OPINION

15 kushtet, jo dinamikat e brendshme!

08:46 - 22.09.20 JORGJI KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në një nga librat e tij, Thomas Pickering, ndër diplomatët më të shquar amerikanë me 7 poste ambasadoriale, thotë: “Në arkeologji ju zbuloni të panjohurën, ndërsa në diplomaci mbuloni të njohurën”. Ky citat domethënës m’u kujtua sapo dëgjova intervistën e kryeministrit Rama për “DW” më 18 shtator; por pa taktin, kriterin dhe finesën diplomatike që kërkon Pickering, ai tentoi të mbulojë të Njohurën e madhe – 15 kushtet për çeljen e negociatave me “dinamikat e brendshme” në BE! Me pretendimin se demek i kemi kryer detyrat, por asnjë fjalë për kushtet! Edhe pse pas tri javësh, me 15/16 tetor, Këshilli i BE-së do të merret pikërisht me to! Sa për “dinamikat e brendshme”, ato vërtet që mund të kishin lidhje e ndikim mbi fatin e negociatave vetëm vitin e kaluar, pas “Jo”-së së hidhur në tetor 2019: ishin zgjedhjet vendore, kombëtare dhe europiane në të 27 vendet e BE-së, ku zgjerimi nuk ishte temë joshëse, BREXIT e deri te korona. Paskëtaj, nuk janë më kurrsesi “dinamikat e brendshme” por “ndjeshmëritë” dhe një farë alergjie në disa vende ndaj Ballkanit/vendit tonë për shkaqe të njohura; sidomos azili i paligjshëm, krimi, korrupsioni dhe mungesa e mangësi në shtetin e së drejtës që ndikojnë deri diku në fatin e negociatave tona.




Mirëpo, nga janari 2020 e në vijim, BE-ja ka dhënë përgjigjet/zgjidhjet e duhura ndaj këtyre ndjeshmërive. Në muajin shkurt, mbi bazën e propozimit francez, Komisioni Europian miratoi Metodologjinë e re të Zgjerimit; siç kemi shkruar edhe më parë, mbi këtë bazë, BE-ja dhe çdo vend anëtar do të na japë, sipas rastit e në dinamikë “kulaç dhe kërbaç” duke na qëndruar te koka deri në përfundimin e negociatave. Ishte pikërisht kjo metodologji që pajtoi dhe bashkoi më së miri pozicionet e të gjitha vendeve anëtare; ajo qetësoi “shpirtrat e trazuar”, sidomos në Hagë, Paris, Kopenhagen dhe gjetkë dhe i çeli rrugën “Po”-së parimore më 25 mars 2020. Tani, po të ishte për dinamikat apo dhe ndjeshmëritë e brendshme qoftë dhe në një vend të saj, 27 vendet anëtare nuk e kishin problem të propozonin shtyrjen e çeljes së negociatave apo të na thoshin copë ‘Jo’, madje kur dhe korona po ‘bënte gjëmën’. Por të gjithë na thanë njëzëri ‘Po’, pikërisht për të dhënë mesazhin e qartë se herët apo vonë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë vendin në BE. Ajo po e përforcon këtë mesazh dhe shumë shpejt do të shpalosë një program të madh investimesh në rajon në miliarda euro; veç 3,3 miliard që ka dhënë për COVID-19 për Rajonin dhe 1,3 miliard euro që mblodhi në Konferencën e Donatorëve në shkurt në Bruksel për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit! E megjithatë, askush deri më sot, në asnjë vend të BE-së nuk është qarë apo ankuar për këtë bujari ndaj Ballkanit dhe nesh! Ndaj, mjaft më me alibinë e “dinamikave të brendshme”!

Ca më tepër, kur si i thonë fjalës, edhe ‘bufi e di’ se ‘topi’ i negociatave ka muaj që luhet në Tiranë, në portën tonë. Se si po ‘luan’ Shqipëria, këtë e shohin të gjithë në Europë, se ‘fshati që duket nuk do kallauz’. Sidomos tani në vjeshtë, kur ka përfunduar dhe Teatri Politik Veror. Me organizmat dhe agjencitë e shumta që ka në Tiranë, Bruksel dhe në vendet anëtare, BE-ja i njeh ‘me dhëmbë e dhëmballë’ realitetet dhe dinamikat tona; edhe pse ndonjë mund të përpiqet të abuzojë me mirësjelljen e saj karakteristike, ‘faturën e kripur’ ata ta dërgojnë më vonë.

Por, le të rikthehemi te e Njohura e madhe, që kërkohet të mbulohet me ‘gjethe fiku’. Është ‘Po’-ja e 25 marsit 2020, por e “veshur” vetëm për Tiranën dhe për fajin tonë me 5 kushte që përmenden në Konkluzionet e Këshillit të BE-së, plus 5 prioritete X 2 kërkesa secila = 15 kushte. Të shkruara troç dhe “shqip”, të prekshme dhe të matshme. Vetëm plotësimi i tyre, sidomos i atyre më urgjente dhe përcaktuese, kërkon vullnet dhe konsensus të plotë politik dhe institucional brenda vendit. Sepse, le ta përsërisim, në BE nuk do të hyjë vetëm qeveria, diplomacia dhe ekonomia por gjithë Shqipëria, pra dhe pakica, opozita, media, shoqëria civile etj. Vërtet që jo çdo gjë varet dhe bëhet nga qeveria, por si pjesë e mazhorancës, ajo ka tagrin dhe përgjegjësinë kryesore që, veç të tjerash, të krijojë terrenin, mjedisin, klimën dhe atmosferën e duhur, si premisë vendimtare për plotësimin e kushteve në fjalë.

Kësisoj, ndryshe nga një vit më parë, raportimi dhe gjykimi mbi plotësimin e kushteve nuk është më as subjektiv dhe as i varur nga ‘humori’, dinamika dhe ndjeshmëritë politike të segmenteve të caktuara në ndonjë vendi anëtar; përkundrazi, vlerësimi për plotësimin e këtyre kushteve tanimë jepet dhe thjesht me një ‘Po’ ose ‘Jo’. Ja, ku jemi me krijimin e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese? Sipas premtimeve tona duhej të kishin filluar qysh vjet ose të paktën këtë vjeshtë. Mirëpo, pa GJK nuk plotësojmë dot as kushtin tjetër, lidhur me vlerësimin prej saj të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019! Po Kodi Zgjedhor, kur do të jetë gati? Me të drejtë Presidenti i Republikës ka dhënë alarmin për zvarritjet në këtë proces, duke shprehur gatishmërinë që bashkë me Kryetarin e Kuvendit dhe institucionet e tjera të larta t’i vënë në rrugën e zgjidhjes brenda vitit, edhe pse jemi shumë vonë. Edhe ambasadorja amerikane dhe ai i BE-së i kanë inkurajuar këto përpjekje; por kërkohet edhe mbështetja e hapur e shumicës, që duket se vazhdon me parimin “business as usual”! Po kushti tjetër, mbi hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të diskualifikuar nga vetingu, ‘Po’ apo ‘Jo’? Po me funksionarët e lartë të përfshirë në vjedhjen e votave? Nuk po hyjmë te lufta kundër korrupsionit, kur “Transparency International” këtë vit na ka zbritur 7 shkallë, ndërsa kryesisht për shkak të tij, në raportin “ Doing Business 2020” Banka Botërore na ka ulur 19 vende më poshtë! Dhe shifrat e azilit të paligjshëm mbeten alarmante dhe të zymta për të ardhmen.

Mirëpo, kjo është vetëm gjysma e së keqes. Sepse, në vend që të bënim përpara me plotësimin e kushteve të tjera, po ecim mbrapsht. Duke i ndërlikuar ato me akte dhe veprime negative që mund e duhej të shmangeshin ose liheshin për më vonë. Sepse prioriteti tani për këdo është çelja e negociatave dhe asnjë axhendë tjetër! Kështu, ndonëse BE-ja, SHBA-të, OSBE-ja, e të tjerë përshëndetën miratimin konsensual të Reformës zgjedhore më 5 qershor, më 30 korrik, megjithë kundërshtimet brenda dhe jashtë vendit, mazhoranca nxori nga mëngët “asin” zgjedhor të radhës; ndryshimet e njëanshme kushtetuese që praktikisht e zhvleftësojnë 5 qershorin, duke krijuar një hendek të ri të madh me opozitën e duke kompromentuar plotësimin e një kushti tjetër thelbësor. Më tej, opinioni i Komisionit të Venecias, me objeksionet e tij të pranuara në vend dhe nga BE-ja lidhur me projektligjin mbi median, ishte një lehtësim i madh për plotësimin e këtij kushti po aq urgjent dhe jetik. Mirëpo, çuditërisht, në vend që të paktën ta shtynte për më vonë pas konsultimeve të rastit, qeveria e rifuti sërish në Kuvend shqyrtimin e tij, duke krijuar pengesë tjetër serioze që ka hasur në kundërshtimin ndërkombëtar, përfshirë dhe OSBE-në që e kryesojmë! Po ashtu dhe futja e ligjit për Presidentin tani që shumica dështoi ta shkarkonte duke humbur në Venecia dhe dy “beteja” të tjera ligjore e ngarkon dhe më tepër situatën, me ndezjen e “zjarreve” të reja, në vend që të shuhen flakët ekzistuese konfliktuale.

E pra, në këto kushte, të flasësh për “dinamika të brendshme” të BE-së do të thotë se je “ala te ura”. Sidomos tani që mezi po pritet vetëm thirrja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE-në brenda këtij viti, e cila do të shënojë dhe çeljen faktike të negociatave; mirëpo deri atëherë na takon neve, dhe vetëm neve, që po, me dinamikat tona të brendshme bindëse të themi pa pritur 15 tetorin “Urdhëro, Europë e dashur, ja ku janë aq kushte të plotësuara, aq në zbatim e sipër, dhe të tjerat me premtime konkrete muajt e ardhshëm. Na falni mungesat dhe vonesat, sepse gjatë këtij viti, veç të tjerash, patëm tërmetin dhe koronën”.

Koha nuk pret më! Nëse nuk ecim dot të paktën me pesë kushtet e para, ka shumë të ngjarë që në vend të na ‘dhurojë’ negociatat për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, BE-ja mund të na kthejë në provim në vjeshtë 2021! Mbasi të kalojmë testin e fortë të zgjedhjeve parlamentare më 25 prill, të cilave, siç po duken bathët, nuk dihet si do t’u ‘shkojë filli’.

Gjithsesi, nga përvoja e gjatë me këtë dosje si diplomat dhe me 10 vjet në Bruksel, mund të pohoj se ka tri shanse të mira që megjithë mosplotësimin e të gjitha kushteve, BE-ja mund të tregohet tolerante dhe të na japë datën qysh këtë vit. Jo se ‘do të bëjë një sy qorr dhe një vesh shurdh’, kurrsesi, por si vlerësim për përpjekjet e pamohueshme nga institucione të ndryshme të përfshira në këtë proces. Veçohet Kuvendi, i cili vazhdon të bëjë një punë të lavdërueshme lidhur me përafrimin e legjislacionit në të gjitha fushat; po ashtu me diplomacinë parlamentare, takime, vizita etj. Arritje e madhe është krijimi i SPAK; edhe pse ende me ngadalësi, po vazhdon procesi i vetingut. Pas mirëkuptimit të gjetur gjatë takimit Rama – Mitsotakis në Athinë më 15 shtator, të paktën hë për hë jemi në rregull me 2 kushte të tjera të propozuara nga Athina etj. Shansi tjetër është që, duke i çelur negociatat me Maqedoninë e Veriut të mos na ndajnë si çift, mbasi do të ishte poshtëruese për ne, aq më tepër që këtë vit kryesojmë dhe OSBE-së! Dhe së treti, për shkak të aspektit gjeopolitik, rreziqet e jashtme e për të dhënë një lajm të mirë. Por, që të ndodhë kjo, kërkohet mobilizim shumë më i madh nga të gjitha palët, e sidomos shumica parlamentare. Ca më tepër që me Metodologjinë e re të Zgjerimit, BE-ja ka në dorë “edhe gurin, edhe arrën”. Pra, ajo mund t’i ndërpresë e bllokojë negociatat në çdo moment, qoftë dhe sikur një vend anëtar ta kërkojë një gjë të tillë.

Së fundi, këto shqetësime urgjente nuk mund të zgjidhen kurrsesi me lobim. Madje, në këto kushte, lobimi mund të kthehet në bumerang politik dhe të na marrë shumicën dërrmuese të kohës dhe energjive. Sepse, në vend që të jemi në sulm duke treguar kushtet e plotësuara e në proces, do të jemi të detyruar t’u përgjigjemi me durim pyetjeve të shumta të bezdisshme ‘pse dhe si kjo e si ajo’, ‘po kjo’ e kështu me radhë! Sepse, le ta theksojmë, të keqen e kemi nga brenda, ndaj atë do ta lehtësojmë dhe kurojmë brenda nesh, me punë, përpjekje dhe rezultate në plotësimin e kushteve të njohura që nuk ka Zot t’i mbulojë! Se është si të mbulosh “diellin me shoshë”.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.