KULTURË

Tetori i Librit sjell përballë lexuesit Helena Kadarenë

16:59 - 05.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Tetori i Librit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ua kushton këtë muaj autorëve shqiptarë. Në një intervistë për “GAZETA SHQIPTARE”, drejtoresha Alda Bardhyli flet për aktivitetet, Festivalin e Letërsisë, çmimin Nobel dhe ‘kulturën e anulimit’. Ajo rrëfen rrekjet e kthimit të vëmendjes nga libri, në një kohë kur kultura ka qenë në zgrip, dhe bash kur poezia dukej e mënjanuar, një nismë e saj sjell në Shqipëri, Poetin Laureat.




– Tetori prej vitesh është konsideruar nga Ministria e Kulturës si muaji i librit. Çfarë pritet të sjellë ky muaj për librin shqip?
Ky tetor është krejtësisht i ndryshëm nga vitet e tjera, për shkak të pandemisë. Prej muajsh industria e librit në të gjithë botën, është duke hyrë drejt qasjeve të reja, për shkak të një krize të shkaktuar nga coronavirusi. Festivale, konferenca, takime me autorë apo Panaire të njohura të Librit në botë kanë zgjedhur të operojnë online për lexuesin.
Kjo kohë e ka orientuar lexuesin më shumë drejt bibliotekave virtuale, apo librave online, të cilat kanë qenë në kohët e tyre më të mira edhe në Shqipëri.
Duke respektuar të gjitha rregullat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, në ambiente të hapura, me një numër të kufizuar njerëzish, Tetori i Librit shqip nuk do të mungojë, për të gjithë ata që janë të lidhur fort me simbolikën e këtij muaji.
Më shumë se një muaj aktivitetesh për librin, për QKLL ky është një muaj ndërgjegjësimi i shoqërisë, dhe autoriteteve të fushës mbi rëndësinë që ka libri në jetën e një vendi.
Fushata e Leximit do të shtrihet në qytete të ndryshme të vendit, biblioteka, shkolla, takime me autorë, dhurime librash, për të komunikuar më nga afër rëndësinë e leximit. Gjatë këtij muaji ne do të shpalosim dhe disa nga hapat konkretë në shërbim të librit dhe autorit shqiptar, të cilat synojmë t’i konkretizojmë brenda vitit 2021, siç është rishikimi i Ligjit për Librin, hartimi i një projektligji për Leximin, Rijetëzimi i Bibliotekave të Rretheve si dhe Krijimi i Urdhrit të Përkthyesve.

– Cilat janë aktivitetet që do të shënjojnë këtë muaj?
Tetori është një muaj i rëndësishëm për letrat shqipe, pasi do të na kujtojë gjithnjë ditëlindjet e tri personaliteteve të njohura që kanë bërë historinë tonë letrare, si Migjeni, Gjergj Fishta dhe Dritëro Agolli. Tre poetë që përfaqësojnë tri periudha të ndryshme të historisë sonë, si Rilindjen Kombëtare, modernen e hershme (1932-1935) e të vonë pas viteve ‘70-të, e lidhin këtë muaj në mënyrë të natyrshme me poezinë.
Në diskursin publik gjithnjë e më pak flitet për poezinë, si një formë e artit e cila gjithnjë na lidh me të bukurën, e që në një mënyrë a tjetër di të futet më lehtë brenda nesh. Duke dashur të rikthejmë vëmendjen ndaj poetëve dhe traditës sonë në këtë gjini, Tetori i Librit do të hapet me shpalljen e Poetit Laureat. Për herë të parë QKLL do të krijojë atë që në vende të tjera quhet institucioni i Poetit Laureat, një praktikë e njohur kjo në vende si SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Kanada, Gjermani, Holandë etj. Qëllimi i këtij çmimi të rëndësishëm është ndërgjegjësimi i publikut mbi rëndësinë e leximit të poezisë. Janë 10 kandidatura të përzgjedhura nga QKLL të cilat do të shqyrtohen nga një juri profesionistësh të fushës, të cilët do të shpallin në fund të këtij muaji poetin e parë Laureat shqiptar.
Ky çmim do t’i akordohet një poeti të gjallë, me një vepër të botuar vitet e fundit që ka sjellë një risi në poezinë shqipe. Poeti Laureat do të ketë një mandat dyvjeçar, e gjatë këtyre viteve ai do të jetë në krye të një fushate mbi rëndësinë e leximit të poezive, apo aktiviteteve të ndryshme me në fokus poezinë.
Po kujtoj poetin amerikan Billy Collis, që gjatë mandatit të tij botoi antologjinë “365 poezi” si format xhepi, apo Robert Pinsku, një tjetër laureat, i cili hartoi një antologji për nxënësit e shkollave të mesme. Laureati shqiptar do ketë programin e tij.
Më 5 tetor deri në 10 tetor, në hapësirat e jashtme të QKLL do të zhvillohet Festivali i Letërsisë. Kushtet e krijuara për shkak të pandemisë e bëjnë këtë festival kombëtar, por ne synojmë që vitet e tjera të kemi të pranishëm autorë të njohur nga vende të ndryshme. Nën vargun e Migjenit “Kryqat e minaret e ngurta”, marrë nga “Kënga e mjerimit”, autorë të ndryshëm shqiptarë do të vijnë në dialogë e rrëfime që kanë në thelb krijimin.
Festivali dominohet nga autorët e rinj, duke u dhënë mundësi që të shpalosin qasjen dhe idetë e tyre mbi letërsinë. Do të ketë lexime, biseda, promovime nga emrat më në zë të letërsisë shqipe.
Autori shqiptar do të zërë një vend të rëndësishëm gjatë këtij muaji. Autorë të njohur të letrave shqipe do të jenë në takime të veçanta mbi krijimtarinë e tyre.
Më 15 tetor, shkrimtarja Helena Kadare do të jetë e pranishme në hapësirat e QKLL në një aktivitet kushtuar krijimtarisë së saj. Kujtojmë që Kadare është gruaja e parë në historinë e letrave shqipe që ka botuar një roman.
Bashkë me ambasadën franceze gjatë këtij muaji do të kemi një aktivitet mbi politikat franceze të librit në Shqipëri, ndërsa do t’i bashkohemi Tetorit Gjerman me një aktivitet-homazh për tri figura të njohura të përkthimit nga gjermanishtja, si Robert Shvarc, Ardian Klosi dhe Afrim Koçi.
Është Festivali i të Rinjve, organizuar nga Instituti i Librit dhe Promocionit, shkrimtarja Flutura Açka do prezantojë librin e saj të fundit me lexuesit, do të organizojmë një konferencë shkencore për Gjergj Fishtën, si dhe mbrëmje me poezitë e Migjenit dhe Dritëro Agollit etj.
Do jetë një muaj ku pasioni për librin do të jetë më i pranishëm.
– Më 8 tetor, Akademia Suedeze do të shpallë çmimet Nobel për Letërsi. Gjithnjë ky çmim na lidh me emrin e shkrimtarit tonë Ismail Kadare. Mendoni se do të kemi një nobel shqiptar?
Ismail Kadare është një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të këtij shekulli. Ai duhej të ishte nderuar me këtë çmim prej vitesh. Shqiptarët kanë hyrë në vetëdijen evropiane herët përmes veprës së Kadaresë, ndërsa veprat e tij të dala nga thellësia e një sistemi diktatorial, do t’i kujtojnë botës aftësinë që ka letërsia për të fituar çdo betejë në thellësinë e saj.
Akti i rezistencës së heshtur ndaj një sistemi, e bën atë një shkrimtar që do të na kujtojë gjithnjë konfliktin mes artit dhe pushtetit, lirisë dhe shtypjes, duke dokumentuar një të kaluar që duhet të kujtohet gjithnjë nga brezat që do të vijnë.
Veprat e tij të ngritura mbi absurdin përshkohen nga një ankth i llahtarshëm, ndjesi të fuqishme të identitetit etnik, duke mbyllur me grotesk të errët një shekull, fillimet e të cilit dallohen për tmerrin rreth të cilit shkroi Franc Kafka.
– Afro 150 shkrimtarë dhe akademikë amerikanë denoncuan përmes një letre pak javë më parë “kulturën e anulimit”. Letra përfshinte emra të shquar si Margaret Atwood, J.K. Rowling, Martin Amis, Noam Chomsky, Salman Rushdie dhe Fareed. Çfarë është kjo letër dhe sa e rrezikuar është kultura shqipe nga “kultura e anulimit”?
Letra e 150 akademikëve, shkrimtarëve, e personaliteteve të njohura vjen pas një momenti të gjatë sprove me të cilën po përballen institucionet kulturore në të gjithë botën. Rritja e forcës së liberalizmit po intensifikon një grup të ri qëndrimesh morale, duke i dhënë më shumë zë asaj që quhet “cancel kulture” ose “kultura e anulimit”. Letra vjen në një moment delikat për shoqërinë perëndimore, siç janë zgjedhjet politike në SHBA, duke kërkuar më shumë angazhim ndaj kësaj çështjeje kaq të ndjeshme, e cila po vijon të dëmtojë kulturën.
Figura të njohura të kulturës, shkencës apo arteve të tjera, ide e qëndrime, kanë qenë shpesh të përfshirë në debate që kërkojnë të hedhin poshtë kontributin e mohimin e tyre. Mjafton një lapsus apo një gabim në jetën tënde private, për të mohuar një kontribut të caktuar. Rrjetet sociale marrin zë duke të gjykuar me figurë e shkrime. Shpesh kultura është gjendur përballë këtij refuzimi.
Jo vetëm në SHBA, por dhe në Europë, bile edhe në Shqipëri, kemi debate që kanë pasur në thelb goditjen e figurave të njohura të kohës, apo çmitizimin e atyre që kanë mitizuar vlerat tona më të mira. E pasojat e këtyre dëmtimeve nuk kthehen pas lehtë. Letra e autoriteteve të kulturës amerikane ishte e mbushur me një listë shembujsh të rasteve kur personazhe të njohur janë “anuluar”.
Asnjë kulturë nuk ka mundur të shpëtojë nga “kultura e anulimit”, e cila në thelb po shkatërron liberalizmin. Kultura e argumentit, ajo që e përsos vetë kulturën, prej kohësh është në heshtje. Ky debat kërkon një thellim të intelektualëve, artistëve, shkrimtarëve, poetëve mbi vetë kulturën. Pyetjet mbi kulturën janë vetë kultura.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.