OPINION

Përmirësimi i së drejtës detare shqiptare, kriter themelor për marrëveshjet ndërshtetërore

08:30 - 21.09.20 Ermal Xhelilaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Aktualisht sistemi i legjislacionit detar shqiptar mbështetet në një numër aktesh ligjore kombëtare, si dhe konventash e marrëveshjesh ndërkombëtare mbi të drejtën e detit, në të cilat shteti shqiptar ka aderuar. Megjithatë, koncepti ligjor ndërkombëtar mbi kufijtë detarë, sikurse dhe është analizuar gjatë këtij punimi studimor, karakterizohet nga një kompleksitet, vështirësi dhe paqartësi të natyrës ligjore dhe praktike. Si rrjedhojë, edhe përcaktimi i kufijve dhe zonave detare në të cilat Shqipëria ushtron sovranitet apo të drejta sovrane pasqyron të njëjtat problematika. Sipas së drejtës ndërkombëtare, shteti shqiptar ushtron një numër të drejtash mbi zona të caktuara detare kombëtare. Këto të drejta pasqyrohen në aktet juridiko-kombëtare dhe Kushtetutën e RSH-së, duke u mbështetur në praktikën botërore dhe të drejtën ndërkombëtare të detit. Në këtë kontekst, një rëndësi të veçantë pasqyron Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982), të cilën Kuvendi i RSH-së në vitin 2003 e ratifikoi duke miratuar Ligjin Nr. 9055, datë 02.04.2003 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit”. Aderimi i Shqipërisë në këtë Konventë e detyron atë të formulojë një regjim të ri juridik detar, i cili nuk është zbatuar plotësisht për shkak të mospërcaktimit të zonës detare fqinje, ZEE-së dhe shelfit kontinental por edhe problematikat e paraqitura mbi ujerat territoriale.




Përveç kodit detar, regjimi më i rëndësishëm juridik i natyrës detare në kontekstin e marrëdhënieve ndërshtetërore të Shqipërisë është akti ligjor mbi kufijtë detarë të RSH-së. Regjimi juridik i ujërave territoriale është i lidhur drejtpërdrejt me sigurimin e lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit kombëtar të shtetit shqiptar. Si rrjedhojë, karakteristika themelore e regjimit juridik të ujërave territoriale është sovraniteti. Lidhur me ujërat territoriale, shteti shqiptar gjatë Konferencës UNCLOS III, mbrojti pikëpamjen se shteti bregdetar duhet ta përcaktojë vetë gjerësinë e ujërave territoriale deri në një distancë të arsyeshme, pa penguar lundrimin ndërkombëtar dhe interesat e shteteve fqinje. Shteti shqiptar ndryshoi qëndrim vetëm gjatë viteve 1990, duke iu përmbajtur gjerësisë prej 12 miljesh detare. Në këtë kontekst, sipas nenit 12 të Kodit Detar të RSH-së, hapësirat detare shqiptare përbëhen nga ujërat e brendshme; ujërat territoriale; zona fqinje; ZEE-ja, dhe shelfi kontinental. Megjithatë, përveç ujërave territoriale, zonat e tjera detare të sanksionuara ligjërisht në kodin detar mbeten ende të papërcaktuara.

Ujërat territoriale shqiptare, sipas Ligjit Nr. 8771 “Mbi Kufirin Shtetëror të RSH-së”, aktualisht shtrihen gjatë gjithë bregut shqiptar, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë e Kepit të Rodonit, Kepi i Pallës, Kepi i Lagjit, grykëderdhja e Semanit, grykëderdhja e Vjosës, bregu perëndimor i ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës, dhe i Gjiut të Gramës, dhe mandej vijon midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke, duke vazhduar më tej deri përmes Kanalit të Korfuzit. Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit, shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i ZI). Ndërsa ujërat e brendshme janë ujërat e detit Adriatik dhe të detit Jon, që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë deri në derdhjen e Lumit të Bunës, kepet që u përmendën më lart, dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gramës, Kepin e Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës, si dhe ujërat brenda vijës kufitare të liqeneve dhe lumenjve kufitarë.

Sanksionimi i mësipërm ligjor i ujërave territoriale dhe ujërave të brendshme, është bërë objekt i paqartësisë dhe kompleksitetit juridik të shkaktuar si pasojë e ndryshimeve të shpeshta dhe të pakuptimta të legjislacionit kombëtar mbi kufijtë tokësorë dhe ata detarë kohët e fundit, duke e karakterizuar Shqipërinë ndër shtetet e pakta të sistemit ndërkombëtar me problematika të thella ligjore mbi delimitimin e ujërave kombëtare. Kështu, në vitin 2008, Ligji Nr.8771, datë 19.04.2001 “Mbi Kufirin Shtetëror të RSH-së” u shfuqizua nga Kuvendi i RSH-së me anë të Ligjit Nr. 9861 “Për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror”, i cili hyri në fuqi më 1 mars 2008. Sipas nenit 3 të këtij ligji, kufiri shtetëror i Shqipërisë është i vendosur dhe rregullohet mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar, si dhe të traktateve ndërshtetërore të ratifikuara nga RSH-ja. Ligji konkret sanksionon në nenin 53 të tij se Ligji 8771, datë 19.4.2001 “Për Kufirin Shtetëror të Shqipërisë” dhe Ligji 8772 datë 19.4.2001 “Për Ruajtjen e Kontrollin e Kufirit Shtetëror të RSH-së”, dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen. Në ujërat territoriale shqiptare, me përjashtim të ushtrimit të së drejtës të kalimit paqësor të anijeve të huaja, sovraniteti shtetëror është i plotë. Koncepti i kalimit paqësor dhe e drejta e shtetit bregdetar për ndërmarrjen e masave të nevojshme për shmangien e shkeljeve të rregullave që duhet t’i nënshtrohen anijet e huaja gjatë lundrimit të tyre në ujërat territoriale dhe të brendshme të shtetit bregdetar, janë të sanksionuar juridikisht në Seksionin 3 të UNCLOS-it. E drejta e kalimit paqësor të anijeve të huaja pasqyrohet konceptualisht në nenin 11 të Kodit Detar të RSH-së dhe më gjerësisht në nenin 6 të Dekretit të vitit 1970 mbi “Kufirin Shtetëror të RSH-së”. Sipas Dekretit, anijet e huaja jo të luftës gëzojnë të drejtën e kalimit paqësor në ujërat territoriale shqiptare, në përputhje me rregullat e caktuara nga Këshilli i Ministrave, të marrëveshjeve ndërshtetërore, si dhe të konventave ndërkombëtare në të cilat RSH është anëtarësuar. Në nenin 7 të Dekretit theksohet se “Hyrja ose kalimi në ujërat territoriale të RSH-së bëhet vetëm me autorizimin e veçantë të Këshillit të Ministrave, me përjashtim të rasteve të forcës madhore, por gjithmonë në përputhje në rregullat shqiptare në fuqi”.

Përveç legjislacionit të brendshëm detar, shteti shqiptar mund të bëhet palë edhe në marrëveshje apo traktate ndërkombëtare të natyrës detare. Neni 121 i Kushtetutës së RSH-së i lejon Kuvendit të ratifikojë dhe denoncojë marrëveshjet ndërkombëtare mbi territorin, paqen, aleancat, çështjet politike e ushtarake në të cilat shteti shqiptar është palë. Sipas nenit 17 të Kushtetutës, “ratifikimi, aderimi, miratimi dhe denoncimi i traktateve duhet të bëhet me ligj nga Kuvendi i RSH-së”. Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës vendos për aderimin dhe denoncimin e traktateve që nuk i shqyrton Kuvendi i RSH-së. E gjithë procedura përfundon me nënshkrimin e instrumentit të ratifikimit nga Presidenti i Republikës. Neni 20 parashikon se instrumentet e ratifikimit për traktatet dypalëshe i dorëzohen në një datë të caktuar përfaqësuesit të plotfuqishëm të shtetit të interesuar, ndërsa instrumentet e ratifikimit të traktateve shumëpalëshe që krijohen nga organizata ose konferenca ndërkombëtare depozitohen pranë sekretariatit të organizatës përkatëse ose pranë organit të caktuar nga shteti që kryen funksionet e shtetit depozitar.

Një prej problematikave kryesore që karakterizon Shqipërinë lidhur me regjimin juridik kombëtar të detit, vazhdon të mbetet përcaktimi i saktë ligjor i zonave detare të ZEE-së dhe shelfit kontinental. Sikurse shumë shtete të tjera, edhe shteti shqiptar mbajti një qëndrim të caktuar për çështjen e shpalljes të ZEE-së dhe regjimin e saj juridik. Delegacioni i RSH-së në Konferencën UNCLOS III, vlerësoi se ZEE-ja konsiderohej ndër problematikat kryesore të Konferencës dhe bënte pjesë në kuadrin e përpjekjeve të shteteve aziatike, afrikane, amerikano-latine dhe të vendeve të tjera sovrane, për të mbrojtur të drejtat e tyre në drejtim të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Duke kritikuar shfrytëzimin e burimeve natyrore pranë bregdetit të shteteve sovrane nga shtete të tjera të fuqishme të sistemit ndërkombëtar, si SHBA-ja dhe BS-ja, Shqipëria i përkrahu duke konsideruar të drejta masat që duhet të marrin shtetet bregdetare për të mbrojtur të drejtat e tyre ekonomike mbi pasuritë natyrore të zonave të tyre detare.

Ndër hapësirat detare botërore që përfshihen në kategorinë e zonave të përcaktuara në nenin 74 të UNCLOS-it, është dhe deti Mesdhe. Pavarësisht se gjatë dekadave të fundit shumë shtete mesdhetare kanë përcaktuar ZEE-të dhe shelfin e tyre kontinental, përsëri ato janë përfshirë në konflikte ndërshtetërore mbi delimitimin e këtyre zonave. Ndarja e shelfit kontinental midis Shqipërisë dhe Italisë është përcaktuar pjesërisht nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar mes dy shteteve në Tiranë në 18 dhjetor 1992 (Marrëveshja midis Shqipërisë dhe Italisë mbi Përcaktimin e Shelfit Kontinental). Marrëveshja është mbështetur në normat ligjore të UNCLOS-it sipas parimit të drejtësisë, barazisë dhe përcaktimit të ndershëm të ndarjes të zonës së shelfit kontinenal. Teksti i traktatit përcakton vijën kufitare detare në Ngushticën e Otrantos e përbërë nga 16 vija të drejta të segmenteve detare, të përkufizuara nga 17 pika koordinatash të veçanta.

Gjatë përcaktimit të shelfit kontinental mes dy shteteve u zbatua parimi i baraslargësisë, i cili aplikohet në rastet kur brezi bregdetar i shteteve përballë njëra-tjetrës është i krahasueshëm, ka gjatësi të përafërt bregdetare dhe nuk zotëron karakteristika apo rrethana të veçanta karakterizuese, siç janë ishujt apo bregdeti i dhëmbëzuar, të cilat mund të cenojnë drejtësinë e ndarjes kufitare. Rrjedhimisht, kufiri detar konkret përfaqëson një vijë detare të baraslarguar ndërmjet bregdetit italian dhe atij shqiptar. Pika më veriore e kësaj vije kufitare detare formon një pikë të përbashkët kufitare ndërmjet Italisë, Shqipërisë dhe Mali i Zi, ndërsa pika kufitare detare më skajore në jug formon një pikë të përbashkët kufitare me Greqinë. Ky traktat ndërshtetëror konsiderohet i veçantë në praktikën ligjore ndërkombëtare mbi ndarjen e kufijve detarë për shkak se parashtron dispozita të caktuara ligjore, të cilat u lejojnë shteteve nënshkruese që çdo mosmarrëveshje lidhur me delimitimin e kufijve detarë dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore të jetë subjekt gjykimi nga GJND-ja në rast se nuk zgjidhet me anë të mekanizmave diplomatikë brenda katër muajve të negociatave ndërshtetërore.

Nëse i referohemi ndarjes së kufijve dhe zonave në detin Jon, çështja e këtyre konsiderohet me tepër problematike dhe e ndërlikuar juridikisht për arsye të distancës së afërt të bregdeteve përkatësisht shqiptare dhe greke në Ngushticën e Korfuzit; afërsisë midis ishujve grekë dhe bregdetit shqiptar, si dhe për shkak të vijës së përthyer bregdetare greke. Kjo çështje u pasqyrua qartësisht gjatë zhvillimit të negociatave për arritjen e marrëveshjes ndërshtetërore midis Shqipërisë dhe Greqisë të vitit 2009-2010 lidhur me ndarjen e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare mbështetur në të drejtën ndërkombëtare. Vakumi ligjor i së drejtës kombëtare të detit u pasqyrua tërthorazi edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e rrëzoi këtë marrëveshje mbështetur në shkeljet procedurale dhe substanciale të cilat bien ndesh me Kushtetutën dhe interpretimin ligjor të UNCLOS-it.

Në ditët e sotme, problematika kryesore për Shqipërinë, mbështetur në argumentet e mësipërme, mbetet harmonizimi i plotë i legjislacionit kombëtar detar me të drejtën ndërkombëtare në tërësi, e cila ndikon drejtpërdrejt në progresin ekonomik kombëtar, si dhe drejt zhvillimit të marrëdhënieve të mira ndërshtetërore me vendet fqinje. Përcaktimi i saktë i kufijve detarë mes RSH-së dhe shteteve fqinje, normalisht kërkon hartimin e një kornize të qartë ligjore detare dhe institucionale për bashkëpunimin rajonal, si dhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar mbi delimitimin e zonave detare me të drejtën ndërkombëtare. Formulimi i saktë juridik i kornizës ligjore dhe institucionale kombëtare natyrisht kërkon një bashkëpunim efikas të shtetit shqiptar me institucionet ndërkombëtare, ato rajonale, si dhe me shtetet bregdetare fqinje. Ky bashkëpunim mund të kontribuojë mbi përcaktimin ligjor të zonave detare, zbatimin korrekt të normave ligjore ndërkombëtare të detit, si dhe zbatueshmërinë e qartë të dispozitave ligjore të UNCLOS-it. Pavarësisht këtyre problematikave, zhvillimi ekonomik dhe social në ditët e sotme dikton domosdoshmërinë e formulimit të një politike të re detare. Kjo politikë e karakterit juridik duhet të përfshijë zhvillimin e aftësive konkrete, institucioneve dhe kornizën e nevojshme ligjore për hapësirën detare shqiptare, duke e konsideruar atë ndër elementet themelore lidhur me rritjen e ekonomisë kombëtare dhe pozicionimin e favorshëm politik të Shqipërisë në sistemin rajonal. Ushtrimi i sovranitetit dhe të drejtave sovrane mbi ujërat territoriale dhe zonat e tjera detare konsiderohet një komponent i rëndësishëm për interesat kombëtare të Shqipërisë. Qëllimi kryesor drejt këtij përmirësimi duhet të fokusohet në plotësimin e vakumit ligjor lidhur me çështje të rëndësishme për interesat kombëtare, siç janë kufijtë dhe zonat detare, konfliktualiteti normativ detar, si dhe mbivendosja e kompetencave dhe përgjegjësive të institucioneve kombëtare legjislative dhe ekzekutive. Rrjedhimisht, ripozicionimi ligjor dhe praktik i hapësirës detare shqiptare drejt një hapësire të integruar ndërkombëtare dhe rajonale, konsiderohet në ditët e sotme një element i domosdoshëm për Shqipërinë.

Në rast se i referohemi më konkretisht përmbajtjes thelbësore të legjislacionit detar kombëtar, atëherë mund të theksojmë se ai karakterizohet nga një numër problematikash dhe mangësish ligjore, të cilat krijojnë jo vetëm paqartësi juridike mbi përcaktimin ligjor të zonave detare dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale dhe terroriste sipas së drejtës ndërkombëtare, por njëkohësisht dëmtojnë zhvillimin e sektorit detar kombëtar. Në mënyrë që ky sektor të zhvillohet, duhet të përmirësohet më parë kuadri ligjor detar ekzistues, të analizohen dhe ratifikohen traktatet ndërkombëtare të detit, dhe të ndërmerren masa paraprake për zbatimin e tyre. Shqipëria ndodhet përpara një situate në të cilën ligjshmëria dhe e drejta kombëtare e detit konsiderohen ende në fazë tranzicioni për sa u përket aspekteve themelore të natyrës juridike, siç janë zbatimi i kushteve dhe normave të së drejtës ndërkombëtare të detit, plotësimi i vakumit ligjor të legjislacionit detar, dhe zbatueshmëria e saktë e dispozitave ligjore të këtij legjislacioni. Nën ndikimin e faktorëve politikë, shoqërorë, ekonomikë dhe juridikë është një domosdoshmëri rishikimi tërësor i koncepteve ekzistuese të legjislacionit detar.

Përmirësimi i kuadrit ligjor detar duhet të fillojë normalisht nga kodi detar shqiptar, i cili përmban jo vetëm gabime teknike dhe interpretative, por shumë dispozita të tij zotërojnë përmbajtje të shkurtër dhe të paqartë juridikisht. Për më tepër, sistemi normativ i këtij kodi zbatohet vetëm për aspekte dhe çështje të kufizuara detare. Më konkretisht, dispozita ligjore mbi kalimin paqësor dhe mbi zonat detare të kodit detar, zotërojnë një përmbajtje të shkurtër dhe të paqartë ligjërisht, duke lënë hapësira për keqinterpretime. Këto paqartësi juridike dhe mungesa e përmbajtjes thelbësore, krijojnë mundësi për lindjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore mes autoriteteve ligjzbatuese të shteteve rajonale, të cilat janë përgjegjëse për administrimin e veprimtarive të përcaktuara nga legjislacioni i brendshëm dhe e drejta ndërkombëtare për këto hapësira detare. Po ashtu, është e domosdoshme që legjislacioni kombëtar detar të përmbajë qartësisht dhe në mënyrë të hollësishme, bazuar në nenin 19 të UNCLOS-it, rastet kur lundrimi i anijeve të huaja në ujërat tona territoriale nuk mund të konsiderohen si kalim paqësor. Dispozitës ligjore përkatëse mbi kalimin paqësor në Kodin Detar të RSH-së apo Dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr.4650, datë 09.03.1970, duhet t’i shtohen shprehimisht se cilat aktivitete të tjera janë të ndaluara për anijet e huaja gjatë kalimit të tyre në ujërat territoriale shqiptare. Këtu mund të përfshihen kërcënimi ndaj sovranitetit dhe pavarësisë kombëtare të shtetit shqiptar, presionet politike, stërvitjet ushtarake, ulja ose ngritja e avionëve, imbarkimi i mjeteve ushtarake, propaganda kundër sistemit shtetëror, ndërhyrja në sistemet e komunikimit, ndotjes të mjedisit detar etj.

Përcaktimi i hapësirës detare të ZEE-së nga Shqipëria, e cila sipas UNCLOS-it gëzon të drejta sovrane mbi një zonë detare të shtrirë deri në 200 milje nga vija bregdetare bazë, konsiderohet një çështje me rëndësi jetike për interesat kombëtare. Në këtë zonë, shteti shqiptar zotëron të drejta sovrane mbi kërkimin dhe shfrytëzimin e ujërave detare për lundrim, ruajtjen dhe administrimin e burimeve natyrore të gjalla e të nëntokës detare, vendosjen e platformave, tubacioneve dhe kabllove, kërkimin shkencor dhe mbrojtjen e mjedisit. Përcaktimi i zonave të ZEE-së mes shteteve përballë dhe përbri njëra-tjetrës përcaktohet sipas nenit 74 të UNCLOS-it mbështetur në marrëveshjet ndërshtetërore. Pavarësisht kësaj, shteti shqiptar nuk zotëron de facto një ZEE, dhe për më tepër, negociatat apo procedurat e bisedimit me shtetet bregdetare fqinje të Shqipërisë për të arritur një marrëveshje ndërshtetërore mbi ndarjen e ZEE-së në rajonin e detit Adriatik dhe Jon nuk janë ende në proces fillimi apo kanë dështuar plotësisht.

Megjithatë, edhe pse përcaktimi i ZEE-së shqiptare aktualisht mbetet një detyrë themelore, ajo konsiderohet njëkohësisht një sfidë e rëndësishme për Shqipërinë. Lidhur me këtë çështje, është qendrore të theksohet se përcaktimi i ZEE-së nga Shqipëria duhet të mbështetet në parimet bazë të UNCLOS-it dhe praktikat shtetërore të vendeve më të zhvilluara mesdhetare, si Franca, Spanja apo Italia. Për më tepër, duhet të krijohet mundësia e fillimit të bashkëbisedimeve me Italinë, Greqinë dhe Malin e Zi lidhur me shpalljen e ZEE-ve përkatëse. Meqenëse gjerësia e detit Adriatik dhe Jon ka një shtrirje më të vogël se 400 milje, shtrirja e ZEE-së duhet të mos jetë më e madhe sesa mesorja që ndan ujërat tona me ato të vendeve përballë apo përbri njëra-tjetrës. Në këtë zonë, shteti shqiptar duhet të ushtrojë të drejta sovrane lidhur me kërkimin, shfrytëzimin, ruajtjen dhe administrimin e burimeve natyrore detare, kërkimin shkencor detar, mbrojtjen e mjedisit, instalimin e ishujve artificialë dhe platformave të naftës, etj. Shqipëria gjithashtu duhet të respektojë detyrimet e saj ndaj të drejtave të shteteve të tjera në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe të pranojë vendosjen e kabllove nëndetare, tubacioneve, si edhe instalimeve të tjera në përputhje me normat ndërkombëtare. Mbi të gjitha, ajo duhet të sigurojë lirinë e lundrimit ndërkombëtar të anijeve të huaja dhe atyre shqiptare në ZEE, si dhe fluturimin e avionëve të shteteve të huaja mbi këtë zonë.

Zona detare fqinje konsiderohet një tjetër zonë e rëndësishme mbështetur në të drejtën ndërkombëtare të detit. Megjithatë, problemet ligjore që karakterizojnë zonën fqinje konsiderohen të gjithanshme e komplekse. Sikurse dhe është analizuar gjatë këtij punimi studimor, dispozita përkatëse e UNCLOS-it mbi zonën fqinje, duke marrë parasysh rëndësinë që ajo paraqet për juridiksionin shtetëror mbi çështje thelbësore kombëtare, mendohet nga ekspertët ndërkombëtarë të jetë e shkurtër nga përmbajtja dhe e paqartë juridikisht. Pavarësisht kësaj, kjo problematikë ligjore nuk i ka penguar shumë shtete bregdetare në botë të përcaktojnë zona fqinje nën juridiksionin e tyre. Forcimi i juridiksionit kombëtar të shtetit bregdetar në hapësirat detare ka ndikuar drejt konsolidimit të pozitës të zonës fqinje në të drejtën ndërkombëtare. Shqipëria nuk zotëron zonë fqinje, por mbështetur në problemet mbi trafikun e drogës, të qenieve njerëzore dhe terrorizmit ndërkombëtar, ka ardhur koha që shteti shqiptar të shpall zonën e tij fqinje. Gjerësia e zonës fqinje, mbështetur në UNCLOS, duhet të jetë 24 milje detare, e matur nga vija bazë, prej ku maten dhe ujërat territoriale. Në këtë zonë, shteti shqiptar duhet të ushtrojë kontrollin e vet për të evituar shkeljen e rregullave doganore, fiskale, të emigrimit, si dhe ato sanitare nga ana e anijeve të huaja dhe ato kombëtare.

Në mënyrë që interesat ekonomike kombëtare të mbrohen, legjislacioni detar shqiptar mbi shelfin kontinental duhet të formulohet mbështetur në të drejtën e sotme ndërkombëtare. Shqipëria ka aderuar në Konventën mbi Shelfin Kontinental (1958) në maj 1964 dhe UNCLOS (1982), duke u bërë palë në këto traktate. Në bazë të legjislacionit shqiptar “Republika e Shqipërisë ushtron të drejtat e saj sovrane mbi shelfin kontinental, për qëllime kërkimi dhe shfrytëzimi të burimeve të saj natyrore”. Mbështetur në dispozitat e Konventave, këto të drejta sovrane janë ekskluzive në kuptimin që edhe në rastet kur pasuritë natyrore të shelfit nuk shfrytëzohen nga shteti shqiptar, mbi to nuk mund të ushtrojë juridiksion asnjë shtet tjetër pa pëlqimin e tij. Përveç kësaj, autorizimi nga shteti bregdetar është i nevojshëm gjithashtu edhe kur shtete të tjera duan të ndërmarrin në shelfin kontinental kërkime shkencore. Të drejtat sovrane të shtetit shqiptar në shelfin kontinental, sipas frymës së përgjithshme ligjore të Konventës UNCLOS, shtrihen në gjerësinë që përcaktohet nga distanca prej kufirit të jashtëm të ujërave territoriale deri në thellësinë e detit prej 200 metra ose jashtë këtij kufiri deri në pikën ku thellësia e ujit lejon shfrytëzimin e burimeve të saj natyrore.

Duke analizuar legjislacionin detar shqiptar, rezulton se amendimet më thelbësore të akteve ligjore janë bërë para krijimit dhe hyrjes në fuqi të UNCLOS-it. Në këto kushte, duhet studiuar mundësia për të saktësuar e përmirësuar ligjet, dekretet e rregullat kombëtare për delimitimin e kufijve detarë, si dhe përgjegjësitë dhe të drejtat ligjore mbi zonat detare të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare. Shteti shqiptar duhet të krijojë ligjet përkatëse për të shtrirë të drejtat e tij sovrane dhe juridiksionin legjislativ dhe ekzekutiv në hapësirat detare pranë bregdetit shqiptar në përputhje me nocionet e reja ligjore, të krijuara mbi bazën e opinio juris dhe vendimeve zyrtare në Konferencën UNCLOS III, në të cilën Shqipëria ka dhënë kontributin e vet konstruktiv në zhvillimin progresiv të së drejtës ndërkombëtare të detit. Në këtë këndvështrim, është e domosdoshme të formulohen akte ligjore në përputhje me normat dhe dispozitat e UNCLOS-it. Për më tepër, duhet plotësuar vakumi ligjor mbi përcaktimin e ujërave të brendshme detare, sidomos për ujërat portuale, deltat e lumenjve, si dhe mbi kalimin paqësor të anijeve të huaja në ujërat territoriale, të cilat kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, kriminalitetin dhe terrorizmin detar, burimet e gjalla detare, kërkimin shkencor, mbrojtjen e mjedisit, etj. Njëkohësisht duhet të parashikohen rregullat e juridiksionit paralel në anijet e huaja që lundrojnë në ujërat tona territoriale. Po ashtu, duhet përcaktuar zyrtarisht zona detare fqinje prej 24 miljesh detare për mbrojtjen e interesave kombëtare në fushat e zbatimit të rregullave doganore, fiskale, sanitare e të emigracionit. Në këtë kontekst, mund të formulohen rregullat, kompetencat gjyqësore, në radhë të parë në fushën e pronësisë, për mbrojtjen e interesave kombëtare në objektet arkeologjike që ndodhen në shtratin e zonës fqinje me gjerësi deri në 24 milje, ose të objekteve të tjera që paraqesin vlera të rëndësishme historike, shkencore, etj. Aktet themelore të legjislacionit kombëtar të detit duhet të bëhen publike për institucionet ndërkombëtare si IMO, dhe shtetet e tjera bregdetare, duke parandaluar në këtë mënyrë mundësinë e shkeljeve të rregullave shqiptare nga anijet e huaja.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.