KULTURË

HELENA KADARE: Vetëvrasja e Mehmet Shehut dhe “Pashallarët e kuq”, kohë të vështira

11:02 - 16.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli “Ismail Kadare nuk po shkruan, Nobelin ka tre vite që nuk e presim më”  – Profili i një mbretëreshe që qëndroi stoike e në heshtje dhe daljet e saj publike
Nëse do të kërkohej një përkufizim për të përshkuar Helena Kadarenë, në arealin shqiptar, në raportin me shqiptarët këtej e andej kufirit, në atë që ajo përfaqëson në letrat e në mendimin shqip, si gruaja në hije pranë Ismail Kadaresë, dhe si gruaja që jep dritë pranë tij, me gjasë, ajo do të merrte padyshim, rolin e mbretëreshës. Vetë Kadare, te “Mosmarrëveshja” është marrë gjatë me figurën ‘emblematike’ të Geraldinës. E kam gjetur atë qasje të Kadaresë për Geraldinën si qasjen që shumë shqiptarë, kanë për Helenën. Pavarësisht herëve që e duam apo nuk e duam Ismail Kadarenë, herëve që mburremi për të e herëve që e kritikojmë për jetën a veprën, pavarësisht mënisë më një anë dhe çmimit që i japim letërsisë së tij, pavarësisht debateve a dokumenteve mbi a për Ismail Kadarenë, Helena ka qenë gjithnjë aty, e pacenuar dhe e pacenueshme, siç kishte qenë më 1939 e pas, Geraldina pavarësisht qasjes që shqiptarët e sistemet politike, patën për Zogun. Si një marrëveshje e heshtur, Helena, njësoj si Geraldinë, ka qenë e paprekshme me profilin e një zonje që nuk duhet cenuar. Ky paralelizëm i saj me Geraldinën, që mund të ngjajë i pagjasë për shumë kënd, prej kohësh më sillet në mendje, si paralelizmi që e përcjell më së miri, portretin e një zonje, qe ecën ngadalë, qe flet ngadalë, që kumton shkurt, që rri në hije, duke lëshuar dritë, që hesht e buzëqesh, që përgjigjet me etikë, që shkruan bukur, që përkthen mirë, që ka gjurmë kudo, por që nuk i bërtet. Ajo ka e ka ditur gjithnjë barrën e detyrën e saj, një mbretëreshë, gjithnjë e di. Ndaj kur mbrëmjen e së enjtes, ecte drejt sallës së rezervuar për një takim për të, tek e shihja që vinte e kujdesshme me të gjithë, imagjinova për një çast si do të kishte qenë jeta e saj, nëse nuk do të ishte martuar “në atë derë të rëndë” , nëse do të huazonim vargjet e popullit për Geraldinën, marrë nga “Mosmarrëveshja” e Kadaresë. Por Helena Gusho e kish kërkuar pothuaj me ngulm këtë fat të sajin dhe kur i ish dashur të zgjidhte, krejt e re, ajo e kish bërë zgjedhjen e saj. Disa dekada, në një mbrëmje organizuar për të, ajo ende ruan të njëjtin profil, pa u penduar dhe pengje, siç do të bënte një mbretëreshë.





PËRKTHIMI SI PAQE
Këta muaj të vështirë, mes pandemisë e frikës, i ka kaluar në Shqipëri. Një vilë në Qerret e rrethuar me pisha, është holli i saj i ditëve e netëve, që ajo e quan internim. Si natyrë vivide, Helena ka dashur gjithnjë të dalë e të takohet me miq, të bisedojë e të ndajë kohë, ndaj izolimi, është për të një internim. “Unë këto kohë kam lexuar libra shumë të bukur, që gjithnjë i kam shtyrë me idenë se kam kohë. Kohë nuk ke asnjëherë dhe unë u them të gjithë atyre që duan të shkruajnë, të shkruajnë se nuk do kenë më kohë. Do t’i shtysh të gjitha gjërat e tjera që të arrish të bësh atë që do. Kjo ishte kohë shumë e mirë për të lexuar, se jemi të izoluar e nuk na vjen asnjë njeri. Po bëhemi pak të egër, si ‘fshatarë’ që jemi atje. Qerretas”, thotë me të qeshur. ndan me ne, edhe një lajm, që është në shumë kuptime, i mezipritur. “Kam bërë edhe ca tregime. Po të bindem do i botoj. Asnjëherë nuk i botoj përnjëherë, se s’jam e sigurt, ndaj do t’i mbaj edhe pak e t’i shikoj, po të bindem do i botoj”,-thotë ajo. Një prej librave të përkthyer vitet e fundit, nën titullin “Një grua në Berlin”, ajo sjell fate të trishta grash, në një kohë paslufte si për të nxjerrë nga harresa, ato që vuajtën. Kur e pyet për atë libër, Helena thotë se “libri ‘Një grua në Berlin’ që kam përkthyer, është një libër shumë i bukur. Është historia e një gruaje shumë interesante. E vetmja lidhje që kam unë me të, është që ajo ka qenë redaktore dhe punonte në një shtëpi botuese. Ajo ka mbajtur një ditar dhe tregonte tmerret që përjetuan gratë kur hyri ushtria ruse. Një numër shumë i madh i tyre, u përdhunuan. Kur fillimisht doli libri, që e nxori një botues, doli me pseudonim. Ato kujtime e egërsuan Gjermaninë, vendi u vu kundër asaj gruaje, sepse nuk e pranonte këtë fakt. E akuzuan madje, edhe si grua të përdalë”,- tregon Helena. Ndërsa flet, për atë grua të ‘panjohur’ mes mijërave dhe për fatet e të tjerave si ajo, me një zë të qetë e të shtruar, duket se Helena, ju bën një homazh, grave të panjohura si autorja, që e morën me vete, heshtjen dhe frikën. “Vetëm pasi vdiq, kujtimet dolën me emrin e saj të vërtetë. Është një libër që duhet ta lexojnë të gjithë”,-tha ajo.
NOBELI NUK PRITET MË
Vetëm një javë më parë, Nobeli ringriti sërish bastet për Ismail Kadarenë. Por shkrimtari ka kohë që nuk e pret më. Helena rrëfen copëza përditshmërie, për pritjet e Nobelit. “Ka tre vite që nuk e presim më Nobelin, sepse për 30 vite, kudo që ishim na merrnin gazetarët nga e gjithë bota dhe na pyesnin, ku do të jetë zoti Kadare, në orën 13:00, sepse kjo ishte ora kur jepej çmimi. Vinin gazetarët edhe në Tiranë kur ishim, por kryesisht në Paris vinin dhe prisnin ose telefonin nga e gjithë bota. Bëhej ky ritual dhe në orën 13:00 telefoni pushonte, sepse merrej vesh kush ishte. Ka tre vite që sinqerisht nuk e presim. Për mua dhe shumë dashamirës të Ismailit, mendojmë se duhej ta merrte prej kohësh. Nuk e ka marrë. Por nuk është ndonjë kujë. Do të ishte shumë mirë për vendin tonë”,- tha ajo.
E pyetur se si përballohen lajmet në media, dhe raportimet për të, qoftë edhe lajme që dalin mbi dhe për diktaturën, ajo tregoi ritet e tij të kahershme si për të mënjanuar shkrimtarin nga ndodhitë e zakonshme. “Ismaili punonte në shtëpi, ishte në profesion të lirë. Unë para se të shkoja në shtëpinë botuese, i ndizja një zjarr në oxhak dhe kur ulej atje thoshte ‘jam njeriu më i lumtur në botë’. Shkruante dy orë në ditë gjithmonë, kur them dy orë, ai shkruante çdo ditë, edhe më 1 janar, ai shkruante, qoftë edhe 2 faqe. Ishte i sëmurë nëse nuk shkruante të paktën dy faqe. Punonte ngadalë dhe për dy faqe që do të shkruante kishte 20 faqe shënime. Unë si redaktore që isha, vija dhe i thosha, çfarë ke bërë, bobobo, i thosha që kjo ose ajo nuk thuhej. Ai më thoshte shih nëse të pëlqejnë, mos më thuaj a bëhet a nuk bëhet, duhet apo nuk duhet. Ai vetë ishte i lumtur, ndërsa unë dija dhe shihja çfarë thuhej jashtë”-tregoi Helena.
KOHË TË VËSHTIRA
Kohët e vështira, për të cilat kanë folur të dy, në intervista e në librin me kujtime ‘Kohë e pamjaftueshme’ Helena i solli në vëmendje përmbledhtazi, si për të hequr një barrë që e ka mbajtur gjatë mbi supe. “Kur ishte ajo çështja e ‘Pashallarëve të kuq’, të gjithë u larguan. Unë e dija që kjo ishte sjellja që duhej bërë, nga kolegët e të tjerë. Kjo ishte një tronditje. Nuk më erdhi keq nga kolegët, e dija që duhej të distancoheshin, sigurisht mikeshat e mia të tërë jetës, nuk m’u larguan, por këtë që e ndjeja, nuk e përcillja në shtëpi, por rrija me tmerr se çfarë do të ndodhë. E lija atë (Ismail Kadarenë) të fluturonte me atë lumturinë e tij, nuk ia thosha këtë gjë. Fillonte përpjekja tjetër, sigurimi i ushqimit për familjen, që ai nuk duhej ta dinte dhe as nuk donte ta dinte edhe po të doja unë. Kjo ishte situata. Mbi të gjitha, që vajzat nuk duhej ta kuptonin që ne kishim një hall”, tregoi Helena, duke rrëfyer barrën e një gruaje që ndërsa dilte nga kështjella ku ishte mbreti, shihte e dëgjonte përreth. Një prej kohëve më të vështira që ajo kujton, është ajo që e quajti “kur vrau veten ose u vetëvra Mehmet Shehu, ishin ditë të vështira. Shumë, shumë të vështira se kishim mik djalin e tij të vogël, Bashkimin”.
KOHË PA SHKRIME
Ismail Kadare nuk ka asnjë libër në dorë tani. Helena e pohon drejtpërdrejt pa drojë e pa pezëm kur pyetet. “Jo nuk ka asgjë në dorë tani, dhe unë për t’ia lehtësuar, i them që gjithçka e ke shkruar, mos u mërzit që nuk po shkruan më”. Kadare, që në dekada ka qenë autori me vepra të botuara brenda e jashtë vendit, më i përkthyeri e më i ndjekur nga kritika, erdhi mbrëmë i përskajuar nga bashkëshortja, në të mirat dhe të metat e tij, siç vjen te “Kohë e pamjaftueshme”.
“Asnjëherë nuk pranonte ai vërejtje. Ai dhe unë zemëroheshim. Por bindej. Unë ia kam shtypur gjithë veprën se në Francë nuk kishte njeri që dinte shqip. Por kur e shihja që i kishte bërë të gjitha, nuk i thosha, e paske bërë atë që të kam thënë. E lija pa ia vënë në dukje këtë gjë”. E pyetur për ndërhyrjen në vepra, ajo ripohoi, se “vetëm artistikisht i ka punuar. Absolutisht asnjëherë nuk ka ndryshuar atë drejtim që i ka dhënë”,-tha ajo.
Mandej, ajo pati një ndalesë mbi veprën ‘Koncert në fund të dimrit” të Kadaresë, duke kujtuar se si u prit në Francë. “Një kritik në Francë, Stéphane Courtois, ai që ka shkruar ‘Librin e zi të komunizmit’ tha që nuk kam lexuar libër më antikomunist se ky. Në Shqipëri ka të tjerë që kanë tjetër mendim, por po e them këtë. Se asgjë s’ka ndryshuar përveç anës artistike, që sa herë ka mundësi, e bën”,-tregoi Helena.
Ajo iu përgjigj pyetjeve pa mëri e pa mllef, pa ironi e pa qesëndi, duke ruajtur portretin e një zonje, që mbetet zonjë pavarësisht situatave, siç ka ditur të bëjë gjithnjë prej kur ishte krejt e re.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.