KULTURË

MBYLLJA E DASHURISË/ Luiza Xhuvani përkrah Vasjan Lamit në një diadramë

12:56 - 07.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Josif Papagjoni – Kisha dëshirë të shihja Luiza Xhuvanin dhe Vasjan Lamin në shfaqjen e tyre “Mbyllja e dashurisë”, një tekst i francezit Pascal Rambert me regjinë e Eric Vigner, po francez, i njohur në teatrin shqiptar me dy shfaqje mbresëlënëse, “Berberi i Serviljes” e Bomarshesë dhe sidomos “Lukrecia Borxhia” e Viktor Hygosë. Pikërisht me këtë kureshtje u nisa nga festivali i Dibrës drejt Festivalit të Teatrit në Elbasan, edicioni i 22-të, i iniciuar dhe i vijuar po nga regjisori Adonis Filipi. Një pjesë kohe mbetëm ndërdyshas se vallë a do të jepej dot shfaqja, pasi rigonte shi dhe ajo do të jepej në ambientet e hapura të kështjellës “Skampis”. Dhe teksa shtjella e reve nisi të çahej e ndriti diku thellë një yll mbarësie (për festivalin dhe shfaqjen), sikur Hyjnia na e bëri mbarë që edhe dyshimet tona të fashiteshin e shfaqja të niste…
Ky tekst ishte në formën e një diadrame, por jo mirëfilli e tillë. Kishte një lidhje disi të largët midis dy ligjërimeve, asaj të Burrit dhe asaj të Gruas, ku rrëfeheshin dy versione të një martese në krizë, më në fund të shteruar, fillimisht nga burri dhe më pas nga gruaja. Në fakt rrekesha të dalloja konturet e mugëta të një subjekti a ngjarjeje gjithsesi, të një dialogu në monolog, të diçkaje që humbiste në kujtesat e trysnuara të çiftit, në marrëdhënien e tyre dashurore e martesore sa nga lulëzimi në krizë. Por silueti ishte i turbullt, thuajse i pakapshëm. Prania e fabulës qe e largët. Pra këtij rrëfimi prej dy personazheve, burrit dhe gruas, nuk i interesonte aq ravijëzimi i një ngjarjeje konkrete sesa dhënia e një atmosfere emocionale që rrekej ta mbushte marrëdhënien e tyre dashurore. Përpos përcjelljes së kësaj situate shpirtërore që i pati kapluar të dy, narrativa na sjell po ashtu një begati idesh për konceptimin e dashurisë, ezaurimin e saj nga egoizmi, keqkuptimet dhe qëndrimet e skajshme, të cilat në vend të tolerancës, respektit, durimit dhe paqtimit kanë nxitur intolerancën, cinizmin, padurimin dhe konfliktin. Për pasojë në zemrat e tyre kanë bujtur ftohja, tjetërsimi shpirtëror dhe prishja e dashurisë, prishja e kodit të saj të mirëkuptimit, joshjes e kënaqësisë erotike.




120955133_745878469324463_7673113678248555299_n 120932299_458643018434876_1012441125626442873_n
<
>

Ky tekst elegant dhe i bukur, gati poetiko-filozofik, me një ligjërim të rrjedhshëm dhe tërheqës, më goditi si letërsi. Por letërsia është tjetër dhe dramaturgjia është tjetër. Nga kjo pikëpamje unë nuk pashë aty një strukturë dramatike të përpunuar, por thjesht një strukturë letrare, si dy monologë që i bashkonte veçse tema e dashurisë, qëndrimi ndaj saj, ftohja, dështimi dhe fataliteti, përgjegjësia dhe pamundësia, duke ecur në një fill të hollë subjekti të unifikuar. Mesa duket ky ishte edhe koncepti regjisorial i Vigner. Ai ka dashur të krijojë një dikotomi jo thjesht burrë-grua, por edhe qasjesh të ndryshme psikologjike lidhur me dashurinë, por që rrinë “më vete”, si dy copëza a dy gjymtyrë. Andaj edhe ky tekst më pëlqeu posaçërisht si “letërsi”, si ligjërim e narrativë, por nuk më pëlqeu si strukturë dramatike, sepse nuk kishte elementin bazik të saj, dialogun (të drejtpërdrejtë apo të nënkuptuar), peripecinë, një veprim dramatik të përvijuar në disa ngjarje që lidhen me njëra-tjetrën dhe ku shfaqen idetë, mendimet, emocionet, dëshpërimet, frikërat, empatitë, pasionet, flukset erotike etj.
Sa i përket lojës së dy aktorëve, Luiza Xhuvanit dhe Vasian Lamit, gati-gati nuk kam se çfarë vërejtjeje të bëj, sepse gjithçka ishte e plotë, e pastër, e rrumbullaksuar, potente, në nivelin më të mirë të aktrimit të sotëm shqiptar, me një shqipe plot kumbime të bukura, një shqipe që tingëllonte në gojën e tyre mrekullisht poetike e dramatike njëherazi. Të dy, edhe Liza Xhuvani edhe Vasian Lami e pushtuan audiencën, i rrëmbyen mendjet dhe zemrat tona, na ofruan çaste dramatike të forta, imponuese, emocione të thella, një aktrim cilësor me një ritëm ligjërimi gjithnjë në ngritje, me një diksion të mirëkontrolluar dhe profesionalisht cilësor, që lëvizte bukur mirë e me një begati intonacionesh foljore, ndjesore dhe kuptimore. I urova me kënaqësi të dy aktorët për lojën e tyre…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.