KULTURË

Raelva Shabanaj: “Dardanfest”, për filmin, urbanen dhe qytetërimin

11:00 - 16.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Edukimi nëpërmjet kinematografisë, se urbanizim nuk do të thotë betonim”




Raelva nuk kishte ç’të zgjidhte tjetër, si aktivitet të parë të “DardanStudio”, veç VAG-ut, pikturave më përfaqësuese të impresionistëve, që ndriçuan sheshin ‘Skënderbej’ për disa mbrëmje me radhë. Si vajza e piktorit Rakip Shabanaj, nuk u sforcua fare për të zgjedhur pikturën për të prezantuar punën e saj dhe veten, si një ëndërr që flinte e heshtur, fare pa plane. Aktiviteti që do të nisë së shpejti në Tiranë, “Dardanfest”, që mbahet në datat 27-30 tetor, nuk është në mënyrë të drejtpërdrejtë kaq i lidhur me të, por është me komunitetin në të cilin do të zhvillohet në këtë fundtetori dhe në vitet e ardhshme, si tradita më e re e kulturës së qytetit. Detaje më të imta, rreth festivalit të ri të filmit-dokumentar me metrazh të shkurtër, Shabanaj na i tregon vetë.
‘Dardanfest’ është aktiviteti i dytë i madh që po drejton, pas pikturave impresioniste që shfaqe në sheshin “Skënderbej”. Për shkak të lidhjes me pikturën, nga babai, kuptohet zgjedhja e parë. Këtë herë, përse me filmin-dokumentar?
Gjithçka bëhet në vazhdimësi të përkushtimit të stafit të “Kinostudio Dardan”, pjesë e së cilës jam si drejtuese, tashmë prej një viti, për t’i dhënë sa më shumë evente kulturore vendit tonë. “Dardan Fest” në këtë edicion të parë, do të sjellë zhanrin e filmit me metrazh të shkurtër dhe dokumentarit me një risi në tematikën e saj “Urbanizim-Zhvillim-Qytetërim”, tematika të cilat janë baza e përzgjedhjes së materialeve finaliste në këtë festival ndërkombëtar. Këtë herë pa ndonjë lidhje të veçantë nga profesionet e prindërve të mi, thjesht me dëshirën për të sjellë një event ndryshe, me një format të ri.
Çfarë synimi ka krijimi i një festivali filmi dhe përse u zgjodh urbanizimi si temë bosht e këtij festivali?
Interesimi i autorëve të huaj dhe shqiptarë çuditërisht ishte më i madh nga ç’pritej, edhe pse në një periudhë të shkurtër të hapjes së thirrjes. Kanë aplikuar në faqen zyrtare www.dardanfest.com mbi 270 kineastë, prej të cilëve bordi i përzgjedhësve të festivalit zgjodhi 31. Synimi është informimi rreth urbanizimit si pjesë e zhvillimit të paevitueshem të qyteteve në mbarë botën. Edukimi nëpërmjet kinematografisë, se urbanizim nuk do të thotë betonim dhe mbytje e hapësirave të gjelbra, përkundrazi, ka shumë anë pozitive. Urbanizimi ka filluar qysh në vitet 4000-3000 p.e.s. për t’ju përshtatur rritjes së popullsisë, për të ngritur standardin e jetesës, për të bërë me të aksesueshme për këdo privilegjet që vetëm qendrat urbane i kanë, si shërbim më të mirë shkollor, mjekësor, mundësi biznesi të mëdha etj. Për të mos harruar benefitet e urbanizimit, u mendua në fakt nga vetë drejtori i festivalit, Agim Poçari, që kjo temë të jetë bosht i festivalit të dokumentarit dhe filmit me metrazh të shkurtër.
Sapo është bërë publike lista e filmave të përzgjedhur në konkurrim. Si është bërë përzgjedhja? Mbi ç’kritere?
Bordi i selektorëve përbëhet nga emra të njohur të fushave të ndryshme, si nga kinematografia, arkitektura, organizata vendase dhe të huaja në promovimin e artit dhe kulturës, gazetaria etj. Përzgjedhja është bërë mbi bazën e tematikave të festivalit që përmenda më sipër si dhe, sigurisht, sipas një standardi që ky festival siç do shihni dhe vetë kërkon të vendosë.
Si është organizuar festivali në mënyrë që të jetë ftues për të rinjtë?
Të rinjve iu kemi dhënë një vëmendje të veçantë, duke i nxitur në takimet që kemi bërë për të sjellë materialet e tyre pa shumë procedura, ndryshe nga aplikantët e tjerë me përvojë. Në fund ky projekt bëhet pikërisht për të rinjtë, duke pasur në fokus jo vetëm të rinjtë kineastë, por edhe të rinjtë e çdo profesioni që jetojnë në këtë vend.
Në raport me të huajt, nëse qëndrojmë brenda temave të festivalit, në ç’standard qëndron Shqipëria?
Shqipëria është një vend që për shkak të shumë faktorëve, fatmirësisht e ka të paevitueshëm zhvillimin njësoj si vende të tjera nëpër botë. Urbanizimin gjithashtu. Lidhur me civilizimin pastaj jemi shumë më lart se disa vende, më poshtë se disa vende të tjera dhe pothuajse njësoj me ca të tjerë.
Si e sheh të ardhmen e këtij festivali?
Festivali do të jetë i përvitshëm, duke krijuar kështu një traditë e cila shpresoj të zgjasë për vite e vite me radhë. Duke qenë i tillë, detyrimisht urojmë që prurjet nga kineastët shqiptarë në këtë zhanër të jenë edhe më të shumta.
Tani që je në pjesën organizuese të aktiviteteve artistike, çfarë të presim në vijim?
Kur tregojmë planet, thonë ‘qesh Zoti me ne’(qesh). Nuk dua të bëhem qesharake në sytë e tij, kështu që për aq sa mundem të them, është se surpriza të tjera priten menjëherë pas këtij projekti nga “Kinostudio Dardan”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.