AKTUALITET

Klodian Muço: Rrënimi ekonomik nga pandemia, 80 mijë vetë ngelën të papunë

11:00 - 22.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Pandemia COVID-19 përveç se u ka marrë jetën 965000 personave dhe ka prekur mbi 31.3 milionë persona në botë ka pasur edhe një shok të dhunshëm për ekonominë, jo vetëm për atë shqiptare, por  për të gjithë ekonominë botërore në kompleks. Vendet e ndryshme fillimisht morën një sërë masash duke pasur si prioritet primar jetën e qytetarëve, duke karantinuar ekonomitë e tyre, por që ky karantim që kish si qëllim primar jetët e njerëzve pati efekte fatale për ekonominë e vendeve në fjalë.  E përkthyer në shifra, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në vendet e Bashkimit Europian ra me afërsisht 14% për tremujorin e dytë. Rënia më e madhe kjo e 30 viteve të fundit. Ndërsa rënia në nivel vjetor do të jetë 8.3% për Bashkimin europian ndërsa në nivel global rënia pritet të jetë me -4,9%. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, eksperti i ekonomisë Klodian Muço bën një analizë të detajuar të situatës ekonomike në vend.




Si paraqitet situata ekonomike në Shqipëri 6 muaj pas pandemisë COVID?

Për sa i përket Shqipërisë nuk kemi akoma të dhënat për PBB-në e tremujorit të dytë por megjithatë sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave rënia ekonomike për 2020 pritet të jetë 4.8% ndërsa sipas EBRD-së rënia ekonomike e vendit mund të kalojë 9%. Banka Botërore, parashikon të kemi një rënie ekonomike me mbi 7%.

Po për sa i përket indikatorëve makroekonomikë?

Mund ta nisim me konsumin, apo le të themi me gjendjen ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Të dhënat e tremujorit të dytë për 2020 të publikuara nga INSTAT tregojnë se kemi një rënie të indeksit të shitjeve neto në volum me 5,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pra, ka rënë konsumi që është edhe një ndër komponentët kryesorë të PBB-së. Përgjatë periudhës të karantinës shqiptarët e limituan konsumin në të mira ushqimore dhe higjenizantë e reduktuan ndjeshëm të mirat e tjera jo ushqimore. Por edhe mbas karantinës duket se situata nuk ka ndryshuar shumë. Tregtia me pakicë  ra me 8.3% krahasuar kjo me të njëjtën periudhë  të vitit 2019. Ky tregues ka pësuar rënie edhe në raport me tremujorin paraardhës me 6%. Kjo tregon më së miri se shqiptarët kanë më pak lekë në dispozicion e si konsekuencë kanë shpenzuar më pak dhe/ose kanë frikë të shpenzojnë. Për sa i përket tregtisë më pakicë, ka një rënie prej 8.7% të konsumit të artikujve jo-ushqimorë në raport me tremujorin e dytë të 2019, grupi “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara ka pasur një rënie me 18.3% në raport me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.  

Cilët janë sektorët ekonomikë më të prekur?

Në përgjithësi mund të themi se shërbimet janë më të goditurat nga kriza e shënuar nga pandemia COVID-19. Më konkretisht, ndër më të prekurit nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia është sektori i turizmit patëm një rënie me gati 90% të turistëve të huaj në raport me një vit më parë, po ashtu patëm një rënie të turistëve shqiptarë që jetojnë në Kosovë apo Maqedoni të Veriut me mbi 70%. Në hotele, indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie me 63,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i të punësuarve në këtë sektor ra me 20,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Ndërsa indeksi i fondit të pagave në këtë sektor shënoi rënie 24,3 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2019. Për sa i përket treguesve në aktivitetin Transport, Magazinim dhe Postë:  Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 40,0 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2019. Indeksi i numrit të të punësuarve  po ashtu edhe në këtë sektor shënoi rënie me 0,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Ndërsa  indeksi i fondit të pagave shënoi rënie 8,5 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2019. Industria po ashtu është prekur rendë ku shitjet neto në volum në këtë sektor pësuar rënie me 20.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.  Indeksi i prodhimit në volum shënoi rënie 22,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa punësimi ra me 12,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.  Indeksi i fondit të pagave shënoi rënie 14,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Energjetika po ashtu pësoi rënie, indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 18,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ndërsa indeksi i prodhimit në këtë sektor në volum shënoi rënie 24,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Po me importet dhe eksportet çfarë ndodhi?

Eksportet në gusht 2020 patën një rënie me 3.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 21,1 %, në krahasim me  muajin korrik 2020.

Importet e mallrave u ulën me 7,0 %, në krahasim me një vit më parë dhe 15,3 %, në krahasim me korrik 2020.  Por që kjo ka çuar në një përmirësim të deficitit tregtar duke e ulur atë me 9,2 %, krahasuar me Gusht 2019 dhe 10,9 %, në krahasim me Korrik 2020. Megjithatë këtu duhet thënë po ashtu një lajm pozitiv se në muajin Gusht 2020, kemi pasur edhe një rritje të eksporte me me 5.3% të grupit “Tekstile dhe këpucë” dhe një rritje me 3.5% të grupit “Ushqime, pije, duhan”. Kjo është një shenjë e mirë për ekonominë shqiptare pasi nisur nga fakti që në periudhën prill-maj 2020 u hoqën mbi 23000 veta nga puna nga sektori i fasonerisë të dhënat e gushtit na tregojnë se ky sektor ka filluar të rimëkëmbet.

Para se të flasim për punësimin që ju e cituat pak më lart doja të pyesja nëse ka pasur ndonjë sektor që ka performuar pozitivisht përgjatë pandemisë?

Po ka një, është ndërtimi i cili mund të konsiderohet si i vetmi sektor që e shfrytëzoi edhe karantinën dhe ka pasur një rritje me 2% në raport me tremujorin e dytë të viti të kaluar dhe një rritje me 7.9% në tremujorin e dytë në raport me tremujorin e parë.

Çfarë ka ndodhur me punësimin dhe çfarë pritet për muajt në vijim të ndodhi me punësimin?

Përgjatë periudhës mars-qershor rreth 87000 veta u pezulluan nga puna dhe/ose humbën vendi e punës. Aktualisht janë rreth 57000 veta që kanë ikur nga sistemi pra konsiderohen të pa punë. Në tremujorin e dytë të 2020, indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rënie me 2,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa indeksi i fondit të pagave shënoi rënie 1,5 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2019. Por këto janë vetëm të dhënat për punësimin normal janë po ashtu edhe me mijëra të tjerë që kanë pasur punuar në të zeze dhe nuk kanë qenë të regjistruar si të punësuar. Prandaj nëse do të marrim në konsideratë edhe punësimin informal duhet që të rritim shifrat me rreth 40% pra janë edhe 23000-25000 të tjerë që kanë humbur vendet e punës duke e çuar numrin total të atyre që kanë humbur vendin e punës në 80000 vetë e me shumë gjasa deri në dhjetor mund të shkojë deri në 100 000 vetë.

Çfarë do të thotë për financat publike gjithë këta të papunë apo rënia e konsumit dhe e tregtisë me pakicë që përmendët pak më parë?

Do të thotë më tepër varfëri, më pak të ardhura në buxhet të cilat në muajt e parë të vitit kanë rënë me 11.5% të ndikuara kryesisht nga TVSH (pra nga rënia e konsumit) kemi një rënie të tatim fitimit, pra bizneset performojnë më keq e që mund të çojë në mbylljen e qindra prej tyre. Në krahun tjetër kemi një rritje të shpenzimeve financiare me 4.3% për të financuar rindërtimin. Kemi një rritje te deficitit buxhetor në tetëmujorin e parë me 420 milionë euro. Kemi po ashtu një përkeqësim të skemës së pensioneve. Të  ardhurat nga sigurimet shoqërore gjatë periudhës 8 mujore kishin një rënie me 2 për qind në raport me një vit më parë. Nga ana tjetër shpenzimet u rritën me 0.6 për qind në raport me vitin 2019, për rrjedhojë deficiti i skemës së sigurimeve u thellua me rreth 6%. Kemi po ashtu një rritje të borxhit publik me gati 10% duke kapur nivelin e 80% në raport me PB-në.

A pritet të ndryshojë situata për muajt në vijim

Përtej aspekteve që diskutuam kemi dhe një rënie të ndjeshme të Investimeve të huaja që janë vitale për ekonominë shqiptare si për hapjen e vendeve të punës si për transferimin teknologjik. Kemi një rënie të remitancave që ndikojnë në konsum dhe në reduktimin e varfërisë. Kemi një përkeqësim të nivelit të mësimnxënies pasi janë rreth 533 mijë nxënës që do të ndjekin shkollën me turne dhe me orare të cunguar për vitin akademik 2020-2021 që sapo filloi. Ku nga  kjo situatë më të prekurit ngelen  atë të arsimit 9 vjeçar fillor (162.170 nxënës). Ku një pjesë jo e vogël e tyre mund të abandonojnë përfundimisht shkollën për arsye të të ardhurave (prindërit e tyre kanë humbur vendin e punës) apo për arsye të pamundësisë së prindërve për ti shoqëruar ata në shkollë në orare jo të përshtatshme. Duke krijuar kështu një reduktim të ndjeshëm të mësimnxënies e jo pak vështirësi në integrimin në tregun e punës së tyre në të ardhmen. Pra ideja është se për muajt në vijim nuk pritet ndonjë përmirësim i rëndësishëm.

A ka një zgjidhje

Zgjidhja është e vështirë dhe mund të shërbejë vetëm për limitimin e dëmeve. Megjithatë mund të sugjerohet ndihma monetare për të gjithë bizneset që janë prekur nga pandemia. Më tepër asistencë për të gjithë ata që kanë humbur vendet e punës si dhe pezullimi i investimeve strategjike në infrastrukturë dhe orientimi i fondeve drejt sektorëve që gjenerojnë punësim.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.