Kulturë

“Udhëtim mes yjesh” – Modeli i përkorë i artistit midis kohërave

08:00 - 22.09.20 Gazeta Shqiptare

BEHAR METOHU – Libri autobiografik “Udhëtim mes yjesh” i Dhimitër Gjokës është një rrëfim i sinqertë, i rrjedhshëm dhe dinamik në stil, që përfaqëson njeriun-artist i cili jetoi në dy kohëra dhe sot është po aq aktiv në fushën e artit dhe gazetarisë, ku spikat qenia fizike në ekranet televizive shqiptare si komunikues mjeshtëror me publikun. Ai është një figurë emblematike e historisë së ekranit shqiptar, por edhe atij aktual.



Jeta e pasur aktive, në radio fillimisht dhe televizion deri edhe sot, dhe gjithë rrugëtimi i tij është një model i përkorë artisti, dhe padyshim për shumëkënd një pikë referimi, por edhe frymëzimi, sidomos për të rinjtë që duan të kenë sukses.
Që në faqet e para të librit mësojmë se teknologjia më sensitive e viteve ‘60, radio ishte për Dhimitrin një magji. Jo çdokush do ta shihte atë në këtë mënyrë. Ajo i ndezi dëshirën, i nxiti një shtysë, një prirje krejtësisht natyrale. Fjala, komunikimi dhe imazhet që përfytyroheshin nga emisionet e radios vetëm sa i lindën dëshirën për t’i qëndruar pranë, për ta eksploruar duke projektuar një ëndërr. Por jeta ka larminë e saj; shkolla që hapi dritaret e njohurive, aktivitetet e para artistike, lidhja me letërsinë, investimi i parë, botimi në revistat e fëmijëve, edukimi familjar, si dhe natyra e bukur pranë detit të kaltër në Himarë ishte universi i parë që krijoi premisën dhe ngjizi ëndrrat e një djaloshi.

– Më kënaqe, bir! T’u shtofshin botimet! – thotë Koço Gjoka, i ati i Dhimitrit për botimin e parë të një poezie kushtuar dallëndyshes. Ishte vetëm 7 vjeç.

Padyshim duhet të ketë një fillim, dhe rruga për realizimin e ëndrrave ka etapat e saj, dhe shpesh ndodh edhe zhgënjimi apo tërheqja. Por në rastin e Dhimitër Gjokës, ashtu siç lindi natyrshëm dhe u zhvillua, karriera artistike pati vetëm ngritje, evoluim dhe kulminacione, duke hyrë në botën e artit, spektaklit dhe gazetarisë televizive, vrullshëm, impenjativ dhe garantues.

 

Libri autobiografik është një përshkrim i plotë i jetës së një artisti, ku autopërshkrimi i portretit është në qendër. Skenat e autopsikologjisë në momentet vendimtare janë shoqëruar me detaje të shumta të rrethanave ku jetoi artisti. Ai tregohet vëzhgues, eksigjent jo vetëm i botës së tij shpirtërore në kthesat dhe çastet e vështira, por ato janë përshkruar me hollësi, duke përmendur shumë personazhe të njohura të artit dhe gazetarisë shqiptare. Vizatimi i kësaj rruge është mjaft skrupuloz. Sinqeriteti dhe saktësia e rrethanave të përshkruara në të cilat ka jetuar autori është gërshetuar me analizën e hollë psikologjike. Dhe duket sikur ke jetuar me të dhe e njeh mirë çdo hap apo dëshirë, sakrificë apo përpjekje (kujtojmë skenat ku ai bashkëbisedon me detin dhe kërkon të shfrejë, të ulërijë, kur mëson përmendësh mijëra vargje nga poezia e letërsisë shqiptare dhe ajo botërore. Kur lumturohet dhe kërcen nga gëzimi se e futën si spiker në moshën 20-vjeçare në Radio Tirana, etje për të kaluar në etapat e tjera të pjekurisë dhe shpërthimit artistik në mjaft evente artistike të rëndësishme të kohës. Kjo dukuri e të përshkruarit, jo vetëm e bën mjaft interesant jetëshkrimin e tij, por shërben edhe si një model për t’u admiruar për të gjithë ata të rinj që duan të arrijnë suksesin. Sot, pas gati një veprimtarie 50-vjeçare, figura e Dhimitër Gjokës vazhdon të jetë e dashur dhe e admiruar për publikun shqiptar. I kthyer në një ikonë të gazetarisë televizive, përbën një model të përkorë që kohërat e ruajtën dhe e vlerësuan. Ai që kur i hyri kësaj rruge nuk pati mbështetjen e miqve dhe përkrahjen e pushtetarëve; ai pati për mburojë që i shërbeu si koracë mbrojtëse talentin dhe punën e përkushtuar e të plotvullnetshme.

Jeta e një artisti të jashtëndikuar nga politika të bën përshtypje edhe në radhët e këtij libri mjaft tërheqës. Ai kontribuoi në periudhën e fundit të socializmit dhe vazhdon edhe sot pas një trazicioni të madh e të vështirë, por qëndrimi politik i tij është pothuajse inekzistent, pasi ai është profesionist dhe artistët e mirënjohur kanë ligjet e tyre të zhvillimit. Ai u orientua gjatë gjithë jetës te zbulimi dhe administrimi, dhe përsosja e teknikave të komunikimit në gazetarinë televizive, spektaklin, regjisurën e shfaqjeve teatrale, koncerteve madhështore se sa te përdorimi i aftësive të talentit në shërbim të politikës së kohës. E pyetën Kadarenë pas viteve ‘90 se, çfarë po ndodh me letërsinë që ai do të realizojë në vitet e demokracisë, a do të ndryshojë edhe ai me mënyrën e të shkruarit? Ishte një pyetje që vinte nga mosnjohja në thellësi e ligjësisë së artit dhe gazetarisë në përgjithësi. Dhe përgjigjja e Kadaresë ishte: “Asgjë nuk ka ndryshuar, ajo vazhdon njësoj sipas ligjësisë së artit të të shkruarit.”

Kështu mund të themi edhe për ecurinë e rastit të modelit “Gjoka”. Ai vazhdon të ndjekë ligjësinë e zhvillimit të artit të të rrëfyerit dhe të komunikuarit me publikun e jashtë ndikimit të politikës së ditës. Ai dhe shumë figura të shquara respektuan dhe vazhduan të dashurojnë mbi gjithçka profesionin e tyre. Artisti bëhet dhe mbijeton në radhë të parë nga vullneti i punës së përditshme, por në çdo rrethanë ai është një produkt i kohës në të cilën jeton. Periudha e veprimtarisë së Dhimitër Gjokës është periudha e kohëve kontrastuese që burojnë nga ndryshimet e sistemeve shoqërore, ku talenti dhe vetitë e njerëzve publikë që merituan duartrokitjet dhe admirimin, mbijetuan dhe u ngritën në lartësinë mbi këto sisteme dhe arti i vërtetë mbeti në kujtesën e mbarë popullit.

Bir i valëve të detit të kaltër, ku aroma dhe dallgët u përplasën në qenien e tij që në njomështinë e fëmijërisë, krijuan dhe mbartën në karakterin e njeriut me botë shpirtërore të ndjeshme, komunikative, me përdorimin e shqipes së kulluar si kthjelltësia e ujërave të Jonit dhe pastërtisë së ajrit të bregut të jugut të Shqipërisë.

“Udhëtim mes yjesh” është historia e individit-artist që flokët e thinjur i qëndrojnë si një kurorë e bukur dhe e respektueshme për ç’ka dhënë e jep për popullin e tij.

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.