Kryesore

Helena Kadare merr titull mirënjohjeje: Ismaili zemërohej kur i bëja vërejtje

11:01 - 16.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Takimi në Qendrën e Librit, shkrimtarja: Kam kohë e mbyllur dhe e internuar…




Fatmira Nikolli – Mes Helena Kadaresë shkrimtare dhe Helenës si gruaja e një shkrimtari si Ismail Kadare, gjithnjë ka qenë e dyta që ka triumfuar. Zgjedhjen e saj e kishte bërë me kohë, duke e gjykuar letërsinë e tij më të rëndësishme se të sajën. Megjithëkëtë, mbrëmja e 15 tetorit, pati në vëmendje, pikërisht atë si shkrimtare. Në një takim të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit, Helena Kadare, doli para miqve e lexuesve.
Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës së Librit, tha se takimi ishte parashikuar të mbahej më 9 mars të këtij viti, pikërisht atë ditë kur bota hyri në një tjetër qasje për shkak të Coronavirusit. Virginia Wolf shkruante: Përse ka pasur kaq pak gra shkrimtare? Në një shkrim estetik të ndjeshëm mbi gratë dhe shkrimin.
“Pyetja e saj ishte e drejtë. Shkrimësia, letërsia ka qenë për gruan një ndërmarrje subversive, një pronë e gjinisë tjetër. Gratë do të vinin në letërsi nën pseudonimet e burrave. Lista e tyre është e gjatë, por po kujtoj Mary Evans shkrimtaren e mrekullueshme që e lexojmë sot ende nën emrin e Tomas Eliot”,-tha Alda Bardhyli, drejtuese e Qendrës së Librit, në fjalën e mbajtur në hapje të takimit për Helena Kadarenë.
Duke folur për gratë e letërsinë, Bardhyli, shënoi se proza e gjatë në vendin tonë, e dha provën e parë me novelën “Shuaje dritën Vera” të Elena Kadaresë (1966). “Jam befasuar nga ndjeshmëria e një shkrimtareje që i jepte zë karaktereve gra në një Shqipëri të trazuar siç qe Shqipëria e atyre viteve. Helena Kadare shkruante me një stil të përkorë, duke përshkruar tematika që e tejkalonin kohën”,-tha Bardhyli, duke kujtuar veprat e Helenës “Një lindje e vështirë” 1970, “Bashkëshortët”, “Një grua nga Tirana” dhe deri më 2011 kur solli para lexuesit, një nga librat më të mirë biografikë në historinë tonë “Kohë e pamjaftueshme”.
VLERËSIME
Për Muç Nanon të jesh gruaja e Ismail Kadaresë është status më vete. “Ajo mori një vendim që unë s’do e kisha marrë, të linte letërsinë e saj dhe të punonte për të tijën”. Duke u ndalur në letërsinë e saj, Nano tha se mes disa veprave, Helenës, i ka lexuar një bestseller që është jeta e një çifti, një nga çiftet më të rëndësishëm në letërsinë e Shqipërisë, me titullin ‘Kohë e pamjaftueshme’. Për Muç Nanon, kjo vepër, është një dokumentim i mirë që i bëhet historisë dhe jetës nën komunizëm. “Është një nga kontributet më të mira ai libër autobiografik. Shpreh keqardhjen që për shkak të zgjedhjes qe ka bërë duke qenë gruaja e tij dhe krahu i tij i djathtë, nuk kemi shumë vepra të sajat. Po të mos kishte marrë atë vendim, do kishim më shumë vepra të saj dhe ajo do ishte më e zëshme. Dhe ne kemi nevoja për zëra”,-tha ai.
Fatmira Aliaj, mike e hershme, kujtoi sfidat me të cilat përballej Helena në punë dhe në shtëpi. “Ne kemi qenë në punë bashkë në redaksinë enciklopedike kulturore. Kishim sektorin e biografive e ngjarjeve. Helena më shtoi dëshirën për punë. Ne mundoheshim që çdo frazë ta shpëtonim nga konjukturat e kohës dhe shpesh ishte Helena ajo që këmbëngulte, sepse e kishte librin të shenjtë”,-tha Fatmira Aliaj, shkrimtare. As me ikjen e saj nga Shqipëria, të çiftit Kadare, Fatmira dhe Helena nuk i shkëputën lidhjet. “Sa herë flisja, ajo interesohej çdo gjë. Është atdhetare e madhe, pyeste për ato që ndodhnin këtu. Pos shkrimtare është grua me zemër të madhe dhe këto i bën në mënyrë paqësore, dhe pa rënë në sy. Ia kam admiruar këtë natyrë. Me devocionin e mbështetjen, ajo s’ka qenë vetëm gruaja, por edhe bashkëpunëtorja e Ismail Kadaresë”,-tha Fatmira Aliaj, gjithashtu, shkrimtare. Në fund, për miqësinë e saj me të, ajo citoi Aristotelin: “Bota pa miq do ishte e shkretë. Kush e ka mikeshë dhe e njeh Helenën, ia ka zbukuruar jetën”.
Një qasje interesante pati edhe shkrimtarja Vera Bekteshi. Sipas saj, Helena si pak prej grave të shkrimtarëve të mëdhenj, ajo, i dha dritë atij, por ruajti pak dritë edhe për vete.
“Të gjithë ne që e njohim atë kohë, e dimë që nuk e kanë pas të lehtë të jetonin dhe mbijetonin atëherë. Sepse sa më lart ngjiteshe aq më shumë lëndoheshe nëse bije. Këtë e ka ndjerë edhe botuesi ‘Fayard’. Unë kur kujtoj rininë, kujtoj me Helenën, atë divanin e vogël në kuzhinë ku diskutonim. Megjithatë, patëm fat që asnjëri nga miqtë nuk na tradhtoi, këtë thotë Helena. Ne mësuam të lexonim vështrimin e atyre që kishim përballë dhe ky ka qenë mekanizëm mbrojtës”,-tha Vera Bekteshi. Mes të tjerash, ajo kujtoi edhe një tekë të Ismail Kadaresë, kur pas një debati me Helenën, Vera shkoi ta takonte, dhe kur shkoi në shtëpi dhe e gjeti Helenën me Verën duke qeshur, ju fiku dritat.
Për Diana Çulin, letërsia e Elena Kadaresë ishte ajo letërsia ku gratë po tregonin për veten e tyre. “Ajo shkroi për kompleksitetin e qenies njerëzore, ndaj them se ajo është e plotësuar dhe na ka ndritur edhe ne”,-tha shkrimtarja Diana Çuli.
Një përgjigje nga Helena
Me të marrë fjalën, Helena Kadare, falënderoi të gjithë të pranishmit që në kohë të vështira janë mbledhur për të. “Kam shumë muaj që jam e internuar në një shtëpi në breg të detit dhe kur ju pashë të gjithëve u emocionova”,-tha ajo. Pasi falënderoi ministren Elva Margariti për titullin e mirënjohjes dhe Alda Bardhylin për aktivitetin, Helena Kadare, tha se është e prekur nga mikesha e saj Fatmira Aliaj që e befasoi me kujtimet që solli në vëmendje. Ajo vërejti se përkthimet kanë qenë një botë ku ajo ndihej mirë pavarësisht se sa kohë kishte për to. “Përkthimet kanë qenë çlodhje e gëzim kur i bëja edhe pse Ismaili nuk i donte. Para se të ikja në Francë ëndërroja dhe i kisha zili ata që shkonin jashtë nëpër librari, blinin libra dhe i përkthenin. Kur shkova atje, dhe merrja ndonjë libër, thosha që këtë libër duhet ta lexojë edhe lexuesi shqiptar. Në kohën që unë punoja me librat e Ismailit, merresha edhe me përkthimet. Një herë u hap dera e unë e mbylla sirtarin shpejt, dhe vajza më pa që shtyva sirtarin duke menduar se ishte Ismaili, e më tha “po punon në të zezë” kujtoi ajo me të qeshur.
Ritheksoi edhe njëherë se fakti që la mënjanë të shkruarin për t’iu kushtuar letërsisë së Ismail Kadaresë, për të nuk ka qenë sakrificë. “Nuk kam bërë asnjë sakrificë që kam lënë veten time në hije për të bërë atë vepër kolosale që ishte Veprat e Ismailit. Ishte një vepër shumë e çmuar dhe unë e kuptoja rëndësinë. Ai është njeri që nuk është i lehtë është i vështirë. Unë lexoja dhe i bëja vërejtje, ai zemërohej. Nuk e pranonte dhe unë i thosha, ‘mirë si të duash’. Më hipte edhe mua inati dhe atij po ashtu. Kur ai riniste të shkruante, unë ngazëllehesha aq shumë sa i harroja inatet kur shkruante. Ishte kënaqësi ajo që bëra. Nuk jam pishman që nuk bëra libra më shumë”.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.