Sociale

Heronjtë e heshtur të pandemisë

10:47 - 14.10.20 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fllanxa është ende e shqetësuar për shkak të virusit të rrezikshëm që shkaktoi një pandemi botërore. Megjithatë, sytë e saj janë shpresëdhënës, sidomos për katër fëmijët pa kujdes prindëror për të cilët ajo kujdeset në fshatin SOS, në rrethinat e Tiranës. Fshati strehon fëmijë pa kujdes prindëror apo që rrezikojnë ta humbin atë. Në të jeta është e organizuar në familje të vogla, ku kujdestaret sociale kanë rolin e nënës. Ndërsa të dy djemtë e saj, të rritur tashmë, kanë emigruar jashtë Shqipërisë, Fllanxa Miha është bërë prej shtatë vitesh “nënë” e fshatit SOS.




Tashmë që është bashkuar edhe i shoqi, ata janë një familje e re për katër fëmijë që jetojnë në shtëpinë e tyre.
Gjatë karantinës së imponuar prej përhapjes së koronavirusit si dhe gjatë muajve në vijim, shumë familje patën mundësi të qëndrojnë bashkë, ndërsa për fëmijët pa kujdes prindëror apo pa familje, përballja me këtë situatën të pazakontë ishte një vështirësi e shtuar. Kur nisi karantina, Fllanxa e vendosi të qëndronte bashkë me ta ndërsa i shoqi, i cili në atë kohë ende e kishte një punë, qëndroi në shtëpine e tyre në Shkodër. Për javë të tëra ata qëndruan larg njëri-tjetrit.
“Ishte një periudhë shumë e vështirë, mbi të gjitha se ishte e panjohur për të gjithë ne. Bashkëshorti ishte në shtëpi në atë kohë dhe vendosëm që unë të rrija këtu e ai në shtëpi. Tre javët e para ishin veçanërisht të vështira, ditët kalon në një ankth të madh, nuk ulesha në tavolinë se ishim shumë afër, pra rrinin vetëm katër fëmijët”, rrëfen ajo.
Intervistë me Fllanxa Miha, prind SOS
“Të gjithë kishim frikë, edhe fëmijët nisën të dëgjonin lajme lidhur me humbjet e jetës apo rëndimin e situatës dhe kjo e bënte edhe më të sikletshme; por kemi qëndruar gjatë gjithë kohës bashkë dhe jam kujdesur gjatë gjithë kohë për fëmijët”.
Fllanxa tregon se “kur nisën të vendoseshin oraret e daljes, edhe ne nisëm ti nxirrnim fëmijët nga shtëpia, por sërish me vështirësi pasi në afërsi jetojnë edhe familje të tjera dhe nuk donim të kishte kontakte”.

Fllanxa Miha, prind në fshatin SOS
Pas kësaj nisi mësimi online, dicka që nuk e kishte menduar më parë dhe as nuk ishim të përgatitur. “Ne e mirëpritëm këtë dhe sidomos komunikimin e përditshëm me mësueset, por nuk ishte e lehtë sepse jo të gjithë fëmijët arrijnë të mësojnë online dhe mësimi nuk është njësoj si në shkollë”, tregon Fllanxa.
“Fëmijët janë rikthyer në shkollë tashmë, por rreziku është, virusin mund ta ketë mësuesit, dikush nga shokët; jo, nuk është periudhë e lehtë për askënd, secili duhet të jetë i kujdesshëm dhe të mbajë vetë rregullin dhe masat”, thotë ajo.


Sfida e mësimit online
Në të vërtetë kthimi në shkollë pas pandemisë është një sfidë e madhe për të gjithë, por sidomos për mësuesit.
Alma Lama, 46 vjec, është mësuese kimie në shkollën “Marie Logoreci” në Tiranë. Nënë e dy fëmijëve, ajo shkon çdo ditë në shkollë për të bërë mësim me turne për nxënësit e saj.
“Mësimi në këtë kohë ka vështirësi të mëdha, kemi disa turne, në disa raste katër, dhe mjediset janë po ato, nuk ka siguri në asgjë”, tregon Alma.
Intervistë me Alma Lama, mësuese në shkollën “Marie Logoreci” në Tiranë
Koha e karantinës për të ishte veçanërisht e vështirë nga ana profesionale. “Në u përballëm për herë të parë me një mësimdhënie ndryshe; ishte një risi sa i përket aspektit të mësimdhënies. Ishim mësuar të ishim me fëmijët, tani ishim me fëmijët… dhe me telefonin e kompjuterat”.
“Ne i mbajtëm fëmijët pranë vetes, në shtëpitë e tyre dhe nisëm një mësimdhënie eksperiementale që nuk na dështoi. Familjet tona u harruan në atë moment; ishim gjatë gjithë kohës me nxënësit dhe jo me fëmijët tanë, familjet tona”, tregon Alma.

Në foto Alma Lama, mësuese kimie
Ajo është e pasionuar pas lëndës së saj, por me keqardhje rrëfen se të japësh mësim këtë lënde online është një sfidë e vërtetë. “Ne po eksperimentonim edhe me veten. Shpesh ishim shumë mirë e herë të tjera e tepronim duke dërguar detaje pa fund për detyrat, video shpjeguese e duke kërkuar të njëjtin angazhim nga nxënësit në kushtet e një situate ekstreme”.
“Ne nuk ishim të përgatitur për këtë situate; kjo kërkon investim jo vetëm të mësuesit, kërkon pajisje, kompjutera, bazë logjistike, mjete mësimdhënieje, etj. Gjithashtu ne nuk kemi platforma dixhitale; unë nuk do ta quaja RTSH Shkollë një platformë dixhitale”.
“Sidoqoftë, mendoj se u mirëkuptuam me pjesën më të madhe të prindërve dhe nxënësve, të paktën këtë feedback mora unë dhe kolegët e mi, në fund të fundit ne jemi aty që të nxjerrim në pah më të mirën nga fëmijët”, përfundon ajo.
Në vijën e parë të luftës me virusin
Shtatë muaj pas shfaqjes së virusit në Shqipëri, situata nuk duket optimiste, sidomos gjatë javëve të fundit. Ndërsa numri i infektimeve vazhdon të jetë i lartë edhe pse i stabilizuar në shifrat 150 deri në 180 raste të reja në ditë, viktimat janë shtuar dhe mosha e tyre është ulur. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit është raportuar për raste në mosha relativisht të reja, 43 dhe 28 vjeç, që kanë humbur jetën nga virusi.


Afrim Kastrioti, shef i urgjences paraspitalore ne Spitalin e Traumës në Tiranë, shpjegon se tashmë më pak persona të infektuar i drejtohen spitalit, në momentin e duhur. “Eshtë krijuar një psikozë se gjendja shëndetësore përkeqësohet në spital ndaj shumë persona të infektuar qëndrojnë në shtëpi derisa agravohen. Eshtë e vështirë të normalizohen parametrat nëse situata është keqësuar”, këmbëngul ai.

Në foto Dr. Afrim Kastrioti, shef i urgjencës paraspitalore në Spitalin e Traumës në Tiranë
“Karantina ishte një periudhë e vështirë, jemi përballur gjithë kohën me mundësinë e sëmundjes, edhe pse rastet ishin më të pakta. Por për ne si staf mjekësor ka qenë më e vështirë pas karantinës, …hapja dhe qarkullimi i popullsisë shtoi infektimin në masë”, tregon ai.
Intervistë me Afrim Kastrioti, shef i urgjencës paraspitalore në Spitalin e Traumës në Tiranë
“Ne jemi në terren përditë, por pavaresisht thirrjes së familjes në qendrën kombëtare të urgjencës, jo të gjitha rastet referohen. Një një pjesë e mirë e fshehin të vërtetën, pra ekipi nuk e merr vesh në moment ndërsa pacienti kurohet për një patologji tjetër dhe më pas shikon që është i dyshuar për Covid 19 gjithashtu. Këto raste na vënë ne si mjekë e infermierë në rrezik të vërtetë”, thotë mjeku.
Me familjen ai përpiqet të mbajë distancën edhe pse kjo duket paradoksale. “Ne e kemi marrë parasysh këtë si staf mjekësor, por ekziston mundësia që ta cojmë në familje dhe këtë nuk do ta doja”, thotë ai.


Sipas doktorit, moszbatimi i masave e rëndon situatën. “Këtë e shohim përditë, jashtë dhe në mjedise të mbyllura, te të rinjtë neglizhenca është më e madhe. Maska është e domosdoshme, higjena gjithashtu si dhe distanca siguron një lloj mbrojtje.
“Të gjitha këto dihen, puna është se nuk zbatohen. Ky lloj virusi nuk ka mjekim specifik dhe detyrimisht e vetmja mundësi që të mbrohemi është të mos infektohemi”, përfundon doktori.

Përgatitën: Erl Murati, V. Duro. E. Çanga


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.