KULTURË

Zana Shuteriqi Prela Libri i ndaluar mbi muzikën sheh dritën e botimit

13:13 - 08.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një histori muzike që në të madhen e saj është histori e së djeshmes sonë. Vajza e Dhimitër Shuteriqit ka botuar një libër që, duke na rrëfyer muzikën, na rrëfen të ndaluarit e të nëmurit, që megjithëkëtë, qenë emrat e artë të historisë e muzikës, por që u bënë shkas edhe për ndalimin e një libri.




Akademia e Shkencave e Shqipërisë boton librin e titulluar “Muzika Shqiptare” (Pjesa e parë, 1878-1940) të autores Zana Shuteriqi Prela.

Për t’ju njohur pak më shumë me këtë botim, shkëpusim rrëfime të autores që hedhin dritë mbi personazhet magjepsëse të kulturës shqiptare.

Mbi muzikën shqiptare të fundshekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX është shkruar shumë, duke nisur prej viteve 1970 dhe posaçërisht pas viteve ‘90, ndonëse përpjekje për paraqitjen e kësaj tradite janë shfaqur aty-këtu që prej kohës së para Luftës II Botërore në pak shkrime të ndryshme të autorëve shqiptarë, në raste edhe më të pakta të autorëve të huaj. “Ky libër merr përsipër hartimin dhe sistemin e historisë së fillimeve të muzikës së re shqiptare të periudhës afro 70-vjeçare, të jetës muzikore, autorëve, veprave, gjinive kryesore të kohës etj.”, thotë autorja.

Ajo që e bën më të veçantë botimin, është se në shumicën e lëndës, libri mbështetet në disertacionin e vitit 1986, “Muzika shqiptare e periudhave të Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare”. Atëkohë, punimi nuk arriti të botohej për shkak të përmendjes së disa emrave të përjashtuar prej Historisë së Letërsisë Shqipe, bashkautorë në tekste apo librete në disa nga veprat muzikore të marra në shqyrtim. “Me gjithë ngasjet e përhershme për redaktimin dhe botimin e disertacionit, m’u desh të reflektoja gjatë dhe të mendoja për një botim integral të ‘Historisë së muzikës shqiptare’, në tri periudhat që ajo përmban, në afro 140 vite të jetës së saj”, thotë Shuteriqi. Ky pikësynim e përballi me përgjegjësi serioze, pasi, midis të tjerash, më 1983 Instituti i Lartë i Arteve i atëhershëm, kishte botuar tekstin në dy volume të “Historisë së muzikës shqiptare”, të hartuar nga një grup autorësh, midis tyre edhe ajo.

Teksti në dy volume i vitit 1983 shënoi përpjekjen e parë të një historie muzike integrale të Shqipërisë, në këtë pikëpamje, i vlefshëm dhe me potencial referues.

EMRAT E NDALUAR

Në volumin e parë të “Historisë së muzikës shqiptare”, të ILA-së, në kapitujt që i kushtohen muzikës dhe jetës muzikore të periudhës 1878-1945 mungojnë emra të njohur muzikantësh të kohës, si për shembull ai i kompozitorit Lec Kurti, i pianistit Tonin Guraziu apo i autores së këngëve partizane Dhora Leka e të tjerë që, për arsye të jetës dhe biografisë së tyre personale, janë përjashtuar padrejtësisht, thotë Zana Shuteriqi Prela, duke shtuar se, pavarësisht rolit dhe vendit që zënë si nismëtarë të proceseve të formimit të jetës dhe aktivitetit muzikor profesionist në Shqipëri.

“Të tjera kufizime përmbajnë kapitujt e realizmit socialist. Lënda dhe proceset krijuese, krahas ngarkesave të kuptueshme jashtartistike, të para siç janë nga një perspektivë e afërt, paraqiten shpeshherë problematike si në drejtim të përzgjedhjes së veprave muzikore përfaqësuese, ashtu edhe të qëndrimeve e vlerësimeve të herëpashershme në frymën e dogmave të doktrinës”, vëren autorja. Ndërkohë, periudha e marrë në shqyrtim, meqenëse ndalet në fillim të viteve 1980, kërkon domosdo të plotësohet me materiale dhe trajtime të proceseve kompozicionale të afro katër dekadave në vazhdim.

“Ky libër i parë do të ndiqet, siç mund të kuptohet, nga dy botime të tjera, të cilat së bashku iu përkasin përkatësisht tri periudhave historike të zhvillimit të artit muzikor në Shqipëri, sipas periodizimit të tyre:

1) Fillimet e traditës muzikore shqiptare, vitet 1878-1940;

2) Muzika shqiptare pas Luftës II Botërore. Realizmi socialist, vitet 1945-1990;

3) Muzika moderne shqiptare, vitet 1990 e këtej”, thekson Shuteriqi.

Në realizimin e këtij botimi ajo u është mirënjohëse shumë njerëzve, të cilët, në kohë të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme, u gjendën pranë saj, duke i dhënë një ndihmë të paçmuar. Pjesa më e madhe e tyre sot nuk jetojnë, çka e bën edhe më të madh detyrimin që ajo ndjen ndaj tyre. Falënderimet e para do të shkojnë për njerëzit e saj më të dashur, të cilët e mbështetën dhe e inkurajuan gjatë procesit të punës për hartimin e disertacionit të vitit 1986, të shoqin, Vladimir Prelën, dhe të atin, Dhimitër S. Shuteriqin, që të dy të ndarë nga jeta, shprehet autorja.

Thellësisht mirënjohëse ajo i ndjehet posaçërisht të ndjerit Tonin Zadeja, “studiuesit të pasionuar të traditës muzikore shkodrane, njeriut të mirë që nuk u kursye të më ofronte gjithë sa ai kishte mbledhur me zell prej muzikës shkodrane të para Luftës, por edhe më gjerë, pa ndihmën e të cilit disertacioni zor se do të mund të kurorëzohej”.

“Mirënjohje të tjera u shkojnë gjithashtu kompozitorit Kristo Kono dhe muzikantit e veprimtarit korçar Pavli Sholla, edhe këta të ndarë nga jeta, me të cilët, gjatë vitit 1985, jam konsultuar gjerë e gjatë dhe prej të cilëve kam vjelë informacione të çmuara. Po atë vit, në Korçë, pata mundësinë të takohem me trashëgimtarët e Spiridon Tasi Ilos, të cilët më furnizuan me materiale të panjohura deri në atë kohë. Këtyre emrave do t’u shtohen muzikantë të tjerë të nderuar, si kompozitori Tonin Harapi, muzikologu Albert Paparisto, etnomuzikologu prof. Ramadan Sokoli, këngëtarja Maria Kraja, dirigjenti Konstandin Trako, dirigjenti Gaqo Avrazi, poeti Llazar Siliqi, regjisori Endri Keko e të tjerë”, thotë Shuteriqi.

Nga zemra ajo falënderon edhe z. Albert Kurti, nipin e Palokë Kurtit dhe Lec Kurtit, i cili, në kushte tejet të vështira, ka arritur të ruajë dokumente të vyera arkivore të paraardhësve të tij, midis tyre, partiturat e para muzikore shqiptare të shekullit XIX, pa të cilat studimet e derisotme mbi Palokë dhe Lec Kurtin do të ishin ose të paplota, ose të pamundura.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.