OPINION

Rama-Meta, beteja për të majtën

09:08 - 15.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Neritan Alibali – Shumëkujt i bëri përshtypje sulmi i stërzgjatur i Edi Ramës në Asamblenë e PS-së kundër Ilir Metës dhe LSI-së. Jo për faktin se ishte një zhvillim i papritur, i pandodhur më parë. Përkundrazi! Beteja midis kryeministrit dhe presidentit ka kohë që po zhvillohet e ashpër, jo rrallë pa etikë dhe herë-herë edhe me nota të theksuara humori. Por konflikti, së paku në formë, ka qenë i një natyre tjetër. Ai është zhvilluar “për” dhe “në” organet e shtetit, është shtrirë në rrafshin juridiko-kushtetues dhe ka pasur natyrë thellësisht institucionale, pavarësisht ngarkesave politiko- personale. Ndërsa sulmi i Edi Ramës në asamblenë e partisë së tij, zbuloi apo i dha konfliktit një natyrë politiko-partiake me synim të theksuar elektoral. Dhe Edi Rama është i detyruar ta bëjë këtë. Sepse, në fakt, aktualisht midis Ramës dhe Metës po zhvillohet një betejë e ashpër për rindarjen e së majtës shqiptare, e në radhë të parë, e përqendruar në atë shtresë bazike të elektoratit socialist, konservatore, nostalgjike dhe ultra të majtë, e cila i ka themelet në trashëgiminë e luftës nacionalçlirimtare. Dhe në këtë shtresë bëjnë pjesë përgjithësisht “idealistët” besnikë të Partisë Socialiste, siç janë veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe ish-anëtarët konservatorë të PPSH-së, të cilët, megjithëse nuk kanë hequr dorë nga nostalgjia e tyre për Enver Hoxhën dhe diktaturën e proletariatit, kanë mbështetur PS-në, si të vetmen alternativë të fuqishme, e aftë për të mbrojtur vlerat e luftës nacionalçlirimtare dhe trashëgiminë “pozitive” të periudhës së ndërtimit të socializmit ndaj sulmeve të së djathtës.




Duke qenë njohës i mirë i bazës mbështetëse të së majtës, Ilir Meta është fokusuar fort te ky grup. Jo më kot, prej disa kohësh, në mënyrë të qetë dhe këmbëngulëse ai ka filluar të rikujtojë, të rivlerësojë e të rinderojë dëshmorët e luftës, nëpërmjet rishpërndarjes së dekoratave apo titujve të nderit familjeve të tyre apo edhe pjesëmarrjes në aktivitete përkujtimore që lidhen me LANÇ. Dhe jo më kot, Partia Socialiste dhe Edi Rama, jo vetëm po sulmojnë këto veprime të tij, por edhe po ndërmarrin nisma ligjore për të kufizuar të drejtën kushtetuese të presidentit për dhënie dekoratash.
Në këtë betejë, Ilir Meta dhe LSI-ja përbën një kërcënim të vërtetë dhe serioz për PS-në në zgjedhjet e 25 prillit. Sepse ai, duket sikur po zbaton një strategji të qartë për t’ia shkëputur PS-së këtë grup të fuqishëm mbështetësish, jetik për shëndetin elektoral të partisë në pushtet. Dhe themeluesi e kryetari i parë i FRESSH-it, nënkryetari i PS-së në periudhën më të vështirë të saj, themeluesi dhe ish-kryetari i LSI-së, Presidenti aktual i Republikës, i ka të gjitha kushtet për ta realizuar me sukses strategjinë e tij. Në sytë e kësaj shtrese të rëndësishme të elektoratit të majtë, Ilir Meta, gjatë gjithë jetës së tij politike, që në fillesat e saj, ka qenë i qartë, i prerë dhe i pakompromis mbi vlerësimin e luftës nacionalçlirimtare, dëshmorëve që ranë për liri dhe të atyre që morën pjesë në këtë luftë. Ndërkohë që vetëm pak kohë më parë, Edi Rama u ndodh para një rrebeshi histerie nostalgjikësh komunistë kur vlerësoi figurën emblematike të Mithat Frashërit, kryetarit të Ballit Kombëtar, duke kërkuar që të ndahet kontributi i tij madhor kombëtar patriotik në fushën e letrave nga aktiviteti i tij i diskutueshëm politik.

Nga ana tjetër, përballë talljeve të Spiropalit dhe Ramës për ridekorimin e Vojo Kushit e të tjerëve, të vrarë sipas tyre “para 100 vjetësh”, Ilir Meta bëri publik faktin se kishte lindur “në një shtëpi që kishte qenë gjatë luftës spital partizan dhe që themelet e saj vazhdonin të ishin të lagura nga gjaku i dëshmorëve”, që “donte më shumë Margaritën (Tutulani) sesa Monikën (Kryemadhi)” për faktin se ajo, Margarita, “e kish dashur atdheun që të ishte e lirë”, se sa herë kalonte nga Shkodra, shkonte të përulej me nderim para monumentit të Heronjve të Vigut etj. Dhe ky socialist “me rrënjë e me degë”, ky mbrojtës i luftës dhe dëshmorëve të saj, u tregon socialistëve me gisht Edi Ramën, kryetarin aktual të PS-së, njeriun që në një miting të mbajtur në Tiranë në vitin 1991 kërkoi që “komunistët të vareshin në litar dhe pensionistët të shkonin në hanxhar”. Njeriun që tallej me figurën e Enver Hoxhës duke u gajasur me librin e Sulo Gradecit “Komandant na mori malli”. Që organizonte Refleksionet në Institutin e Lartë të Arteve, ku lëvronte gjithë koloritin e gjuhës së tij të mprehtë për të sharë mbarë e prapë regjimin komunist dhe shërbëtorët e besnikët e tij, pikërisht ata që sot ka frikë se mos i humbi si votues. Për të gjitha këto arsye, dhe të tjera si këto, Ilir Meta është shumë më pranë kësaj pjese të bazës elektorale të PS-së sesa Edi Rama. Por beteja Rama-Meta zhvillohet edhe për një grup tjetër të “popullit të majtë”, për nëpunësit e administratës publike. Pak ditë më parë, me një seriozitet e shqetësim të pazakontë, Rama dhe ministrat kryesorë të tij e mikluan fort këtë shtresë nëpërmjet statistikave të rritjes së pagave të tyre gjatë shtatë vjetëve të qeverisjes së tij. Por nëpunësit socialistë të administratës publike, janë më “fleksibël” dhe më “pragmatistë” se bashkëmilitantët e tyre “idealistë” të bazës socialiste. Lidhjet midis tyre dhe nëpunësve të LSI-së gjatë mandatit të parë 2013-2017, kanë qenë të fuqishme. Të punësuar sipas formulës 3+1 të ndarjes së pushtetit, sipas së cilës për çdo 4 vende pune në administratën publike 3 duhej të ishin të socialistëve dhe 1 i LSI-së, kanë bërë të mundur që të ruhen në vazhdimësi në mënyrë jopublike, marrëdhënie të mira individuale pavarësisht marrëdhënieve të liderëve të partive respektive. Për këtë arsye, Ilir Meta është i qetë.

Pjesë të mëdha të punonjësve të administratës publike dhe familjet e tyre në mënyrë të heshtur dhe të fshehtë potencialisht mund t’i bashkohen LSI-së. Meta, është i sigurt në fuqizimin elektoral me këtë grup socialist. Ai thjesht ka bërë thirrje që nëpunësit e administratës të mos firmosin shkresat që u imponohen nga funksionarët e lartë socialistë, sepse përndryshe do të mbajnë përgjegjësi individuale (jo kolektive). Pra, ai i ka ofruar këtij grupi “edhe kulaçin edhe kërbaçin”. Gjithsesi, vetë natyra e nëpunësit të administratës publike është “fleksibël”. Ata e nuhasin fundin e një pushteti, sidomos pas mandatit të dytë qeverisës, dhe erën e ndryshimit shumë më shpejt sesa shefat e tyre politikë. Ata dinë të përshtaten e të bashkëpunojnë me fituesin e pritshëm, edhe kur kjo përbën së paku shkelje të etikës në punë e lëre pastaj statusit të tyre. Pra, ata dinë të përshtaten e të mbijetojnë për të mbrojtur vendet e tyre të punës në mënyrë të heshtur dhe efikase. Dhe këtë e kanë treguar në çdo periudhë të tranzicionit të pushtetit, qoftë kur ai ka kaluar majtas, apo qoftë djathtas.
Në vitin 2013, një grup i madh i elektoratit të PD-së dhe partive të tjera të djathta që kishte në bazë nëpunës demokratë të administratës shtetërore dhe përfitues nga qeverisja e PD-së, iu bashkuan LSI-së menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes Rama-Meta për qeverisjen e vendit pas zgjedhjeve. Ata ishin komodë t’i bashkoheshin LSI-së, pasi ajo kishte qenë pjesë e koalicionit me PD-në. Në zgjedhje, LSI-ja fitoi 16 deputetë, nga 4 që kishte fituar në vitin 2009, dhe një pjesë e mirë e ish-nëpunësve të qeverisjes së PD-së arritën të mbanin vendet e punës. Por pas zgjedhjeve të vitit 2017, ata, së bashku me nëpunësit e LSI-së, u flakën masivisht nga puna, duke i dhënë fund kësaj marrëdhënieje të sforcuar. Tashmë, i gjithë grupi elektoral demokrat që iu shkëput PD-së në vitin 2013 e në vazhdim, është kthyer përsëri në bazën e vet politike dhe LSI duhet të ripërqendrohet në elektoratin e majtë si baza e vet e natyrshme. Tek e fundit, Ilir Meta, Kryemadhi dhe LSI kanë dalë nga “brinja” e Partisë Socialiste dhe si pjesë gjenetike e saj kanë detyrimin që në qeverisjen e ardhshme të kryesuar nga Lulzim Basha të mbrojnë interesat dhe vlerat e shtresave të majta të popullsisë. Kjo do ta bënte qeverisjen e ardhshme gjithëpërfshirëse, duke siguruar paqen sociale, aq të cenuar në këta 7 vjetët e fundit.
Nga ana tjetër, beteja midis Ramës dhe Metës për të majtën shqiptare, nuk është betejë e Lulzim Bashës. Ai nuk ka pse të përfshihet në të. Basha ka vlerësuar gjithmonë luftën për liri kundër fashizmit dhe ka shprehur vazhdimisht respekt për të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për atdhe, pa dallim ideje apo bindjeje politike. Beteja e Bashës me Ramën është e një natyre krejt tjetër. Është një betejë finale për marrjen e pushtetit. Është një përplasje alternativash qeverisëse, për udhëheqjen e vendit për katër vitet e ardhshme. Dhe në këtë luftë, Basha ka përparësi të mëdha në raport me kundërshtarin e vet, bilanci i vetëm i të cilit është keqqeverisja e vendit.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.