Homo Albanicus

Pse po tallen me heronjtë dhe antifashizmin në Shqipëri?!

11:03 - 13.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fill pas viteve ’90, në vazhdën e rishkruajtjes së historisë lidhur me socializmin dhe më tej, filloi të bëhej edhe rishikimi i Luftës Antifashiste në të gjithë komponentët e saj. Ajo nuk la pa prekur edhe të rënët, syresh që mbajnë deri titullin më të lartë të nderimit të luftës “Hero i Popullit”. Një pjesë, u përfolën dhe u denigruan, të tjerë u akuzuan hidhur deri në muajt e fundit (Madje nga një institucion paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë), ndërkohë që lloj-lloj personazhesh pa renome u ngritën lart në emër të antikomunizmit. Ky i fundit mbart shumë terma sot dhe bashkon një larshmëri pa identitet dhe pa ide të caktuar, teksa një pjesë kinsesh rreshtojnë kontribute false, sidomos për ata që kanë qenë pjesë e kolaboracionizmit. Por, ndërsa komunizmi sot pothuaj po hiqet nga fjalori, kemi neofashizmin me të cilin përballemi me një keqkuptim dhe ngatërrim edhe më të madh. Ata, që e mbrojnë indirekt, e mbulojnë me kujdes periudhën e kolaboracionistëve dhe personazhet e pushtimit të Shqipërisë që e lanë turpshëm vendin; të tjerë ngrenë statusin e pretenduar të Ushtrisë Gjermane, si jo pushtues!! (fakt i cili manifestohet edhe në një material të Wehrmacht, kapur prej aleatëve më 1945); po ngrihet dhe krijohet ndërkohë një historiografi e re për njerëzit e kinse nacionalizmit. Lipset një shpjegim i gjatë, por para kemi një fakt: nacionalistë të vërtetë luftuan përballë fashistëve, qoftë edhe pa u lidhur fare me komunistët.




Për një vëzhgues të thjeshtë, ka edhe një pyetje më të drejtpërdrejtë: pse në historinë e L2B, Shqipëria nuk konsiderohet si vendi i parë i pushtuar nga fashistët (Polonia konsiderohet zyrtarisht si vendi i parë i pushtuar më 1 shtator 1939!!!). Përgjigjja tjetër është më e hidhur: në kohën kur vendi ynë pushtohej, pak orë më vonë mbreti do ia mbathte pa e shkrepur as edhe një herë; kryeministri anglez gjuante për peshk dhe nuk e prishte terezinë edhe kur ia kumtuan, ashtu si konsujt ushtarakë të vendeve të akredituara në Tiranë do të shfaqeshin pak ditë më vonë me zyrtarët pushtues italianë në një rikonjicion të vendit. Dhe, më e rëndësishmja akoma, që duhet të na e uli kokën: Një delegacion shqiptar, veshur e mbathur me rrobat më të mira, i dorëzoi kurorën e mbretërisë autoriteteve pushtuese në Legatën italiane. Po, bash ata që kishin qenë me mbretin deri më atëkohë. Sesa të idhët dhe pushtues ishin italianët, të vjen të sjellësh ndërmend shënimet e Konti Çianos në ditar (ishte dëshmitar i martesës së ish-Mbretit shqiptar !!!), kur e quante procesin “operacioni i tredhjes së Shqipërisë pa e bërë pacientin të bërtasë”. Ka një përgjigje të vërtetë pyetja e mësipërme: Përçarja e madhe në vend, burimet e ndryshme konfuze vendase nga ushqeheshin aleatët, bëri që Shqipëria mezi t’i shpëtonte damkës pro-fashiste deri në Konferencën e Paqes në 1946 nga ku do të niste rrugëtimin këtej e tutje edhe de jure drejt bashkësisë së vendeve antifashiste. Profesor Arben Puto na ka lënë shumë argumente për bashkëpunimin e kolaboriacionistëve shqiptarë dhe përballjen tonë.

Kjo hyrje disi e gjatë ishte për ta treguar disi mjedisin e pushtimit dhe për të ardhur dekada më vonë në realitetin, kur një zyrtare e njohur e PS-së, e përdorur shpesh turpshëm, i etiketon me eufemizmin e thjeshtë “të vdekurit”, të rënët heronj, disa prej tyre me akte heroizmi të rralla për ne; kurse presidenti i vendit po i mbath me dekorata, personazhet që bënë historinë dhe që, në fakt, i mbartin vlerësimet prej shumë dekadash më parë.

Por më shqetësues akoma është penetrimi i shtrembëruar i diskursit të luftës antifashiste, neofashizmit dhe pseudokomunizmit. E para duke e shëmtuar diskursin për të rënët, si në rastin e zyrtares së PS-së; dhe e dyta duke e relativizuar gjithçka si në rastin e presidentit. Po a kanë rëndësi të gjitha këto? Me sa duket kanë, kur shumë nga historianët tanë janë të ndarë mes taborëve politike dhe gjen të rrallë të ekuilibruar, që flasin normalisht. Berisha, në kohën e vet si president, kur e drejtoi Shqipërinë krejt me dorë të hekurt, i shtoi dhe një element tejet të hidhur, duke ndryshuar deri datën e Çlirimit. Sesi është bërë kjo e fundit është tejet e hidhur për ta kujtuar me detaje. U përdor një nga komandantët e asaj kohe në zgrip të një fatkeqësie për të thënë bash të kundërtën, atë që do thoshin pas ’90 një takëm jo i pakët njerëzish pa integritet. Në fakt, ky kthim i këtij diskursi në Shqipëri përfshin një trend deri diku ndërkombëtar. Kuptohet se ne jemi vend periferik, por jo për pasqyrimin qoftë dhe të zbehtë të ideve. Vallë a kemi ngjallje të një lloj neofashizmi sot në shekullin XXI apo të neokomunizmit edhe tek ne? Të dyja lënë shteg për diskutim, pasi në masë kemi treguar se politikanët dhe njerëzit tanë në fuqi nuk pjellin dot ide. Disa qarqe politike më shumë u mbahen mënd sherret dhe bëmat sesa idetë. Por le t’i drejtohemi botës dhe atyre që merren me këtë problem: “Ende nuk kemi pyetur: çfarë është fashizmi i shekullit 21? Ai i shekullit të 20-të u përpoq të shkatërronte Sovjetikët, në Rusi ose në ndonjë pjesë tjetër të botës ku mund të gjendeshin. Ku janë bolshevikët sot? Padyshim që ato janë fantazi. Por lodhja e neoliberalizmit në konsolidimin e vetvetes dhe krizat politike që u shtohen atyre ekonomike po ringjallin frikën e bolshevikëve. Kjo këmbëngulje është befasuese”,-shprehet studiuesi Antonio Negri tek  ‘A 21st Century Fascist’. Problemi është se e Djathta, sot në botë, dhe sidomos në Evropën Qendrore dhe Perëndimore, sipas studiuesit Enzo Traverso e pranon se ‘E Djathta e re është nacionaliste, raciste dhe ksenofobe’, e cila e kërkon një udhëheqje të tipit të fortë, gjoja ‘karizmatike’, kurse e Majta, është krejt e paqartë ose si shprehet historiani Richard Wolin që ka përdorur termin “fashizëm i majtë”: disa intelektualë evropianë janë dashuruar pas teorive postmoderniste ose antiiluminizmit, duke hapur mundësinë për pozicione të ngjashme me mbajtjen e kultit, iracionalitetin, anti-demokracinë që kombinojnë të gjitha me karakteristikat e një lloj neo-fashizmi, sipas tij.

Njerëzit nuk duhet të harrojnë se fillimi i diskurseve të tilla, si gjoja pa sens, u pasua më vonë me patologji vrasje. Të kujtojmë fatin e trishtë të laburistes Jo Cox në Britani dhe politikanit gjerman pro-refugjatëve Walter Lübcke në Gjermani në 2019, apo masakrën me gjak të ftohtë të Anders Breivik në 2011 në Norvegji, i cili pati guximin cinik edhe të shkruante një manifest të gjatë mbi politikën e tij fashiste. E drejta e re, përmendin studiuesit, është një gjë hibride që mund t’i kthehet fashizmit, ose mund të shndërrohet në një formë të re të demokracisë konservatore, autoritare, populiste. Koncepti i post-fashizmit po përpiqet ta kapë këtë. Ndaj, kur vjen puna për Shqipërinë duhet të frikësohemi pasi Lufta po merret nëpërkëmbë nga të gjitha palët, qoftë në mënyrën sesi e përdorin por edhe sesi po e anatemojmë, duke treguar tipare të kohëve që nuk duan t’i kthejmë. Këtë herë janë edhe të Majtët, që po na ngjallin, ato që do të donim t’i harronim dhe t’i arkivonim në histori. (Homo Albanicus)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.