KULTURË

Xhanfise Keko merr vëmendjen e “Turner Classic Movies”. Filmi “Tomka dhe shokët e tij” shfaqet sot për publikun amerikan

12:12 - 20.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një lajm i mirë për kinemanë shqiptare. “Turner Classic Movies”, kanali televiziv amerikan i cili në programacionin e tij përfshin vetëm filmat më të mirë klasikë të krijuar deri në fillimvitet ‘80, për herë të parë do të transmetojë sot më 20 tetor, në orën 21:15, një film shqiptar, një nga më të njohurit dhe më shikuarit e regjisores Xhanfise Keko dhe kinemasë shqiptare, “Tomka dhe shokët e tij”.




Programimi i këtij filmi në “TCM” e vë autoren Xhanfise Keko mes më të mirëve të historisë së kinemasë, duke krijuar shtratin e sjelljes pranë audiencës botërore edhe të titujve të tjerë nga krijimtaria e saj.

Përzgjedhja që ky kanal televiziv i ka bërë filmit “Tomka dhe shokët e tij” është rrjedhë logjike e udhëtimit që ka bërë filmi përgjatë gjashtë viteve të fundit që prej momentit të restaurimit të tij nga Libraria e Kongresit Amerikan në Washington në bashkëpunim me “ACP”, fillimisht duke u shfaqur premierë në “British Film Institute” dhe “Lincoln Center”, duke vazhduar me turin e gjatë të shfaqjes në 11 qytete në Britaninë e Madhe si pjesë e programit “Kinemaja e fëmijërisë”, dhe më pas tributet e veçanta dedikuar regjisores Xhanfise Keko nga “Danish Film Institute” në 2018 dhe “Vienna Film Museum” në 2019, duke e bërë atë autoren më të vlerësuar në historinë e kinemasë shqiptare. Kritiku i njohur i kinemasë Mark Cousins, i cili me dokumentarin e tij “History of Film” u bë një nga zërat më të rëndësishëm në kinemanë botërore, mes 70 autorëve më të shquar të botës nga lindja e kinemasë, përfshiu dhe regjisoren shqiptare në dokumentarin e tij të gjatë “Historia e fëmijëve në film”, prezantuar në vitin 2014 në Festivalin e Filmit në Kanë, duke e vlerësuar si një prej autoreve që hulumtuan me sukses këtë zhanër. Në vijim, po ky autor, në dokumentarin “Gratë bëjnë film”, prezantuar në vitin 2018 në Festivalin e Filmit në Venecia, në tri segmente të dokumentarit prej 14 orësh, analizon edhe filmat e regjisores Xhanfise Keko mes 183 regjisoreve gra më të shquara në historinë e kinemasë botërore.

 

 

Falë këtij prezantimi, platforma online “Filmstruck”, një bashkëpunim mes “TCM” dhe “Criterion” (njohur në distribucionin e filmave klasikë më të arrirë të kohërave), shfaqi interes për filmin “Tomka dhe shokët e tij”, të cilin, menjëherë pas shfaqjes së tij në vitin 2017, e bëri pjesë të katalogut të saj, duke certifikuar kështu vlerat artistike të regjisores Xhanfise Keko mes autorëve klasikë më të mirë të kohërave, për të cilën vitet e fundit, duhet thënë, janë shkruar edhe dhjetëra artikuj e studime kushtuar autores shqiptare, publikuar në revistat më prestigjioze ndërkombëtare dedikuar kinemasë, si “Sight and Sound” etj.

Shfaqja e filmit “Tomka dhe shokët e tij” nga kanali televiziv amerikan “TCM”, është një lajm shumë i mirë jo vetëm për autoren e këtij filmi, regjisoren Xhanfise Keko, por dhe për vetë kinemanë shqiptare në vlerësimin e veprave më të mira të saj, pasi udhëtimi i suksesshëm i “Tomka dhe shokët e tij” i cili u ndoq me “Kur xhirohej një film” dhe “Mimoza llastica”, që edhe ato gjetën mbështetjen e audiencave në Cinematekat e Izraelit, Danimarkës dhe Austrisë, ka zgjuar interesin edhe për autorë të tjerë të kinemasë klasike shqiptare.

Ndaj, tashmë është koha që Ministria e Kulturës të nxitojë me fillimin e procesit të rimasterizimit të veprave më të mira të kinemasë sonë, se nesër mund të jetë vonë, jo vetëm për audiencën ndërkombëtare, por edhe për faktin se ato janë në procesin e amortizimit fizik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.