KULTURË

“RRATHË TË BRENDASHKRUAR”/ Rudolf Marku për teatrin, një danez, Golgotën dhe mjerime të tjera

12:19 - 09.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Këpucët e vjetra nuk i ndreqim më.




Këpucët që na çuan në takimin e parë dhe më pas në varrezat e të dashurve tanë,

Në rrugët e largëta të trajektores së dëlirë.

Ka kohë që edhe letrat e dashurisë i grisim në fshehtësi,

Ka kohë që edhe emrat e të dashurve i fshehim mirë e mirë.

Ka kohë që as dashuritë e vjetra nuk i ndreqim më,

Dhe as puthjet e dikurshme të dala mode,

Dhe as atë pagjumësinë e dashurisë nuk e riparojmë,

Dhe as rrahjen e ankthshme të zemrës që rënkonte.

Jetojmë në kohën kur nuk i riparojmë gjërat që deshëm dikur,

Jetojmë në kohën kur gjërat e vjetra i flakim në rrugë

Për t’u ndier më mirë dhe më të sigurt”.

Vargjet e mësipërme janë shkëputur nga poezia “Këpucari plak” të Rudolf Markut, nga libri i tij më i ri, “Rrathë të brendashkruar”, që u promovua këtë të enjte te Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në kuadër të festivalit “Kryqa dhe kambana të ngurta”. Tërësia e librit ngërthen botë e kohë, vende e ngjarje dhe një varg kujtimesh e trishtimesh, që përbëjnë përmes vargjesh një botë të re, që rilind ndryshe, më bukur, krejt letrare dhe e pasur, si një jetë e rijetuar me formën që deshëm a formën që deshëm t’i jepnim. Sepse me letërsinë, ne mund të rijetojmë së dyti, edhe njëherë ato që i patëm jetuar, por tashmë i rijetojmë duke iu dhënë zgjidhjet që do të donim, a zgjidhjet që na duhen. Si një zot i gjithëfuqishëm, letërsia na jep të drejtën të kemi një mundësi të dytë për një herë të parë. Si kërkimi i një Itake tjetër, si ndërtimi i një varke të Noes, si një dhembje për vendin e lindjes – te i cili duket se s’po mbërrijmë kurrë, si një ikje prej vdekjes që gjithaq afrohet sa më shumë i afrohesh Shqipërisë, si zbulimi te vetja i argonautëve që pritëm në brigjet e shkreta pa port, si një rënie në kohë, para se të nisë udhëtimin për në vendin e barbarëve, pse, ai e di që, “kur Roma i përzë poetët e vet, është koha e duhur për t’i rënë Perandorisë!”.

“Rreth fuqisë supreme të artit, rreth mbivendosjes së artit mbi ato të rrethanave të jetës së përditshme, qëndrimit në vend duke udhëtuar nëpër botë. Herët e kam thënë se Rudolfi, shkoi në Angli para se të hapeshin kufijtë”, tha një prej miqve të tij të rinisë, poeti Preç Zogaj, duke shtuar se “Rrathë të brendashkruar” është Libri i Librave, a Kënga e Këngëve, nëse i referohemi Biblës.

Në promovim, Bardhyl Londo tha se botimi i librit është një ngjarje e vërtetë. “Krijimtarinë e tij e kam ndjekur, sepse është poet që tërheq vëmendjen. Ka pasur poezi me shumë kontestime të natyrës ideologjike, dikur them. Mbaj mend vjershën e tij ‘Arkitekti i burgut të Gjirokastrës’. Ia kam kthyer tri herë. Ai këmbëngulte. Sa herë vinte, më sillte vetëm atë poezi, jo dy-tri që të zgjidhja unë. Ishte shumë problem ajo poezi, se flitej për Gjirokastrën dhe dihej se kush ishte ‘arkitekti’ i atij burgu”, – tha me të qeshur Londo. Shtoi më tej se, që herët, ai lexonte letërsi të huaja dhe ndiheshin ndikimet, saqë “në Shqipërinë e atyre viteve, kjo ishte një gjë shumë e rrallë”. Vetë autori tha se në një moment që libri nis të flasë, autori duhet të heshtë.

Te poezia “TEATRI GLOBUS, SOUTHWARK”, loja me teatrin është një lojë disakuptimshme. Poezia bart në vetvete teatro godinash e teatro sjelljesh, rrok mes vargjeve, një Makbeth i zi që e ka më të lehtë, “Të fshehë gjurmët e gjakut dhe skuqjen e krimit,

E ka më të lehtë të shtiret se fantazma e Bankos”. Ai gjen në teatër një lojë hijesh dhe shton se “Së shpejti pritet që Othello në Globus/ Të jetë i bardhë, një danez kokëshkretë,/ Ndoshta parisien a ndoshta skocez./ Fundja, edhe vetë Teatri Globus/ Thonë se nuk është mbi themelet e mëparshme”.

“‘Rrathë të brendashkruar’, ashtu si të gjitha botimet e mëparshme të Rudolf Markut, – thotë Gëzim Basha, – sjell jehona verbale, sonike dhe ideore prej traditës më të mirë të poezisë refleksive, pa cak gjuhe a kulture”.

“Libri që marrim në dorë ka peshën e një modeli të atletizmit gjuhësor dhe estetik, është një ‘tour de force’ aludimesh dhe aluzionesh, i ndërton kuptimet e veta me zhdërvjelltësi stilistike, ngaqë autori prej pesë dekadash e koncepton shkrimin e poezisë jo si pauzë meditimi, por si një proces të pandërprerë navigimi në galaksinë e mundësive shprehëse”, – thotë në hyrje Basha.

Ai e gjen poetin, ambicioz dhe autentik njëherësh. Rudolf Marku e përqendron vëmendjen ndaj detajit, por dhe e kërkon origjinalitetin te synimi për të dislokuar tensionin a paradoksin e momentit historik, duke e veçuar idenë si element strukturor, shpesh në vargjet përmbyllëse.

Konsideroni strofën-epilog të poezisë “Nata e fundit e Ovidit” në Romë:

“Nesër nis udhëtimin për në vendin e barbarëve,

Tani që barbarët nisen të dynden në drejtim të kundërt, drejt qendrës,

Sepse barbarët e dinin prej kohësh,

Kur Roma i përzë poetët e vet

Është koha e duhur për t’i rënë perandorisë”.

Siç vëren Gëzim Basha, te poezia “Të kryqëzuarit zbresin Golgotës”, ku farsa përshkruhet me rekuizitën e sublimes, poeti, procedon krejt ndryshe; duke luajtur me tonin, i krijon vetes hapësirë për të shtuar elementet parodike të pastishit; e zgjeron përmasën kuptimore të poezisë, por pa e nënvizuar idenë si element strukturor. I mbetet lexuesit plotësimi i rebusit:

“Të kryqëzuarit zbresin Golgotës…

…Nuk i njeh askush. Pandehën se ishin Krishti.

I merr malli për një fishkëllimë

A një kurorë gjembash. Janë të vetmuar

Tek zbresin Golgotës. Ç’të bëjmë, ç’të bëjmë me jetën tonë?”

Mbase kjo është pyetja që i bëjmë vetes çdo ditë, ndërsa zbresim Golgotat me kryqet mbi shpinë, pa e ditur se ku të shkojmë, kur nuk na pret askush, e kur mes tërësisë së askushëve, mund të jetë një e ardhme dosido, sepse “Të paktën kur ngjiteshin Golgotës/ E dinin se dikush do t’u fishkëllente,/ E dinin se dikush do t’u vinte kurorë gjembash,/E dinin se drejt kryqëzimit do të shkonin”. Lufta e përditshme me veten e botën, me atë që humbëm e nuk e kthejmë dot, me pamundësinë për të pasur një Hamlet të ri në vend, mbase duke uruar që në dilemat e qytetërimeve, zonja që vjen nga një kanton, të jetë e hijshme dhe e sjellshme, që t’i vjedhim kohës, kohë, sa për të jetuar, edhe një ditë, edhe një çast, të qeshur, për t’u ndjerë të lirë e të rinj, sa për t’i vjedhur jetës jetë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.