KULTURË

120 VITE PA NAIM FRASHËRIN/Sabri Hamiti: Politika ka nevojë për njerëzit e dijes, por nuk i ka

11:00 - 21.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Në çapitjen e lehtë drejt godinës së Muzeut Historik Kombëtar, Sabri Hamiti bart mbi supe, vitet e kahershme të studimit të Naim Frashërit. Njëherit edhe botën naimjane e frashërjane që e ka ushqyer prej sdihetsekurit, duke ngërthyer në një, familjen e frashërllinjnve që në tre vëllezër e madje disa nipër, qenë ta pranishëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare, e mandej në mbrujtjen e saj me elementet me të vyera të dijes, përmbi atdheun e për atdheun. Në 120-vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit Naim Frashëri në Muzeun Historik Kombëtar u ekspozuan fotografi edhe titujt e botimeve letrare të poetit Kombëtar. Kopertina librash e imazhe të tre vëllëzërve Frashëri, si një trio e pazëvendësueshme dhe e pazëvendësuar në mendimin shqip, qenë dekori i munguar i një muzeu që pos imazheve, nuk pat sende për të ekspozuar për ta. Treshja e rrallë rierdhi përmes fjalëve, si shenjim i përhershëm i asaj që bënë, thanë, e lanë të shkruar në motmotet e errëta. Me rastin e këtij përvjetori, studiuesi Sabri Hamiti, erdh me një monografi, për Naim Frashërin. Prej se letërsia ka gjetur gjithherë shtigje më të lehta drejt publikut, Naimi, ka pasur në pamje të parë vëmendjen me të madhe ndër të tre. Hamiti, që është marrë gjatë me të, në fjalën e tij para mediave, tha se Naimi “është i lindur si poet lirik, në këtë këndvështrim të menduarit të çon tek ‘Lulet e verës”. Akademiku nga Kosova, në përgjigje të interesit të gazetarëve për tre vëllezërit Frashëri, tha, përmbledhtazi, se ata përfaqësonin, mendimin, veprimin e politikën, si një botë e përkorë që u bashkua në atë familje, për t’i dhënë botës shqiptare të përçarë e damkosur në dhena e toka të botës, tharmin e lirisë. “(Kjo) treshe e Frashërve që i mbulon tri fusha të identitetit të një populli, i pari veprimin, i dyti, Naimi, frymëzimin, pa të cilin nuk bën se nuk komunikohet dhe është i treti Samiu, i cili krijon edhe enciklopedi, por krijon edhe traktatin nacional. Ata janë rast i rrallë në një familje, një njeri i mendimit, një i letërsisë dhe i shprehjes pa të cilën nuk komunikohen idetë dhe një i politikës, me ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do bëhet’. Nëse i shohim këto tri elemente, që kemi në këto tri figura të një familjeje, që rrallë ndodh, pak si vështirë është që të shikojmë njeriun sot në këto tri dimensione. Tani, ne jemi në dy kohë të ndryshme. Shqiptarët vështirë e kapur diskursin në kohë të Samiut, ata më shumë i ka pushtuar ndjesia e Naimit. A janë të vlefshëm dijetarët, njerëzit e shpirtit, për zhvillimet politike? -Po. A janë aty? -Jo”, tha Hamiti.
Ai tha se kjo “Po t’i shohim këto tri elemente, që këtu i kemi tri figura të një familje që rrallë ndodh, pak vështirë është që një njeri sot, t’i ketë të tria këto dhe implikohet në politikë”.
Shumëkush, më herët e sot, është ndalur te vepra e ‘propaganduar’ më së shumti prej Naimit, “Bagëti e bujqësi”, porse ajo është veç një prej tyre. Hamiti, vërejti se siç mësohet, Naim Frashëri, pjesën më të madhe të veprës së tij e ka shkruar në 10 vitet e fundit të jetës, dhe ky është një detaj, shumë i rëndësishëm për t’u pasur parasysh. “Mbase një biografi do të tregojë se çfarë ndodhi me të në këto 10 vite, kur ai lëngonte dhe ndërkohë punoi kaq shumë”, tha akademiku nga Kosova.




Në këtë aktivitet ishin të pranishëm emra si studiuesja, Prof. Dr. Persida Asllani, poetja Rita Petro, Drejtori i shtëpisë botuese “Argeta LMG”, Mehmet Gëzhilli, ambasadori i Polonisë në Tiranë Karol Bachura, ai i Kosovës, Nait Hasani.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e vuri theksin tek roli i Naimit jo vetëm në përçimin e mesazhit të bashkimit të shqiptarëve në rrugën e mëvetësisë dhe vetëdijes kombëtare, por dhe në idealin e tij universalist humanist që ai la pas për breza të tërë me anë të veprës së tij. “Të tre kanë pasur nga një fushë që kanë mbuluar, Naimi poet, Abdyli politikan, Samiu enciklopedist. Të tre i kanë dhënë Shqipërisë një model se si duhet të ecë njerëzimi. Kjo vepër e tyre është e pavdekshme, edhe sot, marrin mësim e duhet të marrin nga drita e këtyre korifejve”, tha Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi, u shpreh se kjo ekspozitë ka një domethënie të veçantë dhe përmban ballinat e veprave të shkruara nga Naimi, si dhe të atyre që janë shkruar për Naimin. Të gjitha këto përbëjnë një korpus prej 120 veprash, që janë botuar në mbarë trevat shqiptare, por jo vetëm dhe këto vepra përpos ekspozimit shoqërohen dhe nga vlerësimet përkatëse që autorët e tyre kanë bërë për Naimin.
Raporti i Naim Frashërit me bektashizmin u trajtua më gjerë në një takim që u mbajt më pas në Kryegjyshatën Botërore, ku morën pjesë Bardhyl Londo, Sadik Bejko e Besnik Mustafaj. Të tre u ndalën në skaje të ndryshme të veprës letrare të Frashërit, për të nxjerrë në pah, kushtimet letrare që ai i kushtoi Perëndisë dhe besimit, vjershën për Abaz Aliun, Qerbelanë.
Studiuesi Bardhyl Londo vërejti më tej se “gjuha shqipe arrin përsosmëri të madhe te poezia për Abaz Aliun, sa duket vërtetë që është gjuhë e perëndisë, siç thotë Naimi”
Për Besnik Mustafajn, Naim Frashëri është themeluesi i shqiptarizmës si temë madhore në poezinë shqipe, siç është edhe themelues i llojit të poetit politikan në letërsinë tonë kombëtare. Ndërsa Sadik Bejko u ndal të Naimi si “filozof i bektazhizmit, ithtar i bektazhizmit, ka shkruar librat e parë të bektashizmit, dhe ishte mistik e poet shumë i madh”.

JETËSHKRIMI I NAIM FRASHËRIT
Naim FRASHËRI (1846–1900), poet, mendimtar iluminist, veprimtar i arsimit kombëtar dhe i kulturës së Rilindjes Kombëtare, lindi në Frashër të Dangëllisë më 25 maj 1846 në një familje bejlerësh të rrënuar. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku së bashku me të vëllanë Samiun, ndoqën gjimnazin “Zosimea” që e mbaruan më 1869. Pas studimeve punoi për pak kohë në Stamboll si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit (1870), por iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë të mirë. Fillimisht punoi si nëpunës të dhjetash në Berat e më pas nëpunës i doganës në Sarandë (1874–1877). Në këtë kohë bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por dhe persisht, të paktën nga v. 1873, kur njohim të parën vjershë të shkruar në atë gjuhë e të përfshirë në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi më 1885. Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; ishte në krah të vëllait të madh, Abdylit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare, në Frashër (1878). Ndikimi i fuqishëm i këtyre ngjarjeve dhe i veprimtarisë atdhetare e kulturore të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, e përfshinë tërësisht në lëvizjen kombëtare. Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll, ku punoi fillimisht si anëtar e më pas kryetar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit. Ishte një ndër themeluesit kryesorë të revistës “Drita” (më pas “Dituria”), ku botoi krijimet e para të tij, poezi, proza diturore e vjersha për shkollat e para, si dhe shqipërime. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”. Vdiq në Stamboll më 20 tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë.
Për më pak se njëzet vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Në poemën e parë në shqip me titull “Shqipëria” (1880) shpalli idetë poetike atdhetare që u bënë lajtmotivi i veprës së tij dhe i gjithë poezisë së Rilindjes.
Veprat e tij më të shquara poetike janë poema lirike “Bagëti e bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poemat epike “Istori e Skënderbeut” (1898) dhe “Qerbelaja” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime”, si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skypetaron” (“Dëshira e vërtetë e Shqiptarëve”, 1886) dhe “O eros” (“Dashuria”, 1895). Për shkollat botoi përmbledhjen me vjersha “Vjersha për mësonjëtoret të para” (1886), librin në dy pjesë me copa këndimi për mësonjëtoret “E këndimit çunavet këndonjëtoreja” (1886), tekstet diturore “Istori e përgjithshme për mësonjëtoret të para” (1886), “Istori e Shqipërisë” (1899) dhe “Gjithësia” (1895) me njohuri për historinë e shkencat e natyrës si dhe librin me mësime morale “Mësime” (1894). Në turqisht botoi tekstin “Kavaidi Farisiyye ber tazz – i nevin” (“Gramatika e persishtes sipas metodës moderne”, 1871), librin “Ihtira at ve kesfyyat” (“Shpikje e zbulime”, 1881) edhe novelën “Fusuli erbea” (“Katër stinët”, 1884). Nga greqishtja solli në shqip këngën e parë të “Iliadës” së Homerit; përktheu e përshtati gjithashtu poezi e fabula nga autorë francezë (La Fonten, Florian etj.) dhe nga autorë persianë (Rumiu).
Poet romantik, Naim Frashëri evokoi të kaluarën historike të Shqiptarëve, poetizoi jetën në gjirin e natyrës dhe bukuritë e vendlindjes, i këndoi mallit për atdhe dhe krenarisë kombëtare, u bë shprehës i romantikës qytetare dhe i idealit të çlirimit nga zgjedha e huaj. Ai krijoi poezinë e madhe të Atdheut dhe me një gjuhë magjepsëse poetike shprehu ndjenja dhe përjetime atdhetare e njerëzore që poezia shqipe para tij s’kishte arritur t’i nyjëtonte me atë forcë artistike. Poema “Bagëti e bujqësija” është një himn i dashurisë për atdhe, i mallit dhe i krenarisë për të. Me këtë vepër ai krijoi imazhin poetik të mëmëdheut të idealizuar në frymën e romantikës nacionale. Poema tingëllon si një thirrje për t’iu kthyer vlerave identitare të vendlindjes, për t’i ringjallur ato dhe bashkë me to për të ringjallur kombin. Bartës i këtij misioni Naim Frashëri në vetëdijen e kombit u njëjtësua me qiririn që digjet për njeriun dhe për lirinë e tij e të atdheut të robëruar.
Naim Frashëri ishte njeri i Rilindjes dhe vepra e tij bashkonte idealet politike të rilindjes së kombit dhe idealet humane të rilindjes së njeriut. Lirikat e tij të mendimit me një përmbajtje universale janë meditacione në frymën e panteizmit filozofik për thelbin e jetës njerëzore dhe të fshehtat e shpirtit njerëzor, për qenien dhe mosqenien, jetën dhe vdekjen, bukurinë dhe dashurinë, perëndinë dhe gjithësinë. Mendimi i tij poetik herë ngrihet në qiejt e frymëzimit mistik dhe ngjitet në zonat e religjionit dhe të kozmogonisë, herë zbret në thellësitë e shpirtit njerëzor (“Lulet e verësë”, “Ëndërrime”), duke pohuar një botë të re ndjenjash dhe emocionesh. Naim Frashëri themeloi stilin lirik në poezinë shqipe, i dha jetë të re fjalës shqipe dhe e ngriti atë në rrafshin e poezisë dhe të artit të vërtetë.
Krahas lirikës ai lëvroi poemën epike me përmbajtje nacionale (“Istori e Skënderbeut”) dhe poemën me përmbajtje fetare (“Qerbelaja”). Me të parën ai i përgjigjej kërkesës së kohës për të pasur edhe Shqiptarët, si dhe popujt e tjerë, eposin e tyre historik. Poema, në vazhdën e traditës barletiane, evokon, me një patos të ngritur patriotik, qëndresën çerekshekullore të Shqiptarëve kundër pushtimit osman dhe heroin e kësaj qëndrese, figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Për këto arsye ajo u bë vepra më e lexuar gjatë Rilindjes. Ndërsa te “Qerbelaja” Naim Frashëri tregon në vargje historinë e luftërave qytetare e fetare të arabëve pas vdekjes së profetit Muhamed, duke shprehur përmes saj përjetimet e tij religjioze e mistike dhe duke poetizuar mitin e sakrificës njerëzore. Poemat tregimtare të Naim Frashërit me gjuhën e kulluar shqipe, dëshmuan mundësitë e saj për të shtjelluar në subjekte të shtrira një lëndë të gjerë historike e mitologjike dhe për të ndërtuar struktura narrative komplekse.
Naim Frashëri e lëvroi shqipen në rrafshin poetik e dituror, duke shfaqur një forcë të veçantë krijuese gjuhësore. Vepra e tij luajti një rol themelor për përpunimin e shqipes së re letrare, të cilën e shkroi të pastër, me një pasuri të veçantë fjalori e sidomos frazeologjike duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e gjallë dhe në gjedhen e ligjërimit popullor, e pasuroi atë sidomos me fjalë nga sfera diturore dhe e kulturës, që i qëndruan kohës, duke i dhënë shqipes fytyrën e gjuhës moderne të kulturës moderne të Shqiptarëve. Vepra e Naim Frashërit u bë një faktor aktiv për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për themelimin e kulturës kombëtare; ajo kurorëzoi kapërcimin e kulturës shqiptare nga faza parakombëtare në fazën kombëtare të zhvillimit të saj. Kjo vepër ishte një faktor i rëndësishëm emancipues me ndikim të madh në botën shpirtërore dhe morale të kombit.
Panteist në bindjet e tij filozofike, Naim Frashëri bënte një hap drejt materializimit dhe e shihte Zotin të shkrirë me natyrën dhe njeriun. Në traktatin “Fletore e Bektashinjet” (1896) ai paraqiti thelbin e moralit dhe të besimit bektashian si një fe që bashkonte elemente të budizmit, krishterimit dhe islamit, ndërsa i jepte përparësi ndjenjës së kombësisë përpara ndjenjës fetare. Koncepti tolerant i bektashizmit të Naimit e largonte këtë besim nga monoteizmi dogmatik që i shërbente centralizmit perandorak të Portës së Lartë. Me besim në rolin e dijes e të kulturës për zhvillimin kombëtar e shoqëror të Shqiptarëve, admirues i iluministëve francezë Volter e Ruso dhe i racionalizmit të Dekartit, ai propagandoi idetë e tyre dhe përfshiu në librat e tij për shkollën mendimin e përparuar shkencor të kohës, darvinizmin dhe teorinë e Kant-Laplasit. Ai kishte besim në arsyen dhe në forcën e mendjes njerëzore për të njohur botën dhe për ta vënë në shërbim të njeriut njohjen e ligjeve të gjithësisë. Në mendimin politik Naim Frashëri ishte përkrahës i një forme demokratike (“demokraci prej pleqet”), të qeverisjes së shtetit të ardhshëm shqiptar. Edhe mendimi pedagogjik i tij ishte nga më të përparuarit e kohës. Ai ishte për arsimimin e përgjithshëm të fëmijëve, për barazinë midis djemve dhe vajzave për të mësuar, për përfshirjen e lëndëve shkencore në programet shkollore, për një edukatë me parime të larta morale dhe për njësimin e mësimit me edukatën.
Vepra e Naim Frashërit themeloi një traditë të qëndrueshme dhe pati ndikim të madh jo vetëm te shkrimtarët bashkëkohës me të, por edhe më pas. Ajo është botuar dhe vazhdon të ribotohet gjerësisht, është përfshirë në tekstet shkollore dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla e institucione të ndryshme në botën shqiptare si dhe urdhri i lartë që u jepet në Shqipëri njerëzve të shquar të kulturës, artit dhe shkencës.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.