OPINION

Ligji i luftës, Greqia dhe Kryeministri i Shqipërisë në mes…

08:41 - 22.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prej padijes nuk ma do mendja sepse nuk është aq i paditur, por me gjasë më shumë sesa prej servilizmit, prej një protagonizmi naiv e pa asnjë vlerë, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ka bërë edhe një gafë tjetër në morinë e shumë të tillave, e cila ma do mendja nuk është vetëm një gafë gjuhësore, sado që edhe po të jetë e tillë, pra vetëm një gafë gjuhësore, na vjen si dëshmi e një deformimi gjithsesi të paneglizhueshëm në formimin e kryeministrit.




Por nuk është një gafë gjuhësore vetëm. Madje si e tillë do të ishte e fundit në rend.

Në vlerësimin tim është një koncept, është një mendim, është një qëndrim i gabuar.

Ai, me anë të një statusi në “Instagram”, për të na mbushur mendjen se ia ka dalë të pranverizojë marrëdhëniet me shtetin helen pas një klime jo fort normale si pasojë jo vetëm e moszgjidhjes së çështjes së kufirit detar midis dy vendeve, pasi na bën me dije se bashkë me ministrin e Jashtëm të Greqisë fqinje kanë rënë dakord që për çështjen e detit t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare, nënvizon edhe se, citoj: “ …jemi më afër se asnjëherë heqjes së ligjit të luftës”.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë duhet ta dijë se Shqipëria në asnjë kohë, që prej kur është në këto troje e më vonë që prej kur është bërë shtet, nuk ka pasur dhe as ka ndonjë ligj lufte me Greqinë, siç lë të nënkuptuar përdorimi i pavend i foljes “jam”, në numrin shumës, në mënyrën dëftore dhe në kohën e tashme, në formën “jemi”, pra kupto: “ne jemi më afër se asnjëherë heqjes së ligjit të luftës”.

Ligji i luftës është një atavizëm i kohës kur fashizmi në Greqi nuk ishte më pak fashizëm nga ai që pushtoi Shqipërinë dhe prej Shqipërisë sulmoi edhe Greqinë.

Si i tillë, ai është një problem i qeverisë helene. Dhe nëse ajo qeveri është realisht më afër se kurrë më parë heqjes së ligjit absurd të luftës me Shqipërinë, ky është një lajm shumë i mirë, që pikësëpari i bën nder Greqisë mike dhe reputacionit e imazhit të saj jo vetëm në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe më gjerë ndërkombëtarisht, pasi fshin nga arkivat e diplomacisë e të politikës një absurd, ku qëndron ende si shenjë turpi.

Ndaj, nëse zoti ministër i Jashtëm i Greqisë ia ka thënë këtë lajm zotit Kryeministër të Shqipërisë, Kryeministri i Shqipërisë nuk duhej të shkruante “jemi më afër se asnjëherë”, sepse në mbajtjen e atij ligji ende në fuqi ne nuk jemi, çka për rrjedhojë logjike, nuk ka se si e as se pse të jemi edhe bashkautorë të heqjes, meqë kështu ia ka qejfi kryeministrit e na thotë: “jemi më afër se asnjëherë heqjes…”.

Unë e çmoj shumë qëndrimin e profesor Ksenofon Krisafit, njërit prej specialistëve më të mirë shqiptarë të së drejtës ndërkombëtare, kur thotë se pala shqiptare nuk duhet të përzihet fare në procesin e heqjes së ligjit të luftës nga Greqia, pasi është një akt unilateral që i takon palës greke dhe është në nderin e saj.

Për rrjedhojë, mund ta këshilloj me shumë modesti edhe Kryeministrin e Shqipërisë, që jo vetëm të njohë, të mësojë, të vlerësojë e të respektojë më shumë mendimin e profesorëve dhe diplomatëve tanë të nderuar, por edhe të frenojë gjuhën e të mos shprehet si t’i teket për çështje që nuk janë vetëm të tijat, dhe që krijojnë më së paku keqkuptime dhe deformime në qëndrime që nuk lejojnë e as pranojnë ekuivok.

Në këtë kontekst, po ia shpjegoj edhe një herë pa asnjë drojë se mund të lodhem kryeministrit, se togfjalëshi “akt unilateral” nuk është i barasvlefshëm me togfjalëshin “akt bilateral”.

“Akt unilateral” ka kuptimin e veprimit të njëanshëm, ndërsa “akt bilateral” ka kuptimin veprim i dyanshëm.

E për sa kohë, shpallja e ligjit të luftës nga ana e Greqisë me Shqipërinë ka qenë një veprim i njëanshëm, pra një akt unilateral dhe jo një akt bilateral, pa asnjë kontribut apo implikim nga ana e Shqipërisë, edhe heqja apo shfuqizimi i atij ligji, është detyrim dhe përgjegjësi e njëanshme e Greqisë.

Ndaj për rrjedhojë, nuk duhej e nuk duhet përdorur asnjëherë folja “jemi”, që gjithmonë ka kuptimin “ne jemi”.

Në ligjin e luftës së Greqisë me Shqipërinë, ne as kemi qenë, as nuk jemi, as do të jemi!

Nuk jemi ne në gjendje lufte. Është Greqia shpallëse e gjendjes së luftës. Nuk jemi ne palë e situatës. Është Greqia përgjegjëse. Greqia e ka hequr përgjysmë gjendjen e luftës me Shqipërinë me një vendim të qeverisë “Papandreu” tridhjetë e ca vjet më parë, por që mbetet ende gjysmak për sa kohë nuk ka kaluar në Vouli, pra në parlamentin helen.

Greqia do të duhej ta kishte hequr formalisht me kohë atë ligj, e nëse realisht ajo është më afër se kurrë heqjes së tij, siç bën zëdhënësin Kryeministri i Shqipërisë, do të bënte shumë mirë ta hiqte realisht dhe përfundimisht sa më parë.

Por kjo nuk i jep asnjë të drejtë bashkautorësie Kryeministrit të Shqipërisë, protagonizmi i të cilit është krejtësisht spekulativ dhe i pavend, për të mos thënë edhe provokativ.

Për çështjen e ligjit të luftës nuk mund të shkruhet dhe as të flitet me “jemi”. Ka të tjera çështje mes dy vendeve tona për të cilat mund e duhet të përdorim foljen në shumës “jemi”, sepse ne kemi edhe përgjegjësi, edhe detyrim për zgjidhjen e tyre.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.