KULTURË

INTERVISTA/ Sadik Bejko: Mbi ‘Poetin laureat’ e haraçet tona dikur

11:36 - 24.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Burri i thinjur që më vjen përballë, ka jetuar në kohëra të vështira. Ka hap të ngadaltë e portret të paqtë. Dikur, deshi një grua. Atëherë flokët i kishte të zinj, ecte drejt e shpejt, dhe ishte poet. I kushtoi një varg poezish, dhe i marrosur prej dashurisë siç qe, iu lut kryeredaktorit të “Dritës” t’ia botonte. 50 vjet më i ri, duhet ta ketë magjepsur edhe kryeredaktorin, sa në faqet e gazetës, një ditë, ai lexoi ndjesitë e tij nën titullin “Ditët e Everestit të jetës sime”. Pothuaj 50 vite më vonë, subjekti që i nxiti ato poezi, vajza që i kishte marrë mendjen Sadik Bejkos, është duke e pritur në shtëpi, ndërsa ai, është bërë gati, ka veshur një xhup blu e një palë atlete blu, dhe ka nxituar drejt lulishtes pranë “Arteve”, për një bisedë mbi 50 vite të shkuara, e një dashuri që jeton ende. Një prej kandidatëve për ‘Poetin laureat’, ai sqaron për “Gazeta Shqiptare”, një ngatërresë që doli të jetë gabim njerëzor, kur “Everesti” u lexua si “Enveri”, dhe më tej, poetët në dy kohë e haraçet që i paguan asokohe e i përndjekin edhe sot.




Zoti Bejko, sa i rëndësishëm është për një vend, një “Poet laureat”?

“Poeti laureat” ka ekzistuar, ka qenë poet në kohë të hershme, pranë vendeve që kanë pasur monarki, nëpër oborre, që pak a shumë merreshin me oborrin e familjes mbretërore. Këta poetë disa janë aq të shquar sa mbretërit janë harruar e ata jo. Ju kujton Francisco Gojën, piktor, që është i njohur. Në Britani, “Poeti laureat” ka qenë mjaft i njohur.

Biblioteka e Kongresit në Amerikë emëron një herë në dy vjet një “Poet laureat”. Është një traditë e mirë anglosaksone. Ata poetë i kanë dhënë një farë hierarkie aristokracie, poezisë e letërsisë, duke e renditur ndër vlerat më të mira që ka një shoqëri, sepse janë vlera që duhen bërë të njohura. Letërsia ka nevojë për dikë që e përhap dhe një “Poet laureat” promovon vlerat jo të vetat, po të poezisë, dhe poetëve të brezit të tij.

Profesor, Shqipëria ka dalë në fillim me 26 emra, dhe tashmë ka nxjerrë një listë të shkurtër me 10 emra që janë pretendentët për “Poetin laureat”. Në këtë 10-she, jeni edhe ju. Si e shihni ju këtë dhjetëshe, edhe pse ju jeni pjesë?

Atë dhjetëshe e ka parë juria, unë s’kam çfarë komentoj. Për mendimin tim, një poet shumë i mirë është Ismail Kadare, që është jashtë liste. Po, është shkrimtar i madh, por e ka nisur si poet. Mund të ishin edhe emra të tjerë, nuk dua të merrem me emrat. “Poeti laureat”, siç e thashë është një institucion, që përcjell vlerat më të mira të kohës së vet. Nuk është domosdoshmëri të jetë më i miri, por është domosdoshmëri që të dijë të bëjë mirë punën e laureatit. Përtej asaj që ka ai si krijimtari poetike, duhet të promovojë, lançojë e përhapë, të dijë të flasë e të përcjellë kulturën e vendit të vet. Këtë kushdo që ta bëjë është një mrekulli, pavarësisht nga lista.

Para dy ditësh emri juaj u përfshi në një debat, si pjesë e listës për laureat, por edhe si autor i një poezie, që u mendua se titullohej “Ditët e Enverit të jetës time” dhe që doli se ishte gabim njerëzor, pasi titullohej “Ditët Everestit të jetës time”. Ju thatë se nuk keni shkruar për Enverin më 1972. Si ishte cikli i poezive?

Shikoni, një gjë duhet të dinë, “Poeti laureat”, historiani i letërsisë, apo drejtoritë e kulturës që merren me librin: ne jemi një popull i vogël; sado ta duash letërsinë, po nuk deshe shkrimtarët e letrarët, në fakt nuk mund ta duash letërsinë, pa ta, sepse nuk mund ta duash letërsinë si një gjë të shkëputur nga personat e nga njerëzit. Përgjithësisht, unë kam një ndjenjë dashurie e vlerësimi për shkrimtarët. Duke qenë një kulturë e vogël, siç është kultura shqiptare, ne nuk e kemi luksin të përjashtojmë shkrimtarë, për shembull, mund t’i gjejmë lehtësisht një vepër në ato kohëra që mund të mos ishte bërë, ose edhe disa. Disa poetë u hutuan nga ajo periudhë, disa i paguan haraç me vetëdije asaj periudhe dhe është një histori që duhet studiuar, por nuk duhet përdorur për të njollosur politikisht të tjerët. Ky do të ishte komenti im jashtë, duke përfshirë njëkohësisht edhe veten.

Një ndër shqetësimet e Kolës, në atë që ka shkruar, ishte mosha e poetëve që janë përzgjedhur për të qenë në listën për laureatë. Sa mund të zgjedhim, kur ne kemi këta poetë që kemi, që kanë shkruar në dy kohë, kanë jetuar në dy kohë, te të cilët, mund të gjejmë siç thoni ju, edhe vargje që nuk i nderojnë sot?

Duke qenë se është një post honorifik, pak aristokratik, ai ka mbrapa edhe një punë, detyrë e përgjegjësi. Pra kërkohet të ketë energjinë e nevojshme. Mund të jetë edhe moshë e madhe, nëse ai ka energjitë për të punuar. Nëse është me shëndet të keq, nuk mund të jetë poet laureat. Nëse ka energjinë, dashurinë për letërsinë, vullnetin, do të shprehet e të promovojë letërsinë, për mua nuk ka rëndësi mosha. Këtë e them se jam edhe vetë nga ata që kanë hyrë në moshën e thellë. Një i ri e një energjik do ishte shumë mirë. Rëndësia e “Poetit laureat” është të jetë i gatshëm të promovojë kulturën shqiptare.

Dy poezi tuajat kushtuar dashurisë, u keqkuptuan nisur nga një titull. Cila ishte historia që bëri të mundur botimin e tyre?

Ishte viti 1972. Atëherë, më ishte marrë pak mendja nga dashuria, dhe shkrova disa poezi dashurie. Iu luta atëherë Ibrahim Oruçit, kryeredaktor, i cili më vonë e pësoi e shkoi për 10 vjet fshesaxhi në një minierë. Unë ia di për nder që m’i botoi, një cikël me pesë poezi. Ai ma bëri këtë nder dhe unë e di. Por duhet të themi se 1972-shi, ishte vit i liberalizmit dhe shtypi u hap pak dhe ishte një kohë ku nuk kishe nevojë të përzieje poezitë e dashurisë me ato të politikës. Sigurisht, të shkruaje të tilla gjëra atëherë nuk ishte e këshillueshme, sepse pati jo pak pasoja.

Edhe ju patët pasoja?

Pati shumë, pati Ibrahim Oruçi pasoja, që ishte një partiak i kohës, por ishte edhe brenda luftës për pushtet. Ai ishte dramaturg, ai e pagoi.

Patët edhe ju vetë megjithatë…

Edhe unë e pagova pak, bëra gjashtë vjet minator. Ka të tjerë që kanë vuajtur më shumë se unë, më shtrenjtë se unë, si Frederik Rreshpja që ka qenë miku im dhe si Visar Zhiti, që kanë qenë në burg.

Sa mund t’i ndajmë ne poetët sot, në ata që shkruan për Enverin a jo, sepse ishte një mënyrë mbrojtjeje?

Ishte… patjetër që do të paguaje haraçin e kohës, ishte e detyrueshme. Kryeredaktorët kishin krijuar një klishe, thoshin ‘do kesh kaq poezi për klasën punëtore, do kesh për partinë, për industrializimin, do kesh poezi pohuese e himnizuese për kohën. E pas këtyre mund të kishe poezi intime, meditative, lirike e filozofike. Kur merrnim librin e ndonjë shoku, nëse kishte 5-6 poezi të mira jashtë këtyre temave me detyrim, e dinim se kjo pjesa tjetër ishte e skarcuar. Ne jo se nuk e dinim ç’ishte poezi, por ose do bëje këtë, ose do t’i vije gojës kyç, tapë, të thyeje penën dhe nuk do shkruaje më. Çdo poet që ka sjellë vlera që i kanë mbijetuar kohës, duhet të marrë vëmendjen e lexuesit, por jo për t’i stigmatizuar njerëzit politikisht.

 

DEBATI QË NISI NGA NJË SHKRIM

Nisma e ndërmarrë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për zgjedhjen e një “Poeti Laureat”, ‘institucion’ që gjendet në disa vende europiane, ka ngjallur debat në qarqet letrare. Kryesisht prej emrave që janë përfshirë në listat për të zgjedhur një poet që do të jetë laureati i parë shqiptar. Në një shkrim të publikuar në ‘sbunker’, Lisandri Kola, poet e profesor, shkroi një sërë arsyesh që nuk e bindin, mes të cilave edhe faktin që poetët janë vetëm nga Shqipëria.

Kola në artikullin e tij argumentonte se “Nji problem tjetër që lidhet me 25 poetët e shpallun kandidatë për kunorën e larit, asht se për çudi dallohet nji lojë spathish ku asht përjashtue gjenerata poshtë moshës 45 vjeç (kund afër kësaj). Pra mungon larmia dhe natyrshmënia e nji kompeticioni normal”. “Ky nuk asht nji çmim rutinor, vjetor që analizon prumjet e nji viti kalendarik-libresk, por asht nji çmim i cili inaguron nji projekt a nji traditë që mundet ose jo me pasë vijimsi. Nëse mendja ju shkon, që këto argumente lidhen me mungesën e emnit tim aty (pra si gjeneratë poshtë 45-s)” dhe se “as nuk pres dhe as due të jem pjesë e asnji nominimi a kandidimi të mundshëm, edhe pse kjo nuk asht në dorën e autorit. Nuk e mohoj ekzistencën time si autor, por refuzoj çdo listim, short-listim apo çmim, që ka me ardhë (?) prej institucioneve shtetnore shqiptare”.

Në vijim të një shkrimi kur argumentonte ato që për të janë kundërshti ndaj mënyrës se si po vijon procesi për “Poetin laureat”, Kola shtonte se “Në këtë përzgjedhje gjeo-poetike dhe gjeneratash ka tre përbâs që të bien në sy. (I) Gjenerata e parë asht ajo e trubadorëve të deklaruem të komunizmit shqiptar (Londo, Lako, Zhiti, Marku, Zogaj) e ndonji tjetër disi ma i maskuem, kripto. (II) Gjenerata e dytë asht ajo e mbas 90-s, ku disa prej tyne kanë mbetë me reputacionin e asaj kohe dhe pendën e kanë flakë kahmot”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.