KULTURË

Bardhyl Demiraj: Punimet shkencore e krijimet letrare në fletore

14:17 - 09.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Ishte në fakt një largim fizik i përhershëm i personit në fjalë, por që të paktën për ne kolegët dhe studiuesit albanologë mëngon të rishfaqet kohë pas kohe e rast pas rasti, i sendërtuar pazgjidhshmërisht në veprën që la pas, çka vjen me thënë, sa herë që duhet e duam të dimë, njohim e mësojmë kumtin e tij për njërën çështje a një tjetër, që ka të bëjë sidomos me gjuhën shqipe, historinë e saj dhe kulturën e shkrimit shqip në përgjithësi”. Bardhyl Demiraj, biri fizik dhe shpirtëror e profesional i prof. Shaban Demirajt, e rrëfen në këtë mënyrë të atin, në një konferencë përkujtimore të mbajtur në Akademinë e Shkencave.




Konferenca “In honorem” pati në fokus, veprën e Shaban Demirajt për historinë e gjuhës dhe prejardhjen e shqiptarëve. Jo pa emocion, ai falënderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që kërkuan dhe gjetën rrugët dhe mundësitë për organizimin e patëmetë të aktivitetit në kohë aspak fatlume që përjeton gjendja shëndetësore dhe jeta sociale në të dyja vendet, sikurse gjithkund në Europë e në botë. “Për këtë aktivitet përkujtimor familja u është dhe mbetet të dyja akademive shumë mirënjohëse, bash ashtu siç i nderonte dikur edhe babai ynë si anëtar i të dyja akademive. Këto akademi kanë mbështetur gjithashtu botimin e veprës së tij shkencore, qoftë gjatë jetës së tij aktive si studiues albanolog, ashtu edhe pas largimit të tij prej nesh, duke mbështetur fuqimisht nismën e familjes, që mundësisht prurje të tij të natyrës monografike, qofshin këto shkencore ose botime kritike të disa autorëve të hershëm në kulturën e shkrimit shqip”, tha prof.. Bardhyl Demiraj, me rastin e konferencës për të atin.
“Për vendin e tij në historinë e albanologjisë – edhe pse deri sot nuk është thënë e shkruar pak e kalimthi – sigurisht që është ende herët të mëtohen e skaliten fjalët e fundit, sepse si për këdo studiues albanolog, do ende kohë derisa të përpunohet në detaj, sa e siç duhet, produkti i tij shkencor. Sa i përket prurjes dhe vlerësimit të veprës së Shaban Demirajt në albanologji, hapësira kohore detyrimisht shumëfishohet, e kjo për disa arsye në dukje fare të thjeshta”, – vërejti ai.

Bardhyl Demiraj shtoi se i ati, Shaban Demiraj ka shkruar e botuar shumë; aq shumë, sa një studiues në kohën tonë e ka të vështirë ta rrokë e studiojë në mënyrë intensive gjithë veprën e tij pa investuar kohë, që varion në një deri disa vjet.

“Janë rreth 10.000 faqe të botuara ose në dorëshkrim, të shpërndara në: a) 13 vepra shkencore (pa bashkëpunim) dhe b) 7 syresh me bashkëpunim me autorë të tjerë; c) 19 tekste mësimore për shkollën e lartë dhe të mesme; d) 6 botime kritike veprash letrare të autorëve të vjetër dhe romantikë shqiptarë; e) tri përkthime; f) rreth 350 punime të mirëfillta shkencore; g) një numër i madh artikujsh me karakter kryesisht divulgativ; gj) recensione e relacione nga më të ndryshmet; h) korrespondencë me kolegë e miq shqiptarë e të huaj”.
Ai vërejti se nuk mungojnë as krijimet e tij letrare-poetike, të hedhura në letër e të botuara dikur në moshë rinore, edhe pse nuk i ka përmendur kurrë më pas, meqë me sa duket nuk ishte i bindur për vlerën e tyre të mirëfilltë.

Për të birin, Shaban Demiraj ka qenë aktiv në angazhimin e tij intelektual-shkencor për një periudhë bukur të gjatë; diku rreth 70 vjet, çka parakupton natyrshëm që një pjesë e mirë e veprave të tij – pra jo vetëm ato punime në formë artikujsh shkencorë e divulgativë – të mos kenë më qasje në rrethet e studiuesve albanologë (sidomos syresh të rinj), pasi mungojnë krejtësisht në tregun bashkëkohor të letërsisë shkencore albanologjike. “Do theksuar fort ky fakt, edhe pse shumë vepra të tij, si rrallëkujt, kanë pasur fatin t’i ribotohen atëbotë, qoftë në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë dhe Shkup, khs.: “Gramatikë historike e gjuhës shqipe”, Tiranë 1986; Prishtinë 1988; “Gjuhësi Ballkanike”, Shkup 1994; Shaban Demiraj & Kristaq Prifti “Kongresi i Manastirit – ngjarje e rëndësishme e lëvizjes kombëtare shqiptare”, Tiranë 1978 […]; 2008 etj.”, – u shpreh albanologu.

Ai shtoi se Shaban Demiraj ka shkruar dhe botuar vepra e studime në disa gjuhë; përpos se në shqip, të paktën në të gjitha gjuhët ndërkombëtare (anglisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht, rusisht), madje nuk mungojnë syresh as në sllovenisht, rumanisht, maqedonisht etj., e në kohën tonë është vështirë të gjesh një studiues shqiptar albanolog që është në gjendje të lexojë, e jo më të shkruajë rrjedhshëm, në të gjitha gjuhët ndërkombëtare.

“Së fundi, – tha prof. Bardhyl Demiraj, – Shaban Demiraj ka përkujdesur e mbarështruar një spektër të gjerë fushash të studimit albanologjik. Mjafton të numërojmë këtu çështje të studimit klasifikues sistematik të shqipes letrare bashkëkohore; të studimit filologjik, transliterimit dhe transkriptimit të autorëve të vjetër, sikurse edhe syresh të shek. XIX; për të vijuar me probleme të mprehta të fonologjisë dhe gramatikës historike të gjuhës shqipe si dhe të historisë së saj. Janë këto çështje që ngërthejnë doemos qerthullin kryesor të aktivitetit të tij shkencor, d.m.th. fusha të gjuhësisë që parakuptojnë pa e ekzagjeruar aspak një formim shkencor afatgjatë, qoftë ky për të nxënë e përtypur objektin, qëllimin dhe perspektivat e studimit diakronik të shqipes, ashtu edhe me marrë guximin e me vënë gurë mbajtës në hetimin e çështjeve të ndryshme të historisë së gjuhës shqipe”. fa.ni.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.