KULTURË

Ledi Shamku: Kur Tish Daija mësonte nga Shostakovich

12:39 - 21.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Për bekimet që patëm”, një shënim për ata që nuk na lanë me u rrit shpirtnisht të vorfën në kushtet kur prralla e gojëdhana ‘digjeshin me zjarr dhe hekur si zakone prapanike’




“Rastësisht vura re dje, në postime miqsh, nga publikimi i diplomës universitare të kompozitorit Tish Daija, se udhëheqësi i tij kish qenë kompozitori Shostakovich. Shostakovich! Magjiku! Ai që shndërroi përrallat ruse në tinguj pa kombësi. Kanë një shprehje shkodranët e Tishit: s’ka gjâ pa gjâ, dhe firma e Shostakovichit mundet tash me ma shpjegu bekimin Daija”. Kështu e nis Ledi Shamku Shkreli një shënim post mortem për Tish Dainë. Për të, Tish Daija për ne qe vërtet një bekim. “Si mësuesi, edhe ai mori çdo arpezh zanash në lugina dhe e shndërroi në kor skenash. Tishi mori çdo namje bubullimash dhe e shndërroi në ritëm për veshët e spektatorëve që s’e kishin dëgju kurrë, o dhe n’e paçin pasë dëgju, nuk e kishin pasë ndje”, shkruan Shamku Shkreli. Për të, ajo mia e hollë e Dajisë duket si piskama a Ajkunës në Lugje t’Verdha, por një Ajkunë e pakohë, e cila mundet me vikatë njëlloj edhe nga maja e Jeddah Tower.
“Dhe nuk habitem aspak. Dihet se artistët e Ballkanit në përgjithësi e veçantisht artistët shqiptarë mbetën përjetësisht të lidhur me artin e traditës folklorike. Nuk krijuan jashtë saj. Jo se nuk ditën por se ashtu deshën. Kadare fjala vjen na pëlqen se e jetoi mjeshtërisht këtë ‘robërim’ prej traditës, duke na dhënë ripropozime pafrymëlënëse të saj si ‘Prilli i thyer’ a ‘Kush e solli Doruntinën”, shënon Shamku. Për këtë aspekt, për aspektin tradicional ripropozues të Kadaresë është folur shumë, vëren Ledi Shamku, “ca sepse letërsia ka më shumë amatorë se muzika klasike, e ca për faktin se në Shqipëri kritika letrare ka qenë shumë më e zhvilluar se kritika muzikore. Por jam e bindur se po të kishim pasur balancë, do kish dalë në pah me kohë se sa i takon raportit mit-autor, Daija i muzikës nuk i len asgjamangut Kadaresë së letërsisë”, nënvizon ajo.
Ajo vë paralele mes Halilit të Dajisë t’i sjell ligjet e kullave po aq n’zemër sa Gjorgu i Kadaresë. “Këta e figura si këta kanë qenë bekimet tona, ata që nuk na lanë me u rrit shpirtnisht të vorfën në kushtet kur prralla e gojëdhana ‘digjeshin me zjarr dhe hekur si zakone prapanike’.
Unë du me besu se ‘po vijnë krushqit’ Tish, e kanë me pru në dhanti lexime të reja të veprës sate. E ndoshta profesionistët kanë me i dhënë të drejtë këtij formulimit tim thellësisht amator (pra shqip: dashtunor), i cili ndjen në tingujt e tu po atë mistikë shqiptare që ndëlgon në fjalët e Kadaresë”, nënvizon Ledi.


VEPRA E GJURMË
Tish Daija ishte një nga themeluesit e Konservatorit të Tiranës dhe, gjithashtu, profesor i Kompozicionit në këtë institucion të lartë të arsimit muzikor shqiptar. Ai ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prej vitit 1999, si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës prej viti 2000, si dhe mbante titullin e lartë Artist i Popullit. Tish Daija qe laureat i shumë çmimeve të republikës. Për një kohë të gjatë ai ka qenë anëtar i forumeve drejtuese të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Krijimtaria artistike e këtij artisti të madh përfshin të gjitha gjinitë dhe zhanret muzikore nga kënga deri të veprat e mëdha vokale, nga tablotë muzikore e deri të veprat skenike, vepra të muzikës së dhomës edhe ato sinfonike. Tish Daija është krijuesi i baletit të parë shqiptar, “Halili Dhe Hajria” në vitin 1963. Ai ka shkruar ndër të tjera operetën “Lejlaja”, operën “Pranvera”, baletin “Bijtë e peshkatarit”, operën Vjosa, etj.

Nga veprat sinfonike mund të përmenden suita “Një ditë pikniku”, rapsodia për flaut dhe orkestër “Bjeshkëve të larta”, Koncerti për piano dhe orkestër, Koncerti për violinë, Divertisment për harqe, tri valle simfonike, etj.
Kompozitori Tish Daija, lindi më 30 janar 1926 në Shkodër. Krijimtarinë muzikore e filloi nën tingujt e fizarmonikës. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, etj. Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes. Më 1956, ai kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Mbas studimeve emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Tish Daija është autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”,etj. Ai u nda nga jeta në moshën 78 vjeçare në 3 tetor 2003.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.