OPINION

Dogma e taksës së sheshtë

10:04 - 26.10.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në botë ka katër sisteme taksash që zbatohen nga të 150 qeveritë në glob, por dy janë ato kryesoret: taksa e sheshtë dhe taksa progresive. Taksën e sheshtë e aplikojnë vende si Lituania, Estonia, Letonia, Rusia, Serbia, Ukraina, Sllovakia, Gjeorgjia, Rumania, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi etj.. Taksën progresive e zbatojnë më shumë vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore, Azisë, SHBA-të etj. Taksa e sheshtë nënkupton që të gjithë paguajnë të njëjtën nivel (në përqindje) tatimi për të gjithë individët dhe sipërmarrjet, pavarësisht nga sektori apo niveli i të ardhurave që ata krijojnë. Në fillim të tranzicionit të vendit, në vitet 1992-2007, kjo taksë dukej më e mira dhe realisht i bënte më mirë ekonomisë së vendit. Ajo siguronte përfshirje (futje në skemë) më të gjerë të taksapaguesve dhe lehtësi në llogaritje dhe mbledhje të të ardhurave. Për administratën tonë tatimore, ende të patrajnuar mirë dhe me njohuri të pakta të programeve digjitale, ishte mënyra më e mirë për të vjelë taksat. Tani në këto vitet e fundit, edhe administrata jonë tatimore në qendër dhe rrethe është digjitalizuar. Nga viti 2002, pasi kishin kaluar 10 vjet me taksën e sheshtë, një pjesë e sipërmarrjeve nisën të rriteshin fort dhe të konsolidoheshin, duke marrë në punë ose paguar me kohë të pjesshme ekspertë të zotë të sistemit tonë tatimor. Ato mësuan hilet e sistemit dhe si t’ia hidhnin pa u lagur, duke trukuar bilancet. Për qindra kompani që punësonin me dhjetëra e dhjetëra mijëra punonjës në total, taksa e sheshtë u bë një Eldorado për të shmangur detyrimet, duke dalë gjithnjë me “këpucë të kuqe”, pra me humbje, me gjithë fitimet marramendëse që realizonin. Më 1 janar 2014, socialistët provuan sistemin tjetër, taksën progresive, por dështuan fort me të ardhurat nga tatimi mbi fitimin. Ato jo vetëm nuk u rritën me 50 për qind, sikurse të tregonte rritja e vetë taksës nga 10 në 15 për qind, por sistemi progresiv nuk i pengoi kompanitë e mëdha të vijonin të shmangeshin rregullisht nga taksat. Derisa vijmë më 14 nëntor 2017, kur kryeministri i vendit deklaroi publikisht se 800 kompani të mëdha punojnë me bilance të dyfishta. Pra, të trukuara! Lind pyetja: rikthimi në taksën e sheshtë, sa do ta ndihmojë ekonominë tonë? Së pari, kompanitë e mëdha do të vijojnë të deklarojnë se dalin me humbje, pasi askush nuk i pengon të trukojnë edhe në të ardhmen. Vërtet, tatimi mbi fitimin prej 9 për qind nga sistemi i taksës së sheshtë do t’i cyste pak të tregonin fitimin, por kur kam mundësi t’i jap zero lekë shtetit tatim fitimi me bilancin e trukuar si me humbje, përse duhet t’i paguaj 9 për qind të fitimit real që kam? Disi më e fituar del shtresa jonë e mesme, pasi heq tatimin progresiv mbi rrogat mbi 1 milion lekë të vjetra që ajo mund të marrë në muaj. Mirëpo taksa e sheshtë, nëse rikthehemi tek ajo pas 25 prillit 2021 dhe e zbatojmë më 1 janar 2022, do të rëndojë më shumë këdo që ka të ardhura të vogla (shumicën mes nesh), individë apo biznese të vogla, në lidhje me të ardhurat, duke u kufizuar atyre nevojat jetike apo mundësinë e zhvillimit të biznesit të vogël që kanë. Së treti, taksa e sheshtë lejon më shumë korrupsion dhe përfitime të pamerituara për grupime të veçanta, duke përfshirë kompani me pozicione monopol apo oligopol (rasti i kompanive të shumicës në tregtinë e karburanteve, etj.), duke pakësuar të ardhurat e Buxhetit të Shtetit. Ja përse taksa e sheshtë, me iluzionin se do të vijojë të rrisë numrin e taksapaguesve (pra, të pakësojë informalitetin) dhe të shtojë investimet e kompanive të mëdha në ekonomi, është një dogmë. Realiteti i zbatimit të saj në vitet 2003-2013 tregoi se kompanitë e mëdha pjesën më të madhe të fitimit e shndërruan në vila dhe mjete të tjera jetese për pronarët e tyre. Si dhe për ata që i ndihmonin këta pronarë t’ua hidhnin paq detyrimeve ndaj shtetit, duke ua fshehur fitimin e realizuar. Një studim i një OJF-je për kthimin e fitimit në ekonomi për vitet 2004-2013 tregoi se vetëm 17 për qind e këtij fitimi u ri-investua në ekonominë tonë. Pjesa më e madhe, ose u riatdhesua në vendin e origjinës së pronarëve të kompanisë së huaj (zakonisht e regjistruar në parajsat fiskale), ose u shndërrua në asete të pronarëve shqiptarë të firmave të mëdha (vila, përqindje në aksione të kompanive të tjera, llogari bankare individuale etj.). Edhe pse një zgjidhje më e mirë për vendin, sistemi i sotëm i taksës progresive ka nevojë urgjente të ripërmasohet, duke favorizuar shtresën e mesme të vendit, e cila është goditur shumë fort prej tij. Kemi nevojë si ajri të ndihmojmë shtresën e mesme me politika favorizuese fiskale, pasi ajo i jep tonin konsumit në vend.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.