Kryesore

Marie Logoreci/ Fotografia e rrallë e zonjës së skenës

12:00 - 26.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjon Karma: Talentin e kishte ndrydhur brenda vetes ‘si floririn e fshehur brenda malit’




Një portret i qeshur i Marie Logorecit, me përvijimet e rrudhave në mimikë, me flokët e shkurtër e një bluzë në të bardhë e të zezë, është ndër imazhet e fundit të artistes, fiksuar pak para se të ndërronte jetë. Marie Çurçia lindi në Shkodër më 23 shtator 1920. Shkollën fillore dhe gjimnazin i bëri në qytetin e lindjes. Që në fillore u dukën prirjet e para, Maria vizaton bukur; më vonë në gjimnaz ajo fillon të këndojë, duke e shoqëruar veten me kitarë ose mandolinë dhe duke marrë pjesë në teatrin e shkollës. Më 1937 shkoi në Tiranë, ku u martua me Kolë Logorecin, djalin e atdhetarit dhe gjuhëtarit Mati Logoreci (“Mësues i Popullit”). Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945, ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto, që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (“Artiste e Popullit”). Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në Korin e Përgjithshëm të Shtetit, me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit. Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në nëntor të vitit 1947 filloi punë në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e Teatrit ishte Elmira, në komedinë “Tartufi” të Molierit. Filmi i parë ku mori pjesë ishte bashkëpunimi sovjeto-shqiptar “Skënderbeu”.

MARIA NE SHTYP

Programet e Radio Tiranës në gazetën “Bashkimi” janë dëshmitë e para ku përmendet emri i Marie Logorecit si këngëtare popullore, siç del nga gazeta “Bashkimi” e datës 9 nëntor 1946.

Për herë të parë për Marien u shkrua artikull në gazetat “Bashkimi” dhe “ЗHAME”, për vizitën dhe shfaqjet e dhëna nga Kori i Përgjithshëm i Shtetit në Bullgari, në kuadrin e përvjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Për Marien është shkruar thuajse për të gjitha premierat në kuadrin e shfaqjeve të ndryshme ku luajti, por siç shihet, është shkruar shumë pak, si për çdo aktor në atë kohë. Në vitet e para të veprimtarisë së Teatrit, kritikët analizonin veprën dhe thoshin ndonjë fjalë për interpretimin. Më vonë pati disa kritikë, si Dalan Shapllo e Xhezair Abazi etj., që filluan të analizojnë interpretimin. Gjithashtu disa aktorë filluan të shkruajnë kritikat për veprat dhe më shumë për interpretuesit. Kështu për Marien u shkrua nga Avni Resuli, Margarita Xhepa, Yllka Mujo etj.

120142613_623066398354453_280734400433474654_n 120236376_946359555887076_4805527454230002206_n 120163631_243951760389659_9220299493537739932_n
<
>

Gjon Karma për Marien

Unë banoja në një rrugë me të. Dera e oborrit tim ishte katër pesë metra përballë derës së saj. Çdo ditë, së bashku me moshatarët luanim herë në oborrin tim e herë në oborrin e saj. Ne e nxitnim herë pas here që të këndonte dhe ajo, me ata sy të zez e shikim të thellë, pa asnjë ndrojtje fëmije këndonte me një zë të fortë e melodioz, sa të gjithë të afërmit e komshinjtë dilnin nëpër dyer e dritare për ta dëgjuar…

Në fillim ajo nisi të këndojë këngë popullore në Radio Tirana, ku u prit mjaft mirë nga publiku e pati shumë sukses. Ishte viti l947. Sapo u pranua në Teatër, Maries iu dha një rol kryesor në një dramë të huaj, ku si partner kishte aktorin e ri Naim Frashëri. Këtë pjesë e mbaj mend mirë, pasi luaja edhe vetë në të, së bashku me Liza Vorfin. Regjisori, duke e parë të përshtatshme si fizik për atë rol femre të re, u përpoq e punoi pa masë që ta nxjerrë sa më mirë. Ai e shihte se ajo nuk e kishte përvojën e skenës, por vërente talentin që Maria deri atëherë e kishte ndrydhur brenda vetes “si floririn e fshehur brenda malit”. Dhe kështu me përpjekjet e saj dhe të regjisë, doli në dritë roli i parë i Maries, Xhesi. Ky rol i realizuar në mënyrë të shkëlqyer u mirëprit nga shikuesi dhe kolegët e saj. Pastaj Maria bëri emër në Teatrin Popullor dhe rolet e saj erdhën njëri pas tjetrit. Pas rolit të parë që përmendëm më sipër, dubloi rolin e Elmirës në komedinë “Tartufi” të Molierit.

Shfaqja “Rrënjët e thella”, gazeta “Zëri i Popullit”, 30 mars 1949

Në dramën “Rrënjët e thella”, në rolin e Alisa Lengtonit ishte e pakrahasueshme.

Maria Logoreci në rolin e Alisës na dha të qartë vajzën e mplakur përbrenda dhe që e mbulon shpirtin e saj të dobët me një cipë të bardhë të së resë. Ajo u paraqit në komplekset e saja, komplekse të një vajze që prej kohësh kërkon një burrë por që e braktis këtë kur ai i prek interesat dhe shpirtin e saj të zi. Ajo ruan të gjitha karakteristikat e borgjezisë, i mbron si gjërat më të shenjta, është një bijë e denjë e senatorit Lengton, bijë e denjë e klasës shfrytëzuese.

Maria e ruajti këtë vijë të rolit të saj. Si tek ajo ashtu edhe tek Anton Pano u manifestuan ndjenja të cilat për të parën herë dalin te këta aktorë në një mënyrë kaq të dukshme.

Roli i fundit i Maries në skenë ishte Gjela, në dramën e Kolë Jakovës “Përmbytja e madhe”, me regji të Pirro Manit.

“Përmbytje që sjell dritë” – Xhezair Abazi

Revista Nëntori, Nr. 12 – 1977

Mishërimi skenik i nënë Gjelës nga Artistja e Popullit Marie Logoreci ishte një detyrë e vështirë, të cilën ajo e përballon me sukses. Duke njohur mirë tipin që mishëron dhe duke përdorur me masë e mjeshtëri mjetet shprehëse aktoriale, M. Logoreci krijon një malësore të vërtetë, të formuar në rrethana e kushte të tjera historiko-shoqërore dhe që vepron në rrethana e kushte të reja. Gjela-Logoreci mbart dramën e madhe të botës së vjetër. Shkundja e Gjelës nga pesha e asaj bote bëhet me dhimbje, por edhe me shumë vështirësi. Por natyrisht, duke njohur varfërinë, shtypjen e femrës nga zakonet e egra dhe Kanuni, ajo e do lirinë, e do këtë jetë të re. Këto M. Logoreci i jep bukur në skenë. Ajo kur gëzon, gëzon me gjithë shpirt, me tërë qenien e saj, duke sjellë në skenë një dritë të vërtetë njerëzore; kur trishtohet apo zemërohet, ajo shpërthen me forcën e temperamentit të njeriut të ashpër e të fortë si malet. Kur i vjen Bardha në oborr të kullës dhe i thotë se do të bëhej nusja e asaj shtëpie, Gjela-Logoreci gjallërohet, i zmadhohet zemra dhe e gjithë qenia, mrekullohet shpirtërisht, e rrëmben vajzën e bukur në gjoks dhe shpërthen: “Përqafova pranverën dhe m’u përtri gjaku nëpër dejt e mplakur!”

E kundërta e gjithë kësaj gjendjeje, antiteza e saj ngrihet te Gjela-Logoreci, kur merr vesh se ajo krijesë e bukur, e reja e saj e ardhshme, është e bija e atij që i ka vrarë djalin!…

Dhe në këto kalime ajo është origjinale, unike. Figura e saj skenike te “Përmbytja e madhe” është një realizim dinjitoz, që tregon se aktori i vërtetë nuk shteron kurrë.

Pas vdekjes së Maries pati shumë shkrime të botuara në organet e shtypit dhe në libra, jo vetëm në lidhje me interpretimin e saj të kritikut Mexhit Prençi, aktorit e kritikut Vangjush Furrxhi, regjisorit Pirro Mani, aktorëve Gjon Karma, Margarita Xhepa, Ilia Shyti, Ndrekë Luca, Drita Pelingu, Besa Imami, Tinka Kurti, Roza Anagnosti, Marika Kallamata, Yllka Mujo, shkrimtarëve Kolë Jakova e Loni Papa, kompozitorit Tish Daija, piktorit Agim Zajmi, si dhe kritikut Josif Papagjoni, por për gjuhën e përdorur nga gjuhëtari, akademiku Gjovalin Shkurtaj, regjisori Xhelil Aliu etj. Për punën e saj Marie Logoreci është nderuar me titujt: “Artiste e Merituar”, 1961; “Naim Frashëri”, 1969; “Artist i Popullit”, 1975 dhe urdhrin “Nderi i Kombit”, 2015 (pas vdekjes). Për të janë shkruar librat “Marie Logoreci” dhe “Duke kujtuar artisten Marie Logoreci”, si dhe albumi fotografik “Maria Logoreci”. Ajo u nda nga jeta më 19 qershor 1988, në Tiranë.

 

INTERPRETIME NE TEATER

1947: Çështja ruse – Xhesi

1947: Tartufi – Elmira

1949: Rrënjë të thella – Alisa Lengton

1950: Komploti i të dënuarve – Kristina Padera

1950: Halili dhe Hajria – Fatimja

1950: Makar Dubrava – Olga Andrejevna

1952: Gjashtë dashnorët – Aljona Patrovna

1954: Toka jonë – Loke

1956: Armiqtë – Kleopatra Petrovna

1957: Intrigë e dashuri – Ledi Milford

1957: Orët e Kremlinit – Zabelina

1958: Shtatë shaljanet – Tringa

1960: Hamleti – Gertruda

1961: Shtëpia e Bernarda Albes – Bernarda Alba

1962: Mbi gërmadhat – Musinea

1962: Morali i zonjës Dulska – Tadrahova

1962: Rrëshqitja – Fitneti

1963: Shtërngata – Lu Së Ping

1966: Muri i Madh – Nëna Xhun

1966: Përkolgjinajt – Mara

1967: Drita – Manushaqja – regjia: Marie Logoreci

1967: Cuca e maleve – Prenda

1968: Çatia e të gjithëve – Plaka

1972: Gjenerali i ushtrisë së vdekur – Kontesha Xampa

1977: Përmbytja e madhe – Gjela

INTERPRETIME NE FILM

1953: Luftëtari i madh i Shqipërisë Skënderbeu

1957: Fëmijët e saj

1958: Tana

1963: Detyrë e posaçme

1954: Toka jonë

1966: Oshtimë në bregdet

1969: Njësiti gueril

1973: Operacioni Zjarri

1975: Gjenerali i ushtrisë së vdekur

1978: Nga mesi i errësirës

1978: Dollia e dasmës sime

1979: Çeta e vogël

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.