OPINION

Ja ku dallojmë ne në konfliktet president-kryeministër

08:05 - 15.10.20 Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur ndjek konfliktin e tanishëm ndërmjet presidentit Meta dhe kryeministrit Rama, mund të të krijohet përshtypja e gabuar se kjo ndodh vetëm te ne. Në fakt, kriza e tanishme institucionale nuk është as e para dhe e fundit, në Shqipëri dhe në Europë, sidomos në ish-Lindoren. Por, si fillim, le të shohim fare shkurt dinamikën e këtyre konflikteve.
Pas vitit 1997, nga presidenti Meidani te Meta, nuk gjen dot një rast të vetëm pa kriza të vazhdueshme në marrëdhëniet president-kryeministër, edhe kur i përkitnin së njëjtës familje politike.
Në fakt, këtë dukuri e gjen shumë më rrallë edhe në disa vende perëndimore me tradita demokratike, si në Itali, Austri, Turqi, Izrael dhe gjetkë.
Gjithsesi, ajo që të bën përshtypje është se, këto lloj krizash kanë tronditur politikën dhe publikun në tri dekadat e fundit pothuajse në të gjitha vendet e ish-Europës Qendrore/Lindore dhe në ish-republikat sovjetike e jugosllave. Disa studime të kohëve tregojnë se këto konflikte përbëjnë rreth 35-40 për qind të rasteve të vëzhguara. Në përgjithësi, ato shkaktohen nga nevoja parimore për mbrojtjen e shtetit të së drejtës, dëshira për më shumë pushtet, kompetenca në emërime dhe shkarkime, aspekte kushtetuese, nevoja zgjedhore etj.
Rekordin në këtë drejtim e mban Ukraina, ku nuk gjen një vit të qetë. Kulmin aty e shënoi konflikti i dhunshëm midis ish-presidentit Yushenko dhe ish-kryeministres Timoshenko, të dy liderët e revolucionit “Portokalli”, duke krijuar zhgënjimin më të madh për Ndryshimin. Po kështu, ish-presidenti polak Les Valesa i “Solidarnos” të famshëm u përfshi në vitet ‘90 në konflikte të ashpra me katër kryeministra, derisa ia kufizuan të drejtat në vitin 1997 me ndryshimet kushtetuese. Në këto gjurmë eci dhe pasardhësi i tij socialdemokrat, Kvansnievski dhe liberali Donald Tusk, ky i fundit dhe ish-presidenti i Këshillit Europian. Aq sa në vitin 2008, i bllokoi avionin qeveritar ish-presidentit Kazcisnki për të shkuar në Samitin e BE-së në Bruksel! Ndërsa në Rusi, Jelcini ndërroi 4 kryeministra përpara se të emëronte Putinin në atë post.
Në rajonin tonë, konflikte të tilla kanë përfshirë në vitet ‘90 e më vonë ish-Federatën Jugosllave; duke filluar nga Serbia me krizën Tadiç-Kostunica, në Kroaci presidenti Josipoviç me Kosar, në Mal të Zi midis Gjukanovic dhe Bujanovic. Në Maqedoni ky konflikt shpërtheu ashpër vitet e fundit midis ish-kryeministrit Gruevski dhe presidentit Ivanov, që përfundoi keq për të parin, i cili ka dalë përpara drejtësisë.
Gjithsesi, dy rastet më tipike, me zgjatje të gjatë kohore dhe të ngjashme me vendin tonë për nga tematika dhe ashpërsia e tyre kanë ndodhur në Rumani dhe Bullgari, dy vende anëtare të BE-së.
Në Rumani filloi me konfliktin ndërmjet dy drejtuesve të Frontit të Shpëtimit Kombëtar, presidentit Iliesku dhe kryeministrit Roman në vitet ‘90. Më vonë, më 2007-ën, kreu socialdemokrat, kryeministri Nastase iu kundërvu ashpër ish-presidentit Trian Basescu deri në shkarkimin e tij, por që u revokua nga Gjykata Kushtetuese. Në burg përfundoi vetë Nastase. Sikur të mos mjaftonte kjo, në vitin 2012, ishte lideri tjetër socialdemokrat Victor Ponta që u angazhua në beteja tejet të egra ndaj Basescut, që kishte fituar mandatin e dytë, që e çoi në fund më 2014-ën. Madje, u organizua dhe një referendum për shkarkimin e Basescut, ku ndonëse shumica votoi me shumë abuzime dhe shpërdorime vote kundër tij, Referendumi u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese. Kjo “luftë për pushtet” vijoi nga pasardhësit e Ponta, i cili u largua dhe nga vetë Partia Social-Demokrate ndaj presidentit të pavarur Johannis. Ashtu si në rastin e Basescut, dhe kjo ishte një “betejë për jetë a vdekje” për probleme dhe shqetësime parimore, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, politizimit të organeve të drejtësisë, tentativave të qeverisë për të ndërhyrë dhe marrë nën kontroll pushtetin gjyqësor me ligje të padrejta që binin në kundërshtim me frymën dhe germat e BE-së etj.
Socialistët rumunë, duke përfituar nga besimi që iu dha për mbi 10 vjet rresht, menduan të krijonin e të shtonin kapitalin e tyre politik jo me alternativa mirëqeverisjeje, por tanimë, duke shfrytëzuar dhe abuzuar me besimin e elektoratit të gjerë; veçse ky votëbesim nuk mund të ishte i përjetshëm. Ndaj, në vend të Basescut dhe Johanis u larguan me turp Ponta dhe shokët e tij. Por, në atë humbje morën me vete dhe PS-në, e cila veç Parlamentit, muajin e kaluar në zgjedhjet vendore humbi Bukureshtin dhe qytete të tjera të mëdha. Dhe nuk dihet sa kohë do të qëndrojë në opozitë; sepse sa ishte në pushtet “bëri kërdinë”, ndaj dhe faturën politike e ka “shumë të kripur”.
Bullgaria është edhe më keq në këtë drejtim. Qysh me fillimin e viteve ‘90 ndodhën konfliktet e ashpra Zelev-Vidanov dhe Zelev-Dimitrov. Ndërsa në janar të këtij viti doli në sipërfaqe kriza midis kryeministrit Borisov dhe presidentit Radev, të mbështetur nga PS-ja bullgare. Kriza u shkaktua mbasi presidenti kundërshtoi kandidaturën e Prokurorit të Përgjithshëm, duke i kërkuar qeverisë forcimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, gangrenë sociale në atë vend. Në shenjë hakmarrjeje filluan sulmet, përgjimet dhe akuzat për penalizimin e presidentit Radev. Më tej, u ngritën akuza ndaj dy këshilltarëve të tij dhe në korrik forca të shumta policore bastisën zyrat presidenciale. Kjo shkaktoi irritimin masiv të qytetarëve, që plot 100 ditë më parë e në vazhdim kërkojnë me protesta të përditshme masive largimin e qeverisë për dështimin e saj në luftën kundër korrupsionit të vërtetë që “po bën kërdinë”. Borisov po mundohet ta shtyjë dorëheqjen duke premtuar ndryshime kushtetuese të cilat nuk bindin kënd. Në këto situata të turbullta dhe jo normale, presidenti Radev e ka lënë zyrën dhe ka dalë në rrugë duke protestuar, si president i popullit. Ai është shprehur hapur se virusi më i keq se korona është oligarkia dhe korrupsioni, dhe se ato nuk zgjidhen me reforma, por me largimin e Borisovit.
Tashmë duket se dhe BE-ja që e ka mbështetur fort, po ndryshon qëndrim në favor të popullit. Nëse ajo do t’i përmbahet këtij kursi, ky do të jetë ndryshim i madh i mirëpritur në rajon; ai do të tregojë se më në fund BE-ja po heq dorë nga stabilokracia, d.m.th. mbështetja pa kriter e qeverive në favor të shtetit të së drejtës, që në këto dy vende në 10-15 vitet e fundit në fakt është mbrojtur nga Presidenti i Republikës.
Dhe tani, pas kësaj tabloje jashtë vendit, le të shohim e të veçojmë shkurt 10 specifikat dalluese të konfliktit të tanishëm Rama-Meta.
Së pari, ndryshe nga vendet e lartpërmendura, te ne Presidenti nuk zgjidhet direkt nga populli, por nga Kuvendi. Kësisoj, ai bëhet më i rrezikuar nga ekzekutivi që, siç dihet, këto 15 vitet e fundit nuk ka lënë gjë pa bërë për ta kthyer presidentin në ‘noter-kukull’ ose figurë ceremoniale. Në fakt, edhe në disa vende perëndimore si Greqia, Gjermania, Austria etj. presidenti zgjidhet nga Parlamenti, por me atribute përfaqësuese. Veç kësaj, në kushtet e një demokracie tradicionale në ato vende kjo nuk paraqet kurrfarë problemi, ndërsa në Shqipëri, ku vështirë të gjesh normalitet demokratik, qëndrimet e Presidentit, megjithë teprimet dhe kusuret e tyre, të paktën në “frymë” janë të justifikueshme.
Së dyti, te ne këto konflikte dhe grindje bëhen kryesisht midis “shokëve të armëve”, personalitete dhe liderë të së njëjtës forcë politike, çka gjetkë ndodh shumë rrallë.
Së treti, ndryshe nga konfliktet e tjera, ai Meta-Rama është i trashëguar qysh nga viti 2008, me ndarje, bashkime e rindarje, me një shtrirje kohore rekord dhe pa kthim prapa.
Së katërti, konfliktet shqiptare janë bërë si “ferra nëpër këmbë” për proceset demokratike, duke i vonuar dhe penguar ato artificialisht.
Së pesti, për më tepër që ne nuk e kemi “luksin” për konflikte të tilla të “ngrira”; kjo mbasi, ndryshe nga vendet e tjera, ne ndeshemi me sfida të shumta e sidomos me atë të çeljes së negociatave me BE-në; kur “simotrat” tona u pranuan në BE të paktën 16 vite më parë.
Së gjashti, në aspektin e komunikimit publik, kjo krizë mund të kapërcehet me dialog dhe demarshe pajtuese, por kurrsesi me gjuhë të drunjtë, banale, me batuta fyese, aludime, insinuata dhe sulme personale, sidomos nga ana e kryeministrit, siç ndodhi dhe në Asamblenë e PS-së më 9 tetor.
Së shtati, si një rast “sui generis” Shqipëria ka mbi tre vjet pa Gjykatë Kushtetuese, e cila do t’u jepte zgjidhje problemeve dhe ankesave që kanë lindur nga ky konflikt i ashpër.
Së teti, në vend të përpjekjeve për të shuar konfliktin, te ne ai tentohet të mbyllet me lloj-lloj sofizmash ligjorë, duke përfshirë dhe draftin e ri ligjor për Presidentin, që në vend të mbyllë, hap sherrnaja të reja politike.
Së nënti, te ne ky konflikt ka një katalog shumë më të gjerë se te vendet e tjera, duke hyrë në çdo qelizë, nga “lufta e dekreteve”, te ajo e dekoratave tani së fundi!
Së dhjeti, ndryshe nga homologët e tij europianë, presidenti Meta është lider karizmatik me përvojën politike 30-vjeçare, edhe pse me dritëhijet e veta të kuptueshme në një vend si i yni; si askush tjetër, dhjetoriani i majtë i ‘90-ës hyri në moçalin politik shqiptar si “ushtar i thjeshtë”, duke kaluar të gjitha shkallët e hierarkisë parlamentare me 7 mandate deputeti, partiake si ish-zv. i PS-së dhe lider i LSI-së, dhe në postet më të larta shtetërore; siç thotë populli “kiji inatin, por jepi hakun”; kjo “bishë” politike, në të gjitha këto arritje nuk ka asnjë dhuratë, por të fituara në beteja të ashpra politike, pse jo duke shfrytëzuar dhe ofertat, shanset dhe dobësitë e aleatëve dhe kundërshtarëve politikë. Ish-zv.kryetar i PS-së dhe themelues i FRESSH-it emblematik në moshën 23-vjeçare më 1991, bashkë me shokët e vet të idealit, ai kontribuoi si rrallëkush për imazhin dhe njohjen e PS-së jashtë vendit në momentet më të vështira historike; kur kryeministri i sotëm as që kishte lidhje me PS-në dhe ishte emigrant në Paris. Çuditërisht Metën politikan e akuzojnë, por askush nuk thotë pse e zgjodhën si alternativë politike dhe më 1997, 1998, 1999; as Rama që bashkëpunoi ngushtë me të më 2007 e 2013 si Kryetar Kuvendi dhe që e propozoi si President për t’iu rikthyer grindjeve të tanishme.
Së fundi, nisur nga sa u tha më lart, por dhe pesha me llogaritjet zgjedhore të kryeministrit Rama, duket tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur, për kthim prapa të njërit apo tjetrit, ca më tepër kur zgjedhjet e 25 prillit po trokasin te porta.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.