KULTURË

Aleanca për Teatrin në KLSH: Auditoni Bashkinë për projektin e teatrit

10:54 - 07.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“E informuam këtë institucion për të gjithë hapat ligjorë të ndërmarrë”




Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk i ndal përpjekjet e saj për të gjetur drejtësi. Gjatë ditës së djeshme ata i kanë kërkuar Kontrollit të Lartë të Shtetit të auditojë procedurat e Bashkisë së Tiranës sa i takon projektit për teatrin. Pas shembjes së tij më 17 maj, në orën 4 të mëngjesit, janë të shumta paditë në SPAK e jo vetëm, që ka çuar Aleanca për bashkinë, qeverinë dhe institucione të tjera të përfshira në proces.
DEKLARATA
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit vazhdon betejën ligjore për denoncimin e projektit korruptiv të ndërtimit të teatrit të ri.
Në vazhdim të betejës sonë ligjore, sot më datë 06.10.2020, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit iu drejtua Kontrollit të Lartë të Shtetit, me një kërkesë me objekt: “Auditimin nga Kontrolli i Lartë i Shtetit i tenderit të zhvilluar nga Bashkia Tiranë, me objekt ‘Studimin dhe projektimin e Teatrit të Ri’ në lidhje me detyrimin ligjor që kanë subjekti kontraktor (Bashkia Tiranë) dhe subjektet që paraqiten në tender për plotësimin e të gjitha kushteve të parashikuara në dispozitat ligjore si dhe, auditimin e të gjitha procedurave të ndjekura nga Komisioni i Prokurimit Publik në raport me rrëzimin e ankimit të subjektit të skualifikuar në këtë tender”.
Duke shprehur konsideratat më të mira dhe duke vlerësuar maksimalisht veprimet ligjore të marra nga ky institucion, si në kuadër të Vendimit Nr.36, datë 14.05.2020, i cili vendosi pezullimin e vendimit Nr.50, datë 14.05.2020, të Këshillit Bashkiak Tiranë, deri në shpalljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, bazuar mbi paditë e ngritura nga Presidenti i Republikës, si dhe (pika 2 e vendimit të KLSH), nëse nuk do zbatohej ky vendim i KLSH-së, për dëmin e shkaktuar do përgjigjeshin personalisht personat përgjegjës nga njëra anë, ashtu edhe të kallëzimit të bërë më datë 01.07.2020, kundër Institutit të Monumenteve të Kulturës në lidhje me shkeljet e bëra nga ky i fundit për ndryshimin e zonës historike të qytetit të Tiranës, duke argumentuar dhe rekomanduar IMSH që në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës pasi, të kryejnë analiza të plota të vendimmarrjes në të cilat kanë kaluar dy VKM-të e vitit 2017 dhe 2018, për ndryshimin e kufijve të zonës historike të Tiranës, të propozojnë revokimin e VKM-ve për ndryshimin e vendimit për nxjerrjen jashtë kufijve të kësaj zone të sipërfaqes ku ndodhej ndërtesa e Teatrit Kombëtar, si dhe në zbatim të vendimit Nr.36, datë 14.05.2020 të KLSH-së “Për adresimin e problematikave të shfaqura mbi çështjen e Teatrit Kombëtar dhe propozimin për pezullimin e vendimmarrjeve mbi këtë objekt nga Kryetari i Bashkisë dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës” t’i kërkojë Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë Tiranë, “Rindërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar në zonën ku ka qenë godina e mëparshme, në të njëjtin stil dhe pamje arkitektonike që ajo ka pasur, me të njëjtat volume dhe në të njëjtin projekt”, ne i kërkuam këtij institucioni, një auditim të thelluar në lidhje me të gjithë procedurën e tenderit, shpallur nga Bashkia Tiranë me cilësinë e autoritetit kontraktor, të datës 3 korrik 2020, me objekt: “Studim – Projektim i ndërtimit të Teatrit të Ri”, me fond limit 60,317,000 lekë.
Nga ana tjetër, ne e informuam këtë institucion për të gjithë hapat ligjorë të ndërmarrë nga Aleanca pranë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar, duke argumentuar lidhjen e drejtpërdrejtë të këtij tenderi me projektin korruptiv të Teatrit të Ri si dhe veprën penale të shembjes së Teatrit Kombëtar.
Duke qenë se, ashtu si ndodh rëndom në Bashkinë e Tiranës, nuk ka asnjë informacion për procedurat e ndjekura si dhe nuk ka asnjë transparencë në lidhje me subjektet konkurrente dhe fituesin nga ana e autoritetit kontraktor, në mbështetje të dispozitave ligjore dhe të të drejtave tona të parashikuara me Kushtetutë, i kërkuam KLSH-së një auditim të plotë dhe të gjithanshëm, për të dhënë përgjigje ligjore që na shqetësojnë ne dhe mbarë publikun, si:
Si janë njoftuar subjektet për këtë tender?
Data e hapjes dhe e mbylljes së tenderit?
A korrespondojnë datat në formularin e tenderit me atë të zarfeve të dërguara pranë subjekteve konkurruese?
Cilat janë subjektet konkurruese?
Cilat janë kriteret kualifikuese dhe skualifikuese?
Kush është subjekti fitues?
Si janë njoftuar subjektet e skualifikuara?
Dhe, kur flasim për transparencë, ligji e përcakton si detyrim për autoritetin kontraktor dhe si të drejtë për qytetarët e këtij vendi sepse, që në krye ky ligj sanksionon se:
“Rregullat e parashikuara në këtë ligj kanë për qëllim garantimin e njohjes së publikut me informacion, në kuadër të ushtrimit të të drejtave dhe lirive të individit në praktikë, si dhe të formimit të pikëpamjeve për gjendjen e shtetit e të shoqërisë”.
Që kur nisëm betejën ligjore, ishim shpresëplotë dhe të bindur se ligji do triumfojë mbi abuzuesit dhe shpërdoruesit e fondeve publike, pasi:
Denoncuam në SPAK, kryeministrin dhe Kryebashkiakun e Tiranës se prishja e Teatrit Kombëtar jo vetëm ishte vepër penale, por ishte realizuar pa një leje ndërtimi dhe pa një projekt të dalë nga një garë, dhe se projekti i realizuar nga “Bjarke Ingels” ishte një projekt korruptiv, më datë 03.07.2020, Kryebashkiaku hap tenderin për projektin e Teatrit të Ri.
Kemi denoncuar prej një periudhe të gjatë se në Bashkinë e Tiranës nën ndikimin e paligjshëm të kryebashkiakut nuk ka garë dhe nuk ka transparencë në lidhje me procedurat e tenderit dhe se fituesi është i paracaktuar nga ky i fundit, dhe për këtë qëllim iniciuam këtë kërkesë pranë KLSH-së, me datë 05 tetor 2020, kryebashkiaku shpall fituesin për projektin e Teatrit të Ri.
Siç lehtësisht është e dallueshme, akrobacitë që bën Klouni-Kryebashkiak Veliaj nuk e shpëtojnë dot nga përgjegjësitë ligjore, civile dhe penale, dhe zbatuesit e ligjit do ta dëshmojnë këtë.
Të bindur se Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të kërkesave të Ligjit Nr.154/2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, do marrë hapat e duhur ligjorë për zbardhjen e të gjitha procedurave të tenderit për projektin e Teatrit të Ri nga Bashkia Tiranë dhe Komisioni i Prokurimit Publik, bazuar në kërkesën e bërë nga ana e Aleancës, si dhe do të dërgojë përpara drejtësisë të gjithë personat përgjegjës, ne ju garantojmë se do ta çojmë deri në fund betejën tonë.
Rindërtim i Teatrit aty dhe ashtu siç ishte!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.