OPINION

Për kritizerët mjeranë të arsimit tonë

07:44 - 23.09.20 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prof. Asc. Dr. Pëllumb Karameta- Gjatë karrierës time 40-vjeçare në arsim, komentet, kritikat dhe kërkesat për përmirësimin e cilësisë së arritjeve të nxënësve, për formimin universitar dhe zhvillimin profesional në detyrë të mësuesve e deri te përsosja e procedurave të punësimit dhe shpërblimit në arsim, i kam çmuar si kontribute të vyera qytetare. Reflektime për aspekte të tilla i bëjnë nder kujtdo: qytetarit, prindit, studiuesit apo punonjësit arsimor. Sakaq, muajt e fundit, po shoh në disa media të shkruara, statuse të ndryshëm, apo emisione televizive të shtohen pretendimet, sharjet, etiketimet deri dhe fyerje banale nga më të ndryshmet, pa referencë në burime serioze apo pa sjellë prova të verifikueshme. Kontribute këto nga kritizerë të motivuar politikisht dhe injorantë, aspak dashamirëse ndaj shkollës, mësuesve dhe arsimit në tërësi.




Në vijim, për publikun e gjerë ofrohen konstatime domethënëse nga organizata ndërkombëtare dhe individë me integritet, për ndryshimin që po ndodh në arsimin shqiptar. Ato, njëherazi, mund të shërbejnë edhe si kujtesë për kritizerët e arsimit (ish deputetë, ndonjë akademik i lodhur, aspiruesit të staxhionuar për poste publike apo të tjerë të angazhuar në përbaltjen e peizazhit tonë arsimor).

Përmbledhurazi, u kujtoj të gjithë këtyre se ajo çka kemi arritur deri tani, ka dialektikën e saj dhe, për të kuptuar më thellë të sotmen, duhet krahasuar ajo me gjithë sa ofronin “rregullimet” e sistemit në periudhën 2000 – 2013. “Rregullime” këto që, në vend të gjësë së dëshiruar, i detyronin nxënësit dhe studentët t’i përshtateshin një kallëpi të vjetruar pedagogjik. Dhe nuk ishte vetëm shkollari që vuajti nga trysnia e këtij kallëpi; u përçudnua dokumentacioni kurrikular, formimi, punësimi dhe zhvillimi profesional i burimeve njerëzore, mjediset arsimore, kërkimi shkencor etj. Përçudnimi bëri që fëmijët dhe rinjtë të kërrusen për t’iu përshtatur këtij kallëpit, me sa mundën që ta bënin këtë gjë. Analiza e ekspertëve, në kuadrin e përgatitjes së Paketës së re kurrikulare bazuar në kompetenca (2014)  dhe të Strategjisë 2014- 2020, provoi se elementët e logjikës së keqfunksionimit të sistemit u kushtëzuan, kryesisht, jo vetëm nga logjika pedagogjike e shekullit të shkuar, por edhe nga qëllimet e mbrapshta politike të grupeve të caktuara. Këto bënë që në sistemin parauniversitar të përdoreshin tekste të shpërfytyruara me deri 11 alternativa për lëndën e një klase, produkt ky i politikës së mbrapshtë të altertekstit që shndërroi konkurrencën e lirë dhe të ndershme, nga një proces bashkëpunues ku gjithkush përfiton, në një praktikë klienteliste me fitimin e pamerituar si qëllim. Apo punësimin e 1984 mësues pa arsim përkatës dhe 2065 mësues jashtë profilit (rreth 15% e personalit pedagogjik në shërbim), për interesa politike të çastit, që ndikuan cilësinë e formimit të nxënësve, në mbarë vendin etj., etj. Ndërkaq, nëse ofrimi i këtyre fakteve dhe mënyra se si po i qasem realitetit tonë arsimor, mund të konsiderohen të motivuara nga shtresëzime politike, atëherë po u referohem dokumenteve të publikuara nga autoritete dhe organizma ndërkombëtare prestigjioze.

  1. 1. Raporti “Shqipëria – Analizë e Politikës Arsimore Çështje dhe Rekomandime”- UNESCO 2017.Shqipëria është e përqendruar në zhvillimin dhe drejtimin e politikave dhe praktikave të saj arsimore në përputhje me programet ndërkombëtare, në veçanti Standardet Arsimore të Bashkimit Evropian për 2020 dhe “Synimet për Zhvillimin e Qëndrueshëm – Arsimi 2030”.Shqipëria është cilësuar e suksesshme në sigurimin e barazisë gjinore në arsimin fillor, pasi Indeksi i Barazisë Gjinore (IBGJ) është 1.0. Elementet e barazisë janë qendrore për zhvillimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të çdo sistemi arsimor.” “Shqipëria po përmirëson gradualisht performancën e saj arsimore në PISA dhe kjo tregon përmirësim në rezultatet e të nxënit. Një fakt interesant për sa i përket PISA-s është që vajzat në Shqipëri vazhdimisht kanë një performancën më të mirë se djemtë në të gjitha disiplinat”.
  2. 2. Tre vite më vonë; ndryshe, në ditët tona. “Indeksi i Kapitalit Njerëzor 2020 i përditësuar” konstatoi: “Shqipëri renditet ndër 10 vendet e para me më shumë përmirësim në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë në botë. Numri i fëmijëve me zhvillim të vonshëm ka rënë ndejshëm, veçanërisht në Shqipëri, Azerbajxhan, Maqedoninë e Veriut dhe Turqi: Numri i fëmijëve me zhvillim të vonshëm për 100 fëmijë me aftësi të kufizuara, që mund të vijojnë gjatë gjithë jetës, ka rënë nga 23 në vitin 2010, në 11 në vitin 2020. Shqipëria ka bërë përmirësime të dukshme në cilësinë e arsimit gjatë dekadës së kaluar. Nëse në vitin 2010 mesatarja e pikëve të fituara nga nxënësit tanë në Testin PISA ishte 397, në vitin 2020 kjo shifër është 432 … Ekonomitë me përfitime më të mëdha përfshijnë Makaon, Shqipërinë, Federatën Ruse, Bregu i Fildishtë dhe Azerbajxhan. Një shumëllojshmëri faktorësh i ndikojnë këto përmirësime: të nxënit e përmirësuar, e matur kjo nga rezultatet më të larta të testimeve (Macao, Kinë, Shqipëri) …” [shih: file:///C:/Users/A.C.S/Downloads/152967%20(1).pdf].
  3. 3. Ja dhe deklarata e Znj. Maryam Salim – Drejtuese e Bankës botërore për Shqipërinë: “Këto përmirësime lidhen më përpjekjet për reforma intensive gjatë dekadës së fundit në Shqipëri, të cilat përfshijnë politikat e përmirësuara të rekrutimit dhe shpërblimit të mësuesve; kurrikula të zgjeruara e të përqendruara në kompetenca; aksesin e rritur në të gjitha nivelet e arsimit dhe një përqendrim më të fortë në arsimin gjithë përfshirës, duke synuar studentët më të pafavorizuar”.

E dimë të gjithë (përfshirë dhe ndonjë kritizer të palodhur) se arsimi është një nga kapacitetet kyçe me të cilin qytetarët tanë mund të ndryshojnë dhe gëzojnë jetët e tyre. Ky fakt nxit të thellojmë çdo ditë njohuritë rreth arsimit të së nesërmes. Kemi kuptuar, sakaq, që arsimi i reformuar nuk mund të jetë arsimi tradicional plus IPAD-et; as dhe një redaktim i qëllimshëm i arsimit tradicional. Ai, sigurisht, do të jetë një version tejet më i plotë, që respekton idenë sipas të cilës të bësh gjëra me dijen, është më e vështirë se thjesht “ta marrësh” atë. Kriteri kyç për vlerën e reformës që po zhvillohet në sektorin e arsimit, mbetet masa me të cilën fëmijët dhe të rinjtë aftësohen të përdorin në bashkëpunim njohuritë dhe përvojat në shkollë dhe jashtë saj. E, që procesi të mund të ndihmohet, krahas kritikave dhe komenteve të bazuara në të dhëna dhe fakte, unë besoj se vlejnë më shumë e janë të mirëpritura nga shkolla e të interesuarit kontributet se si do mund të riorganizohen dhe të përsosen mjaft elemente të sistemit. Duke ripërcaktuar më qartë qëllimet e reja arsimore, përparësitë e nevojshme, strategjitë dhe programet zhvillimore. Kjo kërkon që të përpunojmë një vizion edhe më të qartë për arsimin tonë, ta komunikojnë atë me pasion dhe të mundësojmë që ai të përmbushet në të gjitha nivelet e sistemit arsimor.

Nga një këndshikim i përgjithshëm, shkollat dhe institucionet e arsimit të lartë u shërbejnë fëmijëve dhe të rinjve nga familje të paangazhuara, të majta apo të djathta. Kjo do të thotë se për arsimin cilësorë të gjithë janë të interesuar. Por, duhet të kujtoj sërish se, edhe në sektorin e arsimit, nuk ka gjë më të vështirë dhe më të rrezikshme për t’u ndërmarrë, as dhe më të dyshimtë për suksesin e pritshëm, se sa udhëheqja e ndryshimit apo e pritshmërive të reja. Kjo, pasi novatorët kanë armiq të gjithë ata që ia kanë kaluar mirë kur kishin pushtetin. Sakaq, realizuesit e ndryshimit mbështeten në mënyrë të vakët nga ata që mundet t’u ecë në rrethanat e reja. Shpesh, ftohtësia pasqyron edhe drojën e njerëzve ndaj novacioneve me të cilët nuk janë familjarizuar. Por kjo nuk justifikon aspak kritizerët mendjengushtë të motivuar politikisht. Këta, duket e kanë të vështirë, ndoshta të pamundur, të kuptojnë se arsimi është vlerë dhe e mirë kombëtare që lulëzon e hedh shtat me përpjekje, sakrifica dhe përkushtim.

 

Tiranë, më 20/09/2020


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Zotëria e fillon keq artikullin e tij, kur për të deligjitimuar çdo kritikë në mënyrë parandaluese ai shan dhe etiketon këdo që guxon të mendojë se sistemi arsimor në Shqipëri është në rënie të lirë.
    Në mungesë të etiketimeve të tjera, artikullshkruesi le të më quajë njeri të “angazhuar në përbaltjen e peizazhit tonë arsimor”, por unë mendoj se “Turi që laget në varkë mbi lum”, rezultatet për faqe të zezë në PISA për nxënësit shqiptarë, dhe një listë e gjatë rekordesh negative si të ishim në vitet 1930, tregojnë për një të vërtetë shumë të ndryshme nga velinat me eksperiencë dhe të paqortueshme të pushtetit “perfekt” të qeverive tona të viteve të fundit.

    Përgjigju ↓