkollat tona, rezulton se ata përgjithësisht bëjnë një punë të mbyllur, të izoluar në klasat e tyre, pak kooperojnë e bashkëpunojnë midis tyre për zgjidhjen e problemeve që ndeshin në klasë. Në shkolla mungojnë shërbimet mbështetëse për mësuesit dhe nxënësit. Shpesh, të ndodhur të vetmuar përballë problemeve të ndryshme, mësuesit ndihen të dështuar, të pamotivuar, të zhvleftësuar.

Ka mjaft raste mësuesish të apasionuar në profesionin e tyre që edhe pa pasur mbështetje të organizuar, me interesimin dhe përpjekjet që bëjnë, arrijnë të sigurojnë rezultate mjaft të mira në klasat e tyre edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Përgjigjet nga pyetësorët dhe bisedat në fokus-grupe evidentojnë një dinamikë mjaft komplekse të faktorëve përcaktues që çojnë në realizimin e një gjithëpërfshirjeje të suksesshme të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Përpjekjet për një kualifikim të mjaftueshëm të mësuesve dhe mbështetja e tyre në proces, vlerësohen si të domosdoshme për të ndryshuar praktikat e përditshme. Vetëm duke punuar për të gjetur zgjidhje më efikase, mësuesit binden se ky proces është për të mirën e të gjithë nxënësve. Mësuesit duhet të binden praktikisht se zotërojnë shkathtësi për të trajtuar fëmijët me aftësi të kufizuara. Në këtë mënyrë ata ngrihen profesionalisht, dinë ku të kërkojnë ndihmë apo informacionin e duhur, bëhen më të motivuar, duke arritur gradualisht në atë që vlerësohet edhe si elementi më delikat, por edhe më i rëndësishëm: të pranojnë me dëshirë dhe vullnet të mësojnë në klasat e tyre edhe fëmijë që paraqesin aftësi të kufizuara.

Gjithashtu, studimi në shkollë tregon se proceset integruese duhet të realizohen në mënyrë graduale, të parapërgatiten me kujdes, në mënyrë që të shmanget mosbesimi dhe refuzimet fillestare që çojnë në krijimin te mësuesit apo nxënësit të qëndrimeve negative, të cilat më vonë të çrrënjosen.

Njëkohësisht veprimtaritë që mësuesi organizon brenda e jashtë klasës duhet të jenë të organizuara, të këndshme, me më shumë elemente bashkëpunimi e më pak elemente gare. Vetë shkollat nuk kanë një politikë të qartë për realizimin e proceseve integruese.

Dispozitat normative aktuale të arsimit publik nuk ofrojnë drejtime të qarta veprimi. Të gjitha këto shpesh krijojnë konfuzione. Ligji e pranon të drejtën e kujtdo për t’u edukuar e arsimuar në përshtatje me mundësitë dhe aftësitë e individit, por nuk shpjegon e garanton rrugët sesi do të realizohet ky proces.

Për realizimin e proceseve integruese, një rëndësi të madhe ka sensibilizimi dhe ndryshimi i qëndrimit të njerëzve dhe në veçanti ai i mësuesve. Krahasuar me vite më parë mund të pohojmë se në këtë drejtim ka ndryshime pozitive. Nuk duhet harruar gjithashtu se nga ndryshimi i ideve, pikëpamjeve, deri në ndryshimin e praktikave kemi përpara një proces të gjatë dhe mjaft kompleks, që lidhet me ndryshimin jo vetëm në këtë shkollë, por të gjithë shkollat…

Integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat e zakonshme nuk lidhet thjesht me futjen e këtyre fëmijëve në shkolla. Së pari, dhe më e rëndësishme se gjithçka është që të gjithë ne: mësues, nxënës, prindër, drejtues e administratorë të përpiqemi të eliminojmë dhe pakësojmë të gjithë ata faktorë që krijojnë veçimin, ndrojtjen dhe qëndrimet negative për të pranuar dhe mësuar çdo nxënës. Pas familjes, shkolla është për fëmijën modeli i parë i një shoqërie të organizuar. Nëse në këtë stad ne nuk i bëjmë pjesë të komunitetit tonë shkollor, do të jetë tepër vonë nesër, që fëmijët me aftësi të kufizuara të jenë pjesë e komunitetit tonë shoqëror. Kjo është një e drejtë e pamohueshme e çdo njeriu.

Ne duhet të pranojmë se realizimi i proceseve integruese përbën një sfidë të vërtetë për të gjithë: mësues, nxënës, prindër dhe administratorë.

Çfarë ndryshimesh duhen bërë që shkollat e zakonshme të jenë të afta të integrojnë me sukses fëmijët me aftësi të kufizuara?

Për të ecur më tej drejt proceseve integruese është e nevojshme:

– Nxitja dhe përkrahja e proceseve integruese sa më herët, që në nivel parashkollor.

– Studimi, përgjithësimi dhe shtrirja graduale e përvojave pozitive që lidhen me integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat e zakonshme. Krijimi i një databaze për nevojat dhe realizimet në këtë sektor.

– Forma të larmishme sensibilizimi të opinionit publik, ndërgjegjësim i nxënësve, mësuesve dhe pushtetarëve për vlerat dhe avantazhet e proceseve integruese.

– Kthimi gradual i shkollave në komunitete ku të dominojë kultura e bashkëpunimit, përkujdesjes dhe respektit reciprok, ku diferencat midis nxënësve të mos shihen si pengesa, por si cilësi që duhen vlerësuar.

– Krijimi dhe zbatimi në shkolla i një kurrikule gjithëpërfshirëse.

– Përdorimi efikas i burimeve njerëzore: forma të larmishme bashkëpunimi brenda shkollës, bashkëpunim mësues-prindër, mbështetje nxënës-nxënës, përdorimi i forcave vullnetare, mbështetja nga specialistë të ndryshëm.

– Realizimi i proceseve integruese në shkolla të mos shihet thjesht si një çështje e një apo disa mësuesve. Në të duhet të angazhohet e gjithë shkolla. Në këtë kuadër një rol të rëndësishëm luan drejtori i shkollës.

– Organizime fleksibël, pakësim të nxënësve në klasa, përmirësim të kushteve materiale, përshtatshmëri teknike e ndërtimore, mbështetje më e mirë financiare e shkollave.

– Pranimi i prindërve si partnerë të barabartë në edukim.

– Kualifikimi i mësuesve për problemet e edukimit gjithëpërfshirës. Mësuesve t’u jepen shanse të mësojnë, të reflektojnë dhe zbulojnë mënyra të reja të menduari dhe vepruari.

– Krijimi i kapaciteteve në nivel universitar dhe kualifikimi i mësuesve në fakultetet e mësuesisë për problemet e arsimit gjithëpërfshirës.

– Përgatitja e botimeve për proceset integruese në ndihmë të mësuesve dhe prindërve.

– Mbështetja e shkollave të zakonshme me shërbime të ndryshme psiko-pedagogjike, sociale e speciale.

– Kthimi i shkollave speciale në qendra burimore në ndihmë të proceseve integruese në shkollat e zakonshme.

– Bashkëpunim dhe kooperim midis strukturave qeveritare dhe atyre joqeveritare për proceset integruese.

– Përmirësimi i legjislacionit shkollor më mënyrë që të favorizojë, lehtësojë dhe garantojë realizimin e proceseve integruese.

– Krijimi pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të një grupi këshillimor për problemet e arsimit gjithëpërfshirës.

– Realizimi i proceseve integruese të konsiderohet si një ndër prioritetet madhore të Reformës Arsimore.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.