KULTURË

Përsiatje e shkurtër mbi librin “Portret gjysheje” të autores Sonila Strakosha

11:15 - 09.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Rovena Rrozhani – “Portret gjysheje” është një libër që vjen heshtur në letërsi. Jo se nuk është i botuar apo se mund të qarkullojë si dikur librat e verdhë poshtë bankave të shkollës, por sepse nuk e ka kaluar atë rrugëtimin e promovimit siç ndodh me titujt e rinj që botohen në Shqipëri. Çuditërisht ka ardhur i qetë, ashtu si gjyshet që nuk bëjnë zhurma të mëdha, por afrohen me dashuri dhe vendosmërinë për të puthur flokët pikërisht atëherë kur ti nuk e pret.




Për këdo një titull si ky ngjan fare i thjeshtë, sërish në të kundërt të titujve që synojnë të joshin lexuesit në morinë e botimeve të shumta. Por intriga zë fill, kur kalon faqet e para dhe nis të shijosh stilin e autores, që rrjedh bukur në shtratin e sinqeritetit e shpesh edhe të naivitetit. Kështu mendon deri në gjysmën e librit. Më pas përgatitu të përballesh me “rrengun” e natyrshëm të shkrimtarit që arrin të të bëjë për vete. Nuk të lëshon kjo tërheqje derisa të mbarosh faqen e fundit të librit.

94891777_3225158094182573_6686844508811821056_o sonila
<
>

Nëse në fillim mund të mendoje se edhe ti mund të shkruash portretin e gjyshes tënde gabohesh, sepse mami Liria do të të mbetet aty si rivale e sfidës tënde. Dhe jo sepse ajo është gjyshja e papërsëritshme, por për faktin se ky libër nuk është thjesht dhe vetëm portreti i një gjysheje. Përtej titullit qëndron “rrengu” tjetër. Përtej gjyshes, është historia e një vajze që rritet me portretin e saj në shpirt dhe në fytyrë, midis kësaj e asaj bote. Është historia e dy femrave të brezave të ndryshëm që janë të lidhura dhe bëhen supi i njëra–tjetrës. Faqe pas faqeje fëmija i ndrojtur bëhet një adoleshente paksa rebele dhe pastaj befasisht e guximshme. Faqe pas faqeje kupton rritjen e një gruaje dhe rëndësinë e forcës nga njerëzit rreth saj. E bekuar është ajo që u mëkua me forcën e një gruaje plot frymëzim si mami Liria! Të gjitha ndodhitë, edhe ato më tragjiket, rrëfehen drejtpërdrejt.

Edhe pse mëtohet si një autobiografi, rrëfimi e bën lexuesin ta përjetojë gjithçka si një trill, pa u ndalur në detaje të jetës reale. E gjitha ndodh thjesht, sikur dita ndërrohet me natën. Ndonjë re apo agim i pasigurt është vetëm një tekë që nuk ia vlen ta zhbësh.

E teksa lexon kapitujt ku kohët ngatërrohen dhe ëndrra me realitetin bën lojën e fundit, të vjen krejt natyrshëm të thuash: Mirë se vjen mes lexuesve shqiptarë, mami Liria! Mirë se vjen bashkë me ngjyrat e rrëfimit të Strakoshës, madje edhe me “grackat” e mosrrëfimit që ia dalin të mbajnë pranë lexuesin, jo vetëm në faqet e këtij libri, por edhe në premtimet për rrëfimet e ardhshme. Ia vlen t’i presim me ngrohtësinë dhe dashurinë që lë mes nesh portreti i gjyshes!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.