OPINION

Haga, me shumë pikëpyetje që presin përgjigje!

12:50 - 22.10.20 Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas hedhjes së idesë për zgjidhjen e çështjeve lidhur me detin me Greqinë, edhe pa qenë nevoja të kesh tituj dhe grada shkencore e kupton lehtësisht se Haga, “kryeqyteti i drejtësisë” me 250 gjykatat e saj dinjitoze, nuk është “një fjalë goje” dhe as sa për “të hedhur lumin”. Sepse, nuk ka njeri që thotë se sa kohë do të duhet që ajo të japë vendimin e vet, kur nuk ka as dhe ndonjë ide se kur do të çohet dosja atje. Me gjithë anët pozitive, edhe të panjohurat dhe pikëpyetjet që lindin janë të shumta dhe delikate, sidomos lidhur me përgjigjet që ato kërkojnë. Por, le ta shpjegojmë më shqip se si qëndron puna.




Është tejet e rëndësishme të kuptohet se, siç pohojnë dhe ekspertët, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë nuk kompenson dhe zëvendëson vullnetin, debatet dhe kundërshtitë politike, publike dhe akademike në të dyja vendet tona. Edhe pse me siguri që atje do të ketë një proces të mirëfilltë dhe me integritet të padiskutueshëm arbitrazhi. Aty do të vendoset se cila palë ka të drejtë dhe për cilat aspekte konkrete të diskutueshme. Kjo do të thotë se dokumenti juridik që do t’i paraqitet Hagës duhet të përmendë si pikat e përbashkëta ashtu edhe ato ndarëse. Me fjalë të tjera, të dyja palët do të parashtrojnë ankesat dhe kundërshtitë e tyre, duke shpjeguar përse nuk u bë e mundur zgjidhja e tyre me mirëkuptim dhe me mjete të tjera të brendshme juridike. Çka do të thotë mbi të gjitha se në Hagë do të dërgohet një tip marrëveshjeje ose dokumenti juridik dypalësh dhe jo një memorandum politik.

Le të rikujtojmë me këtë rast se normalisht, në Hagë do të duhej të ankohej njëra ose tjetra palë mbi një marrëveshje konkrete të përfunduar; si bie fjala po të ishte dërguar nga pala greke marrëveshja e hedhur poshtë më 2009 nga Gjykata jonë Kushtetuese. Ndërsa tani do të kemi një dokument “sui generis”, që do të dërgohet me konsensusin e të dyja palëve, pasojë e paaftësisë së tyre për t’i zgjidhur ato me mirëkuptim dhe me instrumentet e duhura dypalëshe politike dhe juridike.

Ndërkohë, argumenti se nuk kemi Gjykatë Kushtetuese do të bjerë, sepse ajo presupozohet të fillojë nga funksionimi vitin e ardhshëm. Kësisoj, Haga do të ketë një argument në dorë për të thënë “përse nuk shkuat atje fillimisht?” Kështu, dhe vetë regjistrimi i kësaj çështjeje në Hagë paraqet problem, e le më pastaj procedurat e tjera të gjata dhe të ndërlikuara.

Gjithashtu, vlen të theksohet se, përpara se të shkojë në Hagë, marrëveshja ose dokumenti i lartpërmendur duhet të ketë kaluar në të gjitha etapat e saj ligjore. Mirëpo, a ka, dhe nëse po, kur do të paraqitet kjo marrëveshje ose dokument juridik? Nëse mendohet se i tillë është ndonjë projekt si produkt i bisedimeve të viteve 2017-2018, kjo do të krijonte problem brenda vendit, e jo vetëm te “patriotët e detit”, sepse askush veç qeverisë nuk ka dijeni për një draft të tillë me problematikat përkatëse. Pastaj, po Kuvendi dhe Presidenti, a nuk duhet të thonë fjalën e tyre? Patjetër!

Ka edhe pikëpyetje të tjera lidhur me këtë dokument që do të hartohet nga të dyja palët, si: Cilat pika të mosmarrëveshjeve do të çohen në Hagë? Si dhe pse u arrit deri aty? Po sikur të ndodhë që pala greke të këmbëngulë për të përfshirë aty edhe aspekte të Marrëveshjes së vitit 2009 të shfuqizuar nga Gjykata jonë Kushtetuese, si do veprohej? Në këto kushte, a nuk duhet një transparencë dhe informim i gjerë publik për një çështje të tillë me ndjeshmëri të jashtëzakonshme publike përpara se të shkojë në Hagë?

Më tej, nëse në këtë dokument do të shënohen vetëm çështjet ku ndahen, po pikat e tjera ku ka dakordësi midis palëve, si u shkua deri atje dhe kush do të thotë fjalën e fundit, përpara Hagës? A nuk duhet sërish një diskutim me ekspertë, akademikë etj. përpara se këtë fjalë ta thonë Kuvendi dhe Presidenti i Republikës?

Me fjalë të tjera, përpara se dosja të depozitohet në Hagë “do të rrjedhin shumë ujëra”; ndaj, kjo dosje do “qepur dhe kopsitur” në Tiranë dhe në Athinë, sipas të gjitha procedurave politike, diplomatike dhe juridike. Mirëpo kjo kërkon kohë, punë, dhe demarshe të shumta në të gjitha anët dhe nga të dyja palët. Ndërkohë që Greqia është në pozita shumë më komode, sepse qeveria e saj ka vetëm një vit që është zgjedhur me votë plebishitare dhe ka arritur disa suksese diplomatike, veç konsensusit politik dhe ekspertizës shumë më të madhe se jona. Ca më tepër që këto procese përkojnë me periudhën tonë parazgjedhore dhe do ta rëndonin atë më tepër. Sidomos nëse dosja në Hagë do të çohej përpara 25 prillit, gjë që duket se nuk ka gjasa të ndodhë për arsyet dhe procedurat e lartpërmendura.

Kësisoj, ndonëse duket sikur qeveria e ka shtyrë disi në kohë këtë dosje tejet të nxehtë, duket se ajo do t’i qëndrojë gjatë mbi kokë “si shpata e Demokleut”. Ndaj, mesa duket edhe kryeministri aludoi fare pa vend në prani të homologut grek “patriotët e detit”. Në fakt, këta të fundit nuk ka përse të stigmatizohen, por vetëm të përgëzohen dhe inkurajohen me konsulencën, oponencën dhe mbështetjen e tyre, përfshirë teprimet apo gabimet e rastit. Ishin këta “patriotë deti” që kundërshtuan dhe nxitën dërgimin e Marrëveshjes së vitit 2009 në Gjykatën Kushtetuese; ata janë ekspertë, profesorë, gazetarë, akademikë, aktivistë shoqërorë dhe qytetarë që e duan po aq sa dhe kryeministri vendin e tyre. “Patriotët e detit” e nderojnë shtetin tonë, si gjithë të tjerët; veç së mirës, asgjë e keqe nuk vjen prej tyre.

Si përfundim, nga qeveria dhe diplomacia jonë kërkohet shumë punë që kjo dakordësi të konkretizohet sa më shpejt e të mos shtyhet “në kalendat greke”. Ajo të mos shtojë më shumë dyshimet dhe kundërshtimet, por t’i sqarojë dhe shpërndajë ato me transparencë publike e jo si deri tani. Ndryshe, Haga do të na largohet më shumë në distancë dhe në kohë. Dhe atëherë mund të ndodhë, siç thotë populli, që Jonit aq të shumëpërfolur, “në vend që t’i vëmë vetullat, t’i nxjerrim sytë”!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.