Kryesore

Erion Dasho: Mbajtja e maskave në ambiente të hapura, me efekt të dyshimtë

10:08 - 15.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Mbajtja e maskave në çdo ambient jashtë shtëpisë, nuk është provuar se ndikon në parandalimin e përhapjes së koronavirusit, e madje është një masë me efekt të dyshimtë. Kjo është ajo çka ka deklaruar eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”. Por ai shton se, mbajtja e maskave nuk ka efekte të dëmshme për qytetarët që janë të shëndetshëm. Dasho thekson se në muajt korrik dhe gusht, Shqipëria ka qenë një nga vendet me vdekshmërinë më të lartë për banorë nga virusi në Europë. Ai shton se ajo që është shqetësuese në Shqipëri është vdekshmëria reanimatore, e cila rezulton ndër më të lartat në Europë.
Këtë të mërkurë është publikuar udhëzimi mbi mbajtjen e detyrueshme të maskave në ambientet jashtë shtëpisë. A mendoni se ky vendim do të parandalojë përhapjen e COVID-19?
Mbajtja e maskave me detyrim në mjedise të hapura nuk është një masë e cila është provuar nga evidencat se ndikon në parandalimin e përhapjes së SARS-COV-2. Është një masë me efekt të dyshimtë dhe që nuk besoj se do të ketë ndonjë rol në parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Shqipëri.
A sjell dëme në shëndetin e njeriut mbajtja e maskës për një periudhë të gjatë kohore?
Mbajtja e maskave nuk ka ndonjë efekt të dëmshëm. Siç dihet, mbajtja e maskave nga personat e shëndetshëm që nuk vuajnë nga asnjë sëmundje të aparatit të frymëmarrjes, kryesisht si astma bronkiale, nuk ka ndonjë efekt të dëmshëm mbi shëndetin e personave që e mbajnë. Natyrisht, mbajtja e maskës ka një efekt të pakëndshëm, dhe për këtë arsye rekomandohet që barrierat mbrojtëse të mbahen aty ku ka evidencë të efektit që japin, siç janë mjediset e mbyllura, mjediset ku nuk mund të respektosh dot distancimin fizik si dhe ato mjedise ku dihet se mundësia për t’u ekspozuar ndaj SARS-COV-2 është e lartë.
A bazohet ky vendim në studime shkencore? Sa do ta zbatojnë shqiptarët mbajtjen e maskave?
Deri tani nuk kemi parë që Komiteti i Ekspertëve apo Ministria e  Shëndetësisë të zbatojë masa të bazuara në evidencë, dhe kjo ka qenë një nga mangësitë më të mëdha të përgjigjes së shqiptarëve ndaj SARS-COV-2. Masat kanë qenë jostrategjike. Kanë qenë masa të pakoordinuara, të pafragmentuara dhe të pabazuara mbi evidencat. Ndër shembujt mund të përmendim trajtimin me plazmë hiperimune, i cili nuk ka ndonjë efekt të provuar, pra është e pabazuar në evidencë, si dhe trajtimi i fundit që pati jehonë në median tonë dhe u propagandua si trajtimi që përdori presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i cili përsëri është një trajtim në studim dhe ende nuk ka evidenca se ky trajtim jep efekt.
Si paraqitet situata lidhur me COVID-19 në Shqipëri?
Situata lidhur me COVID-19 në Shqipëri nuk njihet realisht, sepse kryhen shumë pak testime dhe si pasojë është e pamundur të njohim dinamikat e sakta të sëmundjes. Por edhe me aq pak sa testojmë, java që lamë pas dhe kjo javë që po kalojmë aktualisht, janë javët me numrin më të madh të personave të infektuar nga koronavirusi. Duke qenë se ka nisur stina e virozave, sigurisht që pritet që ditët dhe javët në vijim të jenë po kështu; me numra më të lartë të personave të diagnostikuar pozitivë me SARS-COV-2. Por e theksoj se, duke qenë se ne testojmë shumë pak dhe jemi vendi i fundit në Europë për sa i përket numrit të testimeve, nuk kemi një pamje të qartë të situatës sikurse e kanë vendet e tjera europiane. Për këtë arse ne rekomandojmë që, sa më shpejt të rritet numri i testimeve (të arrijë të paktën 2500 testime në ditë në sektorin publik), aq më mirë do të krijojmë një panoramë të qartë dhe do të shikojmë se cilat janë tendencat, për të vijuar më tej me marrjen e masave të bazuara mbi situatën reale. Në këtë mënyrë nuk do të merren më vendime të kopjuara nga vendet fqinje, vendime të pakuptimta, siç ishte rasti i mbajtjes së maskave në publik.
Po statistikat lidhur me vdekshmërinë nga SARS-COV-2 në vendin tonë si paraqiten?
Në kohën që Europa e kontrollonte mirë përhapjen e SARS-COV-2, në muajt korrik dhe gusht, Shqipëria ka qenë një nga vendet me vdekshmërinë më të lartë për banorë nga virusi në Europë. Duke qenë se numri i vdekjeve është rritur edhe në vendet e tjera, renditemi diku nga mesi për sa i përket vdekshmërisë nga COVID-19. Ajo që është shqetësuese në Shqipëri, është vdekshmëria reaminatore, pra kur analizojmë numrat që raporton Ministria e Shëndetësisë, rezulton një vdekshmëri reanimatore ndër më të lartat në Europë. Kjo është shumë shqetësuese, dhe ne si ekspertë të jashtëm nuk mund të bëjmë shumë gjëra për ta përmirësuar, por i japim rekomandime Ministrisë së Shëndetësisë që të analizojë sa më parë situatën me përgjegjshmëri dhe të marrë masa për të rishikuar protokollet ose përafrimin terapeutik nën kujdesin intensiv. Është e patolerueshme që të kemi një vdekshmëri e cila, sipas hipotezave tona, mund të luhatet midis 60 dhe 80%, që është disa herë më e lartë se vdekshmëria reaminatore në vendet e tjera.
A ka raste që pacientëve që manifestojnë simptoma të COVID-19, lehtësisht të ngatërrueshme me ato të gripit, iu jepen medikamente për koronavirusin në një kohë që s’iu bëhet as tamponi?
Problemi më i madh që pritet të nisë me ardhjen e virozave të tjera, është mbivendosja e koronavirusit me gripin dhe virozat respiratore. Ky është një problem madhor, që meriton vëmendje të menjëhershme, sepse në raport me simptomatologjinë është e vështirë e madje e pamundur të bësh diferencimin mes tyre. Për këtë arsye ne kemi rekomanduar që të ndryshojë përafrimi i testimit, duke futur të paktën një numër të caktuar testesh që testojnë njëkohësisht për 10 patogjenë. Kemi rekomanduar një rritje të kapacitetit testues, për të bërë diferencimin midis personave të prekur nga COVID dhe atyre të prekur nga gripi apo nga virozat e stinës. Nëse këto masa do të zbatohen, do të paraprijnë situatën e virozave. Nëse këto masa nuk zbatohen, rrezikojmë që çdo qytetar që manifeston simptoma të lehta të bombardohet me trajtime të panevojshme dhe që dëmtojnë shëndetin e personit që i merr, madje i rrezikon edhe jetën.
Si paraqitet hetimi epidemiologjik? A funksionon siç duhet?
Hetimi epidemiologjik asnjëherë nuk ka funksionuar siç duhet në Shqipëri. Ai bëhet ende me metoda të vjetruara, dhe kjo është e pakuptueshme, pasi ka shumë metoda që aplikohen në vende të ndryshme dhe ne mund t’i kishim përshtatur në kushtet e Shqipërisë. Me metoda tradicionale është e pamundur të kryhet hetimi epidemiologjik.
Cilat janë masat që duhet të merren për të minimizuar numrin e të infektuarve?
Masat që duhen marrë duhet të jenë strategjike dhe të drejtuara në dy trinomë. Trinomi i parë është gjurmo-testo-trajto, që është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë për ta zbatuar këtë trinom. Urgjentisht duhet 5-fishim i testeve, gjurmim i rasteve me metoda digjitale dhe trajtim që bazohet te mjeku i familjes, spitali rajonal, dhe vetëm rastet e komplikuara duhet të çohen te spitalet COVID. Elementi i dytë është trinomi, përgjegjës për zbatimin e së cilit është qytetari, dhe ka të bëjë me respektimin e distancimit fizik, mbajtjen e maskave në ambientet e mbyllura dhe masat e higjienës.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.