Kryesore

FOTOGRAFJA E MAFIES NË SHQIPËRI “Jetë në zgrip”, gruaja, vrasja e puthja e ndaluar

14:13 - 03.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Letizzia Bataglia është sot 85 vjeçe. Ka besuar gjithnjë se aparati fotografik i ka dhënë të drejtën të jetë një person autentik. “Ka qenë një instrument i mrekullueshëm për të mos qenë vetëm”, është shprehur ajo për “Artribune”. Imazhet e fiksuara prej saj, paraqesin gra, burra e kafshë, por edhe fëmijë. Mandej është qyteti, mbi politikën, mbi jetën, mbi vdekjen dhe… mbi dashurinë. Gruaja-ikonë e fotografisë italiane për Palermon, qytetin që mbante peshën e mafies, në karrierën e saj si fotoreportere, e përçon fuqinë e mendimit dhe gjendjes së pezullit, a jetëve në zgrip, si në imazhet për pasojat e mafies, edhe në portretet e të varfërve, në vështrimet e fëmijëve e grave, në çastet e revoltës dhe skenat politike. Për të “këto foto janë një ngushëllim, sepse janë pohimi që në shumë vite, nuk kam fotografuar vetëm mafien”, do të thoshte ajo. Për shumë kohë, ishte e vetmja grua në një botë burrash, që mes viteve 1970-1990, vraponte me aparatin fotografik, për te vendngjarjet e viktimave të mafies.
Fotografitë e saj përçojnë pezullin e një qyteti, që endet mbi kokat e fëmijëve, transmetohet në shikimet e tyre, në drojën e grave dhe në pasigurinë e burrave.




4479 - 17 001 fotografi e Battaglias Rosaria Schifani Battaglia, Vrasje e trefishte Battaglia. Vajza me top
<
>
Palermo, 1993. Rosaria Schifani, vedova dell’agente di scorta Vito Schifani, assassinato nel 1992 insieme al Giudice Giovanni Falcone, Francesca Morvillo e tre suoi colleghi.

“Art House” prezanton sonte në mbrëmje, për herë të parë në Shqipëri, fotografen e shquar Letizia Battaglia dhe fotografin Roberto Timperi. Përmes ekspozitës “Jetë në zgrip”, njihemi me dy fotografë që me një mjeshtëri të veçantë, guxim e poezi na vënë përballë me imazhin e shoqërisë ku jetojmë. “Letizia është një nga figurat më të rëndësishme të fotografisë bashkëkohore. Me shkrepjet e saj ka treguar nga brenda Palermon në të gjitha sfumaturat dhe shtresëzimet e saj. Ka fotografuar gjithçka që i binte në sy, duke e pasur gjithmonë qytetin si hapësirën e saj të preferuar në vëzhgimin e realitetit. Përpos fotografisë, te Letizia gjejmë edhe gazetaren, politikanen, aktivisten, gruan intelektuale që ka qenë gjithmonë kurioze për atë çka e rrethonte”, thotë në njoftimin për mediat “Art House”. Vë në dukje njëherësh se këtë e ka bërë në moshën 16-vjeçare, kur është martuar për t’u shkëputur prej një ati-padron, e ka bërë kur është ndarë nga i shoqi dhe ka lënë Palermon për të shkuar në Milano e për të filluar një jetë tjetër, e ka bërë kur ka punuar në Palermo për gazetën “L’Ora” dhe me makinën e saj fotografike përjetësonte luftën, siç e quante ajo, që po ndizte, në ato vite të egra, rrugët e qytetit të saj, e ka bërë kur si pjesëtare e Këshillit Bashkiak mbillte pemë në rrugët e Palermos dhe përpiqej t’i pastronte, kur punonte si vullnetare në “Real Casa dei Matti”, dhe e bën edhe sot e kësaj dite si drejtore e Qendrës Ndërkombëtare të Fotografisë, një projekt për të cilin ajo është përpjekur fort, me qëllimin për t’u ardhur në ndihmë të rinjve që duan të fillojnë ecjen e tyre në këtë profesion kaq të bukur, por edhe të vështirë.
Ndërsa Roberto punon tashmë prej dhjetë vitesh midis Romës dhe Palermos. Fokusi i tij është realiteti që e rrethon e të cilin kërkon ta fiksojë në shkrepjet e tij, për të na njohur me një botë të ngjizur nga marrëdhënie dhe tërheqje, por edhe nga trupa që nuk duan të ndjekin patjetër modelet e imponuara të bukurisë. Mbas fotove të tij qëndron jeta e jetuar në kontekste të ndryshme. Përveç fotografisë, në shkrepjet e tij gjejmë një përvojë jete, plot me sensualitet dhe shpërshkelje, ku fotografi jeton me subjektin dhe bëhet bashkë me të pjesë e këtij të jetuari.
Në ekspozitën “Jetë në zgrip” është kërkuar dialogu midis këtyre dy botëve e dy këndvështrimeve, që është realizuar në këtë ekspozitë të vogël përgjatë mureve të hapësirës në dispozicion.
Jetët në zgrip janë ato të subjekteve brenda imazheve, janë ato të autorëve të këtyre shkrepjeve, por mund të jenë edhe ato të të gjithëve ne që jemi të thirrur jo thjesht të shohim, por edhe të bëhemi pjesë e kësaj përvoje që përmes imazhesh, na depërton për të na prekur në intimitetin tonë më të thellë.
Imazhet “Vrasja e trefishtë”, “Vajza me top” e “Rosaria Schifani” të Letizia Battaglia dhe fotografisë “The Kiss” të Roberto Timperit përftojmë katër gjendje e katër mendime, që flasin për një kohë e realitet afër e pranë nesh. Rroken në to, imazhi i gruas dhe i fëmijës, i një “lufte” të (pa)natyrshme për jetë e vëmendje, dhe i një puthjeje të ndaluar.
Ekspozita është mbështetur nga Ambasada Italiane në Tiranë dhe do qëndrojë e hapur deri më datë 3 nëntor 2020.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.