KULTURË

Barsoleta për Enverin, si përgjigje për “disa diktatura që nuk të bëjnë të qeshësh”

14:38 - 23.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Stefan Çapaliku: Humori politik ose një polemikë me antropologen australiane Shannon Woodcock




Stefan Çapaliku ka botuar së fundmi një antologji për jetën e një për vdekjen.

Dy doracakët elegantë hedhin dritë mbi shumëçka, mes humorit fin dhe ironisë së thekur që kanë herë-herë një kufi të padukshëm. Po përzgjedhim dy pjesë prej tyre, që janë si ftesë drejt së tërës, dy antologjive që vijnë si dy libërtha për të treguar dy anë të ndryshme të qenies.(f.n.)

Nga Stefan Çapaliku

Varrezat e Rrmajit si dëshmi e gjallë e qytetërimit perëndimor!

Askush si katolikët e Shkodrës ndër shqiptarë dhe askund tjetër nëpër Shqipëri, nuk ka ndërtuar një stacion më të bukur se varrezat e Rrmajit apo Ermajit. Sipas njoftimeve të tërthorta që marrim nga Dom Nikë Ukgjini, në një relacion venedikas, thuhet se në vitin 1610 meshtarët kanë kërkuar leje nga veziri i Shkodrës që të celebrojnë meshë në periferi të qytetit në fshatin Rrmaj, mbasi brenda qytetit kjo gjë ishte e ndaluar rreptësisht. Ndërkaq, në relacionin e Imzot Pal Kamsit, ky fshat në vitin 1745, figuron si pjesë e famullisë së Tophanës dhe kishte 16 shtëpi me 96 katolikë.

Që në fshatin Rrmaj ka pasur një jetë aktive fetare, dëshmon dhe fakti se nga ky vend, sipas po të njëjtit relacion, ka dalë edhe Dom Nikollë Kamsi. Mandej, kemi dëshmi të drejtpërdrejtë se në vitin 1777, në varrezat e fshatit Rrmaj është celebruar mesha nga klerikët e Shkodrës dhe po këtu, popullata me vendim të ipeshkvit ka arritur të marrë ndjesën e plotë për mëkatet e veta.

Nëse do nisemi nga mbishkrimet e disa epitafeve që janë skalitur nëpër pllakat e varreve të ndryshme që ndodhen në atë varrezë, nga ato që mund të lexohen në gjuhën latine, italiane, e shqipe para alfabetit të Manastirit (1908), rezulton se disa prej varreve janë të gjysmës së

parë të shek. XVIII. Ndërsa, nga dokumentet e shkruara, rezulton se ipeshkvi i parë i varrosur këtu është, Imzot Anton Dodmasej, ipeshkëv i Pultit në vitin 1816, mandej Imzot Françesko Borci, ipeshkëv i Shkodrës në vitin 1823 e me radhë.

Një person që është marrë me shumë seriozitet dhe dashuri edhe me këtë argument, mësuesi, shkrimtari dhe muzeologu Gjush Sheldija kujton në librin e tij: “Sikurse dihet deri në fillim të shekullit XX, Kiri derdhej në lumen Bunë ndërmjet Kirasit prej kah merr edhe emrin vetë lagja; tokat që merr prej Golemit, Mes Meselim zgjateshin deri në qytet; tokat e pjesës verilindore të qytetit ishin vreshta e ullishta prej Rrmajve, buzë kodrës së Kirit deri ku janë sot varrezat katolike. Kah viti 1880 disa bejlerë vendas me influencë kërkuen nga sundimtari leje me sjellë ujët e Kirit në qytet për me ndërtu disa mullinj në qytet, leje të cilën valia ia dha. Filluen punimet e Stomit të Golemit ku u çel Vija e Amanëvet nga e cila shpërndahej ujët në disa drejtime. Punimet për çelje të vijës nuk u banë me kritere dhe teknikë dhe kështu, sapo nisën shinat e vjeshtës Kiri u fry shumë dhe, në vend të drejtimit të maparshëm, uji vërsheu në drejtim të Rrmajve dhe erdhi e ndeshi te çinari i Zef Zorbës me aq furi, sa çeli një gropë të madhe fort duke nxjerrë prej varresh deri arkat e të vdekunvet të cilët i barti e i çoi deri në Perash. Tokat, ku kalonte Kiri, i qiti faret. Qyteti mbeti për disa ditë nën ujë dhe dëmet qenë të panumërueshme. Mustafë Asim Pasha u mundu disi t’i kanalizonte, por për çdo vërshim, Shkodra ishte nën kërcënimin e Kirit. Tjetra vijë kalonte para Spitalit Ushtarak dhe, mbasi vinte në lëvizje mullinin e Rusit, dilte në fushën e Shkjave, ku ishte mullini, dhe kalonte para Sahatit t’Inglizit, dredhonte mbas dugajës së Rrojit, vinte në lëvizje mullinin e tyre, kalonte përgjatë Parrucës dhe binte në Serdarej ku ishte mullini dhe kalonte nën urën e Françeskos, prej se Françesk Tagliapjetra e kishte punu mbasi ishte mjeshtër në daltimin e gurit… Dhjetë vjet mbas kryemjes dhe bekimit të Katedrales nga Arqipeshkëvi Metropolit Imzot Karlo Pooten, një ngjarje e kobshme ndodhi brenda saj; një malësor nga Pulti, një ditë të dielle mëngjes, ndërsa ishte duke pa meshë, vegon gjaksin e tij kah po kungohej te lteri i të Shejtnueshmes Trini, i del para te parmakët e lterit të madh dhe shtie dhe e vret, duke e përcjellë këtë gjest tragjik me fjalët: “Vend ma të mirë e vakt ma të mirë se për ty me marrë gjakun tem nuk ka !” Populli lëshohet me e mbytë, por zbrapsen kur u thotë se kishte marrë gjakun. Nuk dihet mandej se si përfundoi puna e tij, fakti është se kisha u mbyll për tri vjet e u riçel mbasi erdhi leja prej Selisë Shejtë për një bekim të dytë; për këtë arsye shihen kryqat përjashta mureve të kishës.

Mjerisht nuk ka mundë m´u gjetë emni i vrasësit si dhe ai i të vramit. Atë Marin Sirdani tregon se deri vonë shihej ndër varreza të Rrmajit, përmbi varr të të vramit, një kryq i gdhendun në dru ku paraqitej skena e hatashme”.

Duke parë rëndësinë historike dhe arkitekturore që kanë këto varreza, Arqipeshkvi Gaspër Thaçi, në vitin 1936, ndërmori aksionin e zgjerimit, meremetimit e risistemimit të varrezave si dhe të rindërtimit të një kapele të re. Kjo Kishë-kapelë e cila ka formën e një akropoli u ndërtua mbi projektin e inxhinier Ludovik Zojzit. Finalizimi i kësaj pune u inaugurua në vitin 1937 nga vetë Kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gapser Thaçi.

Në këto varreza prehen familjet e: Muzhanëve, Shirokajve, Sumajve, Marubëve, Jubanëve, Jakovëve etj. Po kështu këtu prehen edhe persona të shquar që bënë emër në fusha të ndryshme të zhvillimit kombëtar, si artistët Kol Idromeno dhe Simon Rrota, inxhinierët: Gjovalin Gjadri, Augustin Briot (projektues i urës së Bunës dhe prefekturës së qytetit të Shkodrës), Ludovik Zojzi, fotografi dhe arkitekti Pjetër Marubi, muzikantët: Prenkë Jakova, Pjetër Gaci, Leonard Deda; shkrimtarët: Hilë Mosi, Kolë Mirdita, Frederik Rrepshja, Kolë Ashta; mjeku Dr. Frederik Shiroka e shumë figura të tjera. Në këto varreza prehen gjithashtu eshtrat e klerikëve, që dhanë një ndihmesë të jashtëzakonshme në kulturën shqiptare: At Jak Jungu, At Anton Xanoni, At Pashko Bardhi, Dom Ndoc Nikaj, Dom Ndre Zadeja etj. Po këto varreza mbajnë gjallë edhe misterin e eshtrave të Dom Ndre Mjedës, Atë Gjergj Fishtës, dhe mjaft klerikëve të tjerë të lartë. Ndërkaq, edhe eshtrat e klerikëve të tjerë që dhanë kontribut të paçmuar në pavarësinë e Shqipërisë, si: Imzot Karlo Pooten, Imzot Pashk Guerrini, Imzot Lazer Mjeda, dhe më vonë Imzot Gasper Thaçi; supozohet të jenë diku aty për sa kohë që në vitin 1967 u tërhoqën nga katedralja e Shkodrës për në varrezat e Rrmajt.

Varrezat e Rrmajt, janë fatkeqësisht të njohura edhe për breshëritë e lëshuara mbi dhjetëra klerikë katolikë të ekzekutuar gjatë diktaturës komuniste dhe veçanërisht në vitet 1945-1948. Ata u pushkatuan te muri i jashtëm i varrezave, buzë lumit Kir, pranë Çinarit të Zef Zorbës. Ndër ta numërojmë: Ndre Zadeja, Lazer Shantoja, Çiprijan Nika, Giovani Fausti, Daniel Dajani etj.. Mbas viteve ‘90, dhe saktësisht mbas datës 4 nëntor 1990, kur dhe u celebrua mesha e parë, mbas 23 vitesh ndalimi të fesë në Shqipëri, varrezat u kthyen edhe njëherë në funksionin e vet publik. Në këtë kontekst, fatkeqësisht liria u dha të drejtën disa njerëzve të ndërhyjnë dhunshëm në skemën dhe strukturën e tyre. Në kushte të mungesës së shtetit dhe të një kishe të brishtë dhe latente, u duk sikur rruga për pasaportizim në qytetin e Shkodrës, kalonte nga varret tona.

HUMORI POLITIK OSE NJË POLEMIKË ME ANTROPOLOGEN

AUSTRALIANE SHANNON WOODCOCK

Ka qenë me të vërtetë tronditëse për mua kur mësova se një antropologe mjaft aktive e kohëve tona, Shannon Woodcock shkruan se: “The absence of Albanian jokes about socialism, or Why some dictatorships are not funny”. Shannon Woodcock është specialiste në diskursin dhe dhunën raciste, veçanërisht për historitë e rasteve anti-rome në Rumani; për romët rumunë që i rezistuan holokaustit; për ligjërimet post-socialiste të seksualitetit. Gjithashtu ajo ka kontribuar në analizën e identiteteve në Evropën Lindore dhe në historinë e jetës së përditshme në Shqipëri nën regjimin e Enver Hoxhës (1945-1985). Aktualisht jeton në Australi.

Duke reflektuar rreth këtij konkluzioni të saj, mendoj se antropologia australiane Shannon Woodcock të mos ketë thënë diçka më humoristike në jetën e saj sesa frazën: “Mungesa e talljes me socializmin shqiptar ose pse disa diktatura nuk të bëjnë të qeshësh”. Në krye të studimit të saj zonja e nderuar shkruan: “Gjatë dy viteve që kam jetuar dhe punuar në Shqipëri, nga viti 2003 deri në 2005, shqiptarët më treguan barsoleta që përshkruanin stereotipat rajonalë, dallimet midis katundarëve dhe qytetarëve dhe problematikat e bashkëjetesës midis myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve. Por ajo që nuk dëgjova në Shqipëri ishin barsoletat për socializmin apo periudhën socialiste. Kam dëgjuar plot barsoleta për politikanët bashkëkohorë, por jo për Enver Hoxhën, diktatorin e afër 40 vjetëve, apo regjimin e tij të izolacionizmit, mungesën kronike të ushqimit dhe punën e rëndë. Në respekt të seriozitetit të saj, dhe impenjimit aq serioz, për t’u marrë me Shqipërinë diktatoriale, mund t’i them se: ose bashkëpunëtorët e saj shqiptarë, prej të cilëve ka pretenduar të grumbullojë informacion, kanë qëlluar tyça dhe komunistë të betuar, ose mundësia e penetrimit të saj në kodet dhe kontekstet e rrëfimeve gazmore ka qenë e papërshtatshme. Sido që të jetë puna, mjafton që të përmendim, aq sa na e lejon ky doracak, se si punonjësi operativ i Sigurimit të Shtetit raporton në qershor të vitit 1987 se filan fisteku, punonjës i Uzinës Elektronike në Tiranë, i kishte treguar këtë barsoletë: “Kur vdiq Enver Hoxha, u vendos të ngriheshin buste për nder të tij. Një bust do të ngrihej në Korçë, një në Vlorë, një në Gjirokastër dhe një në Shkodër. Për këtë skulptorët filluan të merrnin mendimin e njerëzve. Kur pyetën korçarët, ata i thanë se ‘Enverin e duam të duket i pashëm dhe i ri’. Gjirokastritët e deshën të zgjuar, të fortë dhe të qeshur. Vlonjatët e donin trim dhe të ashpër. Kurse kur pyetën shkodranët, ata iu përgjigjën: “Bëjeni si të doni, veçse të gjallë jo”. Në një tjetër dokument kemi qëndrimin e strukturave të Partisë së Punës ndaj këtij fenomeni. Mjafton të citojmë këtu shkresën e Komitetit të Partisë së Punës së Rrethit Dibër, me një shkresë të datës 6.4.1973 drejtuar Komitetit Qendror të Partisë së Punës, me anë së cilës njoftonte se: “Ka kohë që qarkullojnë anekdota e barceleta, të cilat na duket se dëmtojnë formimin e opinionit të shëndoshë revolucionarë. Në pamjen e parë ata të japin përshtypjen se bëhen për humor, për të kritikuar të metat. Sukseset tona në të gjitha fushat e jetës janë të mëdha e të pakrahasushme”.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.