OPINION

Malazezët na mësuan sesi përmbysen klikat dhe sundimtarët mafiozë

09:16 - 21.09.20 Aleksandër Biberaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Votimet në Mal të Zi patën një rezultat-surprizë, pasi rrëzuan nga pushteti një emër të madh të politikës së vendit të vogël ballkanik, Milo Gjukanovicin, i cili dominoi pa konkurrencë politikën e Malit të Zi prej 30 vitesh. Para vitit 1990, Milo ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Miloshevicit, pasi drejtonte Lidhjen Komuniste të Malit të Zi, e cila ishte pjesë e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë së themeluar nga Tito para Luftës së Dytë Botërore, parti-shtet kjo që dominoi edhe jetën politike në ish-Jugosllavi që nga viti 1944 deri në vitin 1990, kur filloi edhe shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Milo Gjukanovici diti të bëjë një kthesë spektakolare, duke e shndërruar Lidhjen Komuniste në Parti Demokrate të Socialistëve, si dhe të udhëheqë tranzicionin politik gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë si dhe shkëputjen e Malit të Zi nga Serbia. Realisht Milo është heroi i Malit të Zi, pasi ishte ai që e çoi Malin e Zi në mënyrë paqësore drejt pavarësisë pa derdhur asnjë pikë gjak, nëpërmjet referendumit të 21 shtatorit të vitit 2006. Kam pasur rastin që në atë referendum të jem monitorues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe kam ndjekur nga afër gjithçka që ndodhi. Menaxhimi që i bëri Gjukanovici referendumit ishte spektakolar dhe rezultati ishte aq sa i duhej Malit të Zi për t’u shkëputur nga Serbia. Ishte rënë dakord me BE-në që referendumi do të quhej i fituar nëse “Po-ja” për “shkëputjen e Malit të Zi nga Unioni Serbi-Mal i Zi” do të fitonte mbi 55%. E vërteta është se rezultatin e atij referendumi e vendosën shqiptarët, pasi ata përbënin rreth 7% të popullsisë dhe arritën që të marxhinalizojnë dhe maksimizojnë mbi 5.5% të votave, duke e çuar rezultatin në 55.5%, aq sa duhej për të shpallur pavarësinë e Malit të Zi. Milo i ftoi dhe organizoi shqiptarët e diasporës që nga perëndimi i largët (Kaliforni-SHBA) deri në lindjen e largme (Australi), duke iu sponsorizuar edhe udhëtimin që të votonin për pavarësinë e Malit të Zi, siç edhe ndodhi, ndërkohë që me forcë dhe vendosmëri mbylli kufijtë me Serbinë, për të penguar ardhjen e serbëve për të votuar apo manipuluar votimet. Por dihet që edhe heronjtë nëse rrinë shumë gjatë në piedestal “vjetrohen”, “vyshken”, skadojnë, dhe Milo duke qëndruar në pushtet për më shumë se 30 vjet, u tejkonsumua, duke u shndërruar në një sundimtar, gati-gati në një despot për malazezët. Pushteti i tij ishte absolut në Mal të Zi; ai komandonte PDS-në si ta kishte pronë private, duke emëruar që nga presidenti, kryeministri, ministra, deputetë, kryetarë bashkish, ambasadorë, pra gjithë piramidën shtetërore, ndërkohë që vetë kërcente sa nga kolltuku i kryeministrit tek i presidentit dhe anasjelltas. Në vend opozita ishte shumë e dobët, ndërkohë që asnjë media apo gazetar nuk guxonte ta kritikonte Milon. Duke qenë pa diskutim një pro-perëndimor, ai kishte mbështetjen e Perëndimit, duke e anëtarësuar Malin e Zi në NATO dhe duke e çuar në rrugën e integrimit për në BE. Ndërkohë që në vend lulëzonin trafiqet, korrupsioni dhe kontrabanda, Perëndimi mbyllte sytë dhe veshët me arsyetimin se “Milo është pro-perëndimor” dhe se “na duhet për stabilitetin”, pavarësisht problemeve të shumta me demokracinë, shtetin e së drejtës, si dhe liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Gjithsesi “dhe vjen një ditë”, siç edhe erdhi, kur u bënë të gjithë bashkë kundër tij, dhe për këtë meritën nuk e ka askush tjetër përveç vetë Milos, që “me rritjen e pakënaqësisë në vend”, ai “rriti ndjeshëm shpirtin/frymën opozitare dhe unifikoi opozitën shumëngjyrëshe në Mal të Zi”, gjë që çoi edhe në fitoren e opozitës dhe humbjen e PDS-së së Milos pas 30 vitesh qëndrimi në pushtet. Dorën e fundit Milos ia dha edhe “lideri global” me urimin që i bëri për fitore në zgjedhje në gjuhën serbo-kroate. Megjithëse nuk ka vend për krahasime ndërmjet Edi Ramës në Shqipëri dhe Milo Gjukanovicit në Mal të Zi, pasi janë si nata me ditën, por thjesht rezultati final, fundi i tyre politik është i njëjtë. Ashtu si malazezët u lodhën me Milon dhe pushtetin e tij 30-vjeçar, edhe në Shqipëri qytetarët janë lodhur me Edin dhe pushtetin e tij 22-vjeçar, janë lodhur me gjithçka të mbrapshtë që ai ka bërë që nga viti 1998 kur u fut në politikën aktive dhe atë ekzekutive, dhe janë rraskapitur gjatë 8 viteve të fundit me pushtetin absolut të tij, duke zotëruar 100% të pushteteve ose të gjitha pushtetet, legjislativin, ekzekutivin (qendror dhe vendor), gjyqësorin, median dhe pushtetin e nëntokës, bandat, mafien, krimin, shërbëtor i së cilës ka qenë dhe mbetet që kur është futur në politikë. Për hir të së vërtetës, Milo i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm patriotik vendit të vet duke e udhëhequr Malin e Zi drejt pavarësisë, e anëtarësoi në NATO dhe e ka bërë gati për në BE, dhe me ne shqiptarët ka qenë shumë korrekt dhe pozitiv, dhe pa doza anti-shqiptarizmi, karakteristikë historike kjo e sllavëve. Ndërkohë që Edi nuk ka në rekordet e veta asnjë shërbim patriotik ndaj vendit tonë, përkundrazi, pasi ka shkatërruar gjithçka në këtë vend, u mundua që ta ndajë edhe Kosovën, dhe tani i jep të drejtë Greqisë që të vijnë 12 milje në territorin tonë. Nëse ai me bandën e vet në pushtet po vjedh buxhetin, pronat e shqiptarëve dhe pasuritë natyrore, nuk ka për të arritur kurrë që të shesë detin, pasi ne nuk do ta lejojmë. Ashtu siç u bashkuan të gjithë malazezët kundër Gjukanovicit, ashtu duhet të bashkohemi edhe ne shqiptarët, për të përmbysur nga pushteti i pamerituar një shqipfolës anti-popullor dhe anti-kombëtar, që rezultoi tepër i padenjë për pushtetin që i dhanë shqiptaret apo ua vodhi, duke i shkaktuar Shqipërisë dhe kombit një dëm të pallogaritshëm dhe jo aq lehtë të rikuperueshëm.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.