KULTURË

Lum Gashi: Unë refugjati i luftës që vij si shkrimtar. “Rrugët e mia drejt Shqipërisë, letrat dhe shkrimtarët sharlatanë”

15:10 - 08.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Nga Lum Gashi – 21 vjet më parë erdha në Shqipëri si fëmijë refugjat, ndërkaq sot po vij i lirë. Po vij – i pa rrezikuar kufijve – me etninë prej shqiptari, me nënshtetësinë prej kosovari dhe me epitetin e një krijuesi i cili mban krejt botën në gjirin e vet.




Këta muajt e fundit bredhja. Ndihesha sikurse Edeni e Bandini. Përvuajtur në kërkim të njohjes së këtij vokacioni. Trokisja nëpër dyert virtuale të shtëpive botuese me këtë dorëshkrim; ca më thoshin

që kishin shumë dorëshkrime në pritje për t’u shqyrtuar, ca më thoshin qw nuk kishin para. Kohë pandemie. I kuptoja dhe i kuptoj.

Pa dashur në asnjë mënyrë ta nënçmoj këtë institucion të vlefshëm, por duke potencuar që jam një harrestar i pashpresë, unë kisha harruar që kisha konkurruar në këtë organizim të Qendrës Kombëtare për Libër. Dhe në njërën prej ditësh mora telefonatën që gërrye dheun dhe pluhurin nga ai vetëbesimi i fëmijërisë – se megjithatë duhej të shkruaja.

Më kanë ikur krahësh vasha që s’kam ditur t’i dua deri në fund. Më kanë ikur sysh miq që s’kam ditur t’i nderoj deri në fund. Por vetëm një gjë e kam dashur dhe kam luftuar ta nderoj deri në fund – letërsinë. Dhe atë ditë si kurrë më parë, gëzova ndjenjën sikur më në fund letërsia ma ktheu dashurinë.

Unë fitova në një garë, mirëpo ne e dimë që në thelb arti s’është garë. Por burim i këtij ngazëllimi nuk ishte te fitorja pwr se. U vlerësua një anonim të cilin drejtuesit e kësaj qendre e kishin të vështirë ta lokalizonin për t’ia dhënë kumtin e këtij triumfi. Dhe kjo më jep shpresë për të tjerët, se në një të ardhme të afërt, talentet do të ecin lirshëm nëpër rrugët meritokrate të cilat duhet t’i shtrojnë institucionet tona – në Kosovë dhe në Shqipëri.

Triumfi në këtë garë të pa garë ma lartësoi edhe krenarinë. Kohëve të fundit sikur është banalizuar ajo madhështia e të qenit i botuar. Çdo sharlatan me dy qindarka në xhep sot botohet. Natyrisht, kjo nuk do të thotë që autorët e vetë-financuar botojnë gjëra të pavlera. Edhe unë rropatesha, duke konsideruar të kurseja para për ta botuar. Por u bë më e mira e mundshme, dhe rastisi të shpërblehem në këtë mënyrë.

Ishte telefonata më e rëndësishme në jetën time krijuese. Më dha epitetin e njeriut të letrave. Unë mendoj që të gjithë mund të të thirrin shkrimtar përpos ti veten. Andaj dhe po e shmang së paku që drejtpërdrejti të mos e quaj veten të tillë. Mirëpo tash, se sa gjatë do ta mbaj epitetin prej autori, kjo varet tërësisht nga ata që do t’iu bie në duar ky libër. Rruga e parë u hoq, por tani jam në fillet e rrugës kryesore; le të shohim nëse, sikurse idhujt e mi, do të bëj strofull në thelbin e zemrave dhe në skajin e mendjeve të atyre prej të cilëve varet jetëgjatësia ime artistike – pra, të lexuesve.

Mjeda i thotë bilbilit që “nëpër lamije ka me gjetë mel, për gjith prendverwn njajo bukë i del”. Dhe ky mel i nderimit që më është bërë do të më mbajë gjallë për do pranverë të mbetur të jetës sime – pse jo edhe në pranverat kur zemra ime të ketë pushuar.

Libri “I liri” besoj se ofron një tregim të thjeshtë dhe vetë-shpjegues.

Kam parë që tek ne por edhe në Shqipëri një gardë të zëshme etike që lyp nga shkrimtarët që të jenë romantikë dhe vetëm romantikë; të jenë Shellejanë e Bajronë; të dalin rrugëve, të kapin pankartat, figurativisht të kapin pushkët dhe të pushtojnë sheshet. Por njeriu demonstron në forma të ndryshme – dhe secili lufton me armët më të forta të vetat.

Kjo është protesta ime! Kjo është mënyra ime! Kjo është arma ime më e fortë.

Në këtë libër, ndonëse ekziston narratori i gjithëdijshëm i vetës së tretë, e kam bërë me raste të mos i zihet besë. Njeriu të cilit duhet besuar është një personazh aty të cilit s’kam pse t’ia përmend emrin.

Ta shkruaja librin “I liri” ka qenë një katarsis për mua si autor aspirues dhe si kosovar. Për të parën, shkaku që pjesën dërrmuese të dorëshkrimeve të pabotuara i kam në gjuhën angleze, dhe fakti që vepra ime e parë botohet në gjuhën e nënës, më ka dhënë çlirimin e shumë-dëshirueshëm që ta vazhdoj krijimtarinë time ashtu si ndiej.

Më ka siguruar katarsis edhe si kosovar. Në rrëfenjë jam munduar ta mbaj një balancim të përhershëm moral dhe racional – që bukë-përmbysja mos ta mundë mirënjohjen, por as që mirënjohja e verbër ta blejë heshtjen karshi keq-bërjeve të disa prej atyre që dikur në Kosovë i pandehnim heronj. Kamyja i jep shkrimtarit rolin e kuptuesit, jo atë të gjykuesit. Dhe besomni që mbi të gjitha jam munduar të kuptoj.

Roli i shkrimtarit nuk është pos i një përmase. Dikush i shkruan të bukurës dhe vetëm të bukurës. Poezitë dhe prozat e dikujt tjetër janë jehonë kohësh. Dikush është mendimtar, e dikush vetëm tregimtar. Dikush të dyja. Dikush është pos artist, e dikush aktivist. Unë kam shumë miq intelektualë, dhe kur shoh dhe dëgjoj ata, mund ta them me plot gojë që unë jam vetëm tregimtar.

Prandaj, ajo që e kam thënë është në fjalët dhe paragrafët e këtij libri. Dhe çdo gjë tjetër që mund ta shtoj në adresimin tim të sotëm është një gjë pa të cilën ky libër mund të jetojw.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.