Kryesore

Human Virus Papiloma, shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës

18:40 - 28.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i zakonshëm te gratë, veçanërisht në vendet në zhvillim. Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri te gratë në mbarë botën. Në Shqipëri raportohen rreth 100 raste të reja çdo vit nga Shërbimi i Onkologjisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”. Më tepër se gjysma e rasteve diagnostikohen në stade të avancuara, kur trajtimi është shumë më pak efektiv dhe shumë i shtrenjtë. Tashmë është e njohur se kanceri i qafës së mitrës së bashku me kancerin e gjirit janë bërë kërcënim kryesor i shëndetit të grave në Shqipëri. Depistimi për kancerin e qafës së mitrës konsiderohet prioritet, por ende një pjesë e grave paraqiten në faza shumë të vonshme kur është vështirë të trajtohen. Prandaj, në paketën e rishikuar të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor janë përfshirë edhe shërbimet për parandalimin dhe kontrollin e kancerit të traktit riprodhues, përfshi ato për kancerin e qafës së mitrës. Ndërkohë ka përfunduar hartimi i udhërrëfyesit dhe i protokolleve për mënyrën si duhet punuar për kancerin e qafës së mitrës në shërbimet e kujdesit parësor.
Shkaktarët
Shkaktari kryesor i gjendjes parakanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës është infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane HPV (Human Papiloma Virus). HPV-ja është infeksioni më i zakonshëm viral i traktit riprodhues që transmetohet seksualisht, por seksi penetrues nuk është gjithmonë i nevojshëm për transmetim. Kontakti gjenital lëkurë me lëkurë është një mënyrë e mirë-njohur transmetimi. Shumica e grave dhe burrave seksualisht aktiv do të jenë të infektuar në një pikë gjatë jetës së tyre me HPV, disa edhe në mënyrë të përsëritur. Koha për marrjen e infeksionit HPV për gratë e burrat është pak pasi ata janë bërë seksualisht aktiv. HPV-ja mund edhe të mbetet e fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje, por personat që e mbartin mbeten infektues për partnerët e tyre seksual. Ka shumë lloje të HPV-së, por jo të gjitha shkaktojnë probleme. Te shumica e grave dhe burrave që infektohen me HPV, këto infeksione zhduken vetvetiu pa asnjë ndërhyrje brenda pak muajve mbas infektimit, dhe rreth 90% e tyre brenda 2 vjetëve. Por edhe pse shumica e infeksioneve HPV kalojnë vetë, një pakicë e tyre, kryesisht llojet 16 e 18 të HPV-së, të njohura edhe si lloje me rrezik të lartë, vazhdojnë të qëndrojnë dhe të përparojnë në dëmtime parakanceroze dhe më vonë në kancer të qafës së mitrës te gratë. Ka, gjithashtu, evidenca që lidhin HPV-në me kancerin e anusit, vulvës, vaginës dhe penisit, edhe pse këto lloje kanceri janë më pak të shpeshta se kanceri i qafës së mitrës. Disa lloje të HPV-së (sidomos llojet 6 dhe 11) që nuk shkaktojnë kancer, mund të shkaktojnë lythat gjenitale që janë shumë të përhapura dhe shumë infektive.
Të gjitha gratë mund të preken nga kanceri i qafës së mitrës?
Simptomat
Shumica e infeksioneve nga HPV-ja nuk shkaktojnë shenja dhe kalojnë në mënyrë spontane. Infeksionet me llojet 16 dhe 18 që zgjatin, mund të çojnë në lezione parakanceroze, dhe nëse nuk trajtohen përparojnë në kancerin e qafës së mitrës. Ky përparim zakonisht merr shumë vite, dhe simptomat e kancerit të qafës së mitrës kanë tendencë të shfaqen vetëm atëherë kur kanceri ka arritur një stad të avancuar. Shenjat mund të përfshijnë: Gjakderdhje jo të rregullt midis cikleve menstruale, ose gjakderdhje jonormale vaginale pas marrëdhënieve seksuale; Dhimbje mesi apo në fund të barkut; Lodhje, humbje peshe dhe oreksi; Parehati vaginale ose sekrecione vaginale jonormale; Dhimbje gjatë kontaktit seksual. Në faza të avancuara shfaqen edhe simptoma të tjera më të rënda.
Parandalimi
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon një sërë veprimesh për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Veprimet e rekomanduara përfshijnë që nga komponentët e edukimit të komunitetit, mobilizimit social, vaksinimin, depistimin, trajtimin dhe deri tek kujdesi paliativ. Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet depistimit dhe vaksinimit. Tashmë është e provuar se programet e depistimit të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalojnë deri në 80% të rasteve, dhe së bashku me vaksinën mund të reduktojnë ndjeshëm nivelet e këtij kanceri. Ndërhyrje të tjera parandaluese të rekomanduara si për djemtë e për vajzat janë: edukimi lidhur me praktikat e sigurta seksuale dhe fillimi me vonesë i aktivitetit seksual; promovimi dhe sigurimi i prezervativëve për ata që kryejnë aktivitet seksual; paralajmërimet për përdorimin e duhanit (që është faktor rreziku për kancerin e qafës së mitrës) dhe rrethprerja mashkullore (syneti). Edukimi shëndetësor siguron që gratë, familjet e tyre dhe komuniteti në përgjithësi të kuptojnë se kanceri i qafës së mitrës është i parandalueshëm. Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.